ATV

Category: Lajme

  • Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

    Nga data 9 mars e deri më 31 mars, Kushtetuesja ua ndalon çdo veprim Kuvendit dhe Presidentes lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

    Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pretenduar se presidentja Vjosa Osmani ka bërë, siç thotë ai, “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të premten e kaluar.

    Në kërkesën e tij, Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që sa më shpejt të vendosë masë të përkohshme, pasi sipas tij zhvillimet e mëtejshme mund të kenë ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

    Ai konsideron se vendosja e kësaj mase ishte e domosdoshme edhe për faktin se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: ‘Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme’”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

    Kurti thotë se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që presidentja t’i shpallte zgjedhjet e reja.

    “Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real…”, thuhet tutje në kërkesë.

    Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën i ndalohet presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.

  • 20 vjet burgim për gruan që vrau kunatin në Prishtinë

    20 vjet burgim për gruan që vrau kunatin në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim Nazmije Millakun, e akuzuar për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.

    Gjykatësi Bahtiri tha se e akuzuara Millaku është fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, i vazhdohet me aktvendim të veçantë.

    E akuzuara obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndërkaq, u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, pasi nuk u provua se e ka kryer këtë vepër penale. U urdhërua të bëhet konfisikimi i armës e më pas shkatërrimi i saj.

    Gjykata njoftoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi ta pranojnë vendimin në formë të shkruar.

    Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara Suzana Millaku, u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Ndryshe, prezente në shpallje ishte vetëm e dëmtuara, kurse mungoi e akuzuara me avokaten e saj, Mirvete Hashani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nazmije Millaku akuzohej se më 20 gusht 2024, në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, në Prishtinë, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie, me dashje ka privuar nga jeta kunatin e saj Xh.M., ku e pandehura ishte ndier e parespektuar dhe e braktisur nga familjarët, duke menduar se tani i ndjeri kishte ndikim.

    Aktakuza thotë se e akuzuara fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale duke përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra e më pas ishte certifikuar dhe kishte blerë armë zjarri dhe municion. Aty thuhet se ajo shfrytëzon rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent në momentin që e kishte parë tani të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, del në korridor dhe në mënyrë dinake me armën e lartcektur shtie në drejtim të tij disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë.

    Autopsia ka konstatuar se vdekja e Xh.M., ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e destruksionit të trurit dhe gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme. U konstatuan 18 plagë të shkaktuara nga 11 të shtëna.

    Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.

    Millaku akuzohej edhe se nga 21 dhjetorit 2023 deri më 20 gusht 2024, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët posedoi një armë zjarri, tre karikatorë e 39 fishekë, e që ndonëse e kishte përfunduar kursin për përdorimin e armës, ende nuk ishte pajisur me leje për mbajtjen e armës. Arma iu gjet gjatë kontrolli në çantën e saj kur kishte shkuar në stacion policor, e disa prej municionit i ishte gjetur në dhomën e saj.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë dekretin dhe të urdhërojë deputetët në përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit

    Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë dekretin dhe të urdhërojë deputetët në përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit

    Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme deri më 31 mars, ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

    Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Arbërie Nagavci ka thënë se presin nga Gjykata ta anulojë këtë dekret dhe “të urdhërojë deputetët e Kuvendit Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi”.

    Sipas saj, kërkesa është e drejtë dhe argumentet e qarta e të bazuara në Kushtetutë.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend”, ka shkruar Nagavci.

    Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e përkohshme hynë në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.

  • Raketat iraniane mbi hapësirën ajrore turke, reagon Rama: Kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare

    Raketat iraniane mbi hapësirën ajrore turke, reagon Rama: Kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare

    “ Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë”-ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama pasi dy raketa iraniane u kapën në hapësirën ajrore turke.

    Rama thekson se veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria qëndron krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës.

    “Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht alarmues dhe nënvizon më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend vëllazëror, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i vlefshëm i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të projektuar tensione dhe paqëndrueshmëri duke vazhduar sulmet kundër fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë“-shkroi Rama./TCH

  • Lufta në Lindjen e Mesme, media shtetërore raporton se numri i të vdekurve në Liban rritet në 486

    Lufta në Lindjen e Mesme, media shtetërore raporton se numri i të vdekurve në Liban rritet në 486

    Numri i të vdekurve në Liban që nga 2 marsi është rritur në 486, raporton agjencia shtetërore e lajmeve NNA.

    Ajo shton se 1,313 persona janë plagosur, duke cituar Ministrinë e Shëndetit Publik të Libanit, ka raportuar BBC.

  • Zyrtarja e NATO-s në takim me komandantin e KFOR-it, diskutohet për sigurinë në Kosovë

    Zyrtarja e NATO-s në takim me komandantin e KFOR-it, diskutohet për sigurinë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka pritur në takim zyrtaren e lartë të NATO, Blanca Hereza Atienza, ushtruese e detyrës së shefes për Operacione Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Stafit Ndërkombëtar.

    Sipas një njoftimi të misionit paqeruajtës të Aleancës Veriatlantike në Kosovë, Ulutash ka riafirmuar përkushtimin e tij për ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

    Nga KFOR-i bëhet e ditur se misioni vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës.

    Po ashtu, në njoftim theksohet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, secila në rolin e saj si reaguese ndaj çështjeve të sigurisë në vend.

  • Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alush Kastratit i zhdukur nga 7 marsi

    Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alush Kastratit i zhdukur nga 7 marsi

    Kërkimet për ta gjetur 80-vjeçarin, Alush Kastrati i zhdukur që nga 7 marsi, po vazhdojnë.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me FSK, Policinë e Kosovës dhe Komunën e Rahovecit, po vazhdon operacionin e kërkimit për gjetjen e të moshuarit.

    “Që nga marrja e lajmit, shoqata ka angazhuar departamentin e këmbësorisë dhe ekipin e dronistëve të saj, duke punuar me të gjitha kapacitetet deri në orët e para të mëngjesit. Pas një pauze të shkurtër disaorëshe, operacioni ka rifilluar në mëngjesin e sotëm dhe po vazhdon edhe tani”, thuhet në njoftim in e ShKKS-së.

    Për gjetjen e tij u aktivizua edhe Policia e cila përmes një njoftimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve se kushdo që ka informacion për të, të lajmërohet në numrin 192 ose në stacionin më të afërt.

  • Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

    Burim Ramadani, ka treguar dy variante kur mund të mbahen zgjedhjet.

    Sipas tij, nëse Gjykata i jep të drejtë presidentes atëherë zgjedhjet mbahen me 10 apo 17 maj.

    Por, nëse nuk i jep të drejtë presidentes atëherë fillon afati 60-ditor dhe zgjedhjet mbahen më 12 apo 19 korrik.

    Postimi i plotë:

    Dy opsione kur mund të mbahen zgjedhet e parakohshme:

    1. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentes, atëherë zgjedhjet më së hershmi mund të mbahen më 10 ose 17 maj.

    2. Nëse Gjykata Kushtetuese ia anulon Dekretin Presidentes dhe i jep edhe 60 ditë për zgjedhjen e Presidentit, atëherë zgjedhjet e parakohshme i bjen që mbahen më 12 ose 19 korrik.

    P.S

    Qëndroj në thirrjen e para një jave që Kuvendi duhet ta zgjedh Presidentin e ri dhe nuk NUK DUHET shkuar në zgjedhje!

  • “Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

    “Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

    Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Ankaraja, Irani po vazhdon të ndërmarrë hapa të gabuar dhe provokues.

    Duke folur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, kreu i shtetit turk theksoi se prioriteti kryesor i vendit mbetet mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe stabiliteti i qytetarëve turq.

    “Qëllimi ynë kryesor është ta mbajmë vendin tonë larg këtij zjarri. Garantimi i sigurisë së Turqisë dhe paqes së 86 milionë qytetarëve tanë është prioriteti më i madh në këtë proces. Nuk duam që as edhe një fije floku e qytetarëve tanë të dëmtohet”, deklaroi Erdoğan.

    Presidenti turk shtoi se, ndërsa disa aktorë në rajon po “i hedhin benzinë zjarrit” duke nxitur destabilizim, Turqia po përpiqet të luajë një rol stabilizues për të frenuar përhapjen e konfliktit dhe për ta shuar atë nëse është e mundur.

    Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve të sinqerta nga Ankaraja, Irani vazhdon të ndërmarrë hapa që rrisin tensionet në rajon.

    “Ne nuk duhet të lejojmë që marrëdhëniet tona vëllazërore të dëmtohen. Përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit janë të qarta”, u shpreh ai.

    Erdogan theksoi gjithashtu se Turqia do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në koordinim me NATO dhe me aleatët e tjerë, duke marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e saj.

  • Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi partitë për datën e zgjedhjeve, rreziku është i menjëhershëm dhe real

    Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi partitë për datën e zgjedhjeve, rreziku është i menjëhershëm dhe real

    Kryeministri Albin Kurti pretendon se presidentja Vjosa Osmani bëri “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.

    Ai i kërkoi gjykatës që të vendoste sa më shpejt masën e përkohshme, pasi, siç shkruan ai, zhvillimet tutje do të kishin ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

    Kurti shkruan në kërkesë se vendosja e masës së përkohshme imponohej edhe prej faktit se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: “Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shkruan ai në kërkesën dërguar Gjykatës.

    Kurti thotë aty se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që ajo t’i shpallte zgjedhjet e reja.

    “Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real. Ai konsiston në krijimin e një situate faktike që, edhe në rast të konstatimit të mëvonshëm të antikushtetutshmërisë nga Gjykata, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme juridike”, shkruan Kurti në kërkesë.

    Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ia ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.