ATV

Category: Lifestyle

  • Pse disa njerëz thinjen në moshë të re?

    Pse disa njerëz thinjen në moshë të re?

    Nëse mendoni se jeni të vetmit që ju janë thinjur flokët, mendoni gabim. Tingëllon çuditshëm që shumë të rinj janë me thinja, por më e rëndësishmja është se këto shenja nuk kanë lidhje me plakjen.

    Thinjat në moshë të re janë disa shenja që tregojnë se shëndeti juaj nuk është edhe aq i mirë. Në këtë artikull do të njiheni me disa nga arsyet kryesore pse ju dalin thinjat që në moshë të re.

    1. Mund të keni mungesë të vitaminës B12. Sipas ekspertëve mungesa e vitaminës B12 është shkaku më i zakonshëm i thinjave të hershme në flokë. Për ta shmangur këtë sigurohuni që të shtoni ushqimet e duhura si vezë, mish viçi, ton dhe salmon në dietën tuaj. Gjithashtu vitaminën B12 mund ta gjeni edhe në suplemente.

    2.Probleme me tiroiden. Nëse keni probleme me flokët e thatë apo të yndyrshme, normalisht që këto do të pasohen me thinja të parakohshme.

    3. Ju konsumoni më shumë ushqime të gatshme sesa të shëndetshme. Nëse nuk keni një dietë të pasur ushqimore shansi është që të thinjeni para kohe. Studime të ndryshme kanë dalë në përfundimin se ferritina, kalciumi, Vitamina D-3, bakri, zinku dhe hekuri mund t’i mbajnë flokët tuaj të shëndetshme, ndërsa mungesa e tyre mund të çojë në shfaqjen e thinjave që në moshë të re.

    4.Shqetësoheni shpejt për gjërat dhe stresoheni. Nëse stresoheni shpesh, kjo gjë ndikon tek qelizat staminale që janë përgjegjëse për rigjenerimin e flokëve tuaj, prandaj ju dalin më herët thinjat.

    5. Thinja të trashëguara. Ndodh që thinjat e hershme t’i keni të trashëguara nga prindërit, pra janë gjenetike. Nëse dikush në familjen tuaj thinjet herët, kjo do të ndodhë edhe me ju.

    6. Përdorimi i produkteve për flokët me kimikate dëmtuese. Nëse lyeni flokët shumë shpesh, këto kimikate ndikojnë në melaninën tuaj duke humbur kështu ngjyrën natyrale të flokëve.

  • A po shndërrohet kujdesi i lëkurës për fëmijë në biznes miliardash?

    A po shndërrohet kujdesi i lëkurës për fëmijë në biznes miliardash?

    Industria e kujdesit të lëkurës po zgjerohet në një territor të panjohur: fëmijët e moshave katër vjeç e lart. Dermatologë të njohur kanë kritikuar me tone të ashpra një linjë të re produktesh që përfshin maska fytyre të dizajnuara posaçërisht për të vegjlit, duke e cilësuar këtë valë të re marketingu si “dystopike”, të pakuptimtë dhe pa kurrfarë përfitimi real për lëkurën e fëmijëve.

    Shkak për reagimet u bë lansimi i maskave të fytyrës nga aktorja Shay Mitchell, e njohur nga seriali “Pretty Little Liars”, e cila tha se produktet ishin “të frymëzuara” nga vajzat e saj. Linja “Rini”, e themeluar nga Mitchell bashkë me Esther Song dhe Matte Babel, premton t’i bashkojë “kujdesin e lëkurës dhe lojën”, duke synuar të ndërtojë “zakone të shëndetshme” tek fëmijët.

    Por për dermatologët, ky treg i ri nuk ka as bazë shkencore, as arsye ekzistuese. Emma Wedgeworth, dermatologe në 55 Harley Street në Londër, e cilësoi idenë si “qesharake”. Ajo paralajmëroi se produktet e tilla janë të panevojshme dhe mund të ekspozojnë fëmijët ndaj irritimeve dhe alergjive, në një kohë kur e vetmja rutinë e nevojshme për ta është një pastrim i butë, hidratim sipas nevojës dhe mbrojtje nga dielli.

    Sipas saj, asnjë pastrues i shkrirë, aromë sintetike apo serum i marketinguar si lojë nuk forcon barrierën e lëkurës së fëmijëve. Ajo shtoi se trendet e bukurisë nuk duhet të nxisin fëmijët të fokusohen te pamja apo të krijojnë ankth për dukjen e tyre në moshë kaq të hershme.

    Fenomeni “Sephora kids” është tashmë i konsoliduar në rrjetet sociale, ku fëmijë të moshave të ulëta postojnë video me produkte nga marka të njohura si Drunk Elephant, Bubble dhe Sol de Janeiro.

    Ndërkohë, në SHBA, marka Ever-eden është pozicionuar si linja e parë e kujdesit të lëkurës e zhvilluar nga dermatologë pediatrikë specifikisht për ata nën 14 vjeç. Kompania shkon aq larg sa t’u ofrojë prindërve “rutinë të plotë të kujdesit të lëkurës” për fëmijët trevjeçarë, nga pastruesi te kremi me SPF, duke krijuar kategori të re tregu që e quan “gjenerata alfa”.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, Superdrug synon moshat 13 deri në 28 vjeç përmes linjës POP, duke argumentuar se kjo grupmoshë kërkon produkte “të sigurta për barrierën e lëkurës dhe të përballueshme”. Por specialistët paralajmërojnë se kufijtë mes nevojës dhe marketingut po zbehen me shpejtësi.

  • Cili pastron më mirë rrobat, detergjenti pluhur apo i lëngshëm? Ja çfarë thonë ekspertët

    Cili pastron më mirë rrobat, detergjenti pluhur apo i lëngshëm? Ja çfarë thonë ekspertët

    Zgjedhja varet nga lloji i rrobave dhe mënyra si i lani, jo nga reklamat

    Sado e gjerë të jetë rafti me detergjente, zgjedhja në fund zakonisht reduktohet në dy opsione: pluhur apo i lëngshëm. Dhe, natyrisht, nuk ekziston një formulë universale, sepse gjithçka varet nga mënyra si e lani rrobën, çfarë lani dhe sa shpesh përballeni me njolla të forta. Por kur dëgjon çfarë thonë ekspertët e mirëmbajtjes së shtëpisë, bëhet më e qartë në cilat raste është më mirë të zgjidhni njërin ose tjetrin.

    Detergjent në pluhur apo i lëngshëm?

    Becky Rapinchak, themeluese e markës Clean Mama, shpjegon se detergjentet në pluhur kanë disa avantazhe serioze. Nëse shpesh lani rroba pune, peceta të yndyrshme kuzhine, peshqirë sporti apo veshje të cilat nuk pastrohen vetëm për t’u freskuar, por për t’u pastruar në thellësi, atëherë pluhuri është zgjedhja më e mirë.

    Ai është më i koncentruar, vepron më fort ndaj papastërtive dhe yndyrës, dhe është më efektiv kundër njollave të vështira. Një tjetër përparësi është aspekti ekologjik: detergjentet në pluhur zakonisht paketohen në kuti kartoni dhe konsumohen më ngadalë, duke krijuar më pak mbeturina. Është gjithashtu e rëndësishme të dini se makina e larjes mbetet më e pastër pas përdorimit të pluhurit, pasi detergjentet e lëngshëm kanë tendencë të ngjiten në tubacione dhe në brendësi të kazanit me kalimin e kohës.

  • Këto 3 shenja tregojnë se ka ardhur koha të ndërroni furçën e flokëve

    Këto 3 shenja tregojnë se ka ardhur koha të ndërroni furçën e flokëve

    Ekspertët paralajmërojnë: furça e vjetër dëmton flokët, rrit thyerjen dhe irriton lëkurën e kokës

    Furça e flokëve është diçka që e përdorim çdo ditë, por shpesh harrojmë se edhe ajo ka nevojë për kujdes. Edhe pse duket si një detaj i vogël, prej saj varet shëndeti dhe pamja e flokëve. Që të kryejë funksionin e saj si duhet, është e domosdoshme që të zëvendësohet herë pas here.

    Shumica prej nesh e shtyjmë vazhdimisht, ashtu siç shtyjmë larjen e çarçafëve ose ndërrimin e furçës së dhëmbëve. “Po punon ende, pse ta ndërrojmë?”, është zakonisht mendimi i parë. Por e vërteta është se furça e flokëve ka një jetëgjatësi të caktuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për higjienën, edhe pse mbetjet e sebumit dhe produkteve të stilimit duhet të ishin tashmë një paralajmërim. Me kalimin e kohës, edhe materialet nga të cilat është bërë dëmtohen, ndaj krehja bëhet më pak efikase, madje ndonjëherë edhe më agresive ndaj fijeve të flokut. Rezultati? Thyerje, thatësi dhe një lëkurë e kokës më e ndjeshme.

    Ekspertët rekomandojnë që furça të ndërrohet çdo gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, në varësi të përdorimit dhe mirëmbajtjes.

    Ka disa shenja të qarta që tregojnë se është koha për një furçë të re. Zbuloni ato më poshtë, transmeton Telegrafi.

    1. Dhëmbëzat janë shtrembëruar, thyer ose konsumuar

    Kjo është shenja më e dukshme dhe më e besueshme. Kur majat janë të përkulura, të dëmtuara ose të konsumuara, ato nuk mund t’i sistemojnë si duhet flokët. Përkundrazi, mund t’i tërheqin, t’i thyejnë apo të irritojnë lëkurën e kokës. Në vend të një lëvizjeje të butë, marrim një ndjesi të pakëndshme dhe më shumë dëm sesa dobi.

    2. Furça mbetet e ndotur edhe pas larjes

    Kërkimet tregojnë se në furçë mund të gjenden mijëra lloje bakteresh, një përzierje qelizash të vdekura të lëkurës, fijesh flokësh, pluhurit dhe mbetjeve të produkteve të stilimit. Prandaj është e rëndësishme ta lajmë rregullisht: çdo dy javë nëse përdorim pak produkte, dhe më shpesh nëse përdorim xhel, vajra ose shkumë.

    Nëse furça, pas një pastrimi të thellë, vazhdon të duket e yndyrshme, me nuancë gri ose e ndotur, kjo do të thotë se bakteret janë depërtuar thellë në material dhe është koha për zëvendësim.

    3. Flokët ngatërrohen më shumë pas krehjes se para saj

    Kur furça humb elasticitetin dhe fleksibilitetin, ajo nuk arrin më të zbusë fijet e flokut dhe t’u japë shkëlqim. Përkundrazi, flokët mund të duken të elektrizuar, pa jetë dhe edhe më të ngatërruar sesa para krehjes. Kjo ndodh kur materiale si fijet natyrale, goma ose plastika bëhen të forta, të thata ose të konsumuara. /Telegrafi/

  • Era e duhanit nuk del lehtë nga shtëpia: Kur përthithet në mure, ky truk funksionon gjithmonë

    Era e duhanit nuk del lehtë nga shtëpia: Kur përthithet në mure, ky truk funksionon gjithmonë

    Edhe aroma më ngulfuese e tymit zhduket me këtë metodë të thjeshtë, pa bojë, pa rinovim dhe pa pajisje, mjafton një pastrim i saktë dhe disa neutralizues natyralë

    Një nga aromat më kokëforta në çdo shtëpi është era e tymit të duhanit. Dhe nuk ka rëndësi nëse ju pini apo jo, mjafton që disa mysafirë të ndezin cigare në një hapësirë të mbyllur dhe e gjithë dhoma do të marrë atë aromë të rëndë e të ndenjur, e cila futet në pëlhura, perde, qilim, madje edhe në mure. Dimrit është edhe më keq, sepse takimet zhvendosen në ambiente të brendshme, ndërsa dritaret qëndrojnë të mbyllura.

    Fatmirësisht, ekziston një truk i thjeshtë që e zgjidh shpejt këtë problem dhe nuk kërkon pajisje të veçanta apo rinovim.

    Bloggerja britanike Sophie Hinchliffe shpesh ndan këshilla për mirëmbajtjen e shtëpisë, por një truk i vjetër nga komuniteti i saj është bërë hit i vërtetë. Një grua ishte ankuar se shtëpia ku ishte sapo shpërngulur ishte plot me erë duhani të mbetur nga pronarët e mëparshëm. Njerëzit i kishin sugjeruar gjithçka, nga lyera e mureve deri te rinovimi i plotë, por asgjë prej këtyre nuk ofronte zgjidhje të shpejtë.

    Nga moria e propozimeve u veçua më i thjeshti: i ashtuquajturi sapun me sheqer për pastrim të mureve. Ky produkt heq shtresën e nikotinës që është grumbulluar për vite të tëra nëpër sipërfaqe dhe jep rezultat menjëherë. Rekomandohet që nga dhoma të hiqen tekstilet, perdet, jastëkët, batanijet dhe qilimat, sepse pikërisht këto e përthithin më shpejt erën. Vetëm pas kësaj ia vlen të pastrohen muret dhe të gjitha sipërfaqet e sheshta, transmeton Telegrafi.

    Janë shfaqur edhe sugjerime të tjera, si bojërat që bllokojnë aromat ose lënia e enëve me qepë të copëtuar në çdo dhomë për të “thithur” aromat e pakëndshme. Por shumica e këtyre trukeve kërkojnë kohë dhe nuk janë as të këndshme, as praktike.

    Për situata kur ju duhet një zgjidhje e shpejtë, rezultatin më të mirë e japin tre gjëra: enët me qymyr aktiv, tasat me uthull dhe disa pika vaj esencial në ujë të ngrohtë. Të treja neutralizojnë erën, në vend që ta mbulojnë, dhe veprojnë brenda gjysmë ore. Në kombinim me një ajrosje të shkurtër, dhoma merr një aromë të pastër e të thatë, edhe pse pak më parë ka qenë plot mysafirë që kanë tymosur.

    Nëse mysafirët që pinë duhan vijnë shpesh, përgatitini këta neutralizues paraprakisht dhe vendosini aty ku qarkullon më shumë ajri. Mobiliet do t’ju jenë mirënjohëse, dhe shtëpia do të mbetet pa atë aromën e rëndë e të tymosur, që të bezdis më së shumti kur të gjithë largohen dhe hapësira mbetet e qetë.

  • Parandaloni formimin e mykut në lavatriçen tuaj me dy hapa të thjeshtë

    Parandaloni formimin e mykut në lavatriçen tuaj me dy hapa të thjeshtë

    Lavatriçet mund të jenë të prirura ndaj mykut sepse bien rregullisht në kontakt me lagështinë, por një hap shtesë gjatë ditës së larjes mund të parandalojë formimin e mykut.

    Lavatriçet na e bëjnë jetën shumë më të lehtë, por ato kërkojnë kujdes të duhur që të funksionojnë pa probleme. Mund të mos mendoni se është e rëndësishme, por pastrimi dhe mirëmbajtja e lavatriçes mund ta ndihmojë atë të lajë rrobat tuaja në mënyrë efektive dhe të parandalojë që ato të kenë erë të keqe.

    Meqenëse lavatriçet përdorin shumë ujë, disa pjesë të pajisjes janë të ndjeshme ndaj mykut. Kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat ku uji mund të grumbullohet për periudha të gjata kohore, siç është sirtari i detergjentit dhe guarnicioni prej gome rreth derës.

    Nëse i lejoni këto pjesë të makinës suaj të ndoten, ato do të duhet të pastrohen plotësisht dhe, në disa raste, mund t’ju duhet t’i zëvendësoni pjesët.

    Vulat e gomës janë veçanërisht të rrezikshme kur myken sepse myku mund ta gërryejë gomën dhe të shkaktojë vrima – që do të thotë se makina juaj nuk do të jetë e papërshkueshme nga uji dhe mund të rrjedhë.

    Megjithatë, nuk keni pse ta pastroni thellë lavatriçen pas çdo përdorimi për të parandaluar formimin e mykut. Në fakt, ka dy gjëra që mund të bëni pas çdo larjeje që zgjasin vetëm një minutë dhe do të sigurojnë që të mos formohet myk.

    E tëra çfarë duhet të bësh është të fshish guarnicionin me një leckë dhe ta lësh derën hapur që të qarkullojë ajri.

    Gjithashtu mund ta hiqni sirtarin e detergjentit dhe të derdhni ujin e tepërt, duke e lënë të thahet plotësisht përpara se ta vendosni përsëri në makinë larëse. Kjo duhet të parandalojë formimin e mykut në çdo pjesë të makinës suaj.

  • Lëndohet Will Ferrell, ndalon xhirimet e serialit të shumëpritur në Netflix

    Lëndohet Will Ferrell, ndalon xhirimet e serialit të shumëpritur në Netflix

    Komiku dhe aktori Will Ferrell, po merr një pauzë të përkohshme nga xhirimet e serialit të tij komik për golf në Netflix për shkak të një lëndimi të vogël jashtë setit. Burime nga prodhimi thonë se lëndimi, ndonëse jo serioz, e bëri të pamundur që ai të xhirojë skena sipas kalendarit të planifikuar.

    Seriali me 10 episoda, ende pa titull zyrtar, do të shfaqë Ferrell-in si “Lonnie ‘The Hawk’ Hawkins”, një legjendë fiktive e golfit me një personalitet të madh, që qëndron në qendër të komedisë. Xhirimet ishin duke u zhvilluar pranë Los Angeles-it kur ekipa e prodhimit vendosi të riorganizohet derisa Ferrell të rikuperohet.

    Megjithë ndërprerjen brenda produksionit shprehin se lëndimi është i vogël dhe pritet rikthim tejet i shpejtë. Pauza e përkohshme duket se nuk do të vonojë ndjeshëm afatin përfundimtar të serialit.

  • Flokë që rriten më shpejt dhe nuk dëmtohen, rituali japonez që zëvendëson balsamet dhe maskat

    Flokë që rriten më shpejt dhe nuk dëmtohen, rituali japonez që zëvendëson balsamet dhe maskat

    Në Japoni, larja e flokëve nuk është thjesht pjesë e higjienës, por një ritual meditativ, një moment i dedikuar vetes dhe harmonisë së brendshme. Në një kulturë ku bukuria shihet si vazhdim i shpirtit, kujdesi për flokët lidhet drejtpërdrejt me ekuilibrin fizik dhe mendor.
    Ndoshta kjo është arsyeja pse flokët e japonezeve duken gjithmonë të ushqyer, të shëndetshëm dhe plot shkëlqim — edhe kur nuk harxhojnë asnjë minutë për stilizim.

    Sekreti qëndron te teknika, jo te shamponi

    Sipas parukieres Maria Roberts, themeluese e sallonit Madart x Studio 25 në Spanjë, metoda japoneze e larjes së flokëve nuk ka të bëjë vetëm me pastërtinë, por me vëmendjen dhe kujdesin.

    “Në Japoni, shamponi aplikohet dy herë, herën e parë për pastrim dhe herën e dytë për ushqim dhe stimulim të rritjes së flokëve,” – shpjegon Roberts.

    Gjatë këtij procesi, përdoren dy furça silikoni, një në secilën dorë, me lëvizje masazhuese që aktivizojnë qarkullimin e gjakut në lëkurën e kokës.
    Masazhi fillon nga zverku drejt majës së kokës, me lëvizje të buta rrethore — një proces që nxit rritjen e flokëve, por njëkohësisht ul stresin dhe tensionin, duke e kthyer larjen në një terapi relaksuese për trupin dhe mendjen.

    Vaji para shamponit – hapi që nuk duhet anashkaluar

    Para se të aplikojnë shamponin, japonezet përdorin vajra natyralë bimorë, zakonisht vaj kamelie, susami ose jojobe. Këto vajra mbrojnë flokët, balancojnë yndyrën dhe ruajnë lagështinë.

    Vaji i kamelies, i njohur si “sekreti i bukurisë japoneze”, përdoret prej shekujsh: gratë e aplikojnë para larjes për të zbutur fijet dhe për t’i mbrojtur nga dëmtimet, por edhe pas larjes si trajtim përfundimtar që u jep flokëve shkëlqim dhe butësi të pakrahasueshme.

    Si thahet flokët sipas parimit japonez

    Japonezet nuk i fërkojnë flokët me peshqir. Në vend të kësaj, ato i mbështjellin me një peshqir mikrofibre ose me një bluzë pambuku, për të përthithur lagështinë pa dëmtuar fijet.
    Qëllimi është të hiqet rreth 70% e lagështisë para tharjes me fen, për të reduktuar dëmin nga nxehtësia dhe për të ruajtur strukturën natyrale të flokëve.
    Rezultati? Flokë më të butë, më me shkëlqim dhe më të shëndetshëm, pa maja të thata e pa dredha.

    “Spa” për flokët – 40 minuta relaks për trupin dhe shpirtin

    Në Japoni ekzistojnë spa të specializuara për flokët, ku vetëm procesi i larjes zgjat 30 deri në 40 minuta.
    Ky ritual përfshin masazh të skalpit, kompresa të ngrohta, aromaterapi dhe muzikë qetësuese.
    Ideja është e thjeshtë: kur kujdesesh për lëkurën e kokës, kujdesesh edhe për mendjen.

    Japonezet besojnë se “flokët kanë energjinë e tyre” dhe duhen trajtuar me respekt.
    Kujdesi ndaj flokëve për ta nuk është thjesht kozmetik, por një bashkim i teknikës, filozofisë dhe disiplinës.

    Kur kujdesesh për lëkurën e kokës si për fytyrën, flokët të shpërblejnë

    Nëse dëshironi flokë të shëndetshëm, të dendur dhe me shkëlqim — harroni nxitimin.
    Metoda japoneze ju mëson se flokët janë vazhdim i kujdesit ndaj vetes.
    Çdo lëvizje, çdo pikë vaji dhe çdo minutë masazhi kanë rëndësi.

    Siç thonë në Japoni:

    “Kur kujdesesh për lëkurën e kokës si për fytyrën tënde, flokët do të të shpërblejnë shumëfish.”

  • Ja si të ulni faturat e energjisë elektrike: Fikni këto pajisje

    Ja si të ulni faturat e energjisë elektrike: Fikni këto pajisje

    Shumë pajisje shtëpiake konsumojnë energji elektrike edhe kur janë “të fikura” (të ashtuquajturit vampirë energjie ), të cilët mund të përbëjnë deri në 23% të konsumit total të energjisë në familje. Shkëputja e tyre plotësisht nga priza kursen para, rrit sigurinë dhe zgjat jetëgjatësinë e pajisjeve.

    Pajisjet më të rëndësishme të mbylljes:

    Ngrohësit – edhe ngrohësit dixhitalë konsumojnë energji në prizë; mos i lidhni kurrë me kabllo zgjatuese.

    Tharëset e flokëve dhe hekurat kaçurrela – mund të jenë të rrezikshme pranë ujit; shkëputini nga priza.

    Televizorët – konsumojnë 2–50 W në modalitetin standby; veçanërisht ata në dhoma që përdoren rrallë.

    Ngrohësit e peshqirëve – mund të konsumojnë deri në 140 W dhe paraqesin rrezik zjarri.

    Konsolat e lojërave dhe televizorët – madje edhe në modalitetin “gjumë” – konsumojnë energji; aplikacionet e televizorëve inteligjentë mund të zvogëlojnë nevojën për televizorë shtesë.

    Pajisjet e zyrës në shtëpi – printerë, skanerë, grirës letre; fikini kur nuk janë në përdorim.

    Pajisjet e kuzhinës me ekran ose kohëmatës – mikrovalët, aparatet e kafesë dhe furrat konsumojnë vazhdimisht energji për shkak të ekranit dixhital.

    Kompjuterët dhe laptopët – në modalitetin “gjumë”, ata konsumojnë 1–49 W në ditë; fikja e tyre natën kursen energji dhe “rifreskon” kujtesën.

    Shtypja e butonit të ndezjes shpesh nuk është e mjaftueshme. Zgjidhja më e sigurt dhe më ekonomike është të shkëputni plotësisht pajisjet nga priza kur ato nuk janë në përdorim.

  • A do të zëvendësojnë influencerët virtualë njerëzit e vërtetë?

    A do të zëvendësojnë influencerët virtualë njerëzit e vërtetë?

    Në epokën e rrjeteve sociale, ku çdo klikim krijon ndikim dhe çdo “story” formon opinione, një brez i ri influencuesish po fiton terren, ata që nuk ekzistojnë fizikisht. Quhen influencerë virtualë: figura digjitale të krijuara nga inteligjenca artificiale që flasin, promovojnë dhe ndërveprojnë sikur të ishin njerëz realë. Por pyetja që po lind gjithnjë e më shpesh është e drejtpërdrejtë: a do të zëvendësojnë ata influencuesit e gjallë, me emocione dhe jetë reale?

    Në rrjetet globale, emra si Lil Miquela, një vajzë “virtuale” me më shumë se 3 milionë ndjekës në Instagram, kanë bërë bashkëpunime me marka si Prada, Calvin Klein apo Samsung. Ajo poston, bën fushata, ka mendime për çështje shoqërore dhe madje “debatohet” me ndjekësit e saj, por nuk është njeri. Pas çdo postimi që duket spontan, qëndron një ekip programuesish, dizajnerësh dhe psikologësh që modelojnë personalitetin e saj. Dhe megjithatë, shumë ndjekës e përjetojnë si një person real, me ndjesi e karakter.

    Kjo ndarje mes realitetit dhe virtualitetit po bëhet gjithnjë e më e paqartë. Njerëzit ndjekin përmbajtje që duket autentike, edhe kur dihet se nuk është. Për markat, influencuesit virtualë janë ëndrra perfekte: nuk lodhen, nuk kërkojnë pushime, nuk përfshihen në skandale dhe mund të përshtaten me çdo kërkesë estetike apo narrative. Në tregje të mëdha si Japonia apo Koreja e Jugut, ku teknologjia është pjesë e identitetit kulturor, këto figura po bëhen pjesë e përditshmërisë, duke udhëhequr trende, reklama dhe madje edhe kauza sociale.

    Por ajo që i bën këta influencues tërheqës, përsosmëria është njëkohësisht edhe dobësia e tyre më e madhe. Sepse, sado realistë të duken, ata nuk mund të zëvendësojnë ndjenjën e vërtetë që krijon një person i gjallë. Nuk mund të përcjellin pasiguritë, momentet e papritura apo dështimet që e bëjnë ndikimin njerëzor të besueshëm. Pikërisht këto “papërsosmëri” janë arsyeja pse ndjekësit lidhen emocionalisht me dikë sepse ndihen pjesë e së njëjtës përvojë njerëzore.

    Në Kosovë dhe rajon, ky fenomen sapo ka nisur të tërheqë vëmendjen. Disa agjenci marketingu tashmë po testojnë krijimin e figurave digjitale për fushata, duke imituar stilin dhe tonin e influencuesve realë. Por pyetja që lind është etike: nëse një influencues nuk është njeri, kush mban përgjegjësi për mesazhin që shpërndan? Dhe a është e drejtë që një “personazh i krijuar” të konkurrojë me dikë që punon realisht për të ndërtuar një komunitet besimi?

    Ekspertët e komunikimit digjital parashikojnë se influencuesit virtualë nuk do të zëvendësojnë njerëzit, por do të bashkëjetojnë me ta, duke krijuar një lloj simbioze të re mes realitetit dhe imagjinatës. Ata do të përdoren për kampanja të mëdha, për botë virtuale dhe për eksperienca interaktive, ndërsa influencuesit realë do të mbeten të pazëvendësueshëm për autenticitetin dhe lidhjen emocionale me publikun.

    Në fund, ajo që po ndodh nuk është zhdukja e njeriut nga ekrani, por një fazë e re e evolucionit digjital. Një botë ku realja dhe virtualja po ndërthuren, ku ndikimi nuk vjen më vetëm nga kush je, por edhe nga si krijohesh.
    E ardhmja e influencës, ndoshta, do të jetë një kombinim i të dyjave, e gjallë në ndjesi, por e programuar në përsosmëri. Dhe ndoshta, për herë të parë, njerëzit do të duhet të mësojnë të konkurrojnë me versionet e tyre… ideale.