ATV

Category: Lajme

  • ​Si u vra Khamenei: Detaje të rralla të operacionit sekret për kryeatentatin politik në Iran

    ​Si u vra Khamenei: Detaje të rralla të operacionit sekret për kryeatentatin politik në Iran

    Kur truprojat dhe shoferët shumë të trajnuar e besnikë të zyrtarëve të lartë iranianë erdhën në punë, pranë rrugës “Pasteur” në Teheran — ku Ajatollah Ali Khamenei u vra në një sulm ajror izraelit të shtunën — izraelitët po i vëzhgonin.

    Pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin hakuar prej vitesh; pamjet e tyre ishin të enkriptuara dhe transmetoheshin në serverë në Tel- Aviv dhe në jug të Izraelit, sipas dy personave që ishin në dijeni të këtij fakti, shkruan “Financial Times”.

    “Njëra nga kamerat kishte një kënd veçanërisht të dobishëm”, tha njëri prej tyre, duke treguar se kjo i lejonte ata të përcaktonin se ku këta persona pëlqenin të parkonin makinat e tyre personale dhe duke ofruar një dritare për të parë funksionimin e një pjese të zakonshme të kompleksit të ruajtur rreptësishtë.

    Algoritme komplekse shtonin detaje në dosjet për anëtarët e këtyre rojeve të sigurisë, që përfshinin adresat e tyre, oraret e punës, rrugët që merrnin për të shkuar në punë dhe, më e rëndësishmja, se kë zakonisht ishin të caktuar të mbronin dhe të transportonin — duke ndërtuar atë që oficerët e inteligjencës e quajnë “model jete”.

    Këto aftësi ishin pjesë e një fushate shumëvjeçare të inteligjencës që ndihmoi në përgatitjen e terrenit për vrasjen e Ajatollahut. Ky burim i të dhënave në kohë reale — një nga qindra rrjedha të ndryshme informacioni inteligjent — nuk ishte mënyra e vetme me të cilën Izraeli dhe CIA arritën të përcaktonin saktësisht se në çfarë ore Khamenei, 86-vjeçar, do të ishte në zyrën e tij atë mëngjes të së shtunës dhe kush do të ishte me të.

    Po ashtu, një faktor tjetër ishte se Izraeli arriti të ndërpresë funksionimin e disa komponentëve të më shumë se 10 kullave të telefonisë mobile pranë Rrugës Pasteur, duke bërë që telefonat të dukeshin sikur ishin të zënë kur thirreshin dhe duke penguar ekipin e mbrojtjes së Khameneit të merrte paralajmërime të mundshme.

    “Shumë kohë përpara se të binin bombat, ne e njihnim Teheranin siç njohim Jerusalemin”, tha një zyrtar aktual i inteligjencës izraelite, shkruan “Financial Times”. “Dhe kur e njeh një vend aq mirë sa rrugën ku je rritur, vëren menjëherë edhe gjënë më të vogël që nuk është në vendin e saj.”

    Pamja e dendur e inteligjencës mbi kryeqytetin e armikut të betuar ishte rezultat i një mbledhjeje të mundimshme të të dhënave, e mundësuar nga njësia e avancuar e inteligjencës së sinjaleve të Izraelit, Unit 8200, nga burimet njerëzore të rekrutuara nga agjencia e inteligjencës së jashtme Mossad dhe nga grumbulli i madh i të dhënave që inteligjenca ushtarake përpunonte në raporte të përditshme.

    “Izraeli përdori një metodë matematikore të njohur si analiza e rrjeteve sociale për të analizuar miliarda pika të dhënash, për të zbuluar qendra të papritura të vendimmarrjes dhe për të identifikuar objektiva të rinj për t’u vëzhguar dhe vrarë”, tha një person i njohur me përdorimin e saj. “E gjithë kjo ushqente një linjë prodhimi me një produkt të vetëm: objektiva”.

    “Në kulturën e inteligjencës izraelite, inteligjenca për objektivizim është çështja taktike më thelbësore — ajo është projektuar për të mundësuar një strategji,” tha Itai Shapira, gjeneral brigade në rezervë në ushtrinë izraelite dhe veteran 25-vjeçar i drejtorisë së saj të inteligjencës. “Nëse vendimmarrësi vendos se dikush duhet të eliminohet, kultura në Izrael është: ‘Ne do ta sigurojmë inteligjencën për objektivin’.”

    Izraeli ka vrarë qindra njerëz jashtë vendit, përfshirë liderë militantë, shkencëtarë bërthamorë dhe inxhinierë kimikë — e po ashtu, edhe shumë civilë të pafajshëm gjatë procesit.

    Epërsia e inteligjencës së vendit u shfaq qartë në luftën 12-ditore qershorin e kaluar, kur më shumë se dhjetë shkencëtarë bërthamorë iranianë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë u vranë brenda pak minutash në një valë fillestare sulmesh.

    Kjo u shoqërua me paralizimin e paprecedentë të mbrojtjes ajrore të Iranit përmes një kombinimi të sulmeve kibernetike, dronëve me rreze të shkurtër dhe municioneve precize të lëshuara nga jashtë kufijve të Iranit, duke shkatërruar radarët e sistemeve raketore të ndërtuara nga Rusia.

    “Ne ua morëm sytë së pari,” tha një zyrtar i inteligjencës.

    Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë përdorën një lloj të veçantë rakete të quajtur Sparroë, variantet e së cilës mund të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë ngrënieje nga më shumë se 1,000 km larg — shumë larg Iranit dhe jashtë rrezes së sistemeve të tij të mbrojtjes ajrore.

    Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike për të mbrojtur burimet dhe metodat që ende përdoren për të gjurmuar objektiva të tjerë.

    Por vrasja e Khameneit ishte një vendim politik, jo thjesht një arritje teknologjike, thanë disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të inteligjencës izraelite, të intervistuar për këtë histori.

    Kur CIA dhe Izraeli përcaktuan se Khamenei do të mbante një takim të shtunën në mëngjes, në zyrat e tij pranë Rrugës Pasteur, mundësia për ta vrarë atë bashkë me një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë iraniane u konsiderua veçanërisht e favorshme.

    Ata vlerësuan se ndjekja e tyre, pasi lufta të kishte filluar plotësisht, do të ishte shumë më e vështirë, pasi iranianët do të fillonin shpejt praktika shmangëse, përfshirë zhvendosjen në bunkerë nëntokësorë të paprekshëm nga bombat izraelite.

    Khamenei, ndryshe nga aleati i tij, lideri i Hizbollahut Hassan Nasrallah, nuk jetonte i fshehur. Nasrallah kishte kaluar vite në bunkerë nëntokësorë duke shmangur disa tentativa izraelite për ta vrarë deri në shtator 2024, kur avionët luftarakë izraelitë hodhën deri në 80 bomba mbi strehimin e tij në Bejrut.

    Në vend të kësaj, Khamenei kishte folur publikisht për mundësinë e vrasjes së tij, duke e minimizuar jetën e vet si të parëndësishme për fatin e Republikës Islamike — madje disa ekspertë të Iranit thanë se ai priste të bëhej martir.

    Megjithatë gjatë kohës së luftës, sipas një personi të e intervistuar, ai mori disa masa paraprake. “Ishte e pazakontë që ai të mos ishte në bunker — ai kishte dy bunkerë — dhe nëse do të kishte qenë aty, Izraeli nuk do të mund ta arrinte atë kurrë me bombat që ka,” tha ai.

    Edhe në qershor 2025, gjatë një lufte të plotë, Izraeli nuk bëri përpjekje të njohura për ta bombarduar Khamenein. Në vend të kësaj, kishte shënjestruar kryesisht udhëheqjen e Gardës Revolucionare Islamike, lëshues raketash, depo armësh dhe objektet bërthamore të Iranit.

    Ndërkohë që Donald Trump kishte kërcënuar vazhdimisht të sulmonte Iranin në javët e fundit, duke grumbulluar një “armadë” pranë brigjeve të Republikës Islamike, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor pritej të vazhdonin këtë javë.

    Omani, shtet ky ndërmjetës në këto bisedime, tha se Irani ishte i gatshëm të bënte lëshime që mund të ndihmonin në shmangien e luftës dhe e përshkroi takimin e fundit të së enjtes si produktiv.

    Publikisht, presidenti amerikan u ankua se gjërat po ecnin shumë ngadalë. Por një person i njohur me çështjen tha se Trump ishte “i pakënaqur me përgjigjet iraniane”, duke hapur rrugën për luftë.

    Një tjetër person i informuar për situatën tha se sulmi ndaj Iranit ishte planifikuar prej muajsh, por zyrtarët e përshtatën operacionin pasi inteligjenca amerikane dhe izraelite konfirmoi se Khamenei dhe zyrtarët e tij të lartë do të takoheshin në kompleksin e tij në Teheran të shtunën në mëngjes.

    Gjurmimi i objektivave individualë dikur kërkonte shumë punë, duke kërkuar konfirmime vizuale dhe analizë të konfirmimeve të rreme, por mbledhja masive e të dhënave e drejtuar nga algoritmet e inteligjencës izraelite, e ka automatizuar këtë proces në vitet e fundit.

    Megjithatë, për një objektiv kaq të rëndësishëm sa Khamenei, dështimi nuk ishte një opsion. Doktrina ushtarake izraelite kërkon që dy oficerë të lartë të veçantë, duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, të konfirmojnë me siguri të lartë se objektivi ndodhet në vendin që do të sulmohet dhe se kush ndodhet me të.

    Në këtë rast, sipas dy personave të njohur me çështjen, inteligjenca izraelite kishte informacion nga inteligjenca e sinjaleve, si kamerat e hakuara të trafikut dhe rrjetet e telefonisë mobile të depërtuara thellë.

    Por amerikanët kishin diçka edhe më konkrete — një burim njerëzor, thanë të dy personat e njohur me situatën. CIA refuzoi të komentojë në lidhje me këtë.

    Në orën 15:38 sipas kohës lindore të SHBA-së të premten, Trump, duke udhëtuar me avionin presidencial Air Force One drejt Teksasit, dha urdhrin për të vazhduar me Operacionin Epic Fury — emër kodues ky që u zgjodh për sulmet e udhëhequra nga SHBA kundër Iranit.

    Ushtria amerikane hapi rrugën për avionët luftarakë izraelitë për të bombarduar kompleksin e Khameneit, duke nisur sulme kibernetike që “çrregulluan, dobësuan dhe verbuan aftësinë e Iranit për të parë, komunikuar dhe reaguar”, sipas gjeneralit Dan Caine, udhëheqës i mekanizmit më të lartë ushtarak në Amerikë – shefat e përbashkët të shtabit.

    Ai tha se sulmi ndaj kompleksit ndodhi gjatë ditës bazuar në një “ngjarje nxitëse” që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit arritën ta realizonin me ndihmën e inteligjencës amerikane.

    Avionët izraelitë, që kishin fluturuar për orë të tëra për të mbërritur në kohën e duhur në vendin e duhur, lëshuan deri në 30 municione precize mbi kompleksin e Khameneit, tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite.

    Nga ushtria izraelite thanë se goditja gjatë ditës ofroi një avantazh. “Vendimi për të goditur në mëngjes dhe jo natën i lejoi Izraelit të arrijë surprizë taktike për herë të dytë, pavarësisht përgatitjes së madhe iraniane”

    “Suksesi taktik ishte kulmi i dy ngjarjeve të veçanta, më shumë se 20 vjet larg njëra-tjetrës”, tha Sima Shine, një ish-zyrtare e Mossadit e specializuar për Iranin.

    E para ishte një direktivë e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryeministri Ariel Sharon për Meir Dagan, atëherë kreu i Mossadit — që deri atëherë ishte i fokusuar te Siria, militantët palestinezë dhe Hizbollahu — për ta bërë Iranin prioritet.

    ‘Të gjitha gjërat që po bën Mossadi janë në rregull”, i tha Sharon Daganit, sipas Shine. “‘Por ajo që më duhet është Irani. Ky është objektivi yt.’”

    “Dhe që atëherë, ky ka qenë objektivi,” tha ajo.

    Por agjencitë e inteligjencës iraniane ishin kundërshtarë të fortë.

    Në vitin 2022, një grup i lidhur me shërbimet e sigurisë iraniane publikoi të dhëna që pretendohej se ishin marrë nga telefoni i gruas së shefit të Mossadit.

    Irani gjithashtu hakoi kamerat CCTV në Jerusalem gjatë luftës së vitit 2025, për të marrë vlerësime në kohë reale të dëmeve që izraelitët kishin censuruar nga transmetimet; bleu fotografi të sistemeve të mbrojtjes raketore; madje hartoi edhe rrugën e vrapimit të një politikani të rëndësishëm duke korruptuar qytetarë izraelitë, sipas prokurorëve izraelitë.

    Ngjarja e dytë, shtoi Shine, ishte sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, që Izraeli thotë se u mbështet nga Irani dhe që ndryshoi një “hesap” të kahershme në Izrael: edhe pse kishte depërtuar në rrethet e disa krerëve të shteteve armike, vrasja e tyre konsiderohej e ndaluar edhe në kohë lufte.

    Vrasja e liderëve të huaj nuk është vetëm tabu, por edhe operacionalisht e rrezikshme. Dështimi mund të rrisë prestigjin e tyre, siç ndodhi pas përpjekjeve të shumta të dështuara të CIA-s për të vrarë Fidel Castron.

    Por, sipas Shine, seria e sukseseve të inteligjencës izraelite — përfshirë vrasjen në vitin 2024 të liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe një projekt sekret shumëvjeçar prej 300 milionë dollarësh për të sabotuar mijëra pagera dhe radio të Hizbollahut — ka edhe fuqinë e vet joshëse.

    “Në hebraisht themi: ‘Me ushqimin vjen edhe oreksi’,” tha ajo. “Me fjalë të tjera, sa më shumë të kesh, aq më shumë dëshiron.” /Përkthyer për KosovaPress nga Financial Times/

  • Haradinaj mohon raportimet se Osmani ka krijuar një listë të re politike “Shpresa”

    Haradinaj mohon raportimet se Osmani ka krijuar një listë të re politike “Shpresa”

    Të mërkurën është raportuar se Vjosa Osmani po përgatit një listë të re politike me emrin “Shpresa”, me të cilën mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme, potencialisht në koalicion me Lidhja Demokratike e Kosovës ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Raportimet vijnë në kontekstin e mundësisë që, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri deri të enjten, vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga keshilltarja e Osmanit, Meliza Haradinaj.

    Ajo e quajti lajmin të pavërtetë dhe i bëri thirrje mediave të ndalojnë shpërndarjen e informacionit të rremë.

    “Pretendimet se Presidentja Osmani ka formuar një organizim politik me emrin ‘Shpresa’ janë të pavërteta. Mjaft më me gënjeshtra!”, tha Haradinaj.

    E gjithë kjo vie pas debatit për postin e presidentit, për të cilin, LVV dhe Osmani siç duket i kanë ndarë rruget.

  • KRU Mitrovica paralajmëron konsumatorët paushall: Afati i fundit për vendosjen e ujëmatësve deri më 20 prill

    KRU Mitrovica paralajmëron konsumatorët paushall: Afati i fundit për vendosjen e ujëmatësve deri më 20 prill

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica ka lëshuar një paralajmërim të fundit për të gjithë konsumatorët paushall që ende nuk kanë vendosur ujëmatës në objektet e tyre.

    Përmes një njoftimi, kompania bën të ditur se afati për vendosjen e ujëmatësve është deri më 20 prill dhe u bën thirrje konsumatorëve që ta përmbushin këtë obligim brenda këtij afati.

    Sipas KRU Mitrovica, pas kësaj date ndaj të gjithë konsumatorëve që nuk kanë vendosur ujëmatës do të ndërmerren masa, të cilat përfshijnë trajtim individual të rasteve, shkëputje nga rrjeti i ujësjellësit, si dhe fillimin e procedurave ligjore.

    Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që ta trajtojnë me seriozitet këtë njoftim dhe të veprojnë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangin masat ndëshkuese.

  • Lipjan, Klinë, Gjakovë e Rahovec – Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Lipjan, Klinë, Gjakovë e Rahovec – Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Rastet kanë ndodhur në Lipjan, Klinë, Gjakovë e Rahovec.

    Rastet e raportuara:

    Lipjan 04.03.2026-19:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    Klinë 03.03.2026. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Në shtëpinë e të dyshuarit është konfiskuar një revole me 5 fishekë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë 26.02.2026, 14:00. Është raportuar se viktima femër kosovare pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Rahovec 04.03.2026, 00:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për person të zhdukur nga lufta

    Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për person të zhdukur nga lufta

    Në komunën e Rahovecit janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Pas zbulimit, mbetjet eshtërore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe analizës së ADN-së, me qëllim të identifikimit të viktimës.

    “Rahovec 1998-1999. NN. Lidhur me rastin njësia kompetente policore ka filluar gërmimet ku gjatë gërmimeve janë hasur pjesë eshtërore me prejardhje njerëzore të cilat dyshohet se i përkasin një individi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbetjet eshtërore janë dërguar në IML për autopsi dhe analizën e ADN-së”, thuhet në raportin e policisë.

  • Tre të arrestuar për sulmin ndaj një burri në Prishtinë

    Tre të arrestuar për sulmin ndaj një burri në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar në Prishtinë pasi që të njëjtit më 2 mars, dyshohet se kishin sulmuar një burrë.

    Policia njofton se tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një paketim me marihuanë si dhe një Ipad.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • BGNEWS: Ashtu si Vuçiqi, edhe Kremlini po e nxit hapur Serbinë kundër fqinjëve

    BGNEWS: Ashtu si Vuçiqi, edhe Kremlini po e nxit hapur Serbinë kundër fqinjëve

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka përsëritur narrativat e promovuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas saj, autoritetet në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci po hyjnë në fazën praktike të formimit të një blloku ushtarak supra-rajonal. Ky aleancim, tha Zakharova dje, sipas agjencisë BGNES, parashikon forcimin e kapaciteteve ushtarake, blerjet e përbashkëta të armëve dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

    Ky pretendim ka qarkulluar për një vit nga vetë presidenti serb Vuçiq, ndërsa mediat nën kontrollin e regjimit në Beograd herë pas here përfshijnë edhe Bullgarinë në “këtë aleancë antiserbe”.

    “Dua të rikujtoj se një vit më parë Zagrebi, Tirana dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak në fushën e sigurisë. Gjatë kësaj periudhe është miratuar një paketë e gjerë masash për formimin e një blloku subrajonal, dhe tani po nis faza praktike”, deklaroi Zakharova, raporton agjencia bullgare e lajmeve BGNEWS, transmeton Klankosova.

    Sipas saj, drejtimi kryesor i këtij bashkëpunimi është forcimi i kapaciteteve ushtarake dhe zhvillimi i aftësive mbrojtëse.

    “Pjesëmarrësit e kësaj trios planifikojnë të rrisin bashkëpunimin operacional mes ushtrive të tyre, të blejnë së bashku armë, dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore, mjete kundërtanke e shumë të tjera. Ata synojnë gjithashtu të krijojnë kapacitete të veta ushtarako-industriale”, tha ajo, duke shtuar: “Theksi është në ringritjen e kompleksit ushtarako-industrial shqiptar dhe prodhimin e automjeteve të blinduara, predhave të artilerisë dhe armatimeve të tjera”.

    “Vëmendje e veçantë po i kushtohet luftimit të të ashtuquajturit ndikim të dëmshëm të vendeve të treta, nga të cilat supozohet të vijnë rreziqe, përfshirë kërcënimet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike. Njëkohësisht, po punohet në militarizimin e Prishtinës dhe integrimin e këtij entiteti të vetëshpallur në mekanizmat e NATO-s dhe iniciativat rajonale”, tha Zakharova, duke theksuar: “Veprime të tilla shkelin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo nuk është vetëm përsëritje e një mantre, por ka edhe anën praktike të çështjes”.

    BGNEWS raporton se “kërcënimi nga ky aleancim” po promovohet personalisht nga presidenti serb Vuçiq, dhe mediat e kontrolluara nga regjimi i tij në Beograd shpesh i shtojnë edhe Bullgarinë “kësaj aleance antiserbe”.

    Mediumi bullgar tha se menjëherë pas deklaratës së Zakharovës, ajo u shpërnda nga mediat proqeveritare serbe.

    Një reporter i BGNES kujton se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes më 18 mars 2025 në Tiranë. Nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarake, por për një deklaratë trilaterale bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet tre vendeve: Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e mbrojtjes të tre shteteve gjatë këtij takimi në Tiranë.

    Deklarata parashikon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse me synimin për të rritur aftësitë ushtarake të secilit vend përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, krijimin e kushteve për reagim më efektiv ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe rajonale, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjive të përbashkëta.

    Ajo parashikon gjithashtu ushtrime të përbashkëta ushtarake, shkëmbim përvojash, trajnime dhe edukim të personelit, rritje të ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe bashkëpunim në adresimin e kërcënimeve hibride. Tre vendet shkëmbejnë informacione për sulme kibernetike, dezinformata dhe kërcënime të tjera që mund të ndikojnë në siguri, dhe koordinojnë veprimet në situata që nuk janë domosdoshmërisht ushtarake, por që prekin stabilitetin.

    Deklarata shpreh synimin e përbashkët për integrim më të ngushtë në institucionet euroatlantike, përfshirë NATO, si dhe përkrahjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programe si Partneriteti për Paqe, që do të forconte lidhjet e saj me Aleancën.

  • “Këtu qëndron e vërteta”, Dejona Mihali i nxjerr konkluzionet: Opozita do zgjedhje, VV nuk bën lojëra

    “Këtu qëndron e vërteta”, Dejona Mihali i nxjerr konkluzionet: Opozita do zgjedhje, VV nuk bën lojëra

    Dejona Mihali nga Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerr konkluzat e saj për situatën politike.

    Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk bën kurrë lojëra me çështje politike.

    Ajo ka thënë se opozita nuk e ka në plan të qëndrojë në allë, rrjedhimisht po kërkon zgjedhje.

    Postimi i plotë i Mihalit:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk bën kurrë lojra me çështjet politike. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim.

    Sidoqë duket tani situata apo rreshtimi i aktorëve politikë, ajo çfarë është e sigurtë si drita e diellit është se ne nuk kemi ikur asnjëherë nga detyrat. Kur është dashur me protestu e kemi bërë.

    Kur është dashur front opozitar e kemi bërë jo njëherë por dy.

    Kur është dashur koalicion qeveritar e kemi bërë.

    Kur është dashur front i gjerë qytetar dhe qeverisje e mirë e kemi krijuar.

    Kur është dashur respektim i votës dhe vullnetit qytetar e kemi nxjerrë në plan të parë.

    Tani e dimë mirë se nuk mundemi ta marrin si të mirëqenë faktin se krejt opozita, e caktuar e tillë jo nga ne por nga qytetarët, nuk ka plan të qëndrojë në sallë të kuvendit për asnjë emër. E përsëris për asnjë emër.

    PDK ka kërkuar marrëveshje politike pa emër konkret vetëm me kriterin që emri të vi nga PDK dhe deputetët tanë ta votojnë. Kjo do të thotë qartë: zgjedhje.

    LDK qartë dhe publikisht nuk ka qendrim të unifikuar në grupin parlamentar. Mbi 4 deputetë kanë plane të tjera nga lidershipi i partisë. Si pasojë nuk është në gjendje të japë asnjë garanci për veprimet e veta si grup i plotë parlamentar.

    Kjo do të thotë: zgjedhje.

    AAK ka dashur si kandidat kryetarin aktual të partisë. Ia ka ofruar opozitës dhe as ai nuk ka marrë mbështetje. Për tjetërkënd nuk qendron në sallë. Kjo do të thotë: zgjedhje.

    Nuk është sekret që segmente të opozitës me në krye PDK duan zgjedhje. Ka mes tyre llogaritje se fitorja jonë ishte aksident nga data e zgjedhjeve jo vullnet i pastër qytetar.

    Dhe përsëritja e zgjedhjeve e ul votën e qytetarëve për ne.

    Kjo llogaritje nuk ia lejon atyre asnjë formë të bashkëpunimit për të vepruar lidhur me kandidaturën e Presidentit. Pra, asnjë përfillje të kushtetutës dhe detyrimit minimal politik e qytetar që duhet të jenë në seancë.

    Këtu qëndron e vërteta. Në pyetje nuk ka qenë asnjëherë emri konkret, pra kandidatura por pozicioni i tyre.

    Këdo që do të kishte kandiduar Lëvizja VETËVENDOSJE! do të etiketohej “noter”, “zgjatim”, “kapje e të gjithave pushteteve”, “vegël e Kurtit”.

    Këndo që nuk do e kandidonte Lëvizja do ta vlerësonin si “viktima” e radhës.

    Në këtë situatë duhet ta dallojmë qartë se tema nuk është kandidatura në vetvete por lufta për ta hequr qafe shumicën dominante të VETËVENDOSJE!s. Dhe kthimi tek avazi i vjetër qoftë dhe me emra të rinj.

    Pra, fluksi opozitar ka këtë qasje: fito sado shumë por ku të mundemi të pengojmë qoftë dhe me rrezikun e bllokadës shtetërore. Kështu edhe i jepet “mësim” popullit që po e voton Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

    Rruga përpara është të respektojmë vullnetin qytetar, pra Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrin Albin Kurti

  • Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit

    Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për president, ai është Glauk Konjufca.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dje ka bërë të ditur se Konjufca është propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietnik.

    “Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ketë pa së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026. Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe të shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pika kushtetuese që flet për afatin e zgjedhjes së presidentit dhe për përfundimin e mandatit kushtetues është Neni 86. Në Pikën 2 të këtij neni thuhet: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual.”

    Ndërkaq, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 4 prill 2021 nga Kuvendi i Kosovës. Ajo mori votat në raundin e tretë të votimit nga deputetët e Kuvendit për një mandat 5‑vjeçar.

  • Kriza për Presidentin, AARC: Urgjentisht t’u jepet fund axhendave të ngushta të partive dhe rivaliteteve personale

    Kriza për Presidentin, AARC: Urgjentisht t’u jepet fund axhendave të ngushta të partive dhe rivaliteteve personale

    Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, me një komunikatë drejtuar mediave shpreh shqetësim të thellë për krizën e vazhdueshme institucionale në Kosovë, e cila ka vazhduar për më shumë se një vit.

    “Pamundësia e partive politike për të vendosur interesat kombëtare të vendit mbi axhendat e ngushta partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike në një kohë kur Kosova duhet të forcojë institucionet e saj demokratike dhe pozicionin ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

    AARC vlerëson se “Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm që nga pavarësia përmes sakrificës, vendosmërisë dhe partneriteteve të forta me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike. Ky përparim nuk duhet të rrezikohet nga loja politike e zjarrit ose dobësimi i institucioneve shtetërore”.

    “Në mjedisin global gjithnjë e më të pasigurt të sotëm, Kosova duhet të tregojë se është një partner i fortë, i përgjegjshëm dhe i besueshëm për aleatët e saj. Udhëheqësit politikë kanë detyrë të sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe të përparësojnë interesin kombëtar mbi konsideratat partiake”, thuhet tutje në reagim.

    “Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane u bën thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve në Kosovë të veprojnë me urgjencë dhe me burrë shteti për t’i dhënë fund ngërçit aktual dhe për të rivendosur stabilitetin dhe funksionalitetin që meritojnë qytetarët e Kosovës”, përfundon reagimi.