ATV

Category: LIFESTYLE

  • Dyshemeja që po e zëvendëson laminatin – më e ngrohtë, më e lirë dhe më e qëndrueshme

    Dyshemeja që po e zëvendëson laminatin – më e ngrohtë, më e lirë dhe më e qëndrueshme

    Më e butë, më e qetë dhe më ekonomike – zgjidhja që po preferohet gjithnjë e më shumë nga familjet

    Laminati për vite me radhë është konsideruar një nga zgjidhjet më të njohura për dysheme në banesa. Njerëzit e kanë zgjedhur me dëshirë për shkak të pamjes që i ngjan drurit, por edhe për shkak të montimit relativisht të thjeshtë. Megjithatë, vitet e fundit gjithnjë e më shpesh po flitet për një alternativë tjetër – linoleumin modern me shtresë filci, i cili sipas mjeshtërve dhe specialistëve të rinovimit mund të zgjidhë një sërë problemesh që shpesh paraqiten te laminati.

    Karakteristika kryesore e kësaj dyshemeje, që po e zëvendëson gjithnjë e më shumë laminatin, është shtresa e trashë e filcit, e cila shërben si izolim termik. Falë kësaj, dyshemeja është dukshëm më e ngrohtë krahasuar me laminatin klasik. Edhe kur vendoset mbi bazë betoni, sipërfaqja mbetet e këndshme për ecje zbathur, sidomos gjatë muajve të ftohtë.

    Një tjetër avantazh i madh i këtij trendi të ri është qetësia. Filci zbut zhurmën e hapave dhe të rënies së objekteve, kështu që dyshemeja nuk jehon, siç ndodh shpesh me laminatin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në ndërtesa ku dëgjueshmëria midis kateve është e lartë.

    Arsyeja e tretë pse shumë njerëz e zgjedhin këtë lloj dyshemeje është montimi i thjeshtë. Linoleumi vjen në rrotull, mjafton të shtrihet në dysheme, të lihet pak kohë të drejtohet dhe më pas të pritet teprica përgjatë skajeve. Në shumicën e rasteve materiali fiksohet me shirit anësor ose me shirit ngjitës dyanësor. Për një dhomë prej rreth 18 deri në 20 metra katrorë zakonisht nevojitet rreth një orë punë.

    Ku është më mirë të vendoset kjo dysheme

    Specialistët rekomandojnë linoleumin me shtresë filci kryesisht për dhomat e gjumit, dhomat e qëndrimit dhe dhomat e fëmijëve. Në këto hapësira shfaqen më mirë përparësitë e tij kryesore – butësia, ngrohtësia dhe izolimi i mirë akustik. Mund të vendoset edhe në korridore, por në këtë rast është e rëndësishme të zgjidhen modele me shkallë më të lartë rezistence ndaj konsumimit, si klasat 32 ose 33. Dysheme të tilla i përballojnë më mirë papastërtitë, rërën dhe përdorimin e përditshëm intensiv. Për kuzhina dhe banjo ekzistojnë variante të veçanta që janë rezistente ndaj lagështisë dhe kanë shtresë mbrojtëse me trashësi së paku 0.3 milimetra. Nëse vendosen siç duhet, mund të përballojnë pa problem pastrimin e rregullt dhe derdhjet e rastit të ujit.

    Çfarë duhet të keni parasysh gjatë blerjes

    Gjatë zgjedhjes së kësaj dyshemeje, specialistët këshillojnë t’i kushtohet vëmendje tre faktorëve kryesorë. I pari është klasa e rezistencës ndaj konsumimit. Për një banesë standarde zakonisht mjafton klasa nga 23 deri në 31, ndërsa për korridore dhe hapësira më të frekuentuara rekomandohet klasa 32 ose 33. Parametri i dytë i rëndësishëm është trashësia e shtresës mbrojtëse. Konsiderohet se vlera optimale është 0.3 milimetra ose më shumë, sepse shtresa më e trashë nënkupton konsumim më të ngadaltë të sipërfaqes. Faktori i tretë është cilësia e bazës. Filci i dendur dhe cilësor e bën dyshemenë më të butë, më të ngrohtë dhe përmirëson edhe më shumë izolimin akustik.

    Sot prodhuesit ofrojnë linoleum me dizajne të ndryshme – nga imitimi i drurit dhe gurit deri te parketi. Vizualisht, këto dysheme shpesh duken pothuajse njësoj si materialet më të shtrenjta, por janë dukshëm më ekonomike dhe shumë më të shpejta për t’u vendosur.

  • Metodat më të shpejta për të hequr erën e hudhrës nga duart

    Metodat më të shpejta për të hequr erën e hudhrës nga duart

    Hudhra është e shijshme dhe i shton një shije fantastike pjatave tuaja të preferuara. Sidoqoftë era e saj që na ngelet nëpër duar nuk është diçka edhe aq e këndshme. Ajo mund të qëndrojë me orë të tëra edhe pse kemi mbaruar gatimin apo edhe pas herëve të shumta që kemi larë duart me detergjent.

    Atëherë si t’ia bëni për ta eliminuar?

    Metoda e parë

    Fillimisht lani duart me sapun. Sapo t’i keni shkumuar duart, lëreni sapunin mënjanë dhe mbani në duar një lugë gjelle. Fërkoni duart me të në ujë të rrjedhshëm të ftohtë. Materiali i lugës, prej çeliku ose inoksi neutralizon erën e hudhrës në duart tuaja.

    Metoda e dytë

    Spruconi në duart tuaja lëng limoni. Agrumet si limoni janë të shkëlqyera në neutralizimin e aromave si për shembull të hudhrës. Do ta shikoni që era jo e këndshme do të largohet brenda pak minutave.

    Metoda e tretë

    Fërkoni duart me kafe.

    1 lugë gjelle kafe turke fërkojeni tek pëllëmbët dhe mes gishtërinjve tuaj. E mbani për 2-3 minuta dhe në fund i shpëlani duart me ujë të ngrohtë. Do të shikoni që era e hudhrës, do të jetë zëvendësuar me erën e këndshme të kafesë.

  • Si t’i rrisni flokët më shpejt?! Këshilla që funksionojnë vërtet

    Si t’i rrisni flokët më shpejt?! Këshilla që funksionojnë vërtet

    Eshtë e vërtetë që, sado popullor të jetë bërë vitet e fundit trendi i prerjes bob, flokët e gjatëvazhdojnë të jenë një nga dëshirat më të mëdha për shumë vajza.

    Jo vetëm që duken elegantë dhe femërorë, por ofrojnë edhe shumë më tepër mundësi për modele dhe stilime të ndryshme flokësh.

    Nëse jeni duke u përpjekur t’i rrisni flokët, ka disa këshilla të thjeshta që mund të bëjnë diferencën.

    Mbani një dietë të ekuilibruar

    Edhe pse mund të duket si një këshillë e zakonshme, ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin dhe rritjen e flokëve.

    Flokët kanë nevojë për vitamina, proteina dhe minerale për t’u rritur të fortë dhe të shëndetshëm.

    Për këtë arsye, një dietë e balancuar është një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e flokëve.

    Edhe nëse ushqeheni mirë, duhet të keni parasysh se faktorë të tjerë si stresi apo çekuilibrat hormonalë mund të ngadalësojnë rritjen e tyre.

    Kujdesuni për skalpin e kokës

    Shëndeti i flokëve fillon nga skalpi. Kjo është zona nga e cila dalin dhe rriten flokët, prandaj kujdesi për të është thelbësor.

    Sot ekzistojnë shumë produkte të dedikuara për pastrimin dhe kujdesin e skalpit, si pastrues të veçantë, serume apo maska për flokët.

    Gjithashtu, është e rëndësishme të mos i lani flokët më shpesh seç duhet, pasi larja e tepërt mund të dëmtojë mbrojtjen natyrale të skalpit.

    Shmangni nxehtësinë dhe zbardhjen e shpeshtë

    Një nga faktorët më të rëndësishëm për të mbajtur flokët të shëndetshëm është shmangia e praktikave që i dëmtojnë.

    Përdorimi i shpeshtë i pajisjeve me nxehtësi, si tharësja apo pjastra, si dhe zbardhja e fortë e flokëve mund t’i dobësojnë dhe t’i bëjnë më të brishtë.

    Nëse duhet të përdorni mjete stilimi me nxehtësi, është e domosdoshme të aplikoni më parë një produkt mbrojtës nga nxehtësia për të reduktuar dëmtimet.

    Mos i prisni shpesh flokët (përveç majave)

    Ekziston një mit i përhapur që thotë se flokët rriten më shpejt nëse i prisni shpesh.

    Në realitet, prerja e shpeshtë nuk ndikon në shpejtësinë e rritjes së tyre.

    Megjithatë, është e rëndësishme të shkurtoni rregullisht majat e dëmtuara ose dyshe, pasi kjo ndihmon flokët të duken më të shëndetshëm dhe parandalon dëmtimin e mëtejshëm.

  • Pse njerëzit flenë më mirë kur bie shi? Shpjegimi që pak veta e dinë

    Pse njerëzit flenë më mirë kur bie shi? Shpjegimi që pak veta e dinë

    Shumë njerëz kanë vënë re se netët me shi janë më të qeta dhe gjumi duket më i thellë. Nuk është thjesht ndjesi, ka arsye shkencore pse trupi relaksohet më shumë kur jashtë bie shi. Tingulli i pikave, ajri më i freskët dhe drita më e ulët krijojnë kushtet ideale që truri të qetësohet dhe të flejë më mirë.

    Më poshtë janë disa nga arsyet kryesore pse shiu ndihmon gjumin.

    1. Zhurma e shiut krijon efektin “white noise”
    Tingulli i shiut është i njëtrajtshëm dhe i butë. Ky lloj tingulli quhet “white noise” dhe ndihmon trurin të mos përqendrohet tek zhurmat e tjera si makinat, zërat apo lëvizjet në shtëpi.
    Kur truri nuk shpërqendrohet, ai futet më lehtë në gjumë të thellë.

    2. Errësira më e madhe ndihmon prodhimin e melatoninës
    Kur bie shi, zakonisht qielli është i mbuluar me re dhe ka më pak dritë. Trupi reagon duke prodhuar më shumë melatoninë, hormonin që kontrollon gjumin.
    Sa më shumë melatoninë, aq më e lehtë bëhet të flesh dhe të qëndrosh në gjumë.

    3. Temperatura bie dhe trupi relaksohet më shpejt
    Shiu zakonisht ul temperaturën e ambientit. Trupi i njeriut fle më mirë në ambiente pak më të freskëta sesa në temperatura të larta.
    Kur temperatura është e rehatshme, rrahjet e zemrës ulen dhe muskujt relaksohen më shpejt.

    4. Shiu krijon ndjesi sigurie dhe qetësie
    Psikologët shpjegojnë se tingujt e natyrës, si shiu apo era, i japin trurit një ndjesi sigurie.
    Kjo ndodh sepse këta tinguj janë të parashikueshëm dhe të butë, ndryshe nga zhurmat e forta që krijojnë stres.

    5. Ajri bëhet më i pastër pas shiut
    Pas reshjeve, ajri zakonisht ka më pak pluhur dhe ndotje.
    Ajri më i pastër ndihmon frymëmarrjen dhe bën që trupi të relaksohet më lehtë gjatë natës.

  • Një “sy gjumë” gjatë ditës ju bën më të lumtur

    Një “sy gjumë” gjatë ditës ju bën më të lumtur

    Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje mes të fjeturit për një kohë të shkurtë gjatë ditës dhe lumturisë.

    Ndonëse gjumi në përgjithësi sjell një sërë përfitimesh shëndetësore, duke filluar nga rritja e produktivitetit e deri te mbrojtja nga sëmundjet e zemrës, tani duket se lumturia është një nga përfitimet më të mira që i sjell gjumi.

    Profesori Richard Wiseman, nga Universiteti Hertfordshire, ka thënë: “Hulumtimet e mëhershme kanë treguar se të fjeturit për më pak se 30 minuta gjatë ditës ju ndihmon të ndiheni më të përqendruar, të jeni më produktivë, më kreativë dhe tani studimet e reja e shtojnë faktin se gjumi i tillë ju bën edhe më të lumtur”.

    Në bazë të eksperimenteve me 1,000 pjesëmarrës, hulumtuesit kanë konstatuar se mbi 60% e atyre që bëjnë një sy gjumë gjatë ditës raportojnë për disponim më të mirë sesa ata që flenë më shumë.

  • Si të reagoni kur ju kap ngërçi gjatë notit

    Si të reagoni kur ju kap ngërçi gjatë notit

    Nëse gjatë notimit ju kap ngërçi në këmbë, është shumë me rëndësi që të qëndroni të përmbajtur dhe t’i kujtoni teknikat e vetëshpëtimit.

    Ngërçet në këmbë gjatë notimit ndodhin nga shtrirja dhe ftohja e muskujve. Kjo mund t’u ndodhë edhe notarëve më me përvojë, andaj është shumë me rëndësi që të dini se si të reagoni sa më parë.

    Teknika më e mirë e vetëshpëtimit në situatë të tillë është Ligji i Arkimedit. Ai thotë që trupi i zhytur në ujë është më i lehtë sa pesha e ujit të zhvendosur.

    Kjo teknikë ju mundëson që të qëndroni në sipërfaqe dhe të prisni ndihmën, transmeton Telegrafi. Merrni frymë thellë dhe qëndroni shtrirë në shpinë, qëndroni maksimalisht nën ujë, ndërsa vetëm fytyra të jetë mbi sipërfaqen e ujit.

    Me lëvizje të lehta rrethore të duarve dhe këmbëve pluskoni në ujë dhe filloni të lëvizni në drejtim të plazhit.

    Kini kujdes të merrni frymë thellë dhe t’ju jenë mushkëritë të mbushura me ajër, sepse ashtu krijoni notim plotësues. Derisa jeni duke pritur ndihmën, shtrijeni muskulin e rënë ngërç 10 – 15 sekonda derisa të lirohet. Pasi që t’ju kalojë duhet sa më parë të dilni na uji, sepse situata mund t’ju përsëritet.

  • Ekspozimi i foshnjave ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të shkaktojë dëmtime në tru

    Ekspozimi i foshnjave ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të shkaktojë dëmtime në tru

    Një numër në rritje studiuesish po shprehin shqetësime lidhur me përdorimin e ekraneve nga fëmijët shumë të vegjël. Një studim i fundit sugjeron se ekspozimi i shpeshtë ndaj ekraneve para moshës 2 vjeç mund të ndërhyjë në fazat kritike të zhvillimit të trurit.

    Gjatë këtyre viteve të para, truri i foshnjës zhvillohet me shpejtësi duke krijuar lidhje të rëndësishme që mbështesin gjuhën, përqendrimin dhe rregullimin emocional.

    Ekspertët besojnë se ekspozimi i tepërt dhe pasiv ndaj ekraneve mund të zvogëlojë ndërveprimet reale që janë thelbësore për foshnjat. Komunikimi, kontakti me sy, loja dhe eksplorimi fizik ndihmojnë në forcimin e rrjeteve nervore që ndikojnë në të mësuarit dhe sjelljen në të ardhmen.

  • Harrojeni fërkimin e lodhshëm: Ky produkt heq njollat dhe ndryshkun

    Harrojeni fërkimin e lodhshëm: Ky produkt heq njollat dhe ndryshkun

    Që ta pastroni sobën dhe ta bëni të shkëlqejë, mjafton të përdorni një ushqim nga kuzhina dhe do të mahniteni nga rezultati

    Një mjet ekonomik për pastrimin e sobës që ju shpëton nga fërkimi i lodhshëm është – keçapi. Nuk është sodë buke as uthull, kjo lëndë e lirë pastron sobën dhe largon ndryshkun pa mundim.

    Dihet se disa ushqime mund të ndihmojnë në pastrimin e shtëpisë. Soda e bukës është e shkëlqyer për sipërfaqe, ndërsa uji i gazuar mund të përdoret për zhbllokimin e gypave…

    Por, a e keni ditur se një ushqim që zakonisht konsumohet me patate të skuqura dhe pa të cilin nuk imagjinohet pica, pastron në mënyrë të shkëlqyer sobën? Dhe nuk është sodë buke as uthull.

    Bëhet fjalë për keçapin, i cili largon njollat nga soba si asnjë mjet tjetër. E habitshme, apo jo?

    Për ta pastruar sobën me keçap, mjafton të ndizni furrën dhe pllakat, të aplikoni keçapin dhe, pasi të zbutet pak, ta fërkoni.

    Mos u mundoni më me pastrimin e lavamanëve dhe sipërfaqeve të ndryshkura. Thjesht vendosni një shtresë të trashë keçapi mbi ndryshk dhe lëreni për 10 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të valuar dhe do të shihni se keçapi ka tretur papastërtinë dhe ndryshkun.

    Jemi të sigurt se rezultati përfundimtar do t’ju mahnitë.

  • ​Trendi viral që po shqetëson psikologët, si ndikon “AI Crying Food” te fëmijët

    ​Trendi viral që po shqetëson psikologët, si ndikon “AI Crying Food” te fëmijët

    Trendi “AI Crying Food”, ku krijohen video të ushqimeve që duken “të gjalla” dhe shprehin emocione njerëzore, kryesisht duke qarë, bërtitur ose duke u shfaqur të frikësuara, po bëhet gjithnjë e më viral në rrjetet sociale.

    Video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale të ushqimeve të ndryshme që u “bërtasin” njerëzve janë kudo në TikTok dhe Instagram. Ato tregojnë fruta, perime dhe sende shtëpiake të animuara me fytyra që u “flasin” përdoruesve dhe japin këshilla.

    Videot – të gjitha me kohëzgjatje rreth një minutë – kanë grumbulluar miliona pëlqime dhe shikime, vetëm një muaj pasi u shfaqën për herë të parë në platformën e mediave sociale.

    Për këto video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, psikologia për fëmijë, Kristina Halilaj, thotë se ndikimi i tyre në psikologjinë e fëmijëve mund të jetë shumë i madh.

    Ajo thotë për KosovaPress, se edhe fëmijët më të vegjël se dy vjeç, të cilët po ekspozohen ndaj telefonit, konsumimi i këtyre përmbajtjeve më vonë mund të ndikojë në konfuzionin e tyre në dallimin mes reales dhe fantazisë.

    “Më mirë me thanë katër deri në shtatë vjet, këto informacione ndikojnë në ankth të braktisjes ose ankthi i ndarjes te fëmija. Marrë parasysh dredhëzën kur e sheh edhe e sheh duke bërtitur dhe qajtur, momentin që ndahet prej dredhëzës tjetër, ai e merr si ndjenjë edhe mundet të filloj të ketë fobi në të ushqyerin e dredhëzës, domethënë për me hangër dredhëzën, sepse ai mendon që ajo po ndjen, ajo ka sy dhe po e din çka po ndodh…. …

    Antropomorfizmi i dhunshëm, duke iu dhënë shpirt objekteve që janë pa shpirt dhe pa ndjenja, duke ju dhënë emocione të forta, fëmija përjeton si shok, edhe pse fillimisht duken si filma të animuar. Fëmija thjesht e kalon automatikisht një shok emocional dhe e lë fëmijën me ankth se çka ka ndodhë me dredhëzën, me pataten ose kur e sheh shpagetin duke u zi, edhe aty vala që del, taman traumatike për fëmijën, duke bërtitur ….. Edhe kur ato bërtasin: Mami ndihmë, kam frikë, çka po ndodh me ne? Ai automatikisht e percepton si ndjenjë të veten dhe fëmija mundet me mendu realisht që çka po ndodh me mua, a ka me pas edhe unë një ndarje me prind të mi, në këtë formë e kështu me radhë”, u shpreh ajo.

    Ekspozimi i fëmijëve ndaj këtyre përmbajtjeve mund të ndikojë edhe në çrregullime të lehta në të ngrënë, ku sipas psikologes ndikojnë edhe në mënyrën se si disa fëmijë i përjetojnë më ndjeshëm situatat reale.

    “Prej tetë deri në dymbëdhjetë vjet, fëmija mundet me e ditë çfarë po ndodh, mundet me e kuptu çfarë është inteligjenca artificiale, por në këtë moshë fëmija ka empati shumë aktive dhe e ndjen që diçka sapo vdiq realisht, në një video, unë po e ha atë. Edhe kur e merr që po e hanë, mundet të filloj të mendoj që mos po ndjen dhe me i klasifiku ushqimet që ky i ka përjetu më shumë në video, qoftë dredhëza, qoftë patatet, qoftë banania, qoftë diçka që ai e ka përjetu më shumë, më thellë, sidomos këta që janë para shtatë vjeç mundën me pas fobi dhe me pas çrregullime të lehta në të ngrënë……

    Ndërsa prej trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç mundet me pas destabilizim….. Te disa fëmijë mundet me ndiku që edhe ndjenjat reale madje mos m’i përjetu shumë, edhe disa fëmijë tjerë që janë më empatik, pas moshës trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeç, këto mundet me i rritë hiperndjeshmëria, munden të jenë shumë më të ndjeshëm edhe në situata të tjera”, tha Halilaj.

    Ndërkaq, ajo përmend edhe shenjat që prindërit mund t’i vërejnë kur këto përmbajtje ndikojnë te fëmijët.

    “Fëmija në këtë moshë, prej katër vjeç e tutje, zakonisht nënat po i çojnë edhe në kopsht dhe e kalojnë këtë fazën e ankthit të ndarjes, kur ndahet me nënën. Por nëse për një kohë i paraqitet prapë, ose rikthehet ankthi, nëna kur do me dalë ose frika që nëna po shkon dikun, mundet me ditë që diçka nuk është duke shkuar në rregull, sepse duhet me gjet arsyen pse po i ndodh kjo. Ose në momentin kur e selekton një ushqim, thotë jo këtë nuk e ha më, nëse ka hangër ma herët dhe nuk e ha më, nëse e sheh brokolin që e ka hangër edhe u ushqy shëndetshëm me ta dhe kur vendos mos me hëngër atë, ne duhet me ditë rrethanat dhe faktorët pse nuk po e hanë fëmija më”, tha ajo.

    Psikologia këshillon prindërit që të kujdesën se çfarë po shikojnë fëmijët, sepse ndonjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, fëmijët mund t’i shohin ato video për të cilat ndoshta as prindërit nuk janë në dijeni që po ndodh diçka e tillë.

    “E prindërit çka duhet me bërë është që gjithmonë bashkëpunim me fëmijën duhet me pa çka po i jep fëmijës me shiku, pavarësisht që momentin kur e sheh në reels, fëmija deshi apo nuk deshi, ka me dalë diçka që nuk është e përshtatshme, por momentin që na e fokusojmë në YouTube një film të animuar dhe ai e sheh që është për një orë ose njëzet minuta, momentin që ia jep fëmijës e dinë saktë se brenda atyre njëzet minuta çka ka me pa.

    Por kur në momentin ia japim fëmijës telefonin dhe na nuk jemi në dijeni çka po vazhdon, atëherë normal që duhet me u kanë të shqetësuar prindërit, sepse në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta prindi as nuk është i informuar për këtë pjesën se çka po ndodh ose çka janë këto dhe nëse i ka pa ato sekonda, ajo veç e ka tejkalu vetë”, tha Halilaj.

    E në fund, Halilaj thekson dëmin e madh që mund të kenë fëmijët gjatë jetës pas konsumimit të videove të shkurta në përgjithësi, e sidomos të atyre që kanë edhe përmbajtje të Inteligjencës Artificiale.

    “Këto nuk janë filma të animuar që mund ta ndihmojnë fëmijën, sepse janë shumë të shkurta dhe fëmijëve ju krijon një shok emocional…… Reels-at tek zhvillimi kognitiv i fëmijëve ndikojnë domethënë në mosrealizimin e emocioneve, me i shpreh emocionet, sepse ato janë shumë të shkurtra edhe aspekti kognitiv, truni e percepton senet shumë shkurtër dhe çdo informacion që don me marrë fëmija do t’i marrë krejt shkurt. Edhe nëse ne duam të bëjmë një lojë, ai nuk mundet me mbërri me kry një lojë deri në fund, sepse është mësuar për një sekuencë të shkurt me përjetu kënaqësinë ose me marrë informacionin….. Truri i njeriut zhvillohet goxha shumë deri në moshën dyvjeçare dhe prej dyvjeçare nëse me reels-a stagnon edhe fillon mos me kuptu realitetin domethënë me lojë, me socializim, me komunikim me nënën, me ndërveprim social, përpos shikimit të reels-ave, e kufizon shumë trurin, domethënë munden me fol me vonesë, munden me pas probleme në socializim, munden me pas probleme kognitive më vonë, që ndoshta më pas edhe me mendu që ka edhe probleme neurozhvillimore”, tha ajo.

    Përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rrjetet sociale dhe shpesh arrijnë miliona shikime brenda një kohe të shkurtër.

    Trende të tilla karakterizohen nga video shumë të shkurtra dhe me elemente të forta emocionale, të cilat janë të dizajnuara për të tërhequr menjëherë vëmendjen e shikuesit. /KP/

  • Burrave iu duhet më shumë kohë për ta kaluar ndarjen!

    Burrave iu duhet më shumë kohë për ta kaluar ndarjen!

    Nëse je edhe ti ndonjë nga ata që mbyllen në shtëpi për të parë ndonjë film romantik dhe nuk pushon së qari, ku lidhja në film përfundon, mos mendo se je i vetmi. Edhe burrat qajnë dhe mbi të gjitha, kanë nevojë për më tepër kohë për ta kaluar një ndarje.

    Sipas një studimi antropologjik të bërë në Universitetin e Binghamtonit, femrat vuajnë më shumë pas një ndarjeje, por e marrin veten më shpejt se sa meshkujt.

    Ndërsa meshkujt, edhe pse e vazhdojnë jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur, e vrasin më shumë mendjen pas ndarjes dhe duan më shumë kohë ta marrin veten. Për ta është më e vështirë të rinisin një marrëdhënie tjetër.