ATV

Category: Lajme

  • Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Ofrohet mbështetje për familjet e prekura nga vërshimet në Prishtinë

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit, në bashkëpunim me Kryqi i Kuq i Kosovës, ka shpërndarë ndihma gjatë ditës së sotme për familjet e evakuuara dhe për qytetarët që kanë pësuar dëme materiale si pasojë e vërshimeve të fundit që goditën Prishtinën.

    Bëhet e ditur se ekipet në terren kanë ofruar pako ushqimore dhe higjienike si dhe ujë të pijshëm.

    “Pamjet nga terreni dëshmojnë angazhimin konkret dhe solidaritetin njerëzor në këto momente sfiduese për qytetarët tanë. Falënderojmë vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe të gjithë partnerët institucionalë që po kontribuojnë me profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet në njoftim.

    “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e mobilizuar për të garantuar reagim të shpejtë, koordinim efikas dhe mbështetje të vazhdueshme deri në stabilizimin e plotë të situatës. Së bashku për qytetarët tanë”.

  • Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Orav dhe Bogujevci diskutojnë mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevcin.

    Orav dhe Bogujevci folën për mbështetjen e BE-së për sektorin e kulturës.

    Me këtë rast, dyshja bisedoi mbi programin “Evropa kreative”, si dhe rifillimin e aktiviteteve të Këshillit të monitorimit të zbatimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë.

     

  • Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri Kurti takon ambasadorian italian, i rikonfirmohet mbështetja e Italisë ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

    Sipas njoftimit të ZKM-së, ambasadori e uroi Kryeministrin për detyrën dhe përgjegjësinë e tij në krye të Qeverisë, “duke riafirmuar përkrahjen e Italisë për Kosovën dhe përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve”.

    “Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e biznesit, kulturës dhe drejtësisë. Të dy palët shprehën vullnetin për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve institucionale në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

  • Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Ballkani Perëndimor drejt integrimit në zonën e roaming-ut të BE-së

    Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në regjimin e BE-së “Roam Like at Home” (Roaming si në shtëpi).

    Siç ka bërë të ditur Komisioni Evropian, sapo marrëveshjet të finalizohen me secilin prej vendeve në fjalë dhe pasi çdo shtet të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, qytetarët që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë thirrje, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhënat mobile pa tarifa shtesë roaming-u.

    Kjo marrëveshje, kur të arrihet, nënkupton lidhje të pandërprerë me tarifa vendore për qytetarët nga rajoni që vizitojnë zonën e BE-së, si dhe anasjelltas.

    Me propozimin për mandatet negociuese të miratuar sot, Komisioni Evropian duhet tani të kërkojë autorizimin e Këshilli i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

    Pasi të miratohet kjo kërkesë, Komisioni Evropian do të hyjë në negociata me secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Përfundimi i suksesshëm i negociatave nënkupton përfshirjen e rajonit në zonën “Roam Like at Home” të BE-së.

    Komisioni Evropian thekson se ky propozim është një shembull konkret i qasjes së BE-së ndaj integrimit gradual përpara anëtarësimit të plotë, siç parashikohet në Planin e Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor.

    “Roam like Home” ndryshe ka nisur së zbatuari në territorin e BE-së që nga viti 2017.

  • Takimi me Osmanin, Spiropali: Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Takimi me Osmanin, Spiropali: Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Kosovë, është pritur edhe nga e para e shtetit, Vjosa Osmani.

    Ajo ka thënë se e vlerëson angazhimin e Osmanit në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe vendet e BE-së.

    “Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, ka shkruar Spiropali.

    Ajo sot ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcën, si dhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.

  • Kryeministri Kurti e pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë

    Kryeministri Kurti e pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovës, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

    Ajo më herët është takuar edhe me Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, me Kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu si dhe me presidenten Vjosa Osmani.

    Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

    Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.

    Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.

  • KFOR-i dhe EEAS-i theksojnë bashkëpunimin për sigurinë në Kosovë

    KFOR-i dhe EEAS-i theksojnë bashkëpunimin për sigurinë në Kosovë

    Sot, komandanti KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti në një takim drejtoreshën e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor brenda Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková.

    Takimi u zhvillua në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë.

    Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se takimi i ofroi komandantit një mundësi të vlefshme për të përshkruar situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • U arrestua në Merdarë me 1 milion euro, pezullohet nga detyra efektivi i Komisariatit 5 në Tiranë

    U arrestua në Merdarë me 1 milion euro, pezullohet nga detyra efektivi i Komisariatit 5 në Tiranë

    Punonjësi i Policisë i Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar në pikën kufitare të Merdarës nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

    Një ditë më parë autoritetet e pikës kufitare të Merdares zbuluan se në automjetin më të cilin udhëtonte i riu ishin fshehur 1 milion euro.

    1 milion euro në automjet, kontrolli në kufi dhe arrestimi i të dyshuarve – gjithçka nga rasti i shpëlarjes së parave

    A2 CNN raporton se Kaziu ishte larguar një ditë më parë në drejtim të Kosovës, pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte dy ditë pushimi.

    Kaziu nuk ka njoftuar drejtuesit e tij se do dilte jashtë kufirit.

  • Arrijnë në Izrael aeroplanët e ‘padukshëm’ amerikanë F‑22

    Arrijnë në Izrael aeroplanët e ‘padukshëm’ amerikanë F‑22

    Shtetet e Bashkuara kanë dërguar aeroplanët shumë të avancuar luftarakë F‑22 në një bazë ajrore në jug të Izraelit.

    Këta aeroplanë, të njohur si aeroplanë “të padukshëm” (stealth) dhe ndër më modernët në botë, u vendosën në një bazë ajrore të forcave ajrore izraelite si pjesë e forcimit të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, sidomos përballë rritjes së tensioneve me Iranin.

    Rreth 12 aeroplanë F‑22 janë parë duke ateruar në bazë dhe këta janë pjesë e një së shtrirjeje më të madhe të forcave amerikane në rajon, përfshirë edhe avionë të tjerë si F‑35, F‑15 dhe F‑16, shkruan anadoluagency.

    F‑22 janë aeroplanë që përdoren për mbizotërim ajror, ndërsa teknologjia e tyre stealth i bën të vështirë për t’u zbuluar nga radarët.

    Shtetet e Bashkuara i përdorin këta avionë si një mjet të fuqishëm për të treguar mbështetjen ndaj aleatëve të tyre dhe për të krijuar një ndikim të fortë ushtarak në rajon, ndërsa situata me Iranin mbetet e tensionuar.

    Ndryshe, SHBA-ja ka dislokuar edhe disa aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme gjersa po rriten tensionet mes amerikanëve dhe iranianëve.

  • Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Çështja e Presidentit, Gjini kritikon Kurtin pse ende nuk ka kandidat

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin CONTEXT në ATV, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pse ende nuk ka bërë një propozim të një emri për president.

    Ai tha se në këtë përbërje parlamentare nuk mund të zgjidhet presidenti nëse partia më e madhe thotë nuk kam as kandidat.

    “Është cinike të fitosh 51% të votave dhe të shkosh në kuvend edhe të thuash: ‘Unë s’kam kandidat për president, e gjeni ju nëse doni’,” tha ai.

    Ai shtoi se në këto rrethana parlamentare, mungesa e një kandidati nga partia më e madhe e kuvendit bën që zgjidhja e presidentit të jetë pothuajse e pamundur.

    ARDIAN GJINI, KRYETAR I GJAKOVËS