ATV

Category: Lajme

  • Sindikata e Policisë ngushëllon familjen Hajdari për vdekjen e policit: Qoftë i përhershëm kujtimi për të

    Sindikata e Policisë ngushëllon familjen Hajdari për vdekjen e policit: Qoftë i përhershëm kujtimi për të

    Vdekja e zyrtarit policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Shaban Hajdari, ka tronditur familjen, kolegët dhe komunitetin policor.

    Hajdari është gjetur pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë të Kukësit. Sipas dyshimeve fillestare, ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri

    Pas kësaj ngjarjeje, Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, duke vlerësuar kontributin e tij në shërbim të Policisë së Kosovës. Në telegramin e ngushëllimit, Sindikata ka shprehur dhimbjen për humbjen e zyrtarit policor dhe është solidarizuar me familjarët, kolegët dhe të afërmit e tij.

    “Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Shaban Hajdari. Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për familjen, kolegët dhe të afërmit e të ndjerit, duke u uruar forcë dhe kurajë për ta përballuar këtë humbje”.

    Në fund të mesazhit, Sindikata ka nderuar kujtimin e Hajdarit me fjalët: “Qoftë i përhershëm kujtimi për të.”

  • Dy shtetase të Somalisë kapen pasi hynë ilegalisht në Kosovë, dyshohet se u kontrabanduan

    Dy shtetase të Somalisë kapen pasi hynë ilegalisht në Kosovë, dyshohet se u kontrabanduan

    Dy shtetase të Somalisë janë hasur nga Policia e Kosovës në afërsi të pikës së vjetër kufitare Kosovë–Shqipëri, pak para mesnatës ndërmjet të mërkurës e të enjtes, pasi dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë intervistimit, dy gratë kanë deklaruar se e kanë kaluar kufirin nga Shqipëria në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Sipas dyshimeve fillestare, ato janë kontrabanduar nga persona të tjerë deri në afërsi të kufirit.

    Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

  • Kongresi amerikan miraton buxhetin rekord të mbrojtjes prej 1.15 trilionë dollarësh

    Kongresi amerikan miraton buxhetin rekord të mbrojtjes prej 1.15 trilionë dollarësh

    Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj të madh për mbrojtjen me vlerë prej 1.15 trilionë dollarësh, pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm nga demokratët.

    Debati rreth këtij ligji u ndikua ndjeshëm nga tensionet dhe konflikti ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili ka qenë një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme amerikane.

    Demokratët kanë kritikuar ashpër presidentin Donald Trump për vendimin për t’iu bashkuar sulmeve të Izraelit ndaj Iranit pa kërkuar më parë autorizimin e Kongresit.

    Ata kanë argumentuar se veprime të tilla ushtarake kërkojnë mbikëqyrje dhe miratim nga përfaqësuesit e zgjedhur. Përveç kësaj, shumë demokratë kanë kundërshtuar disa pjesë të projektligjit që parashikojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

    Projektligji përfshin gjithashtu rreth 60 miliardë dollarë fonde shtesë për shpenzime ushtarake. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve pritet të përdoret për të përballuar shpenzimet që lidhen me konfliktin dhe për të mbështetur operacionet e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Mbështetësit e ligjit argumentojnë se këto fonde janë të nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për të mbështetur aleatët e saj, ndërsa kundërshtarët shqetësohen për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe për mungesën e kontrollit të mjaftueshëm nga Kongresi.

    Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, projektligji tani kalon në Senat, ku pritet të zhvillohen diskutime dhe debate të mëtejshme për përmbajtjen dhe ndikimin e tij politik e financiar.

  • ​Edhe 67 oficerë diplomojnë në akademinë ushtarake të Shqipërisë, 10 nga ta kosovarë

    ​Edhe 67 oficerë diplomojnë në akademinë ushtarake të Shqipërisë, 10 nga ta kosovarë

    Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    Në një njoftim për media thuhet se kursi përgatitor për oficer, kishte nisur pas marrëveshjes së arritur mes dy ushtrive shqiptare, në tetor të vitit 2025.

    “Kadetët e FSK-së diplomuan dje në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia u zhvillua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Sipas njoftimit, kjo arritje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve të rinj.

    “Oficerët e diplomuar kanë përfunduar me sukses programin akademik dhe ushtarak, duke fituar njohuri të avancuara në fushën e udhëheqjes, planifikimit operacional, vendimmarrjes dhe menaxhimit ushtarak në përputhje me standardet e NATO-s.”, thuhet në njoftim.

  • Raporti i D+: Procedurat e prokurimit prej 22.5 milionë eurosh u shoqëruan me shkelje dhe zvarritje

    Raporti i D+: Procedurat e prokurimit prej 22.5 milionë eurosh u shoqëruan me shkelje dhe zvarritje

    Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin me titull “Kostoja e procedurave të papërfunduara: rivlerësime të përsëritura dhe mungesa e kontratave”, i cili analizon ligjshmërinë, efikasitetin dhe transparencën e pesë procedurave të prokurimit publik me vlerë të përgjithshme prej 22.5 milionë euro.

    Sipas D+, raporti bazohet në monitorimin e procedurave të zhvilluara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh).

    Në raport thuhet se janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe praktikash problematike që kanë ndikuar në zvarritjen e procedurave, anulimin e tyre ose moslidhjen e kontratave.

    Sipas D+, gjetjet përfshijnë “emërimin e parregullt të anëtarëve të komisioneve të vlerësimit, paraqitjen e arsyeve të reja për eliminimin e operatorëve ekonomikë vetëm në fazën e rishqyrtimit, rekomandimin për dhënie të kontratës operatorëve me çmime jo normalisht të ulëta pa një vlerësim të plotë dhe të dokumentuar, si dhe shkurtimin e pajustifikuar të afateve ligjore për dorëzimin e ofertave.”

    Raporti evidenton gjithashtu se disa procedura kanë mbetur të bllokuara për më shumë se dy vjet, pavarësisht vendimeve të përsëritura të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke shkaktuar vonesa në realizimin e kontratave dhe duke dëmtuar efikasitetin e shpenzimit të parasë publike.

    Bazuar në gjetjet e monitorimit, D+ rekomandon që autoritetet kontraktuese të sigurojnë emërimin e ligjshëm të komisioneve të vlerësimit, të respektojnë parimin e sigurisë juridike gjatë shqyrtimit të kërkesave për rishqyrtim, të bëjnë vlerësim të rregullt të ofertave me çmim jo normalisht të ulët, të garantojnë proporcionalitet dhe transparencë në procedurat e prokurimit, si dhe t’i përfundojnë procedurat brenda afateve ligjore duke zbatuar në mënyrë efektive vendimet e OShP-së.

    Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.

  • Tensionet jashtë Kuvendit të Shqipërisë, Policia shpërndan me ujë protestuesit

    Tensionet jashtë Kuvendit të Shqipërisë, Policia shpërndan me ujë protestuesit

    Protesta para objektit të Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar.

    Përballë rezistencës së vazhdueshme dhe bllokimit të akseve rrugore, Policia e Shtetit ka ndërhyrë duke hedhur ujë me presion drejt protestuesve për t’i shpërndarë ata.

    Në terren janë angazhuar dy autobotë uji, të cilët po përdoren për të liruar segmentet rrugore të bllokuara.

    Pavarësisht ndërhyrjes së mjeteve ujëhedhëse, qytetarët po refuzojnë të largohen nga ambientet e Parlamentit, duke e mbajtur situatën tejet të tensionuar, raporton euronews.al

  • Policia jep detaje për aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë: Një 52-vjeçare humbi jetën, pesë të lënduar

    Policia jep detaje për aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë: Një 52-vjeçare humbi jetën, pesë të lënduar

    Policia e Kosovës ka dalë me raport zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë.

    Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:00 dhe në të janë përfshirë dy automjete.

    Si pasojë e përplasjes, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një grua rreth 52-vjeçare.

    “Në aksident janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një viktimë femër, rreth 52 vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, njofton policia.

    Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit.

    Policia bëri të ditur se hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, në koordinim me prokurorin e rastit, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.

  • Protesta para Kuvendit në Tiranë, ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratat

    Protesta para Kuvendit në Tiranë, ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni demonstratat

    Këtë të enjte do të zhvillohet seanca e fundit plenare në Kuvend për këtë sesion parlamentar. Kuvendi pritet të nisë në orën 10:00. Rendi i ditës pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.

    Gjithashtu këtë të enjte është njoftuar edhe një protestë nga qytetarët para Parlamentit. Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga mw pas marshuan drejt godinës së Parlamentit.

    Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit.

    Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.

    Pak para nisjes zyrtare të protestës para Kuvendit janë shënuar incidentet e para mes disa qytetarëve dhe forcave të sigurisë.

    Disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe tentuan të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt godinës së Kuvendit.

    Pas këtij veprimi kanë ndërhyrë punonjësit e Policisë, të cilët kanë bllokuar kalimin e qytetarëve për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë. Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar për disa minuta rrugën e Elbasanit dhe pas ndërhyrjes së policisë është hapur rruga për qarkullim.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka dalë me një reagim lidhur me protestën e kësaj të enjte nga qytetarët para Kuvendit.

    Sipas njoftimit, protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore por më pas situatat mund të ndryshojnë shpejt.

    Ambasada shkruan se protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Ata kanë këshilluar personelin e qeverisë amerikane të shmangin zonat e protestave.

    Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin demonstratat, të jenë të kujdesshëm, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar.

    Njoftimi i plotë:

    Vendndodhja: Tiranë, përballë ndërtesës së Parlamentit, e vendosur në rrugën George Ë. Bush

    Data/Ora: E enjte në mëngjes në orën 08:00, 23 korrik

    Ngjarja: Një protestë është planifikuar përpara ndërtesës së Parlamentit, e vendosur në rrugën George W. Bush. Kjo protestë lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrit, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta të tjera mund të ndodhin në ditët në vijim.

    Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut mund të priten në orët para dhe gjatë protestave. Personelit të qeverisë amerikane këshillohet të shmangë zonat e protestave.

    Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

    Veprimet që duhen ndërmarrë:

    Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat

    Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth

    Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik

    Monitoroni mediat lokale

    Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje

    Mbani një profil të ulët

  • Gjenden pesë bomba dore në Junik, asgjësohen nga ekipet e deminimit

    Gjenden pesë bomba dore në Junik, asgjësohen nga ekipet e deminimit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka raportuar për gjetjen e pesë bombave të dorës në Junik.

    Sipas raportit 24-orësh, rasti është raportuar pasditen e së mërkurës.

    Më pas, ekipet e deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë asgjësuar mjetet e dyshuara shpërthyese.

    “Një dëshmitar mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur disa mjete të dyshuara shpërthyese. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe të deminimit të cilët kanë bërë asgjësimin e mjeteve (5 bomba dore) pa ndonjë incident”, thuhet në raport.

  • Arrestohet një person në Merdare për pengim të zyrtarit policor

    Arrestohet një person në Merdare për pengim të zyrtarit policor

    Një person është arrestuar në Pikën Kufitare të Kalimit në Merdare, pasi dyshohet se ka penguar një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 22 korrik 2026, rreth orës 05:20.

    Policia bëri të ditur se “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte penguar zyrtarin policor në kryerje të detyrës zyrtare.”

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.