ATV

Category: Lajme

  • Një grua në Fushë kosovë kanoset dhe sulmohet fizikisht nga i dashuri i saj, i dyshuari gjendet në arrati

    Një grua në Fushë kosovë kanoset dhe sulmohet fizikisht nga i dashuri i saj, i dyshuari gjendet në arrati

    Një grua në Fushë Kosovë dyshohet se është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj, njofton Policia e Kosovës.

    Ngjarja ka ndodhur më 24 shkurt 2026, rreth orës 16:30, ndërkohë që sipas policisë, i dyshuari aktualisht ndodhet në arrati.

    Tutje, në raportin e Policisë thuhet se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

  • Vdes turisti në Brazil – ra nga ujëvara duke u fotografuar

    Vdes turisti në Brazil – ra nga ujëvara duke u fotografuar

    Një turist në Brazil ka vdekur tragjikisht pasi ka rënë nga një ujëvarë prej 40 metrash, ndërsa po përpiqej të bënte një foto.

    Tragjedia, e cila vrau Caio Libero Batistela, i cili punonte si kontabilist, ndodhi në shtetin e Paraná-s.

    Sipas mediave lokale, Batistella po qëndronte në majë të ujëvarës Rio Sao Jorge kur iu afrua buzës për të bërë një foto dhe humbi ekuilibrin, duke bërë që të binte nga një lartësi prej rreth 40 metrash.

    Sipas të njëjtave raportime, një person që ishte me të u përpoq ta kapte Battistellën nga rrobat, por pa sukses, ndërsa, sipas zjarrfikësve, edhe ky person pothuajse ra në boshllëk. Siç u shpjegua nga zjarrfikësit që morën pjesë në operacionin për të nxjerrë trupin e Battistellës, ujëvara ku ndodhi tragjedia është e vështirë për t’u arritur.

  • Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Gjilan

    Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Gjilan

    Një person është arrestuar nën dyshimin për dhunim në Gjilan, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur në periudhën 28-31.01.2026, rreth orës 00:30, ndërsa arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar është bërë më 24.02.2026.

    Policia njofton se i dyshuari dyshohet të ketë kryer veprën penale të dhunimit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.

    Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

  • Policia arreston dy të dyshuar për dhunim në Vushtrri

    Policia arreston dy të dyshuar për dhunim në Vushtrri

    Një grua dyshohet se është dhunuar nga dy persona në Vushtrri, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në intervalin kohor 24/25.02.2026, rreth orës 21:00 deri në 01:00, ndërkohë që Policia njoftoi se dy të dyshuarit, meshkuj kosovarë, janë arrestuar.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

  • “Nuk më interesojnë viktimat”, Mark Epstein: Vëllai im Jeffrey u vra, kam prova

    “Nuk më interesojnë viktimat”, Mark Epstein: Vëllai im Jeffrey u vra, kam prova

    Mark Epstein, vëllai i Jeffrey Epstein, tha se beson fuqimisht se vëllai i tij nuk u vetëvra në burg në vitin 2019, por u vra, dhe se ka prova që do ta dëshmojnë këtë.

    Ai i bëri këto komente gjatë një interviste në emisionin Uncensored me Piers Morgan.

    Mark tha se një grup patologësh po rishikojnë gjetjet e autopsisë dhe po përgatitin një raport që “do të tregojë qartë se nuk ka qenë vetëvrasje”.

    Ai pyeti pse mungon video nga kamerat e sigurisë të burgut ku u gjet i vdekur Epstein dhe pse ka “fshehje e dokumentesh”, raporton Dailymail.

    Kur Morgan e pyeti nëse i interesoheshin viktimat e krimeve të vëllait të tij, Mark u zemërua dhe tha se “nuk më interesojnë. Ajo që më intereson është vetëm që vëllai im, kushdo dhe çfarëdo që ka qenë, u vra. Kjo është e vetmja gjë që më intereson”.

    Ai pastaj ndërpreu menjëherë intervistën dhe u largua nga lidhja.

    Mark gjithashtu tha se ai nuk ishte i vetëdijshëm për shumicën e zbulimeve rreth krimeve që vëllai i tij ishte akuzuar se i kishte kryer para se të vritej.

    Ndryshe, Jeffrey Epstein ishte një financues i njohur që u dënua për nxitje të prostitucionit dhe u akuzua për shfrytëzim seksual të të miturave. Ai vdiq në burgun federal në New York në gusht të vitit 2019 dhe zyrtarisht u deklarua vetëvrasje, por ka pasur spekulime dhe teori që sugjerojnë të kundërtën.

  • Autoritetet zbulojnë substanca narkotike tek të burgosurit në Dubravë

    Autoritetet zbulojnë substanca narkotike tek të burgosurit në Dubravë

    Dy raste të posedimit të substancave narkotike janë evidentuar gjatë muajit shkurt në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku zyrtarët korrektues kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të marihuanës brenda hapësirave të burgut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar më 12 shkurt 2026, rreth orës 14:30, gjatë patrullimit mes pavionit 3 dhe 4, ku janë gjetur rreth 4 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

    Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur më 23 shkurt 2026, rreth orës 13:30, gjatë patrullimit në shëtitoren e pavionit 3, ku janë sekuestruar rreth 3 gramë marihuanë. Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar se si substancat narkotike kanë arritur të futen brenda qendrës korrektuese.

  • Hagë: Gjykimi i dytë ndaj Thaçit nis këtë të premte

    Hagë: Gjykimi i dytë ndaj Thaçit nis këtë të premte

    Të premten, më 27 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.

    Dhomat e Specializuara njoftuan se pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave të saj.

    Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

    Sipas aktakuzës, “midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

    Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi “bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza, dhe z. Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

    Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024.

    Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.

    Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

    Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Smakaj, Thaçi dhe Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025.

    “Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, njoftoi DHSK.

  • Selmanaj: Kompromisi më i mirë tani është kandidimi i Ramush Haradinajt për President

    Selmanaj: Kompromisi më i mirë tani është kandidimi i Ramush Haradinajt për President

    Rasim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se kompromisi më i mirë aktualisht, është kandidimi i Ramush Haradinajt për President.

    Selmanaj kandidimi ose jo të Vjosa Osmani për Presidente e përshkruan me thënien “hyp së të vrava, zhdryp se të vrave”.

    Postimi i plotë:

    Kandidimi apo moskandidimi i Vjosa Osmanit ma kujton at thënjën;

    “Hyp se te vrava, zhdrup se te vrava”

    Albin Kurtit, tashmë dihet se nuk i konvenon kandidimi i Vjosa Osmanit për presidente. Sidoqoftë eliminimi saj ka kosto të lartë politike për Albinin.

    Çështja e presidentit te Kosovës veqse e ka kriju një momentum të ri politik!

    Po presim edhe pakë ditë…

    ‘Luje macë kryet e bullit’

    A është ky fundi i tandemit Vjosë-Albin!?

    Kompromisi më i miri në këto rrethana është kandidimi i Ramush Haradinajt!

  • Koreja e Jugut dhe ShBA-të do të zhvillojnë stërvitje ushtarake “Mburoja e Lirisë” në mars

    Koreja e Jugut dhe ShBA-të do të zhvillojnë stërvitje ushtarake “Mburoja e Lirisë” në mars

    Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të njohura si “Mburoja e Lirisë” nga 9 deri më 19 mars, thanë zyrtarët ushtarakë të vendeve të mërkurën.

    Stërvitja vjetore është “me natyrë mbrojtëse”, thanë zyrtarët në një konferencë, megjithëse përcaktimi nuk e ka penguar atë të jetë një pikë e nxehtë e shpeshtë me Korenë e Veriut, e cila prej kohësh i ka denoncuar stërvitjet si një provë për pushtim.

    Stërvitja do të shërbejë gjithashtu si një mundësi për të mbështetur përgatitjet e vazhdueshme për transferimin e kontrollit operacional të SHBA-së në kohë lufte në Korenë e Jugut, thanë ata.

    Stërvitjet e kaluara, përfshirë atë të vitit të kaluar, përfshinin trajnime shumë-domenesh dhe postesh komanduese që synonin mbështetjen e kësaj gatishmërie, transmeton Telegrafi.

    Koreja e Jugut synon të përfundojë dorëzimin e komandës ushtarake nga SHBA-të, para se të përfundojë mandati i presidentit Lee Jae Myung në vitin 2030.

    Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe SHBA-së thanë se stërvitja nga aleatët muajin e ardhshëm do të përfshijë skenarë parandalimi që lidhen me armët bërthamore të Koresë së Veriut.

    Presidenti Lee është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e tendosura me Korenë e Veriut, megjithëse këto përpjekje deri më tani janë refuzuar nga Pheniani.

    Media e Koresë së Jugut raportoi më parë se Seuli kishte propozuar zvogëlimin e ushtrimeve të stërvitjes në terren gjatë Freedom Shield për të mbështetur këtë shtrirje, por se kjo u përball me rezistencën e SHBA-së.

    Zyrtarët i thanë Reuters se bisedimet për përshtatjen e stërvitjeve në terren, janë ende në vazhdim dhe do të vazhdojnë deri në minutën e fundit.

    Koreja e Veriut aktualisht po mban Kongresin e Nëntë të Partisë së Punëtorëve në pushtet, ngjarja më e madhe politike në kalendarin e saj, e cila analistët thonë se mund të përfundojë me një paradë ushtarake në Pheniani për të shfaqur aftësitë e saj më të fundit ushtarake.

  • Ish-deputetja e Vetëvendosjes e propozon Lutfi Hazirin për president

    Ish-deputetja e Vetëvendosjes e propozon Lutfi Hazirin për president

    Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantia, ka dalë me një propozim interesant rreth emrit për president të ri të Kosovës.

    Ajo ka propozuar nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin për këtë post.

    “Në skenën aktuale politike, ku shpesh dominon polarizimi dhe retorika e ashpër, e ku interesi i ngushtë partiak apo personal vihet në rend të parë, një nga figurat që ka kontribuar më së shumti në shtyrjen e politikave publike racionale dhe në forcimin e shtetndërtimit është Lutfi Haziri”, ka shkruar Pantina.

    Sipas saj, Haziri ka ruajtur gjithmonë komunikim korrekt dhe të përgjegjshëm, pa fyerje ndaj kundërshtarëve, me respekt ndaj mediave, shoqërisë civile dhe sidomos partnerëve ndërkombëtarë.

    “ Kjo kulturë politike dhe kjo qasje unifikuese e bëjnë atë një profil të denjë për President”, ka shkruar Pantina.