ATV

Category: Lajme

  • Sot mbahet seanca e radhës për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Sot mbahet seanca e radhës për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

    Seanca është caktuar të mbahet sot nga ora 09:00, ku pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar sipas Prokurorisë me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen edhe të një personi të mitur.

    Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit të të gjitha provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit deri në përfundim të procedurës gjyqësore.

    Rasti vazhdon të jetë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.

  • Vdekja e 42-vjeçarit gjatë arrestimit në Bolonjë nxit hetime dhe protesta në Itali

    Vdekja e 42-vjeçarit gjatë arrestimit në Bolonjë nxit hetime dhe protesta në Itali

    Vdekja e 42-vjeçarit me origjinë marokene, Abderrahim Fakir, gjatë një operacioni policor në qytetin e Bolonjës ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e përdorimit të forcës nga policia dhe përgjegjësisë së autoriteteve ligjzbatuese.

    Sipas raportimeve, Fakir humbi jetën pak minuta pasi u neutralizua nga efektivët e policisë. Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet e ndërhyrjes, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, rezultatet e së cilës pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Bolonjë, ku mijëra qytetarë dolën në protesta duke kërkuar transparencë dhe drejtësi. Gjatë demonstratave, një pjesë e protestuesve u përplas me forcat e rendit, duke shkaktuar të lënduar mes policëve dhe dëme materiale.

    Rasti ka rindezur debatin politik dhe publik mbi reformën e fundit të sistemit të drejtësisë në Itali. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe kritikët e reformës argumentojnë se ndryshimet ligjore mund ta bëjnë më të vështirë hetimin dhe mbajtjen përgjegjëse të zyrtarëve policorë në raste të dyshuara për tejkalim të kompetencave.

    Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe publikimin e rezultateve zyrtare.

  • Sot shpallet aktgjykimi për rastin e kanosjes ndaj Hysni Gucatit

    Sot shpallet aktgjykimi për rastin e kanosjes ndaj Hysni Gucatit

    Gjykata Themelore në Drenas pritet të shpallë sot, duke filluar nga ora 11:30, aktgjykimin në rastin e kanosjes ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

    I akuzuari, Eqrem Avdullahu, në seancën e mbajtur më 20 korrik e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes dhe kishte kërkuar falje.

    Gjykata që e miratoi pranimin e fajësisë në seancën qe u mbajt të hënën në Gjykatën Themelore në Drenas, e caktoi 23 korrikun si datën kur do të shpallet aktgjykimi në këtë çështje.

  • IKD nis sot mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

    IKD nis sot mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, do të organizojë sot aktivitetin për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të kësaj nisme.

    Aktiviteti do të mbahet në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku qytetarët do të kenë mundësi të nënshkruajnë peticionin për të mbështetur ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

    Në një intervistë për EO, hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala kishte deklaruar se kjo nismë vjen si përgjigje ndaj mosrespektimit të vazhdueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nevojës për forcimin e sundimit të ligjit.

    “Po, fillimisht, një nismë e tillë nga ajo që kemi njoftuar si IKD paraqet një veprimin e parë, veprimin fillestar për njoftimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për inicimin e një nisme të tillë, e cila nismë mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Nismat Legjislative. Arsyet, do të thotë, pse e kemi ngritur këtë çështje kanë të bëjnë në drejtim të dy çështjeve: që është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe inkriminimi i veprimeve të akterëve politikë të cilët janë në pushtet përmes veprimeve të cilat cenojnë garën politike”, tha Shala.

  • Arrestohet një 25-vjeçar në Shtime, sulmoi gjyshërit nën ndikim të alkoolit

    Arrestohet një 25-vjeçar në Shtime, sulmoi gjyshërit nën ndikim të alkoolit

    Një 25-vjeçar është arrestuar në Shtime, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyshen e tij dhe ka kanosur familjarët pas një mosmarrëveshjeje.

    Sipas policisë, 25-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gjyshes së tij dhe e ka kanosur atë.

    Rreth një orë më vonë, sipas Policisë, i njëjti ka hedhur një shishe qelqi në drejtim të gjyshit të tij. Fatmirësisht, nga ky veprim nuk është raportuar për persona të lënduar.

    Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit dhe, për shkak të gjendjes së tij, nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar procedurat penale për veprat “Sulm” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

  • Nesër vazhdojnë kërkimet për Xhafer Raqin, 78-vjeçarin që vuan nga demenca

    Nesër vazhdojnë kërkimet për Xhafer Raqin, 78-vjeçarin që vuan nga demenca

    Nesër do të vazhdojnë kërkimet për 78-vjeçarin, Xhafer Raqi, i cili është shpallur i zhdukur nga familja qysh nga fillimi i muajit korrik.

    Kërkimet do të vazhdojnë me kërkesë të Policisë së Kosovës.

    Ndërkohë, operacionit do t’i bashkohen edhe anëtarët e kërkim-shpëtimit.

    Ndërkaq, familjarët lusin për ndihmë të gjithë qytetarët për gjetjen e të moshuarit që vuan nga demenca (harresa).

    Ndërsa, krejt ata që kanë informacione për 78 vjeçarin le të lajmërohet në këtë numër telefoni: +383 44 737 900

  • Ymeri: Për 6 muaj nga Serbia morëm afër gjysmë milioni kg mish gjedhi, ministri Sveçla po bën namin në mbrojtje të vendit nga serbët

    Ymeri: Për 6 muaj nga Serbia morëm afër gjysmë milioni kg mish gjedhi, ministri Sveçla po bën namin në mbrojtje të vendit nga serbët

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, shkruan se Kosova ka marrë nga Serbia, gjysmë milion kilogrami mish gjedhi për gjashtë muaj.

    Reagimi i saj i plotë:

    Prej interesimit që keni për informata të prodhimit vendor, mish gjedhi nga Serbia kemi marr afër gjysëm milionë kilogram për vetëm 6 muaj.

    Pra, gjysëm milionë kilogram, për gjysëm viti.

    Çfarë?! Mish gjedhi, i freskët.

    Megjithatë me këtë sasi mishi nga armiku, ministri Sveçla po bën namin në mbrojtje të vendit nga serbët.

  • Dallavere në ministrinë e Sveçlës me lejeqëndrimet për të huaj, arrestohen tre zyrtarë të MPB-së

    Dallavere në ministrinë e Sveçlës me lejeqëndrimet për të huaj, arrestohen tre zyrtarë të MPB-së

    Dallavere në procedura dyshohet se e kanë kryer zyrtarët e MPB-së në Departamentin për të Huaj, të cilët u arrestuan sot. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri Xhelal Sveçla.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin në fjalë, duke thënë se luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta,

    Reagimi i tij i plotë:

    Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtareve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.

    Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.

    Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve.

  • Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” u kërkon banorëve te Ujmanit të dorëzojnë dëshmi të pronësisë, brenda 7 dite

    Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” u kërkon banorëve te Ujmanit të dorëzojnë dëshmi të pronësisë, brenda 7 dite

    Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” u ka kërkuar zyrtarisht banorëve të zonës kadastrale në afërsi të Liqenit të Ujmanit, që brenda shtatë ditësh të dorëzojnë dokumentacionin që dëshmon pronësinë mbi tokat dhe objektet e tyre.

    Në dokumentin, të cilin e ka siguruar KosovaPress, e i cili mban datën e sotme (22 korrik 2026) thuhet se kërkesa u drejtohet të gjithë banorëve që posedojnë pasuri të paluajtshme në territorin e mbuluar nga projektet e ndërmarrjes.

    Sipas njoftimit, qytetarët duhet të dorëzojnë dëshminë e pronësisë (tapinë), kontratën e blerjes apo shitjes ose çdo dokument tjetër ligjor që vërteton pronësinë mbi pasurinë.

    Dokumentacioni, sipas letrës zyrtare, mund të dorëzohet fizikisht në zyrat e “Ibër-Lepencit” pranë digës së Ujmanit ose në mënyrë elektronike në adresën [email protected], ndërsa afati për dorëzim është shtatë ditë nga publikimi i njoftimit.

    Në dokument është shkruar edhe paralajmërimi se mosrespektimi i këtij afati mund të vështirësojë procesin e verifikimit të pronësisë dhe të ndikojë në të drejtat e personave si pronarë.

    Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi “Ibër-Lepenci”, me asistimin e policisë, nisi rrënimin e 11 objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke argumentuar se ato ishin ndërtuar në pronë të ndërmarrjes.

    Aksioni ka nxitur reagime ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu keqardhje për rrënimet, duke theksuar se ato u kryen pavarësisht se banorët e prekur kishin iniciuar procedura gjyqësore brenda afatit të paraparë në njoftimet e mëhershme të “Ibër-Lepencit”. Ndërkaq, edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme dhe për zgjidhjen e çështjes në mënyrë transparente, përmes dialogut me komunitetin e prekur.

    Në ditët e fundit, organizata vendore të shoqërisë civile nga veriu i Kosovës kanë ngritur po ashtu shqetësime lidhur me mënyrën e zbatimit të këtyre masave, duke kërkuar respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore të banorëve.

  • Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur

    Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur

    Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në shërbim të policëve të nacionalitetit serbë që dhanë dorëheqje në fund të vitit 2022.

    Katër vjet pas largimit të tyre nga institucionet e Kosovës, autoritetet policore thonë se dorëheqjet ishin pranuar dhe procedura është përmbyllur.

    Këtë qëndrim e rikonfirmoi për KosovaPress zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai tha se dorëheqjet e tyre janë pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, çka nënkupton se statusi i tyre si zyrtarë policorë ka përfunduar.

    “Në momentin që ata e marrin vendimin në dorë, ata nuk janë më policë të Kosovës”, deklaroi Elshani.

    KosovaPress ka kërkuar qëndrim edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

    Përveç policëve, në fund të vitit 2022 dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhanë edhe dhjetë prokurorë serbë, dhjetëra gjyqtarë dhe 22 punonjës të administratës së sistemit të drejtësisë.

    Pas gati katër vjetësh, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë kanë kërkuar rikthimin në vendet e tyre të punës, duke argumentuar se dorëheqjet e tyre nuk ishin trajtuar.

    Megjithatë, më 20 korrik 2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për rikthim në sistemin prokurorial. Një ditë më pas, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

    KPK-ja ka bërë të ditur se ka pranuar rreth 20 e-maile nga ish-prokurorë dhe staf mbështetës serb që kanë kërkuar rikthimin, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka bërë të ditur sa kërkesa ka pranuar nga gjyqtarët.

    Çështja e rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë u diskutua edhe në konferencën e organizuar më 16 korrik në Mitrovicën e Veriut nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC).

    Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, deklaroi se qarkullojnë informacione se gjyqtarët dhe prokurorët mund të rikthehen, duke theksuar se komuniteti ka nevojë për shërbimet e tyre.

    Drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq, u shpreh optimist se ata mund të rikthehen në zyrat e tyre më 1 shtator të këtij viti.

    Në anën tjetër, avokati dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, vlerësoi se rikthimi i tyre do të ishte në interes të funksionimit të drejtësisë dhe integrimit të komunitetit serb, duke e cilësuar dorëheqjen e vitit 2022 si vendim politik të Listës Serbe dhe të autoriteteve në Beograd.

    Ndryshe nga ky qëndrim, avokati Lubomir Pantoviq tha se nuk beson se rikthimi do të ndodhë, megjithëse shtoi se do të dëshironte një zhvillim të tillë.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, argumentoi se gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u ishin miratuar dorëheqjet në kohën kur ato ishin dorëzuar, gjë që, sipas tij, ua kishte lënë të hapur mundësinë për rikthim. Ai theksoi se kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, pasi kompetencën për ta trajtuar e kanë ekskluzivisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

    Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës u shpallën më 5 nëntor 2022 në një takim të organizuar nga Lista Serbe në Mitrovicën e Veriut, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe. Procesi i integrimit të tyre në institucionet e Kosovës kishte nisur vite më parë në kuadër të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.