ATV

Category: Lajme

  • The Telegraph: Epstein ruajti kompjuterë në depo sekrete në ShBA, pagoi detektivë privatë për t’i fshehur

    The Telegraph: Epstein ruajti kompjuterë në depo sekrete në ShBA, pagoi detektivë privatë për t’i fshehur

    Dokumente të shqyrtuara nga e përditshmja britanike “The Telegraph” thonë se i dënuari amerikan për krime seksuale, Jeffrey Epstein, ka ruajtur kompjuterë dhe materiale të tjera në depo me qira nëpër SHBA, me sa duket për t’i mbajtur larg hetuesve.

    Sipas gazetës, Epstein pagoi detektivë privatë për të hequr pajisje nga shtëpia e tij në Florida pasi ishte paralajmëruar për një bastisje të mundshme të policisë në mesin e viteve 2000.

    Dokumentet tregojnë se kompjuterët u zhvendosën në disa ambiente magazinimi.

    Raporti thotë se Epstein kishte marrë me qira gjashtë depozita nëpër SHBA. Faturat e kartës së kreditit të cituara nga gazeta tregojnë pagesa të rregullta për të paktën një depozitë nga viti 2003 deri në vitin 2019, viti kur ai vdiq. Disa nga sendet e ruajtura, sipas raportimit, përfshinin kompjuterë nga Little Saint James, ishulli i tij privat në Ishujt e Virgjër Amerikanë.

    Urdhrat e kontrollit të shqyrtuar nga gazeta sugjerojnë se autoritetet amerikane nuk i bastisën këto depozita. Federal Bureau of Investigation (FBI) nuk pranoi të tregojë nëse ndonjë nga këto depozita ishte kontrolluar ndonjëherë.

    Epstein, i cili zotëronte disa prona të mëdha në SHBA dhe Francë, u arrestua në vitin 2019 me akuza federale për trafikim seksual.

    Fotografitë e bëra gjatë kontrolleve në pronat e tij treguan hapësira të mëdha magazinimi dhe zona bodrumi bosh, duke ngritur pyetje pse ishin përdorur depozita të jashtme.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, US Department of Justice (DoJ) publikoi mijëra dosje që lidhen me Epstein.

    Edhe pse prej kohësh dyshohej se Epstein mbante materiale potencialisht komprometuese për bashkëpunëtorët e tij, relativisht pak fotografi ose video janë bërë publike. Autoritetet amerikane kanë mohuar vazhdimisht pretendimet se po mbajnë prova të fshehura për të mbrojtur persona të fuqishëm.

    The Telegraph raportoi gjithashtu se hetues privatë u paguan dhjetëra mijëra dollarë për të hyrë në një depozitë në Nju Jork në emër të Epstein.

    Veçmas, stafi diskutoi zhvendosjen e kompjuterëve dhe CD-ve nga ishulli i tij privat në ambiente të fshehta. Disa nga materialet e ruajtura mund të datojnë para vitit 2009, që është pika fillestare e email-eve të publikuara nga qeveria amerikane.

    Gazeta tha se kishte kontaktuar ish-detektivët privatë të Epstein në Florida, të cilët refuzuan të komentojnë, duke përmendur konfidencialitetin me klientin. Edhe FBI refuzoi të komentojë për ekzistencën apo statusin e ndonjë depozite të tillë.

  • Drejtori i Doganës deklarohet për zbulimin e 1 milion eurove në Merdarë

    Drejtori i Doganës deklarohet për zbulimin e 1 milion eurove në Merdarë

    Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu është deklaruar sot lidhur me rastin e zbulimit të 1 milion eurove në një automjet në pikën kufitare në Merdarë, gjersa theksoi se është një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare.

    Llugaliu në një postim në LinkedIn thotë se zbulimi i këtij rasti është rezultat direkt i përkushtimit të stafit si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.

    “Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar në PKK Merdare – një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare. Rezultat direkt i përkushtimit të stafit tonë si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare.

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre shtetas të huaj janë arrestuar për të mundësuar hetime të mëtejme. Përkushtimi dhe profesionalizmi i zyrtarëve tanë është për çdo lëvdatë dhe shtrihet mbi synimin tanë për kufij të sigurt”, shkruan ai.

  • Punëtorët e “Pastrimit” në Drenas me mjet pune teknikisht të parregullt, reagon Lladrovci: Kjo nuk lejohet, presim masa disiplinore

    Punëtorët e “Pastrimit” në Drenas me mjet pune teknikisht të parregullt, reagon Lladrovci: Kjo nuk lejohet, presim masa disiplinore

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shihen punonjës të Kompanisë Rajonale të Pastrimit, me një mjet pune në gjendje teknikisht të parregullt.

    Ai ka thënë se kjo kompani është ndërmarrje publike rajonale, nuk menaxhohet nga Komuna, por funksionon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe statutit të saj, nën përgjegjësinë e organeve kompetente në nivel qendror.

    “Veprimi i paraqitur në video përbën sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, pasi qarkullimi i mjetit me defekt teknik përbën rrezikim serioz të sigurisë në komunikacionin publik, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe me standardet e sigurisë teknike të mjeteve motorike.

    Një veprim i tillë përbën:

    • shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,

    • shkelje disiplinore,

    • dhe shkaktim të dëmit material, me pasoja të mundshme edhe penale në rast rrezikimi të jetës dhe sigurisë publike”, ka shkruar Lladrovci.

    Ai ka thënë se asnjë mjet pune nuk lejohet të marrë pjesë në komunikacionin publik pa qenë teknikisht i rregullt dhe i sigurt, pavarësisht natyrës së punës apo institucionit që e përdor.

    “Nëse punonjësit në fjalë do të ishin nën përgjegjësinë direkte të Komunës, do të ishin referuar menjëherë në komision disiplinor dhe do të ishin sanksionuar në përputhje me ligjin, pa asnjë tolerancë. Institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore dhe ligjore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. Siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë mbi çdo justifikim operacional apo individual”, ka shkruar Lladrovci.

  • Në fjalimin më të gjatë në histori të “Gjendja e Kombit”, Trump tha se ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë

    Në fjalimin më të gjatë në histori të “Gjendja e Kombit”, Trump tha se ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti të martën në mbrëmje, sipas orës lokale amerikane, fjalimin tradicional mbi “Gjendjen e Kombit”.

    Gjatë fjalimit që llogaritet si më i gjati në histori të Shteteve të Bashkuara, Trump deklaroi se kishte përfunduar tetë luftëra brenda dhjetë muajsh.

    “Kam përfunduar tetë luftëra, përfshirë atë mes Indisë dhe Pakistanit, ku ekzistonte rreziku i një lufte bërthamore dhe mund të humbnin jetën 35 milionë njerëz”, tha ndër të tjera lideri amerikan, Donald Trump.

    Ai shtoi se kishte përfunduar edhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në disa raste të fjalimit të liderit amerikan, republikanët e duartrokisnin gjersa demokratët herë pas here qeshnin ose kundërshtonin.

    Ndërkohë, fjalimi i 79-vjeçarit të martën zgjati afro 1 orë e 48 minuta, duke u shndërruar në adresimin më të gjatë para Kongresit amerikan në të paktën gjashtë dekadat e fundit.

    Me këtë paraqitje, ai tejkaloi edhe rekordin që kishte vendosur vetë një vit më parë, kur foli për 1 orë e 39 minuta në një fjalim që teknikisht nuk cilësohej si “Gjendja e Kombit”.

    Më herët, rekordin e mbante ish-presidenti Bill Clinton, fjalimi i të cilit për Gjendjen e Kombit në vitin 2000 kishte zgjatur 1 orë e 28 minuta.

    Sondazhi i kryer nga Reuters në bashkëpunim me Ipsos zbuloi se gjashtë nga dhjetë amerikanë, përfshirë 30 për qind të republikanëve, besojnë se lideri amerikan është bërë më i paparashikueshëm me kalimin e moshës.

    Nga të anketuarit, vetëm 40 për qind e miratojnë performancën e tij në detyrë, ndërsa 58 për qind nuk e mbështesin.

  • Afër 2 mijë e 600 gjoba për 24 orë, policia njofton se ka arrestuar 20 persona

    Afër 2 mijë e 600 gjoba për 24 orë, policia njofton se ka arrestuar 20 persona

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2598 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, policia ka njoftuar se janë arrestuar 20 persona, dhe se, 12 janë dërguar në mbajtje.

    Nga raporti bëhet e ditur edhe se, kanë ndodhur 17 aksidente me të lënduar, dhe, 31 me dëme materiale.

  • Nis takimi mes Konjufcës dhe Spiropalit

    Nis takimi mes Konjufcës dhe Spiropalit

    Ka nisur takimi mes Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufcës me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

    Dy ministrat fillimisht bënë homazhe në Prekaz, për t’u kthyer pastaj në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Pas këtij takimi, Spiropali do të pritet edhe nga presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti.

  • Gjermania anulon mbi 8,200 leje qëndrimi: 661 prej tyre ishin shqiptarë

    Gjermania anulon mbi 8,200 leje qëndrimi: 661 prej tyre ishin shqiptarë

    Autoritetet gjermane anuluan 8,232 leje qëndrimi për të huaj në vitin 2025, një numër më i ulët nga 9,277 në vitin 2024, sipas një përgjigjeje nga qeveria e koalicionit nën kancelarin konservator Friedrich Merz ndaj një pyetjeje parlamentare të parë nga agjencia gjermane e lajmeve.

    Shifrat zyrtare tregojnë se shumica e urdhrave të dëbimit të lëshuar këtë vit kishin të bënin me qytetarë të Gjeorgjisë (671), Shqipërisë (661) dhe Turqisë (618). Të tre vendet e njëjta ishin në tre vendet e para në vitin 2024, kur shtetasit shqiptarë regjistruan numrin më të lartë, me 923 raste që përfshinin urdhra dëbimi.

    Përgjigja e qeverisë u dha pas një pyetjeje përkatëse të paraqitur në parlamentin gjerman, pa u bërë publike të dhëna të mëtejshme mbi kategoritë individuale të rasteve.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të riu

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të riu

    Policia në Prishtinë ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar një të ri në kryeqytet.

    Në njoftimin e lëshuar për media, nuk bëhet e ditur se përse po kërkohet identifikimi i personit në fotografi.

    “Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi”.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit:[email protected]”.

  • Mbështjellja e ushqimit me mbështjellës alumini e rrezikshme për shëndetin, thonë ekspertët

    Mbështjellja e ushqimit me mbështjellës alumini e rrezikshme për shëndetin, thonë ekspertët

    Mbështjellësi i aluminit përdoret shumë në kuzhinë. Përdoret për ta mbështjellë ushqimin që të mos e humb lagështinë gjatë gatimit dhe po ashtu vendoset për të parandaluar ngjitjen e ushqimit.

    Por, doktori Zachary Cartwright ka paralajmëruar se s’bën të përdoret mbështjellësi i aluminit për ta ruajtur ushqimin e mbetur, pasi mund t’ju vë në rrezik serioz nga helmimi me ushqim, shkruan “The Sun”.

    Cartwright, që është ekspert i ushqimit në Aqualab në Chicago, ka thënë se për ta ruajtur ushqimin preferohen kutitë e plastikës apo qeset e plastikës, pasi ato mbyllin ushqimin hermetikisht dhe nuk lejojnë oksigjenin të futet.

    E me mbështjellës alumini, ai thotë se pavarësisht sa mirë e mbështillni, prapë do të mbetet hapësirë për të hyrë ajër.

    “Mbështjellësi i aluminit s’mund të bëjë një mbyllje hermetike të ushqimit”, thotë Cartwright për “Southern Living”.

    Ai thotë se prezenca e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme.

    Qendra për Kontroll të Sëmundjeve në SHBA (CDC), thotë se prania e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme si stafilokoku apo bacillus cereus.

    Stafilokoku është bakter që mund të gjendet në lëkurën e njerëzve dhe mund të shkaktojë infeksione serioze nëse futet në gjak, duke çuar në disa raste edhe deri te vdekja.

    Ushqimi mund të kontaminohet nëse njerëzit, që kanë këtë bakter, e prekin atë pa i larë duart fillimisht.

    Stafilokoku mund të shumohet në ushqim dhe të krijojë një toksinë që shkakton helmim nga ushqimi edhe pas gatimit.

    Doktori Cartwright thotë se disa ushqime të caktuara dhe alumini mund të shkaktojnë po ashtu reaksion kimik dhe kontaminim.

    Alumini mund të reagojë me acid apo ushqime të kriposura, të cilat mund të shkaktojnë kullim të aluminit në ushqim.

    Kjo mund t’ia ndryshojë shijen ushqimit, e nëse merrni sasi të madhe të aluminit me kalimin e kohës atëherë mund të dëmtohen organet, siç është thënë në studime.

    Cartwright thotë se nëse doni të përdorni gjithsesi mbështjellës alumini për ta ruajtur ushqimin, atëherë duhet të jetë në afat të kufizuar kohor, jo më tepër se dy ditë.

    Po ashtu thotë se duhet ta mbështillni ushqimin me dy mbështjellës alumini, apo të filloni fillimisht me një qese plastike.

     

  • Spiropali dhe Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz, i pret baca Rifat

    Spiropali dhe Konjufca bëjnë homazhe në Prekaz, i pret baca Rifat

    izitën e saj zyrtare, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali e ka nisur nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Ajo është shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, e ku kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.

    Të dy Ministrat u pritën më pas në Kullën e Jasharajve, prejRifat Jasharit. Kjo kullë sipas Spiropalit, është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe ai çmim është paguar me jetë.

    “Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë”, shkroi Spiropali.