ATV

Category: LIFESTYLE

  • Mos rrezikoni rrobat dhe pajisjen! 9 gjëra që nuk duhen futur në lavatriçe

    Mos rrezikoni rrobat dhe pajisjen! 9 gjëra që nuk duhen futur në lavatriçe

    Lavatriçja është një nga pajisjet më të përdorura në shtëpi, por jo çdo gjë është e sigurt për t’u larë aty. Futja e disa sendeve të papërshtatshme mund të dëmtojë rrobat, të prishë pajisjen ose madje të shkaktojë probleme teknike serioze. Ja cilat janë 9 gjërat që ekspertët këshillojnë të mos i fusni kurrë në lavatriçe:

    1. Këpucët prej lëkure ose me takë
    Uji dhe rrotullimi i fortë mund t’i deformojë dhe t’i dëmtojë përgjithmonë.

    2. Jastëkët me shkumë memorie (memory foam)
    Struktura e tyre prishet lehtësisht nga rrotullimi dhe lagështia e tepërt.

    3. Rrobat me shumë qime kafshësh
    Qimet mund të bllokojnë filtrin dhe sistemin e kullimit.

    4. Sutjenat me tela metalikë
    Telat mund të dalin dhe të dëmtojnë tamburin e lavatriçes.

    5. Rrobat shumë delikate si mëndafshi apo dantella e hollë
    Kërkojnë larje me dorë ose pastrim kimik.

    6. Tapetet me bazë gome
    Nxehtësia dhe rrotullimi mund të shkatërrojnë pjesën e poshtme dhe të dëmtojnë pajisjen.

    7. Çantat me elemente metalike të rënda
    Zinxhirët dhe aksesorët mund të gërvishtin pjesën e brendshme.

    8. Rrobat me njolla të ndezshme (vaj, benzinë)
    Janë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë probleme serioze gjatë procesit të larjes.

    9. Lodrat e forta plastike
    Mund të thyhen dhe të dëmtojnë mekanizmin e brendshëm.

    Ekspertët rekomandojnë gjithmonë kontrollimin e etiketave të rrobave para larjes dhe përdorimin e programeve të përshtatshme. Kujdesi i vogël sot mund t’ju kursejë shpenzime të mëdha nesër.

    Një lavatriçe e mirëmbajtur jo vetëm që zgjat më shumë, por edhe garanton që rrobat tuaja të dalin të pastra dhe pa dëmtime.

  • Shumica e bizneseve dështojnë në 3 vitet e para, 6 këshilla si të mbijetoni

    Shumica e bizneseve dështojnë në 3 vitet e para, 6 këshilla si të mbijetoni

    Këshilla si të mbijetoni në tri vitet e para…
    Mundësitë që biznesi juaj të ekzistojë tri vite nga tani nuk janë të mira.

    Statistikat tregojnë se rreth nëntë nga dhjetë biznese të reja dështojnë shpejtë. Shpesh, nuk është nga mungesa e punës ose idesë së mirë. Shkatërrimi i vërtetë është mungesa e disiplinës. Shpesh bazat, njohuritë rreth tregut, paratë e mjaftueshme, kultura e shëndetshme e korporatës, nuk merren parasysh.
    Kjo është arsyeja kryesore e dështimit. Një strateg i marketingut të cilin e njoh i pëlqen t’a vendosë këtë koncept në një format matematikor: M(s) = 1- M(d)
    Kjo do të thotë se mundësia e suksesit është e barabartë me mundësinë e dështimit. Sa më të vogël që e bëni anën e djathtë të ekuacionit, aq më shumë zvogëloni mundësinë e dështimit dhe më shumë keni gjasa të arrini sukses. CarMarx dhe Circuit City u ndërtuan në këtë koncept. Të dy këta shitës analizuan se çfarë urrenin njerëzit në blerjen e makinave të përdorura dhe larguan ato barriera nga operimet e tyre. Ata zvogëluan mundësinë e dështimit për të shitur produktet e tyre.
    Shumë biznese fillestare dështojnë sepse nuk bëjnë disa gjëra në fillim.

    Këmbët
    Produkti ose ideja juaj e biznesit duhet të ketë këmbë. Duhet të ketë joshje të mjaftueshme në treg për të qëndruar më gjatë se viti i tretë. Pse? Tregjet ndryshojnë, dhe të gjitha produktet në fund humbasin pëlqimin. Përderisa produkti juaj i parë është i mirë, ju duhet të dizajnoni produktin tuaj të radhës. Por nëse shpikja juaj e dytë nuk është gati para se tregu juaj të ndryshojë, rrjedha juaj e parasë do të dështojë dhe do të marrë buxhetin tuaj të Kërkimeve dhe Zhvillimit.
    Njohuria rreth tregut

    Njohuria është fuqi, dhe tregjet ju japin para. Pra nëse nuk e njihni tregun tuaj, ai mund të njihet si joprofitabil. Për shkak se marketingu, shitjet, Kërkimi dhe Zhvillimi janë të shtrenjta, çdo njohuri rreth tregut zvogëlon sasinë e parave që ju shpenzoni në këto aktivitete.
    Planifikoni mbrojtjen tuaj

    Plani juaj është edhe sulm, marshimi në territorin e tregut, duke sulmuar konkurrentët, dhe mbrojtje. Shumë biznese fillestare shikojnë vetëm sulmin. Ju duhet të mbroni terrenin tuaj ndaj cikleve të biznesit, ndryshimeve të tregut, paditë ligjore të paevitueshme dhe më shumë. Një faktor i cili zvogëlon gjasat e dështimit është të kërkoni sulmues dhe të përgatisni mbrojtjen tuaj.

    Kini vetëbesim
    Sa më mirë që përgatiteni, aq më shumë vetëbesim keni, dhe vetëbesimi është kyç për udhëheqje. Askush nuk ndjek një gjeneral frikacak për në betejë, dhe punonjësit nuk do të synojnë suksesin kur Kryeshefit Ekzekutiv i mungon guximi. Përgatitja juaj gjithashtu do të dërgojë në praktika më të mira të biznesit të cilat trimërojnë punonjësit.

    Merrni ndihmë
    Edhe korporatat më të mëdha rekrutojnë ekspertë. Ju keni nevojë për këshillues qe të bëni zgjedhje më të zgjuara aty ku ekspertiza juaj është e kufizuar. Asnjëherë mos u frikësoni të merrni ndihmë. Shumë këshillues janë bujarë me kohën dhe udhëzimet e tyre. Ata mund të ju kursejnë nga gabimet, edhe të vogla edhe kritike.
    Bëni çfarë të ketë nevojë

    Këmbëngulja dhe optimizmi janë të lidhura ngushtë. Të dyja dërgojnë në synime të vazhdueshme për biznese të suksesshme. Ju do të hasni në gunga dhe në bllokime të rrugës, por ju duhet të këmbëngulni dhe t’i kaloni ato. Shumë biznese dështojnë sepse themeluesit thjeshtë dorëzohen kur mund të vazhdojnë.

    Arsyeja pse Micrel, kompania të cilën e kam themeluar dhe udhëhequr për 37 vite profitabile, lulëzoi në një cikël të tmerrshëm të biznesit është sepse ne bëmë gjërat e vështira së pari. Dhe kjo është arsyeja pse Tough Things First është titulli i librit tim i cili mbulon menaxhimin dhe udhëheqjen e cila ka ndodhur në Micrel. Bërja e gjërave të cilat duken të vështira ose të mërzitshme është saktësisht ajo që ndërton themelin të cilin shumë biznese nuk e ndërtojnë.
    Bëhuni njëri nga dhjetë i cili bën “gjërat e vështira së pari’’.

  • Si të pastroni në mënyrë efektive njollat nga një furrë me mikrovalë

    Si të pastroni në mënyrë efektive njollat nga një furrë me mikrovalë

    Salcat, supat ose ushqimi i mbetur i mbinxehur mund të lënë njolla të mëdha dhe aroma të pakëndshme në mikrovalën tuaj.

    Edhe pse mirëmbajtja e rregullt ndihmon në parandalimin e problemeve të mëdha, në disa raste është i nevojshëm një pastrim i plotë për ta mbajtur pjesën e brendshme të furrës suaj të shkëlqyeshme.

    Për një pastrim efikas, nuk keni nevojë për mjete të shtrenjta ose kimikate agresive për të arritur rezultate të mira. Në rastet kur furra juaj me mikrovalë është plotësisht e ndotur, ekspertja e pastrimit Sarah Meckalliser veçoi disa këshilla efektive, shkruan Simply Recipes.

    “Hidhni një gotë ujë dhe një deri në dy lugë gjelle uthull në një enë të përshtatshme për mikrovalë. Pastaj ngroheni në mikrovalë për pesë minuta”, tha ajo.

    Në këtë mënyrë, avulli do të zbusë çdo ushqim të tharë, pas së cilës pjesa e brendshme mund të fshihet lehtësisht me një leckë të lagur ose me një peshqir letre. Gjithashtu, njollat duhet të pastrohen menjëherë. Edhe pse nuk është gjithmonë praktike, fshirja e rrëmujës sapo të ndodhë është mënyra më e lehtë për të parandaluar grumbullimin e papastërtisë.

    “Nëse e lini ushqimin të thahet dhe të marrë ngjyrë kafe, pastrimi bëhet një proces që kërkon më shumë kohë”, tha ajo.

    Për vendet dhe qoshet e vështira për t’u arritur, rekomandohet të përdorni një furçë të vogël fërkimi, të lagur në ujë me sapun.

  • Si po ndikon lufta në shëndetin mendor të të rinjve?

    Si po ndikon lufta në shëndetin mendor të të rinjve?

    Lufta nuk lë gjurmë vetëm në ndërtesa dhe kufij. Ajo lë gjurmë të padukshme në mendje dhe në zemrat e atyre që rriten mes saj. Brezi i ri në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme po përballet me një realitet që formëson jo vetëm të tashmen e tyre, por edhe mënyrën se si do ta shohin botën në të ardhmen. Për ta, pasiguria nuk është një lajm i rrallë, por është pjesë e përditshmërisë.

    Një nga pasojat më të mëdha të luftës është rritja e ankthit dhe stresit kronik. Të jetosh me frikën e sirenave, lajmeve të këqija apo zhvendosjes së papritur krijon një gjendje alarmi të vazhdueshëm. Trupi dhe mendja qëndrojnë në “gjendje mbijetese”, gjë që me kalimin e kohës ndikon në përqendrim, gjumë dhe stabilitet emocional.

    Shumë të rinj përjetojnë simptoma të traumës psikologjike: makthe, nervozizëm të shtuar, vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe ndjenjë të vazhdueshme pasigurie. Fëmijëria dhe adoleshenca periudha që duhet të jenë të mbushura me siguri dhe eksplorim shpesh zëvendësohen nga përgjegjësi të parakohshme dhe frikë.

    Një faktor tjetër që e thellon ndikimin është ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mediave sociale. Pamjet, videot dhe lajmet qarkullojnë pa filtër, duke e bërë konfliktin të pranishëm në çdo moment të ditës. Për një mendje të re, kjo mbingarkesë informacioni mund të rrisë ndjesinë e pafuqisë dhe dëshpërimit.

    Megjithatë, mes gjithë kësaj, ekziston edhe një anë tjetër: rezistenca psikologjike. Shumë të rinj zhvillojnë forcë të brendshme, ndjeshmëri dhe solidaritet të theksuar. Komuniteti, familja dhe mbështetja emocionale luajnë rol kyç në zbutjen e pasojave. Qasja në shërbime të shëndetit mendor, edukimi emocional dhe hapësirat e sigurta për të folur janë thelbësore për të parandaluar pasoja afatgjata.

    Lufta mund të shkatërrojë infrastrukturë brenda ditësh, por ndikimi i saj në shëndetin mendor të brezit të ri mund të zgjasë vite, madje dekada. Nëse duam të flasim për rindërtim, ai nuk duhet të kufizohet vetëm në rrugë dhe ndërtesa, por edhe në mendjet dhe zemrat e të rinjve. Sepse e ardhmja e çdo shoqërie varet nga gjendja emocionale dhe psikologjike e brezit që po rritet sot.

  • Zbulohet ëndrra që e shohim më shpesh – mesazhi i saj mund t’ju habisë

    Zbulohet ëndrra që e shohim më shpesh – mesazhi i saj mund t’ju habisë

    Gjatë fazës REM truri është më aktiv dhe prodhon ëndrrat më të shpeshta

    Ëndrrat janë pasqyrim i nënvetëdijes sonë dhe çdo natë ëndërrojmë diçka. Edhe pse me siguri nuk i kujtojmë të gjitha, njerëzit mesatarisht ëndërrojnë katër deri në gjashtë herë gjatë natës.

    Më së shumti ëndërrojmë gjatë fazës REM të gjumit (lëvizje të shpejta të syve), sepse është periudha kur truri ynë është më aktiv. Nëse flini tetë orë, ka shumë gjasa që të ëndërroni rreth 100 minuta gjatë natës.

    Lloji më i shpeshtë i ëndërrimit

    Pesë llojet kryesore të ëndrrave janë: ëndrrat normale, ëndërrimi me sy hapur, ëndrrat e rreme të zgjimit, ëndrrat e kthjellëta (lucide) dhe makthet.

    Ëndrrat normale janë lloji më i zakonshëm dhe zakonisht përmbajnë përvoja dhe persona që i njohim. Gjatë këtyre ëndrrave nuk jemi të vetëdijshëm se po ëndërrojmë dhe shpesh i harrojmë sapo zgjohemi.

    Kur e kujtoni një ëndërr normale, ajo mund të shërbejë si një dritare drejt nënvetëdijes suaj. Mund të ekzistojë një frikë, kujtim, përvojë apo person që ka më shumë ndikim tek ju sesa keni menduar më parë. Megjithatë, mund të nevojitet pak reflektim për ta kuptuar vërtet kuptimin e saj, pasi ëndrrat shfaqen përmes imazheve të koduara.

    Për shembull, një ëndërr për mbytje mund të tregojë se po përballeni me rrethana ose emocione dërrmuese, të cilat ende nuk dini si t’i menaxhoni, shkruan The List.

    Si mund të ndikoni pozitivisht në ëndrrat tuaja?

    Gjëja më e mirë që mund të bëni për gjumin dhe ëndrrat tuaja është të krijoni një rutinë qetësuese dhe të qëndrueshme para gjumit. Nëse është e mundur, është veçanërisht e dobishme të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë dhe të shmangni dritën blu nga ekranet, filmat horror dhe çdo gjë që mund të ndikojë negativisht tek ju.

    Meditimi, mbajtja e një ditari dhe leximi i një libri janë rutina relaksuese dhe produktive para gjumit, të cilat mund t’ju çojnë drejt një përvoje më të mirë të gjumit.

  • Pse truri nuk “fiket” natën edhe kur jeni të lodhur?

    Pse truri nuk “fiket” natën edhe kur jeni të lodhur?

    Pagjumësia mund të shkaktohet nga ritme cirkadiane të vonuara që e pengojnë trurin të “fiket” natën

    Shkencëtarët australianë nga Universiteti i Australisë së Jugut kanë zbuluar prova të forta se pagjumësia kronike mund të vijë nga çrregullime në ciklin e brendshëm 24-orësh të aktivitetit mendor të trurit.

    Këto gjetje ndihmojnë në shpjegimin pse disa njerëz e kanë të vështirë të qetësohen natën, edhe kur janë fizikisht të lodhur.

    Në studimin e publikuar në tetor 2025 në revistën Sleep Medicine, studiuesit ndoqën se si ndryshojnë modelet e të menduarit gjatë ditës tek personat me pagjumësi afatgjatë në krahasim me ata që flenë shëndetshëm. Ky është studimi i parë që regjistron në këtë mënyrë ritmet ditore kognitive.

    Mendje tepër aktive tek personat me pagjumësi
    Pagjumësia prek rreth 10 për qind të popullsisë dhe deri në një të tretën e të moshuarve. Shumë persona me këtë gjendje e përshkruajnë mendjen e tyre si tepër aktive ose vazhdimisht të zënë natën.

    Edhe pse kjo gjendje mendore e natës shpesh është përshkruar si hiperaktivitet kognitiv, shkaku i saj themelor ka mbetur i paqartë.

    Studiuesit testuan nëse vështirësitë për ta qetësuar mendjen natën, që është një tipar kyç i pagjumësisë, mund të jenë të lidhura me anomali në ritmet cirkadiane, sistemin e brendshëm të matjes së kohës në trup, transmeton Telegrafi.

    Modele të qarta cirkadiane
    Për ta hetuar këtë, ekipi zhvilloi një eksperiment laboratorik ku morën pjesë 32 persona të moshuar, përfshirë 16 me pagjumësi dhe 16 pa probleme me gjumin.

    Pjesëmarrësit u monitoruan për 24 orë ndërsa qëndronin zgjuar në shtrat. Duke eliminuar sinjalet e jashtme të kohës dhe rutinat ditore, studiuesit mundën të fokusohen veçanërisht në ritmin natyror të brendshëm të trurit.

    Vullnetarët qëndruan në një ambient me ndriçim të zbehtë, me konsum ushqimi dhe nivel aktiviteti të rregulluar rreptësishtë. Çdo orë ata plotësonin lista të detajuara kontrolli që përshkruanin tonin, cilësinë dhe kontrollin e mendimeve të tyre, duke u mundësuar studiuesve të hartonin se si ndryshonte aktiviteti mendor gjatë ditës dhe natës.

    Si personat që flenë shëndetshëm ashtu edhe ata me pagjumësi treguan modele të qarta cirkadiane në aktivitetin mendor, me kulme pasdite dhe rënie në orët e hershme të mëngjesit.

    Megjithatë, u shfaqën disa dallime kyçe në grupin me pagjumësi.

    – Ndryshe nga ata që flenë mirë, gjendja kognitive e të cilëve ndryshoi në mënyrë të parashikueshme nga zgjidhja e problemeve gjatë ditës në qetësim natën, personat me pagjumësi nuk arritën të kalonin aq fort në një gjendje më të qetë. Modelet e tyre të të menduarit gjatë natës mbetën të ngjashme me ato të ditës, në vend që truri të qetësohej – thotë studiuesi kryesor, Prof. Kurt Lushington.nga Universiteti i Australisë së Jugut.

    Kulmet e tyre kognitive ishin të vonuara rreth gjashtë orë e gjysmë, gjë që sugjeron se orët e tyre të brendshme mund të nxisin mendim të zgjuar deri vonë natën.

    – Gjumi nuk është vetëm mbyllja e syve. Bëhet fjalë për fikjen e trurit nga mendimet e orientuara drejt qëllimit dhe përfshirja emocionale. Studimi ynë tregon se tek pagjumësia kjo “fikje” është e zbehur dhe e vonuar, ndoshta për shkak të anomalive në ritmin cirkadian. Kjo do të thotë se truri nuk merr sinjale të forta për t’u fikur natën, thotë profesori Prof. Lushington.

    Bashkautorja Jill Dorrian thotë se gjetjet theksojnë mundësi të reja trajtimi për personat që vuajnë nga pagjumësia, si ndërhyrjet që forcojnë ritmet cirkadiane.

    – Kjo përfshin ekspozim të kufizuar në kohë ndaj dritës dhe rutina të strukturuara ditore që mund të rikthejnë variacionet natyrore ditë-natë në modelet e të menduarit. Ushtrimet e vëmendjes mund të ndihmojnë gjithashtu në qetësimin e mendjes natën, thotë Prof. Dorrian.

    Studiuesit thonë se trajtimet aktuale shpesh fokusohen në strategji biheviorale, por këto gjetje sugjerojnë se qasjet e përshtatura që adresojnë faktorët cirkadianë dhe kognitivë mund të ofrojnë zgjidhje.

  • Kur objektet bëhen emocione: 11 tiparet e njerëzve që krijojnë lidhje të forta me sendet

    Kur objektet bëhen emocione: 11 tiparet e njerëzve që krijojnë lidhje të forta me sendet

    Disa njerëz e kanë të vështirë të ndahen nga sendet e vjetra – qoftë një bluzë e preferuar, një dhuratë simbolike apo një objekt i thjeshtë që për të tjerët duket pa vlerë. Psikologët e lidhin këtë sjellje me mënyrën si individi përjeton kujtimet, sigurinë emocionale dhe identitetin personal.

    Sipas studimeve në fushën e psikologjisë së personalitetit dhe sjelljes njerëzore, personat që krijojnë lidhje të forta emocionale me objektet shpesh ndajnë këto 11 tipare:

    1. Ndjeshmëri e lartë emocionale
    Ata përjetojnë emocionet thellë dhe i lidhin kujtimet me objekte konkrete.

    2. Nostalgji e theksuar
    Kanë prirje të rikthehen shpesh në të kaluarën dhe ruajnë sende që u kujtojnë momente të rëndësishme.

    3. Empati e zhvilluar
    Janë të ndjeshëm jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj simbolikës që mbartin objektet.

    4. Kreativitet
    Shpesh janë persona krijues që u japin kuptime personale gjërave të përditshme.

    5. Nevojë për siguri emocionale
    Objektet mund të shërbejnë si “ankorë” psikologjike në periudha stresi.

    6. Vështirësi në lëshim
    E kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara apo nga lidhjet e rëndësishme.

    7. Kujtesë e fortë autobiografike
    Një objekt i vogël mund të aktivizojë kujtime shumë të detajuara.

    8. Besnikëri në marrëdhënie
    Zakonisht janë persona që investojnë shumë emocionalisht edhe në raportet me njerëzit.

    9. Reflektim i thellë
    Kanë prirje të analizojnë përvojat dhe t’u japin kuptim simbolik.

    10. Individualitet i theksuar
    I japin rëndësi identitetit personal dhe historisë së tyre unike.

    11. Tendencë për sentimentalizëm
    Vlerësojnë aspektin emocional mbi atë material.

    Psikologët theksojnë se lidhja me objektet është normale dhe madje e shëndetshme, për sa kohë nuk shndërrohet në grumbullim të tepruar apo në pengesë për jetën e përditshme. Në raste ekstreme, kur individi nuk arrin të heqë dorë nga sendet pa përjetuar ankth të fortë, mund të bëhet fjalë për çrregullime si hoarding (grumbullimi kompulsiv), që kërkon vëmendje profesionale.

    Në thelb, objektet shpesh janë më shumë se materiale – ato janë kujtime, histori dhe pjesë të identitetit tonë.

  • Privatësia apo dyshimi? A është e shëndetshme t’ia kontrollosh telefonin partnerit/es

    Privatësia apo dyshimi? A është e shëndetshme t’ia kontrollosh telefonin partnerit/es

    Në epokën digjitale, telefoni është bërë një nga objektet më personale që posedojmë. Brenda tij ruhen biseda private, fotografi, rrjete sociale dhe informacione të ndjeshme. Por, çfarë ndodh kur në një lidhje lind dyshimi? A është e drejtë t’ia kontrollojmë telefonin partnerit/es?

    Psikologët theksojnë se kontrollimi i fshehtë i telefonit është zakonisht shenjë e mungesës së besimit. Marrëdhëniet e shëndetshme ndërtohen mbi komunikim të hapur dhe respekt për privatësinë. Në momentin që njëri partner ndjen nevojën të kontrollojë tjetrin, kjo shpesh tregon pasiguri, xhelozi ose frikë nga tradhtia.

    Ekspertët e marrëdhënieve paralajmërojnë se kontrolli i vazhdueshëm mund të krijojë tension, konflikte dhe madje të çojë në prishjen e lidhjes. Në vend të kontrollit, rekomandohet biseda e sinqertë për shqetësimet. Transparenca e ndërsjellë është më efektive sesa hetimi i fshehtë.

    Nga ana tjetër, disa argumentojnë se nëse një partner ka dhënë arsye konkrete për dyshim (p.sh. gënjeshtra të përsëritura), atëherë problemi kryesor nuk është telefoni, por mungesa e besimit që tashmë ekziston. Në këto raste, zgjidhja më e shëndetshme është vendosja e kufijve të qartë ose kërkimi i ndihmës profesionale.

    Kontrollimi i telefonit pa leje mund të konsiderohet edhe shkelje e privatësisë dhe respektit personal. Në fund, pyetja nuk është “a duhet ta kontrolloj?”, por “pse ndjej nevojën ta bëj këtë?”. Nëse një marrëdhënie ka arritur në pikën ku dyshimi dominon mbi besimin, ndoshta është koha për reflektim serioz.

    Besimi nuk ndërtohet përmes fjalëkalimeve të zbuluara, por përmes sinqeritetit, komunikimit dhe sigurisë emocionale.

  • Të hash 2 kivi në ditë mund ta bëjë lëkurën të duket më e re dhe më e shëndetshme

    Të hash 2 kivi në ditë mund ta bëjë lëkurën të duket më e re dhe më e shëndetshme

    Lini mënjanë kremrat dhe serumet — mund të ketë një mënyrë më të shijshme për të mbështetur shëndetin e lëkurës.

    Një studim i ri i publikuar në Journal of Investigative Dermatology zbuloi se ngrënia e dy kiveve në ditë mund të rrisë nivelin e vitaminës C në lëkurë dhe të mbështesë prodhimin e kolagjenit, një proteinë që ndihmon në ruajtjen e fortësisë dhe elasticitetit të lëkurës, raporton Health.com.

    Studimi ishte i vogël dhe nuk provon se konsumimi i kivit çoi drejtpërdrejt në ndryshimet e vërejtura në lëkurë. Megjithatë, gjetjet sugjerojnë mundësinë që marrja e vitaminës C përmes ushqimit — jo vetëm aplikimi i saj në lëkurë — mund të luajë rol në një pamje më të shëndetshme të saj.

    Çfarë bënë studiuesit?

    Roli i vitaminës C në shëndetin e lëkurës — dhe aftësia e saj për të mbështetur prodhimin e kolagjenit — është i njohur prej kohësh, prandaj ajo përfshihet shpesh në produktet e kujdesit për lëkurën. Por pak studime kanë matur nëse konsumimi i ushqimeve të pasura me vitaminë C rrit në mënyrë domethënëse nivelin e saj në vetë lëkurën.

    Për ta shqyrtuar këtë pyetje, studiuesit rekrutuan pjesëmarrës nga Zelanda e Re dhe Gjermania. Grupit prej 38 personash — shumica gra, me moshë mesatare 57 vjeç — iu kërkua të konsumonin dy kivi SunGold çdo ditë për tetë javë (çdo frut përmban rreth 125 miligramë vitaminë C). Studiuesit morën mostra të lëkurës dhe gjakut në fillim dhe në fund të studimit.

    Ngrënia e kivit u lidh me lëkurë më të shëndetshme dhe më të fortë

    Pas tetë javësh, nivelet e vitaminës C si në gjak ashtu edhe në lëkurë ishin rritur. Këto rritje u lidhën me lëkurë më të fortë, më të dendur dhe me rinovim më të shpejtë të shtresës së jashtme të saj — shenja që tregojnë se proceset e lidhura me kolagjenin mund të jenë mbështetur.

    Studiuesit arritën në përfundimin se rritja e marrjes së vitaminës C përmes dietës mund të rrisë nivelet e saj në lëkurë dhe potencialisht të mbështesë proceset që lidhen me kolagjenin.

    Megjithëse studime të mëparshme kanë treguar se ngrënia e kivit rrit vitaminën C në gjak, ky është ndër të parët që sugjeron se vitamina C e marrë nga ushqimi përkthehet në nivele më të larta të saj brenda lëkurës dhe në ndryshime të matshme në dendësinë dhe rinovimin e saj.

    Megjithatë, studimi ka kufizime të rëndësishme. Ai nuk përfshinte një grup kontrolli që të konsumonte placebo, ndaj nuk mund të thuhet me siguri se kivi ishte shkaku i ndryshimeve në lëkurë. Gjithashtu, studimi zgjati vetëm dy muaj, prandaj nuk dihet nëse efektet do të vazhdonin për një periudhë më të gjatë.

    Për më tepër, studimi përfshinte vetëm 26 persona me nivele të ulëta të vitaminës C në fillim, kështu që rezultatet mund të mos jenë aq të theksuara tek ata që tashmë marrin mjaftueshëm vitaminë C.

    A duhet të hani më shumë kivi për shëndetin e lëkurës?

    Edhe pse gjetjet nuk janë përfundimtare, ekspertët thonë se shtimi i kivit në dietë mund të përmirësojë potencialisht pamjen e lëkurës. Vitamina C mund të arrijë në qelizat e lëkurës dhe të mbështesë sintezën e kolagjenit. Si antioksidant, ajo gjithashtu ndihmon në luftimin e inflamacionit dhe në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi i shkaktuar nga radikalet e lira.

    Kivit nuk përmbajnë vetëm vitaminë C — ato janë gjithashtu të pasura me karotenoide, fibra, kalium dhe antioksidantë si fitonutrientë dhe polifenole. Është e mundur që këto përbërës të veprojnë së bashku në mënyrë sinergjike për të mbështetur shëndetin e lëkurës.

    Për të përfituar nga efektet e mundshme, mund të mjaftojë konsumimi i një ose disa kiveve në javë. Megjithatë, për personat që nuk janë mësuar me një marrje më të lartë të fibrave, kalimi menjëherë në dy kivi në ditë mund të shkaktojë shqetësime gastrointestinale.

    Mbani parasysh se efekte të ngjashme për lëkurën mund të arrihen edhe nga fruta dhe perime të tjera të pasura me vitaminë C, si luleshtrydhet, agrumet, manaferrat dhe specat e kuq. Konsistenca në konsum është më e rëndësishme sesa zgjedhja e frutit specifik.

  • Truku pesë minutësh për të larguar aromën e keqe nga lavamani

    Truku pesë minutësh për të larguar aromën e keqe nga lavamani

    Kuzhina është ndoshta ambienti më i ngarkuar në një shtëpi, ku ndodhin lloj-lloj aktivitetesh, por kur bëhet fjalë për atë që vuan më shumë në kuzhinë, pa dyshim është lavamani. Me gjithë enët që lahen çdo ditë, është krejt normale që lavamani i kuzhinës të bllokohet herë pas here dhe të lëshojë erë të pakëndshme.

    Edhe pse kjo është diçka e zakonshme, sigurisht që nuk është e këndshme. Fatmirësisht, ekzistojnë mënyra të thjeshta për ta parandaluar.

    Por përpara se të mësojmë si të parandalojmë erën e keqe të lavamanit, është mirë të kuptojmë pse ai mund të kundërmojë.

    Sipas kompanisë Heat and Plumb, ekzistojnë dy arsye kryesore: grumbullimi i mbetjeve ushqimore në tubin e shkarkimit dhe mundësia që era të vijë nga sistemi i kanalizimeve. Për fat të mirë, ka disa mënyra të thjeshta për të larguar erën e pakëndshme, përfshirë një metodë krejtësisht falas – ujin e vluar.

    Ekspertët e kompanisë së ngrohjes dhe hidraulikës zbuluan një truk pesëminutësh për të hequr erën, i cili është shumë i thjeshtë.

    Heat and Plumb shkruan: “Më e thjeshta është të zieni një tenxhere ose një ibrik me ujë dhe më pas ta hidhni ngadalë në tub. Lëreni për 5 minuta që të shpërbëjë çdo grumbullim dhe pastaj hapni rubinetin e ujit të ftohtë. Kjo duhet të shpëlajë yndyrën dhe mbetjet”.

    Ata shtuan gjithashtu se mund të përdorni një zgjidhje natyrale me sodë buke dhe uthull “nëse keni nevojë për diçka pak më të fortë”.

    Mjafton të hidhni një sasi të vogël uthulle të bardhë në vrimën e shkarkimit, ta lini të veprojë për 30 minuta dhe më pas ta shpëlani me ujë të nxehtë.

    Si alternativë, mund të shtoni gjysmë filxhani sodë buke në një filxhan uthull. Kombinimi do të krijojë shkumë dhe, nëse lihet për disa orë, mund të pastrojë vrimën e shkarkimit.

    Këto hapa të thjeshtë janë shumë efektivë për të larguar erën e keqe nga lavamani, por edhe masat parandaluese janë të rëndësishme.

    Ekspertët sugjerojnë disa prej tyre, si përdorimi i një site (rrjete) në lavaman për të kapur mbetjet ushqimore dhe pastrimi i rregullt i saj; shmangia e hedhjes së yndyrës ose vajit në tub; si dhe hedhja rregullisht e ujit të vluar të mbetur në tub për të vrarë bakteret dhe për të parandaluar zhvillimin e erës së keqe.