ATV

Category: Lajme

  • Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, u rrëmbye gjatë luftës

    Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, u rrëmbye gjatë luftës

    Komuna e Gjakovës ka njoftuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza (Skënder) Dylhasit, nga Gjakova, i cili ishte rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Sipas njoftimit, ceremonia e rivarrimit të martirit Myrteza (Skënder) Dylhasi do të mbahet të premten, më 6 mars. Homazhet do të zhvillohen nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 13:30 në Kompleksin Memorial në Çabrat.

    “Më 27 mars 1999, tani i ndjeri Myrteza, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka bërë të ditur se mbetjet mortore janë gjetur dhe identifikuar pas procesit të ekzaminimit dhe verifikimit.

  • Osmani: Fola me Emirin e Katarit, Kosova mbështet të drejtën e tij për të mbrojtur sovranitetin

    Osmani: Fola me Emirin e Katarit, Kosova mbështet të drejtën e tij për të mbrojtur sovranitetin

    Presidentja Vjosa Osmani tha se ka folur me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, pas sulmeve të Iranit në territorin e këtij shteti.

    Osmani tha se Kosova qëndron në solidaritet me Katarin dhe se mbështet të drejtën e tij për vetëmbrojtje.

    “Fola me Lartmadhërinë e Tij, Emirin Tamim bin Hamad, pas sulmeve të shënjestruara të Iranit kundër Katarit. E dënoj fuqishëm veprimet e regjimit iranian, të cilat paraqesin një kërcënim të qartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Kosova qëndron në solidaritet të palëkundur me Katarin dhe popullin e tij. Ne e mbështesim plotësisht të drejtën e Katarit për të mbrojtur sovranitetin e tij dhe riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj stabilitetit rajonal dhe paqes së qëndrueshme”, shkroi Osmani në X.

  • Ndërpritet qarkullimi në rrugën Kijevë-Dollc nga nesër

    Ndërpritet qarkullimi në rrugën Kijevë-Dollc nga nesër

    Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se rruga nga udhëkryqi Gjakovë-Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik do të mbyllet nga nesër, për shkak të punimeve që do të kryhen.

    Qarkullimi do të ndërpritet nga ora 8:00 e së mërkurës dhe mund ndëprerja mund të zgjasë 48 orë.

    “Ju njoftojmë se të mërkurën, më 04.03.2026, në kuadër të punimeve në projektin e zgjerimit të Rrugës Nacionale N9, segmenti Kijevë–Dollc (LOT-4), do të realizohet riparimi (sanimi) i gropës pranë Urës nr. 7, në kilometrat 10+893.15 deri në 10+947.32, në vendin e njohur si Kalaja e Dollcit. Për shkak të zhvillimit të punimeve, do të bëhet ndërprerja e përkohshme e qarkullimit të trafikut nga udhëkryqi Gjakovë–Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik. Ndërprerja e trafikut do të realizohet në intervalin kohor: Nga ora 08:00, deri në përfundimin e riparimit (sanimit) të gropës, por jo më gjatë se 48 orë. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për shqetësimet e mundshme gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.

  • Haxhiu pret në takim ambasadorin Rudolph, flasin për marrëdhëniet Kosovë-Gjermani

    Haxhiu pret në takim ambasadorin Rudolph, flasin për marrëdhëniet Kosovë-Gjermani

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu zhvilloi sot takim me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Në njoftimin e Kuvendit thuhet se në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, mbështetjen e vazhdueshme gjermane për forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, si dhe siç thuhet në njoftim, për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërparlamentar.

    “Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga Republika Federale e Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës, në veçanti në proceset e integrimit evropian dhe në konsolidimin institucional të vendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

  • LDK s’merr pjesë në votimin e presidentit pa marrëveshje politike

    LDK s’merr pjesë në votimin e presidentit pa marrëveshje politike

    Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur një takim për të diskutuar rreth zgjedhjes së Presidentit.

    Sipas burimeve të Klankosova.tv, deputetët e LDK-së nuk do të marrin pjesë në seancë kur do të votohet, pa pasur marrëveshje politike.

    Siç theksoi zëdhënësi Besian Mustafa, në konferencën e mbajtur për media deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje e as emër konkret për shef/e të shtetit.

  • Prattipati takon ministrat Krasniqi e Murati, flasin për forcimin e bashkëpunimit me ShBA-në

    Prattipati takon ministrat Krasniqi e Murati, flasin për forcimin e bashkëpunimit me ShBA-në

    E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar gjatë ditës së sotme me dy ministra të qeverisë Kurti 3.

    Siç u theksua në dy njoftime të ndara nga kjo ambasadë në Facebook, Prattipati është takuat me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për të diskutuar “forcimin e bashkëpunimit ShBA-Kosovë dhe mbështetjen e qeverisjes lokale që u shërben të gjitha komuniteteve”.

    “Institucionet përfaqësuese dhe pjesëmarrja aktive janë themeli i stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë në rajon”, u tha në postimin e Ambasadës.

    Në ndërkohë, faqja zyrtare e Ambasadës amerikane në Prishtinë njoftoi edhe për një takim të Prattipatit me ministrin e Financave, Hekuran Murati, për, siç u tha, të diskutuar prioritetet e ardhshme të investimeve të Kosovës dhe projektet kryesore të zhvillimit.

    “Me avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, ShBA mirëpret zgjerimin e mundësive për kompanitë amerikane dhe një angazhim më të fortë tregtar që avancon interesat e përbashkëta ekonomike”, bëri me dije Ambasada në njoftimin në Facebook.

  • Gjykata ndryshon kushtet e lirimit me kusht për Smakajn, Kilajn, Fazliun e Kuçin

    Gjykata ndryshon kushtet e lirimit me kusht për Smakajn, Kilajn, Fazliun e Kuçin

    Në çështjen gjyqesore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, u mor vendim që për katër të fundit të ndryshohen kushtet e lirimit me kusht.

    Sipas gjyqtarit të vetëm, Christoph Gosnell, palët kishin bërë kërkesë që të ndryshohet kushti i vendosur sa i përket kontaktit me bashkë të akuzuarit dhe diskutimin e çështjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Atyre iu lejua që brenda hapësirave të DhSK-së t’iu lejohet të kenë komunikim mes vete dhe të diskutojnë për çështjen, por duke pasur parasysh që çështje konfidenciale nuk duhet të diskutohen në hapësira publike

    Megjithatë, gjyqtari tha se të gjitha kushtet e vendosura mbeten në fuqi jashtë hapësirave të DhSK-së.

    Gjykimi pritet të vazhdojë edhe nesër me dëshminë e dëshmitarit Koen Herlaar.

  • Ymeri thotë se Kurti po bënë shantazh politik për çështjen e presidentit: Konjufca nuk duhet ta marrë postin

    Ymeri thotë se Kurti po bënë shantazh politik për çështjen e presidentit: Konjufca nuk duhet ta marrë postin

    Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka reaguar fuqishëm ndaj mënyrës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit në Kosovë, duke e cilësuar atë si një kushtëzim që përdoret përmes shantazhit dhe kërcënimit politik.

    “Shumë gjëra në Kosovë janë kushtëzu me shantazh, me kërcënim, këtë e dëgjojmë edhe jashtë sallave të gjykatave, po tash Kosova ka arrit në atë nivel që Kryeministri përdor këtë metodë edhe për zgjedhje të Presidentit,” ka thënë Ymeri.

    Ajo shtoi se kjo mënyrë e vendosjes së kushteve për kandidatin partiak në zgjedhje është e papranueshme dhe dëmton rëndë demokracinë në vend.

    “Ose Kandidati im partiak ose zgjedhje. Ose Pushtet 100% Kurti & Co. ose Zgjedhje,” tha ajo.

    Ymeri theksoi se një votë pro apo kundër vetëm për kuorum nga një deputet opozitar për kandidat të pushtetit është, sipas saj “vrasje e demokracisë edhe e lirisë në vendimmarrje”.

    “As Glauk Konjufca as asnjë numër tjetër serik i partisë (ksisoj i ka paraqitur Kurti), nuk duhet të marr postin e Presidentit,” përfundoi deputetja. /Telegrafi/

  • Rutte nga Shkupi: Do të sigurohemi që KFOR-i në Kosovë të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij

    Rutte nga Shkupi: Do të sigurohemi që KFOR-i në Kosovë të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut tha se misioni i KFOR’it në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm” dhe “i aftë për qëllimin e tij”.

    Këto deklarata Rutte i bëri pas disa raportimeve se SHBA-ja u ka lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

    “Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, tha Rutte.

    Ndryshe, për këto raportime Pentagoni kishte thënë se aktualisht nuk ka ndryshime në në stacionimin e forcës.

    Në konferencën e përbashkët me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në Shkup, Rutte gjithashtu tha se NATO është e përkushtuar “për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat ngado që të vijë sfida”.

  • Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë

    Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

    Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

    Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

    Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

    Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

    Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

    Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

    Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

    Kosova, plotësisht e varur nga importi

    Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

    Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

    Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

    Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

    Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

    Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

    Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

    Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë.

    Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të shqyrtojnë vazhdimin e masave mbrojtëse, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit në kohë krize.

    Rreziku i abuzimeve dhe roli i konkurrencës

    Në situata krizash, paralajmërojnë njohësit e tregut, hapet edhe dera për abuzime.

    Eksperti i tregut të naftës, Jakup Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku që kompanitë t’i rrisin çmimet edhe për sasi të blera më herët me çmime më të ulëta.

    Sipas tij, inspektorati duhet të verifikojë kohën e importit dhe koston reale për të shmangur abuzimet.

    Edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) paralajmëron hetime për çdo ndryshim të dyshimtë të çmimeve, ose marrëveshje të mundshme mes operatorëve për përcaktim të njëjtë të tyre.

    Megjithatë, AKK-ja nuk i sqaroi REL-it se cilat masa konkrete do të ndërmerren, në rast se konstatohen shkelje.

    Shtrenjtim zinxhir

    Presioni nuk vjen vetëm nga nafta.

    Në bursën hungareze HUPX, nga e cila importon edhe Kosova, çmimi i energjisë elektrike u rrit nga rreth 60 euro për megavat-orë më 1 mars në 115 euro më 3 mars – pothuajse dyfishim brenda dy ditësh.

    Në të njëjtën kohë, çmimi referencë i gazit në Evropë u rrit për 33 për qind më 3 mars, pas një tjetër rritjeje prej rreth 50 për qind në fillim të javës.

    Një faktor shtesë ishte vendimi i kompanisë shtetërore të Katarit, QatarEnergy, për të ndalur prodhimin pas sulmeve ushtarake ndaj objekteve të saj.

    Rritja e njëkohshme e naftës, energjisë dhe gazit krijon efekt zinxhir në ekonomi.

    Sipas Gashit, ky shtrenjtim do t’i rrisë kostot e transportit, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve për kompanitë prodhuese dhe tregtare.

    “Derivatet e naftës janë pjesë esenciale e sektorit të energjisë – gjë që i bën ato jetike për çdo degë tjetër të ekonomisë”, thotë ai.

    Një paralajmërim të ngjashëm lëshoi edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), e cila vlerësoi se rritja e çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në koston e transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë.

    Sipas saj, kjo situatë “do të rëndojë edhe më shumë koston e jetesës”, duke rritur rrezikun për një valë të re inflacioni.

    Në këtë kontekst, Dhoma propozoi që institucionet të shqyrtojnë uljen ose pezullimin e përkohshëm të disa taksave për bizneset më të prekura, si dhe rishikimin e barrës tatimore për produktet esenciale.

    Masa të tilla, sipas saj, do të ndihmonin në amortizimin e goditjes te konsumatorët dhe në mbështetjen e prodhimit dhe eksportit vendor, në një periudhë pasigurie të theksuar ekonomike.

    Kjo situatë kujton, po ashtu, krizën e nisur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, kur çmimet globale të naftës, gazit dhe energjisë elektrike u rritën brenda ditësh.

    Asokohe, rritja e menjëhershme e çmimeve u përkthye direkt në shtrenjtim të karburanteve dhe produkteve bazë në Kosovë dhe gjetiu.