ATV

Category: Lajme

  • Pacolli mesazh deputetëve: Mos e çoni Kosovën në zgjedhje të reja

    Pacolli mesazh deputetëve: Mos e çoni Kosovën në zgjedhje të reja

    Afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës përfundon sot, ndërsa skena politike mbetet e ndarë rreth emrit që do të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar të mërkurën zyrtarisht emrin e Glauk Konjufca për president, duke e çuar procesin në një fazë vendimtare para skadimit të afatit kushtetues.

    Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat pa një marrëveshje të gjerë politike mes partive parlamentare.

    LVV ka theksuar se është e gatshme për garë demokratike në Kuvend dhe ka kërkuar nga LDK dhe PDK që të propozojnë një emër, në mënyrë që të krijohen kushtet për thirrjen e seancës dhe zhvillimin e votimit për presidentin.

    Lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ka folur për “Front Online” ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.

    Pacolli u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendi i Kosovës që të tregohen të përgjegjshëm në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

    Ai tha se shpreson që përfaqësuesit e popullit të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit politik.

    “Shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës të jenë të vetëdijshëm dhe të mos lejojnë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. Do të ishte e udhës që ata të bisedojnë dhe të zgjedhin kandidatin të cilin do ta votojnë”, u shpreh Pacolli.

    I pyetur se a do dëshironte të ishte kandidat për President, Pacolli bëri të qartë se nuk është më pjesë aktive e politikës, duke shtuar se është ndarë nga kjo fushë.

    “Jo, unë jam ndarë nga politika dhe kështu është më mirë. Sigurisht, kontributin tim do t’ia jap Kosovës edhe në këtë mënyrë”, ka deklaruar Pacolli.

  • Numri i të vdekurve në Iran shkon në më shumë se 1,100

    Numri i të vdekurve në Iran shkon në më shumë se 1,100

    Të paktën 1,114 civilë në Iran janë vrarë që nga fillimi i luftës të shtunën, sipas Human Rights Activists News Agency (HRANA), me bazë në SHBA, raporton CNN.

    Në këtë shifër përfshihen 183 fëmijë, shumica prej tyre nën moshën 10 vjeç, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga HRANA të enjten. Organizata ende po punon për të verifikuar më shumë se 900 vdekje të raportuara.

    Disa nga sulmet më të fundit gjatë ditës së kaluar thuhet se kanë goditur objekte civile të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare humanitare, shtoi HRANA –– përfshirë një shkollë të mesme dhe disa objekte mjekësore dhe klinika.

    Numri i viktimave për këtë konflikt të fundit tani po i afrohet numrit total të viktimave të luftës 12-ditore të verës së kaluar midis Iranit, Izraelit dhe SHBA-së – të cilën HRANA vlerëson se ka vrarë 1,190 persona në Iran.

    Kreu i Organizatës Kombëtare të Emergjencave të Iranit tha se deri më tani mund të jenë plagosur deri në 6,000 persona.

    Dhjetëra persona, përfshirë gjashtë trupa amerikane, janë vrarë gjithashtu në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme nga sulmet hakmarrëse të Teheranit, sipas autoriteteve lokale.

  • Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Epopeja e UÇK-së: 28 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

    Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi, një nga ngjarjet më të më të lavdishme të historisë së re të Kosovës.

    Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve.

    Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

    Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë ditë të shënuar do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, si dhe po ashtu mbledhje solemne nga Qeveria e Kosovës.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë.

    Sot vazhdon dëshminë dëshmitari i tretë i ZPS-së, Christofer Kelly, i cili aktualisht është kontraktor me kohë të pjesshme i ZPS-së, hetime kriminalistike digjitale.

    Christopher Kelly i cili është zyrtar i Prokurorisë dhe merret me hetimin e forenzikës digjitale, dje ka pohuar se gjatë ekzaminimeve nuk ka identifikuar ndonjë komunikim në mes Fadil Fazliut dhe Rrustem Mustafës- Remit.

    Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

    Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025.

    Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

    Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

  • Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, ora e parë mësimore sot i kushtohet luftës çlirimtare

    Ora e parë mësimore në shkollat fillore dhe ato të mesme në Kosovë nuk do të fillojë si zakonisht.

    Pasi, kjo orë e parë do t’i kushtohet luftës çlirimtare të familjes Jashari.

    Sot njëherësh, nis shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq manifestimet në nderim të luftës çlirimtare dhe familjes Jashari do të mbahen më 5, 6 dhe 7 mars.

    Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

  • FSK rreshton kuadratet në Kazermën “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së

    FSK rreshton kuadratet në Kazermën “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së

    Me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të organizojë ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të saj në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, ceremonia zyrtare do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

    “Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës do të rreshtojë kuadratet e saj, në ceremoninë zyrtare që do të mbahet të enjten me 5 Mars 2026 në ora 12:00 në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Manifestimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët si dhe të pranishëm do të jenë krerët më të lartë shtetërorë dhe mysafirë të ftuar”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, mblidhen Qeveria e Kuvendi me seanca solemne

    28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, mblidhen Qeveria e Kuvendi me seanca solemne

    Për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës.

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kjo mbledhje do të mbahet me fillim nga ora 09:00.

    Në njoftim thuhet gjithashtu se nga ora 12:00, kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Po ashtu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar para disa ditësh se sot do të mbahet seancë solemne në nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

    Seanca do të nisë nga ora 10:00, tha Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    “Së pari u dakorduam që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Kjo seancë do të mbahet më 5 mars, nga ora 10:00 dhe, përveç krerëve të shtetit, do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare”, tha mes tjerash Haxhiu.

  • Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, Konjufca i vetmi i propozuar

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

    Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.

    “Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.

    Ajo theksoi se procesi i votimit nuk mund të nisë pa u plotësuar kushti themelor për të pasur së paku dy kandidatë të mbështetur me nënshkrimet e nevojshme.

    “Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e kërkuar, nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi ajo.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo çështje rregullohet nga Neni 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se:

    “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

  • E enjte me vranësira e riga të dobëta shiu

    E enjte me vranësira e riga të dobëta shiu

    Për sot parashihet mot kryesisht i vranët me intervale të shkurtra me diell.

    Siç ka njoftuar Instituti Hidrometerologjik, vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë ndërmjet 12°C dhe 15°C.

    Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1–8 m/s.

  • 33 nënshkrimet e Nagavcit dhe terreni i pashkelur i Haxhiut, Cakolli i drejtohet me ironi dy zyrtareve nga VV

    33 nënshkrimet e Nagavcit dhe terreni i pashkelur i Haxhiut, Cakolli i drejtohet me ironi dy zyrtareve nga VV

    Learta Hollaj nga presidenca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur presidenten Vjosa Osmani.

    Pas kësaj, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë Arlind Manxhuka që ka thënë se LVV ia jep Osmanit 33 nënshkrime për të garuar.

    Por, më parë shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci, tha se kanë vetëm një kandidat për President, për këtë nuk mund të thërrasin seancë për President.

    E kështu Eugen Cakolli nga KDI, pyeti se nëse i kanë 33 nënshkrime pse nuk i japin një kandidati tjetër që të mundësojnë seancën.

    “Nëse qenkan duke “nejtë” edhe 33 nënshkrime të gatshme diku – që po pretendohet se i paska refuzuar dikush – pse nuk po i jepen ndonjë kandidati tjetër, që të paktën të iniciohet procedura dhe të mos hyjmë në atë “terrenin e pashkelur” kushtetues? Mos është ky i fundit më shumë qëllimi sesa rreziku i krejt situatës së tanishme?”, ka shkruar Cakolli në Facebook.