ATV

Category: Lajme

  • Europol paralajmëron: Konflikti me Iranin rrit rrezikun e terrorizmit në Evropë

    Europol paralajmëron: Konflikti me Iranin rrit rrezikun e terrorizmit në Evropë

    Konflikti në rritje në Iran po e vë Evropën në gatishmëri të lartë, me agjencinë ndërkombëtare të policisë Europol që paralajmëron për “një kërcënim të shtuar” të terrorizmit dhe “ekstremizmit të dhunshëm” në tokën evropiane, si dhe për rritje të sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

    “Lufta e vazhdueshme SHBA-Izrael me Iranin ka pasoja të menjëhershme për krimin e rëndë dhe të organizuar dhe terrorizmin në BE”, tha Jan op gen Oorth, kreu i komunikimit të Europolit.

    “Rreziqet kryesore janë një kërcënim i shtuar i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, rritja e sulmeve kibernetike që synojnë infrastrukturën e BE-së, një rritje e skemave të mashtrimit online me temë konflikti dhe përhapja e fushatave të dezinformimit dhe ndikimit”, shtoi ai.

    Raportohet se Europoli po ngre alarmin në lidhje me rrjetet e ndërlidhura me Iranin në Evropë, duke përfshirë grupet e lidhura me të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” të Iranit dhe “rrjetet kriminale që besohet se veprojnë nën drejtimin e institucioneve iraniane të sigurisë”.

    Paralajmërimet e agjencisë vijnë disa ditë pasi Ajatollah i Madh i Iranit, Nasser Makarem Shirazi, lëshoi një fetva duke bërë thirrje për luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit pas vdekjes së Ajatollah Khameneit në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael të shtunën.

    Irani ka lëshuar gjithashtu paralajmërime të drejtpërdrejta për qeveritë evropiane.

    Esmail Baghaei, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Iranit, tha së fundmi se çdo veprim kundër Teheranit do të shihej si bashkëpunim me sulmuesit e tij dhe do të konsiderohej “një akt lufte”, shkruan Telegrafi.

    Raportohet se disa qeveri evropiane kanë rritur tashmë masat e sigurisë.

  • Policia arreston tre persona në Mitrovicë, për vjedhje të veturës

    Policia arreston tre persona në Mitrovicë, për vjedhje të veturës

    Sot rreth orës 08:00, Policia në Mitrovicë është njoftuar për vjedhjen e një veture në rrugën ‘’Hoxhë Kadri Prishtina’’.

    Njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta operative-hetimore, të cilat pas disa orësh kanë rezultuar me lokalizimin e veturës së vjedhur, transmeton IndeksOnline.

    Vetura është ndaluar nga policia, ndërsa tre persona  janë arrestuar për bashkëkryerje të veprës penale.

    Pas intervistimit dhe procedurave të tjera policore, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti penal ‘Vjedhje e Rëndë’.

  • Kurti thërret konferencë për media nga ora 16:00

    Kurti thërret konferencë për media nga ora 16:00

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se Kryeministri Albin Kurti mban konferencë për media.

    Sipas tij, konferenca do të mbahet në orën 16:00

    Konferenca vjen pas takimit të presidentes së osovës me liderët e partive politike. Në këtë takim nuk mori pjesë askush nga partia në pushtet, Vetëvendosja.

  • Komandanti i FSK-së realizoi një videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) për Gazan

    Komandanti i FSK-së realizoi një videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) për Gazan

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari realizoi një videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force), gjeneralmajor Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bërë koordinimet e nevojshme për dislokimin e FSK-së në rripin e Gazas.

    Me këtë rast gjeneral Jashari falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë e SHBA-së, për ftesën drejtuar FSK-së për të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar në rripin e Gazas.

    Gjithashtu komandanti i FSK-së, konfirmoi gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar me një kontingjent duke theksuar që FSK-ja është ushtri profesionale, e trajnuar me standarde të NATO-s dhe e gatshme të eksportoi siguri kurdo që një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e shteteve partnere, e në këtë rast të SHBA-së.

    Në fund të takimit, gjenerali Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të ofruar siguri në lindjen e mesme, duke qenë partner serioz dhe promovuese e paqes dhe stabilitetit në botë.

  • Shpërndarja e Kuvendit nga Presidentja, Kurti: Do ta kemi një adresim pasdite nga Kryeministria

    Shpërndarja e Kuvendit nga Presidentja, Kurti: Do ta kemi një adresim pasdite nga Kryeministria

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në lidhje me situatën e krijuar tani edhe me dekretin e Presidentes, Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ka thënë se do të flas pasdite nga kryeministria, raporton EO

    “Do ta kemi një adresim pas ditë nga kryeministria”, tha Kurti shkurt.

  • Abdixhiku:Diskutuam me Presidenten, presim caktimin e datës sipas Kushtetutës

    Abdixhiku:Diskutuam me Presidenten, presim caktimin e datës sipas Kushtetutës

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet.

    “Diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidenti e vlerëson, për afatin kushtetues rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku.

  • Në Ditën e Mësuesit ndahen mirënjohje për mësimdhënësit nga e gjithë Kosova

    Në Ditën e Mësuesit ndahen mirënjohje për mësimdhënësit nga e gjithë Kosova

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar ceremoninë tradicionale me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ku u ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga e gjithë Kosova, si dhe çmimi kryesor “Shaban Jashari” për mësuesen më të mirë të vitit.

    Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, theksoi rëndësinë e rolit të mësuesve në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.

    “Mësuesit janë edhe autoriteti i parë dhe për një kohë të gjatë i vetëm për fëmijët, jashtë familjes. Përveçse burim dije e kompetence për fëmijët tanë, ata janë busull vlerore për ta teksa rriten e bëhen brezi i ri qytetarë i Republikës”, u shpreh ai.

    Ai shtoi se krahas falënderimit që shprehim sot për mësimdhënësit, ata meritojnë edhe respektin e përditshëm, e përkrah urimit për ditën e tyre, ai tha se u duhet edhe mbështetja për punën që bëjnë çdo ditë.

    “Teksa shënojmë Epopenë e UÇK-së dhe nderojmë qëndresën heroike dhe sakrificë e familjes Jashari, zëvendësministri Kryeziu përmendi figurën e mësuesit Shaban Jashari, emrin e të cilit mban edhe çmimi i kryesor që u nda sot, i cili përfaqëson shembullin se si roli i mësimdhënësit ka qenë më i madh se sa vetëm dhënia e dijes, duke qenë edhe edukim ndër breza për dashurinë ndaj vendit, gjuhës dhe kultures, tha ai.

    Ndërkohë, Kryeziu përgëzoi mësuesit dhe mësueset e përzgjedhur sivjet si më të dalluarit, duke i’u uruar të gjithë mësimdhënësve 7 Marsin, ndërsa ndau çmimin kryesor “Shaban Jashari” për mësuesen më të mirë të vitit, Arta Gashi -Ahmetaj.

    “Mësuesja Arta Gashi – Ahmetaj, duke pranuar çmimin, theksoi se këtë vlerësim e pranon me mirënjohje dhe ia dedikon me dashuri nënës së saj të ndjerë, e cila ka qenë frymëzim dhe mbështetje në rrugëtimin e saj në arsim.Ministria e Arsimit dhe Shkencës uron të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja”, theksoi ai në fund.

  • Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

    Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ai bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa akuzoi Lëvizja Vetëvendosje se mban përgjegjësinë kryesore për faktin që vendi po shkon sërish në zgjedhje.

    “Ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, diskutuam për datën e mundshme të zgjedhjeve”, tha Hamza.

    Nis takimi konsultativ me Osmanin dhe liderët e partive politike pa Kurtin

    “Përgjegjësia kryesore bie tek partia më e madhe në vend, pasi vendi mund të kishte president”.

    Ai shtoi se PDK-ja ka qenë e gatshme për marrëveshje politike.

    “Ne si PDK kemi qenë të hapur që vendi të ketë president. Ne nuk kemi vënë vija të kuqe për asnjë partneritet, por që nuk kemi pranuar asgjë”, potencoi kreu i PDK-së.

    “Kërkesa jonë ka qenë e qartë, që të kemi marrëveshje politike, më pas t’i japim emrat për president, por që nuk kishim marrëveshje”.

    Hamza theksoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për bashkëpunim nga partia më e madhe në vend.

    “Fillimisht nuk kishim emra, pasi partia më e madhe nuk dëshironte emra nga partitë. Për më tepër, ata nuk e kanë ftuar as AAK-në në takime”, deklaroi ai.

    Në fund, ai u shpreh se PDK-ja do të respektojë çdo vendim të institucioneve.

    “Çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektojmë, por që besojmë se vendimi i Presidentes ishte i duhuri, andaj ne presim datën e zgjedhjeve”, shtoi Hamza. /Telegrafi/

  • Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

    Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.

    “Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.

    Ai komentoi edhe mungesën në takim të kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

    “Mospjesëmarrja e LVV-së, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në këtë takim. Mosardhja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur në këtë takim që është më i larti i mundshëm i partive politike me presidenten e vendit për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj thyerje për vendin dhe institucionet”, u shpreh ai.

    Haradinaj shtoi se lideri i LVV-së në të kaluarën është takuar shpesh me partitë opozitare për konsultime, prandaj sipas tij mosprania në këtë takim nuk është veprim i duhur.

    Ai kritikoi gjithashtu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm.

    “Mendoj që adresimi në Kushtetuese është një fyerje në vetvete me procesin. Ata e kanë ditur afatin 30-ditor dhe kanë bërë hajgare edhe me thirrjen e seancës dje. Në çfarëdo situate duhet ta ruajmë nderin. Askush nuk ia ka fajin LVV-së për sjelljen e tyre”, tha Haradinaj.

    Sa i përket datës së zgjedhjeve, ai theksoi se partia që ai drejton nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.

    “Datat mund të jenë opsionet 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër për shkak të zhvillimeve, por ne nuk kemi ndonjë datë të preferuar. Ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, deklaroi Haradinaj. /Telegrafi/

  • Çështja e presidentit, Kushtetuesja thotë se vendimi do të merret pas shqyrtimit të plotë

    Çështja e presidentit, Kushtetuesja thotë se vendimi do të merret pas shqyrtimit të plotë

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Kjo kërkesë vjen pasi që një ditë më parë kryetarja e Kuvendit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ligjshmërinë e nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit.

    Nga Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin kanë bërë të ditur se kërkesa është pranuar zyrtarisht dhe se vendimi do të merret vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura në kërkesë.

    “Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në mënyrë elektronike, më 5 mars 2026. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesë së kuorumit.

    Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.

    E pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.