ATV

Category: Lajme

  • LVV organizon takim me mërgatën më 1 gusht në Prishtinë, merr pjesë edhe Albin Kurti

    LVV organizon takim me mërgatën më 1 gusht në Prishtinë, merr pjesë edhe Albin Kurti

    Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se më 1 gusht do të organizojë një takim me bashkatdhetarët në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të mbledhë simpatizantë, anëtarë, aktivistë dhe pjesëtarë të mërgatës në pritjen tradicionale që organizohet gjatë sezonit të ardhjes së diasporës në Kosovë.

    Në këtë takim do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Aktiviteti pritet të nisë në orën 20:00, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë së bashku me familjet dhe miqtë e tyre.

  • Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se beson se në politikën kosovare ka persona që përdorin substanca narkotike.

    E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kadrijaj ka komentuar iniciativën e partisë së saj për testimin e deputetëve për përdorim të drogës.

    Ajo bëri të ditur se i është nënshtruar vetë testit dhe se rezultati ka dalë negativ.

    “Mendoj që nuk është i dinjitetshëm dikush që konsumon drogë me qenë në nivele të larta vendimmarrëse. Po i sfidoj, bëjeni, sikur që e bëra unë. Ne e dimë sipas statistikave që është në rritje ky fenomen në Kosovë, sidomos te fëmijët”, tha Kadrijaj.

    E pyetur nëse mendon se ka politikanë që përdorin drogë, deputetja e zgjedhur e AAK-së u përgjigj pozitivisht.

    “Mendoj që po, mendoj që ka njerëz që e përdorin drogën, shihen prej sjelljeve, prej gjesteve”, deklaroi ajo.

    Kadrijaj nuk përmendi emra konkretë, ndërsa deklaratat e saj vijnë në kohën kur iniciativa për testimin e deputetëve për përdorim të substancave narkotike ka hapur debat në skenën politike në Kosovë.

  • Policia e Kosovës paralajmëron për e-mail të rremë në emër të drejtorit të Përgjithshëm

    Policia e Kosovës paralajmëron për e-mail të rremë në emër të drejtorit të Përgjithshëm

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar informacione lidhur me shpërndarjen e një e-maili jozyrtar dhe të rremë, i cili pretendohet se është dërguar në emër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

    Sipas Policisë, në disa adresa elektronike është dërguar një shkresë mashtruese, përmes së cilës kërkohet përgjigje urgjente ndaj një “urdhri të gjykatës” të pretenduar, i cili thuhet se është bashkëngjitur në e-mail.

    Në mesazhin e rremë thuhet: “Me këtë rast, na duhet përgjigjja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje ndodhet një tjetër dokument, i cili po ashtu është fals.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke trajtuar rastin dhe po punon për të identifikuar burimin nga i cili është dërguar kjo shkresë.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta injorojnë këtë e-mail dhe të mos e hapin dokumentin e bashkëngjitur, pasi përmbajtja e tij është mashtruese.

    “Policia e Kosovës, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë lidhur me mesazhet mashtruese, njofton sërish qytetarët se: KY MESAZH NUK ËSHTË ZYRTAR”, thuhet në njoftim.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

    Në rast se pranojnë mesazhe të tilla, qytetarët këshillohen që t’i fshijnë menjëherë, t’i raportojnë te autoritetet përkatëse dhe, nëse kanë ndarë të dhëna bankare, të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre.

    Rastet e tilla mund të raportohen përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.

    Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe të mos bien pre e mesazheve të dyshimta që mund të përdoren për vjedhjen e të dhënave personale ose financiare.

  • Përparim Rama del me sqarim për shtëpinë në Rrugën A: Është pa leje dhe në pronë të Komunës

    Përparim Rama del me sqarim për shtëpinë në Rrugën A: Është pa leje dhe në pronë të Komunës

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë disa sqarime për shtëpinë në Rrugën A e cila është në rrezik për t’u shembur.

    Rama ka thënë se prona në fjalë është e komunës dhe ka kërkuar nga personi i cili të martën s’ka lejuar shembjen e shtëpisë që të mos rrezikojë jetën duke hyrë në atë zonë.

    Ai ka treguar gjithashtu se nga ajo zonë janë evakuuar disa familje para dy vitesh, të cilave po vazhdohet t’iu paguhet qiraja.

    Reagimi i plotë i Ramës:

    Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe ❌ rrezikut të rrëshqitjes së dheut.

    Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.

    Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve ❌ dhe është pronë komunale.

    Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!

  • Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

    Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

    Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka realizuar inspektime në gjashtë kantiere ndërtimi në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës.

    Gjatë inspektimeve, IQP njofton janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    “Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në gjashtë kantiere ndërtimi – tre në Fushë Kosovë dhe tre në Prishtinë – deri në eliminimin e plotë të të gjitha parregullsive të evidentuara”, thekson njoftimi.

    “Masat e ndërmarra kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për të gjithë punëtorët. Subjektet e inspektuara janë obliguar të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për përmbushjen e kërkesave ligjore, ndërsa rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë eliminuar rreziqet dhe janë përmbushur standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thotë IQP.

    “Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, përfundon njoftimi.

  • Mbi 10 mijë euro të padeklaruara zbulohen në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e shumës

    Mbi 10 mijë euro të padeklaruara zbulohen në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e shumës

    Një rast i mjeteve monetare të padeklaruara është zbuluar gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku një automjet me targa vendore është ndaluar për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë.

    Sipas Doganës së Kosovës, automjeti ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve për shkak të mënyrës së hyrjes në pikën kufitare, ndërsa gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i mjetit posedonte një shumë parash që tejkalonte kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, pa e deklaruar atë.

    Pas verifikimeve, autoritetet kanë zbatuar masat e parapara me ligj dhe kanë konfiskuar 25 për qind të shumës së padeklaruar. Për pjesën tjetër të mjeteve monetare është kërkuar dokumentacion që dëshmon prejardhjen e ligjshme të tyre.

    Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe do të vazhdojë të trajtohet në kuadër të procedurave administrative për përcaktimin e plotë të rrethanave.

    Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo udhëtar që bart 10 mijë euro ose më shumë në para të gatshme apo mjete të tjera monetare është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve përkatëse, pasi mosdeklarimi sjell pasoja ligjore.

  • Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet.

    Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar nga hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit pas veprimeve intensive hetimore.

    Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për kryerjen e veprave penale.

    Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingje të restoranteve gjatë ahengjeve dhe organizimeve familjare, ku kanë identifikuar automjete të pambyllura dhe më pas kanë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë.

    Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se të arrestuarit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por edhe në zona të tjera të Kosovës.

    Hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit, në koordinim me njësitë hetimore të rajoneve të tjera dhe Prokurorinë, po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rasteve.

    Me vendim të prokurorit, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.

  • KGJK të premten shqyrton kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    KGJK të premten shqyrton kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se ka caktuar takimin e radhës për të premten e 24 korrikut 2026, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.

    Kjo pikë e rendit të ditës është renditur e nënta nga 16-të sa janë gjithsej, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

    “Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

    Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.

    Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.

    Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.

    “BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim. /BetimipërDrejtësi/

  • FSK angazhohet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës

    FSK angazhohet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar njësitë e saj për ndërhyrje në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës, pas shpërthimit dhe përhapjes së një zjarri me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave të kësaj zone.

    Sipas njoftimit të FSK-së, pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative e FSK-së ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve për reagim.

    “Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Operacioni, sipas FSK-së, ka nisur menjëherë me qëllim të izolimit të vatrës së zjarrit, parandalimit të ndotjes toksike të mjedisit dhe shmangies së pasojave për shëndetin publik.

    “Njësitë tona po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, ka bërë të ditur FSK-ja.

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës, në përputhje me detyrat dhe misionin e saj.

  • Stuhia e fuqishme rrëzoi minaren e Xhamisë në fshatin Temeqinë të Malishevës, BIK atje vjen me reagim

    Stuhia e fuqishme rrëzoi minaren e Xhamisë në fshatin Temeqinë të Malishevës, BIK atje vjen me reagim

    Stuhitë e fuqishme që kanë përfshirë vendin, e veçanërisht territorin e Komunës së Malishevës, kanë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës.

    Përmes një njoftimi, Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë bëri të ditur se objekti i xhamisë ka pësuar dëmtime si pasojë e motit të lig, ndërsa theksoi se nuk ka pasur të lënduar.

    “Si pasojë e motit dhe stuhive të fuqishme që kanë goditur vendin tonë, e në veçanti territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës”, thuhet në njoftim.

    Këshilli i Bashkësisë Islame shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara, duke falënderuar që ngjarja nuk pati pasoja për qytetarët.

    “Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë shpreh keqardhje për këto dëme dhe falënderon Zotin që, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga kushtet atmosferike, nuk pati pasoja në njerëz”, thuhet më tej.

    Nga BIK-u në Malishevë u bë e ditur se do të qëndrojnë pranë xhematit të Xhamisë së Temeqinës dhe do të angazhohen për evidentimin dhe sanimin e dëmeve.

    “Ne jemi pranë xhematit të kësaj xhamie dhe do të angazhohemi që dëmet e shkaktuara të evidentohen dhe, me mundësitë tona, të sanohen sa më shpejt nga organet kompetente”, thuhet në reagim.

    Në fund të njoftimit, Këshilli i Bashkësisë Islame ka lutur për mbrojtjen e vendit nga fatkeqësitë natyrore dhe ka shprehur shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

    “Lusim Allahun e Madhëruar që ta ruajë vendin dhe popullin tonë nga çdo fatkeqësi, t’i mëshirojë ata që janë prekur nga këto ngjarje dhe të na dhurojë siguri, begati e qetësi. Urojmë që këto stuhi e dëme të mos përsëriten më dhe që Zoti të na mbrojë nga çdo e keqe”, përfundon njoftimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë.