ATV

Category: LIFESTYLE

  • Si ndikon pirja e ujit në rregullimin e tensionit të gjakut

    Si ndikon pirja e ujit në rregullimin e tensionit të gjakut

    Menaxhimi i tensionit të gjakut është kyç për një jetë të shëndetshme dhe të gjatë. Tensioni i lartë i gjakut, nëse zgjat për një kohë të gjatë, rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe mund të dëmtojë organe jetike, përfshirë zemrën.

    Ky problem shpesh zhvillohet ngadalë dhe pa simptoma, ndaj quhet edhe “vrasësi i heshtur”. Sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, rreth gjysma e amerikanëve kanë tension të lartë, por shumë prej tyre nuk e dinë këtë.

    Ushqyerja luan një rol të rëndësishëm, duke përfshirë shmangien e pijeve të gazuara, alkoolit, mishrave me yndyrë dhe ushqimeve me shumë kripë, si dhe konsumimin e frutave, perimeve, drithërave integrale, proteinave bimore, mishit pa yndyrë dhe yndyrave të shëndetshme. Por një faktor shpesh i nënvlerësuar është pirja e ujit.

    Si ndikon ujit në tensionin e gjakut:

    • Hidratimi i mirë ndihmon zemrën të mos lodhet dhe lehtëson qarkullimin e gjakut.

    • Përmirëson funksionin e veshkave dhe ekuilibrin e elektroliteve, të rëndësishme për shëndetin kardiovaskular.

    • Zvogëlon rrezikun e mpiksjes së gjakut, duke lehtësuar rrjedhjen dhe ulur tensionin.

    Personat me sëmundje të zemrës, diabet, ose mbi moshën 50 vjeç duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj hidratimit. Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar është ngjyra e urinës: e verdhë e hapur tregon hidratim të mirë, ndërsa e errët tregon nevojën për më shumë ujë.

    Si ndikon dehidratimi:

    • Ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe zvogëlon oksigjenin për organet, duke shkaktuar marramendje ose dobësi.

    • Ul përkohësisht tensionin, por e detyron zemrën të rrahë më shpejt dhe ngushton enët e gjakut, gjë që rrit tensionin.

    • Në raste të rënda, mungesa e ujit aktivizon hormone që mbajnë kripë dhe lëngje, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të tensionit.

    Pirja e ujit është një zakon i thjeshtë, por jetik për shëndetin e zemrës dhe për kontrollin e tensionit të gjakut. Hidratimi i duhur është një pjesë kyçe e kujdesit për trupin dhe parandalimit të komplikimeve.

  • Smoothie me luleshtrydhe, zgjedhja ideale për një mëngjes energjik

    Smoothie me luleshtrydhe, zgjedhja ideale për një mëngjes energjik

    Smoothie me luleshtrydhe është një pije e shijshme dhe ushqyese, e përgatitur nga luleshtrydhe të freskëta, banane, kos dhe mjaltë, e cila ofron energji dhe vitamina të domosdoshme për organizmin.

    Si çdo smoothie, në përgatitje shtohen edhe disa kuba akulli, që e bëjnë pijen më të freskët dhe të këndshme për t’u konsumuar. Mjalti mund të zëvendësohet edhe me shurup panje, duke e bërë këtë pije të përshtatshme si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

    Përgatitja
    Lani dhe thani mirë luleshtrydhet, hiqni pjesët jeshile dhe pritini në copa. Qëroni bananet, pritini në rrota dhe vendosini bashkë me luleshtrydhet në blender.

    Më pas shtoni kosin, mjaltin ose shurupin e panjës dhe kubat e akullit. Përziejini të gjitha derisa të përftoni një masë homogjene. Hidheni përzierjen në gota dhe konsumojeni menjëherë.

    Këshillohet që ky smoothie të konsumohet në mëngjes, veçanërisht për ata që nuk preferojnë qumështin, pasi përmban mjaftueshëm kalori dhe siguron energji deri në vaktin e radhës. Po ashtu, mund të shërbejë edhe si vakt i lehtë pasdite, duke zëvendësuar ushqimin e ndërmjetëm.

  • Rreziku nga sëmundjet nis që në barkun e nënës

    Rreziku nga sëmundjet nis që në barkun e nënës

    Dy studime zbulojnë rolin potencial mbrojtës të vitaminës D dhe antioksidantëve gjatë shtatzanisë

    A e dini se ne fillojmë të plakemi që para lindjes? Një studim ndërkombëtar, i udhëhequr nga Universiteti i Kembrixhit, ka zbuluar se tek minjtë, dhënia e antioksidantëve gjatë shtatzanisë së femrave u shkakton pasardhësve të tyre një plakje më të ngadalë kur të jenë më moshë madhore.

    Ndërsa minjtë e lindur nga nëna, të cilat kishin nivele të ulëta të oksigjenit në mitër – që tek njerëzit mund të jetë pasojë e pirjes së duhanit gjatë shtatzënisë – plakeshin më shpejt.

    Për të kontrolluar shpejtësinë e plakjes së minjve, shkencëtarët kanë matur telomeret, kapele të vogla të cilat “mbyllin” kromozomet në skajet e tyre. Me kalimin e moshës, telomeret shkurtohen dhe për rrjedhojë gjatësia e tyre mund të përdoret si një tregues për matjen e plakjes. Studiuesit zbuluan se minjtë e rritur, të lindur nga nëna që kanë pasur më pak oksigjen gjatë shtatzënisë (një gjendje kjo e krijuar në laborator), i kishin telomeret më të shkurtra në krahasim me minjtë e lindur nga shtatzënitë pa këtë ndërlikim, dhe shfaqën probleme në rreshtimin e brendshëm të enëve të gjakut, shenjë se qenë plakur më shpejt dhe se kishin me tepër gjasa për të zhvilluar sëmundje të parakohshme të zemrës.

    Megjithatë, kur nënave shtatzëna të të njëjtit grup iu dhanë ushqyes antioksidantë, kjo uli rrezikun që pasardhësit e tyre të kishin sëmundje të zemrës. Edhe fëmijët e lindur nga shtatzënitë e pakomplikuara, në të cilën fetusi kishte marrë nivelet e duhura të oksigjenit, përfituan nga ushqyesit antioksidantë në dietën e nënës, me telomeret që qenë më të gjata se sa ato të minjve, nënat e të cilëve nuk kishin marrë antioksidantët gjatë shtatzënisë.

    Dino Xhuzani i Departamentit të Fiziologjisë së Zhvillimit dhe Neuroshkencës në Universitetin e Kembrixhit, autori më i vjetër i studimit, shpjegon:”Studimi ynë tek minjtë tregon se ora e plakjes fillon të kurdiset që para lindjes. Ne tashmë e dimë se gjenet tona ndërveprojnë me faktorë të rrezikut mjedisor, siç janë pirja e duhanit, obeziteti dhe mungesa e ushtrimeve fizike, për të rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës tonë.

    Por në këtë studim ne kemi dëshmuar se ambienti ndaj të cilit jemi të ekspozuar në mitër,

    mund të jetë po aq në mos më i rëndësishëm në predipozitën e rrezikut ndaj sëmundjeve kardiovaskulare në moshë madhore”. Një konfirmim i ndikimit të kushteve brenda në barkun e nënës mbi shëndetin e ardhshëm të fëmijëve, vjen nga një studim tjetër, i cili u fokusua në rrezikun që mund të shkaktohet nga mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë, duke supozuar se ajo rrit shanset që fëmija të zhvillojë në moshën e rritur, sklerozën e shumëfishtë.

    Studimi, që është publikuar i plotë në revistën “JAMA Neurology” shpjegon se ndërsa nivelet e larta të vitaminës D kanë qenë të lidhura me herët me një rrezik më të ulët ndaj sëmundjeve në moshën e rritur, madje edhe ekspozimi në mitër luan një rol të rëndësishëm. Autorët identifikuan 193 persona me diagnoza të sklerozës së shumëfishtë, nëna e të cilit kishte qenë pjesë e një studimi finlandez.

    Nivelet e vitaminës D në gjakun e pjesës dërrmuese (70 për qind) të këtyre grave, qenë zbuluar gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Autorët kanë zbuluar se rreziku i zhvillimit të sklerozës të shumëfishtë më moshë madhore, ka qenë 90 përqind më i lartë te fëmijët nënat e të cilëve kishte treguar një mungesë të vitaminës D gjatë shtatzënisë.

    “Ndërsa gjetjet tona”- përfundojnë autorët “sugjerojnë se mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e sklerozës së shumëfishtë tek pasardhësit, studimi ynë nuk ofron ndonjë informacion në lidhje me atë nëse ka një efekt dozë-përgjigje me rritjen e niveleve të vitaminës D”, dhe ftojnë të tjerët për ta zbuluar këtë nëpërmjet kryerjes së më shumë kërkimeve.

  • Shpresë për kurimin e Alzhaimerit në të ardhmen

    Shpresë për kurimin e Alzhaimerit në të ardhmen

    Sëmundja e Alzhaimerit, e njohur ndryshe edhe si sëmundja e harresës së thellë, për momentin nuk ka një kurë, por vetëm disa mënyra trajtimi se si të vonohen disi pasojat më të rënda të sëmundjes. Njerëzit me këtë sëmundje nervore gjejnë vështirësi në raportet në familje, apo në punë.

    Gjeni përgjegjës për këtë sëmundje shkakton sintezën e proteinave që ulin numrin e qelizave nervore.

    Kohët e fundit shkencëtarët kanë zbuluar një kurë të mundshme të kësaj sëmundjeje. Kura është pjesë e terapive të zëvendësimit të gjeneve dhe ky eksperiment është kryer në dy popullata me minj laboratorik, të cilët “vuanin” prej kësaj sëmundjeje.

    Tek ata u injektua drejtpërdrejt në tru gjeni i ri dhe u vu re se pas katër muajve të zëvendësimit të gjenit jonormal me gjenin normal të sapo gjetur, në kaviet që u bë zëvendësimi, u reduktua ndjeshëm sasia e proteinave të dëmshme që ulnin numrin e qelizave nervore.

    Dhe jo vetëm kaq, por u vunë re edhe përmirësime të dukshme të kujtesës ku kavjet arrinin të largonin nga kafazi i tyre objekte të panjohura dhe të vendosnin aty objektet që i konsideronin si familjare, pra që i kishin vënë re edhe më parë pranë kafazit të tyre. Ndërsa në popullatën me kavie ku nuk u bë ky zëvendësim, sasia e po të njëjtave proteina ishte rritur.

    Nga ky eksperiment i kryer disa herë, shkencëtarët kanë hedhur hipotezën se kjo kurë mund të jetë tepër e vlefshme për trajtimin e sëmundjes së Alzhaimerit. Ata shprehen se ende është shumë herët që kjo metodë të gjejë përdorimin në klinikë, sepse ende nuk e dinë se si mund të reagojë trupi i njeriut ndaj zëvendësimit të këtij gjeni.

  • Horoskopi ditor: Mesazhet që të ndihmojnë të gjesh qetësi dhe ekuilibër

    Horoskopi ditor: Mesazhet që të ndihmojnë të gjesh qetësi dhe ekuilibër

    Dashi
    Përpjekjet e tua po fillojnë të japin frytet e para. Edhe nëse të tjerët nuk e vërejnë ende, ti e ndien ndryshimin. Mos kërko menjëherë mirënjohje, vazhdo i fokusuar te puna dhe mos harro arsyen pse nise këtë rrugë. Hapat e vegjël po të çojnë përpara.

    Demi
    Sot ke mundësi të mbyllësh disa kapituj në heshtje. Edhe pa një përfundim të plotë, do të fitosh më shumë qartësi. Largohu nga ajo që nuk të shërben më dhe do ndihesh më i qetë. Paqja vjen kur lëshon zakonet që të mbajnë pezull.

    Binjakët
    Angazhimi i vazhdueshëm shpesh të largon nga ndjenjat. Sot ndalu për pak dhe lejoje veten t’i përjetosh ato pa gjykim. Pushimi nuk është dobësi, por domosdoshmëri. Nuk ke pse t’i zgjidhësh të gjitha menjëherë.

    Gaforrja
    Një situatë që dikur të shqetësonte, sot mund të mos ketë më ndikim tek ti. Kjo tregon sa shumë ke evoluar. Nuk të duhen duartrokitje, qetësia e brendshme është dëshmia më e fortë e rritjes sate.

    Luani
    Sot kupton se shpesh ke pranuar gjëra që nuk i doje vërtet. Mëso të mbrosh qetësinë tënde duke qenë i sinqertë. Të thuash “jo” nuk është mungesë respekti, por kujdes për veten.

    Virgjëresha
    Një zakon i vjetër mund të të sjellë sot ndjenjë sigurie dhe qetësie. Nuk ke nevojë për risi apo emocione të forta. Paqen do ta gjesh tek gjërat e thjeshta që kanë pasur gjithmonë vlerë për ty.

    Peshorja
    Një veprim i vogël, por i bërë me kujdes, mund të të rikthejë ekuilibrin. Fillo nga diçka e thjeshtë që e ke nën kontroll. Kujdesi minimal për veten mund të ndikojë gjithë ditën.

    Akrepi
    Po harxhon energji në gjëra që nuk të ndihmojnë të ecësh përpara. Sot është dita e duhur për të hequr dorë nga ajo që të lodh dhe për t’u fokusuar tek ajo që të jep forcë.

    Shigjetari
    Mos reagoj menjëherë. Një pauzë e shkurtër para se të flasësh mund të ndryshojë gjithçka. Qetësia është arma jote më e fortë sot. Zgjidh paqen, jo kaosin.

    Bricjapi
    Do ndihesh më mirë nëse ndalon së shtyri veten përtej kufijve. Nuk është dobësi të pranosh se diçka është e tepërt. Ruaj energjinë dhe do jesh më i qëndrueshëm për veten dhe të tjerët.

    Ujori
    Sot ke nevojë për hapësirë personale. Kjo nuk është egoizëm. Të tërhiqesh pak do të të ndihmojë të rikthehesh më i lidhur me ritmin tënd. Nuk ke pse të jesh gjithmonë i disponueshëm.

    Peshqit
    Një refuzim mund të të prekë sot, por mos e marrësh si personale. Ai nuk përcakton vlerën tënde. Çfarë është e destinuar për ty, do të vijë. Lëre pas pa mllef dhe shiko përpara.

  • Ushqimet që aktivizojnë metabolizmin dhe ndihmojnë në humbjen e peshës

    Ushqimet që aktivizojnë metabolizmin dhe ndihmojnë në humbjen e peshës

    Shumë flitet për metabolizmin dhe ndikimin e tij në peshën trupore. Metabolizmi përfshin çdo proces të trupit që shfrytëzon energji, si tretja, frymëmarrja, qarkullimi i gjakut dhe funksionimi i trurit. Sa më aktiv të jetë metabolizmi, aq më shumë kalori digjen dhe aq më lehtë ruhet pesha optimale.

    Ekspertët rekomandojnë disa ushqime që mund ta aktivizojnë metabolizmin dhe të ndihmojnë në humbjen e peshës:

    1. Specat djegës
    Speci i kuq përmban një enzimë të quajtur kapsaicinë, e cila rrit djegien e kalorive. Konsumimi i vetëm 1 gramë ose gjysmë luge çaji me pluhur speci djegës në ditë mund të ndihmojë trupin të digjë rreth 10 kalori ekstra.

    2. Proteinat
    Vaktet e pasura me proteina kërkojnë më shumë energji për t’u tretur, duke djegur më shumë kalori. Për shembull, trupi djeg 20-30% të kalorive nga një vakt proteinik, ndërsa vetëm 5% nga yndyrnat.

    3. Kafeja
    Kafeina në sasi të moderuara mund të rrisë metabolizmin. Deri në 2-3 filxhanë në ditë ndihmojnë trupin të djegë rreth 25% të kalorive të ushqimit të konsumuar. Megjithatë, sasia e tepruar nuk rekomandohet.

    4. Çaji jeshil
    Çaji jeshil është i njohur për aftësinë e tij për të nxitur oksidimin dhe djegien e dhjamit të tepërt. Një filxhan çaji jeshil në ditë mund të ndihmojë në shkrirjen më të shpejtë të kalorive të tepërta.

    Këto ushqime mund të jenë një ndihmë e madhe në përmirësimin e metabolizmit dhe mbajtjen e peshës trupore, duke u përfshirë lehtësisht në dietën e përditshme.

  • Ushqimet që ndihmojnë për bark të rrafshtë

    Ushqimet që ndihmojnë për bark të rrafshtë

    Tashmë që jemi në stinën e verës dhe koha e pushimeve, shumë prej nesh shqetësohen për kilogramët e tepërt. Mendimi se si do të dukemi me rrobat e banjos shpesh ndikon edhe në kualitetin e pushimeve. Megjithatë, ka mënyra të thjeshta për ta menaxhuar këtë problem.

    Ja disa ushqime që mund t’i konsumoni nëse dëshironi bark të rrafshtë, pa u privuar nga shëndeti dhe energjia:

    Jogurti me pak yndyrë – I pasur me proteina, ju mban të ngopur për një kohë të gjatë.

    Boronicat – Të pasura me vitamina dhe me pak kalori. Ky frut përshpejton metabolizmin dhe jep energji. Hani boronica çdo ditë për stomak të rrafshtë.

    Vezët – Ideale për ata që merren me sport, ndihmojnë në shkrirjen e yndyrës dhe formimin e muskujve.

    Manaferrat dhe arra – Manaferrat, fëstëkët, lajthitë dhe bajamet janë të pasura me yndyrna të shëndetshme që mund të ndihmojnë edhe në humbje peshe, nëse konsumohen me masë.

    Mishi i peshkut – Ndihmon metabolizmin dhe humbjen e peshës. I pasur me acide yndyrore omega-3, që ndihmojnë në shkrirjen e yndyrës. Konsumoni të paktën dy herë në javë.

    Soja – Pastron trupin nga toksinat dhe është burim i mirë proteinash.

    Mollët – Me pak kalori dhe shumë shije. Studimet tregojnë se ata që hanë një mollë në ditë dobësohen më shpejt.

    Sallata e gjelbër – Ideale për bark të rrafshtë. Përdoreni së bashku me mish pule ose peshku.

    Avokado – Një nga frutat më të shëndetshëm, i pasur me yndyrna të shëndetshme dhe fibra që ndihmojnë tretjen.

    Këto ushqime, në kombinim me aktivitet fizik të rregullt dhe hidratuese të mjaftueshme, mund t’ju ndihmojnë të keni bark të rrafshtë dhe energji gjatë gjithë ditës.

  • Gjashtë arritje që tregojnë se jeni një prind i suksesshëem

    Gjashtë arritje që tregojnë se jeni një prind i suksesshëem

    Shumë prindër ndiejnë presionin e vazhdueshëm për të qenë perfekt dhe për të përmbushur detyrime të panumërta çdo ditë, gjë që shpesh i lë të rraskapitur.

    Psikoterapistja Dr. Zoe Shaw thekson se është e mundur të punosh më pak dhe në të njëjtën kohë të jesh një prind më i pranishëm, më i qetë dhe i suksesshëm, pa ndjenja të vazhdueshme faji. Pra, sipas terapistes, nëse i keni arritur gjashtë gjërat e mëposhtme, jeni më të suksesshëm se prindi mesatar.

    Ju shmangni detyrimet e panevojshme

    “Ndaloni së bëri gjëra që nuk ju sjellin gëzim ose ndjenjë qëllimi,” thotë Dr. Shaw për YourTango. “Nëse e gjeni veten duke kaluar shumë kohë të ditës duke bërë aktivitete që ju shterojnë ose nuk ju ndihmojnë të afroheni me atë që është e rëndësishme për ju, mendoni se çfarë mund të hiqni dorë. Shkurtimi i këtyre përgjegjësive liron kohë dhe energji për familjen tuaj, veten tuaj ose thjesht për t’u çlodhur.”

    Bëni një pushim nga mediat sociale

    Pushimi pas një dite të ngarkuar është i nevojshëm, por nëse koha para ekranit po ju bën të ndiheni fajtorë, mund të jetë koha për një ndryshim. “Zvogëlimi i kohës në mediat sociale ose shikimi i televizorit mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të pranishëm dhe të kënaqur. Mund ta përdorni kohën tuaj të lirë për t’u çlodhur ose për të bërë aktivitete me fëmijët tuaj”, vëren terapistja.

    Ju vendosni objektiva të përditshme

    Dr. Shaw këshillon prindërit të vendosin dy deri në tre qëllime realiste dhe të arritshme çdo ditë. “Kur i arrini ato, një ndjenjë kontrolli dhe arritjeje vjen natyrshëm, dhe çdo gjë shtesë që bëni ndihet si një bonus, jo si një barrë e rëndë. Kjo qasje e largon presionin dhe ju ndihmon ta përfundoni ditën me një ndjenjë arritjeje”, shpjegoi ajo.

    Ti i jep përparësi familjes

    “Është e rëndësishme t’i përshtasni veprimet tuaja me atë që vlerësoni. Nëse vini re se rutina juaj e përditshme po ju largon nga vlerat që doni t’ua transmetoni fëmijëve tuaj, është koha për të bërë një ndryshim”, thotë Dr. Shaw. Ndonjëherë, mund t’ju duhet të hiqni dorë nga aktivitete të caktuara për ta bërë kohën me familjen dhe të qenit bashkë një përparësi.

    Ndiqni intuitën tuaj

    “Ndjenja se ‘duhet’ të bësh diçka shpesh vjen nga pritjet e jashtme, në vend të një nevoje reale. Nëse detyrime të caktuara të ngarkojnë vazhdimisht dhe të shkaktojnë faj, pyete veten nëse ato kanë vërtet kuptim për ty dhe familjen tënde. Duke refuzuar atë që nuk të përshtatet, e çliron veten nga presioni i panevojshëm”, thotë terapisti.

  • Arsyet pse nuk flini mjaftueshëm gjatë natës

    Arsyet pse nuk flini mjaftueshëm gjatë natës

    Shumë njerëz nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm, e një studim i kohëve të fundit po pretendon se mesatarja është vetëm gjashtë orë gjumë në Britani.

    Arsyet për netët pa gjumë ndryshojnë dhe shpesh janë të lidhura më çështjet psikologjike, por studimi pohon se mund të jetë mungesa e ujit gjatë ditës për mungesën e gjumit gjatë natës.

    Sipas hulumtimit të bërë nga akademikët në Penn State University, Pennsylvania, njerëzit që flinin për gjashtë orë në natë kishin urinën dukshëm më të koncentruar dhe ishin më të dehidratuar krahasuar me ata që rregullisht flinin tetë orë në natë, që është koha e rekomanduar.

    Studimi përfshinte më shumë se 20 mijë të rritur në SHBA dhe Kinë, autorët konkluduan se lidhjet midis cilësisë së gjumit dhe hidratimit janë në harmoni për gjumë të mirë.

    “Ky studim sugjeron që nëse nuk jeni duke fjetur mjaftueshëm, dhe të ndjeheni keq ose të lodhur ditën tjetër, pini ujë shtesë” tha autori kryesor Asher Rosinger, profesor asistent në Penn State.

    Dehidrimi mund të ketë një numër efektesh të padëshirueshme në trup, të tilla si marramendje, ndjesi të përgjumur dhe që kanë urinë me ngjyrë të errët, me erë të fortë.

    Mënyra më e dukshme për të qëndruar e hidratuar është të pini shumë lëngje gjatë gjithë ditës dhe të shmangni ose kufizoni pije të tilla si kafeina, çaji dhe alkooli, të cilat mund të dehidrojnë trupin, Klankosova.

    Por kur bëhet fjalë për sa ujë duhet të pijë çdo ditë, këshilla është kontradiktore, me disa ekspertë që sugjerojnë deri në katër litra ndërsa të tjerët thonë dy.

  • Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Në Paris, gratë me stil s’e bëjnë kurrë këtë gabim kur vishen për një mbrëmje jashtë

    Parizianet janë mjeshtre të veshjes për çdo rast, por askund nuk shkëlqen më shumë stili i tyre sesa gjatë një daljeje në mbrëmje.

    Ndryshe nga qytete si New York-u apo Los Angeles-i, ku një bar të shtunën në mbrëmje mund të të surprizojë me gjithçka, nga taka ekstreme te veshje shumë të guximshme, Parisi ndjek një tjetër filozofi.

    Atje, të dalësh në mbrëmje nuk do të thotë ta teprosh. Nuk ka nevojë për veshje shumë formale, funde shumë të shkurtra apo kombinime që bërtasin “po dal unë sonte”. Gratë elegante të Parisit zgjedhin të kundërtën: thjeshtësi, vetëbesim dhe një elegancë që duket krejt e pasforcuar.

    Një shembull perfekt i këtij stili ishte Margot Robbie, e cila u pa në Paris gjatë një mbrëmjeje me miqtë. Edhe pse ndodhej në qytet për premierën e filmit të ri, veshja e saj ishte larg madhështisë së tapetit të kuq. Dhe pikërisht kjo e bëri veshjen aq pariziene.

    Aktorja australiane kishte zgjedhur një bluzë të zezë me zinxhir të shkurtër dhe xhinse blu të çelëta me palë. Kombinimin e plotësoi me çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë të madhe Birkin. Asgjë e tepruar, asgjë që të binte menjëherë në sy. Një zgjedhje e qetë, e sigurt, që përshtatet në mënyrë perfekte me rrugët e Parisit.

    Kjo është pikërisht arsyeja pse funksionon: në Paris, një dalje në mbrëmje nuk është një event formal, por thjesht një vazhdim i ditës, një tjetër mundësi për të treguar stilin personal pa u përpjekur shumë.

    Si ta kopjosh këtë pamje

    Lajmi i mirë? Me shumë gjasa i ke të gjitha në dollapin tënd.

    – Zgjidh xhinse blu të çelëta me prerje të lirshme (edhe më mirë nëse mund t’i palosësh pak poshtë).

    – Shto një bluzë apo triko të zezë, sa më të thjeshtë.

    – Çizme të zeza deri te kyçi dhe një çantë e madhe lëkure janë mbyllja perfekte.