ATV

Category: Lajme

  • Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Dy persona janë arrestuar në Tiranë dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Rotondo”, pas një hetimi 2 mujor.

    Gjatë operacionit, u vunë në pranga 31-vjeçari Donati Jaku, banues në Shkodër dhe 22-vjeçari Florian Gjeta, banues në fshatin Domje.

    Automjeti që drejtonte Gjeta dhe ku ishte pasagjer Jaku, u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

    Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.

    Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte 22-vjeçari, si dhe me 4 celularë, shkruan Abcnews.al.

    Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve.

  • Fillon procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publik, për një javë mbi 750 e deklaruan

    Fillon procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publik, për një javë mbi 750 e deklaruan

    10 mijë e 350 zyrtarë publik janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e kohë për këtë kanë deri më 30 mars.

    Procesi që filloi më 1 mars, sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, për një javë e kanë kryer 7.5 përqind e tyre.

    Këtë vit, sipas Yll Buleshkajt sistemi për sigurinë e të dhënave është më i avancuar.

    Ata që nuk e kryejnë obligimin fillimisht përballen me gjobë e më pas me institucionet e drejtësisë.

    Njohës të drejtësisë theksojnë se ky proces është tejet i rëndësishëm, veçanërisht për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës në institucionet publike.

    Në deklarimin e pasurisë për vitin e shkuar asnjë zyrtar publik nuk mbeti pa e kryer obligimin, përveç 135 prej tyre që e deklaruan me disa ditë vonesë./atvlive.tv/

  • Komuna e Prishtinës hap thirrjen për subvencione në blegtori, bletari dhe shpezëtari për vitin 2026

    Komuna e Prishtinës hap thirrjen për subvencione në blegtori, bletari dhe shpezëtari për vitin 2026

    Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar fermerët e kryeqytetit për hapjen e thirrjes për aplikim për subvencione – pagesa direkte në fushat e blegtorisë, bletarisë dhe shpezëtarisë për vitin 2026.

    Në njoftim bëhet e ditur se fermerët mund të aplikojnë për mbështetje financiare që synon zhvillimin dhe përmirësimin e sektorit bujqësor në komunë.

    “Fermerë të nderuar, ju njoftojmë që Kryeqyteti Prishtina përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka hapur thirrjen për aplikim për subvencione – pagesa direkte në blegtori, bletari dhe shpeztari për vitin 2026”, thuhet në njoftim.

    Detajet për aplikim dhe formularët përkatës mund të gjenden në linkun e publikuar nga Komuna e Prishtinës: https://prishtinaonline.com/…/thirrje-per-aplikim.

  • “900 euro për metër katror” – Dyfishohen çmimet e banesave në Kosovë

    “900 euro për metër katror” – Dyfishohen çmimet e banesave në Kosovë

    Çmimet e banesave janë rritur dukshëm në Kosovë. Krahasuar me para pesë vjetësh, në shumë raste çmimi i tyre pothuajse është dyfishuar.

    “Tepër shtrenjte o tepër, kah mi marr kah……” – Hajdin Mirena nuk e ka idenë se si ta blejë një banesë për të birin.

    Çmimi për metër katror është rritur dukshëm.

    5 vjet më parë, Mirena kishte blerë banesë në lagjen “Dardania” në Fushë-Kosovë, 502 euro për metër katror, ndërsa tash, thotë se s’po gjen nën 900 euro.

    Ai thotë se edhe cilësia e disa banesave nuk është në përputhje me çmimet.

    Jo vetëm për Hajdin Mirenën, por, blerja e një banese del te jetë fort e vështirë edhe për shumë qytetarë.

    “E kanë të papërballueshëm çmimin aktual. Pa ndërhyrje institucionale, pa e zvogëlu çmimin ose pa i ndihmu familjet, me jetesë mesatare është e pamundur me u bë një banesë…”, tha ekonomisti Artan Muhaxheri.

    Rritja e çmimeve lidhet edhe me shtrenjtimin e materialeve të ndërtimit, për të cilat ATV raportoi javën e kaluar.

    Rritja e çmimeve në ndërtimtari pritet të reflektohet edhe te qiratë.

    Sipas një kalkulimi, kur tani për m2 cmimi ka kaluar shifrën prej 1700 euro, për të blerë një banesë prej 60 metrash katrorë në Prishtinë, me vlerë rreth 120 mijë euro, një qytetari në Kosovë që merrë rrogë mesatare, i duhen rreth 15 deri në 16 vjet punë,

    Për të njëjtën banesë, në Shqipëri duhen rreth 10–11 vjet, në Serbi 13–14 vjet, ndërsa në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut rreth 9–10 vjet punë./atvlive.tv

  • Gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë

    Gjashtë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë

    Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit.

    Në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar për dhunë ndaj një gruaje.

    Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Një tjetër rast në të njëjtën komunë ka përfshirë një burrë nën ndikim të alkoolit që sulmoi fizikisht një grua.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

    Në Prishtinë, një grua është sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje nga një burrë.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe rasti po procedohet në procedurë të rregullt.

    Në Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje, një burrë ka sulmuar fizikisht një tjetër burrë. Të dy palët kanë pranuar tretman mjekësor, dhe rasti është nën hetim.

    Ndrësa, në Gjakovë më 27 shkurt, një grua është keqtrajtuar psiqikisht nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

    Po ashtu, në Skenderaj një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht një burrë tjetër.

    Policia njofton se në vendin e ngjarjes i dyshuari ka kanosur dhe ka tentuar të sulmojë edhe zyrtarët policorë.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Hotit merr vendimin e parë si ministër

    Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Komisionin e Ankesave për shqyrtim të ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës.

    Kështu kanë njoftuar nga ministria që drejtohet nga Andin Hoti.

    “Me qëllim të adresimit të çdo ankese ose paqartësie në raport me vendimet e Inspektoratit Qendror të Punës, sot ministri Andin Hoti ka marrë vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve përfundimtare të inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Punës. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare fton të gjithë qytetarët që në përputhje me ligjin dhe me afatet e parapara, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’i adresuar ankesat në ministri”, njofton ministria.

  • Diskualifikohet për një vit nga tenderët publikë kompania “ARF” – Vendimi lidhet me dokumente të dyshuara të falsifikuara

    Diskualifikohet për një vit nga tenderët publikë kompania “ARF” – Vendimi lidhet me dokumente të dyshuara të falsifikuara

    Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim për diskualifikimin për një vit nga të gjitha aktivitetet e prokurimit publik të operatorit ekonomik “ARF” Sh.p.k., pas një rasti që lidhet me një tender të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.

    Vendimi është marrë nga Paneli Shqyrtues i Prokurimit, pas shqyrtimit të kërkesës së Autoritetit Kontraktues, Spitali i Përgjithshëm Gjilan, lidhur me aktivitetin e prokurimit për “Furnizim me materiale të ndryshme për nevojat e Spitalit të Përgjithshëm Gjilan”.

    Sipas vendimit, kompania ARF Sh.p.k. është diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurim publik për periudhën njëvjeçare, duke filluar nga 9 mars 2026 deri më 8 mars 2027.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave të dorëzuara, autoriteti kontraktues ka paraqitur dëshmi që sipas vlerësimit të panelit tregojnë se operatori ekonomik ka vepruar në kundërshtim me nenin 99 të Ligjit për Prokurimin Publik.

    Në dokument përmendet edhe deklarimi i një dizajneri, i cili ka sqaruar se nënshkrimi i tij në dokumentet e kompanisë ishte përdorur pa dijeninë e tij, duke e konsideruar atë të falsifikuar.

    Bazuar në këto rrethana, paneli i OSHP-së ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për marrjen e masës ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik.

    Sipas vendimit, kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë, ndërsa pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente për anulimin e vendimit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij.

  • Fakte për gjeneratën Z: Ndjekin paratë, jo pasionin – më pak të interesuar për martesa të hershme

    Fakte për gjeneratën Z: Ndjekin paratë, jo pasionin – më pak të interesuar për martesa të hershme

    Në emisionin “LIBERO” u diskutua gjerësisht për Gjeneratën Z, duke u ndalur te karakteristikat dhe prioritetet që e dallojnë këtë brez nga brezat e mëparshëm. Gjatë debatit u përmendën edhe disa fakte të bazuara në studime ndërkombëtare, të cilat tregojnë ndryshimet në mënyrën se si të rinjtë e kësaj gjenerate e shohin jetën, karrierën dhe marrëdhëniet.

    Sipas këtyre studimeve, për Gjeneratën Z stabiliteti financiar është më i rëndësishëm se ndjekja e pasionit në karrierë. Të rinjtë e këtij brezi priren të kërkojnë siguri ekonomike dhe mundësi të qëndrueshme pune, duke e vendosur këtë si një nga prioritetet kryesore në jetën e tyre profesionale.

    Gjithashtu, u theksua se Gen Z është më pak e interesuar për martesë të hershme krahasuar me brezat e mëparshëm. Shumë të rinj të kësaj gjenerate preferojnë të fokusohen fillimisht në arsimim, zhvillim personal dhe stabilitet financiar para se të marrin vendime të rëndësishme për jetën familjare.

    Një tjetër veçori e theksuar ishte mënyra se si ky brez konsumon informacionin. Studimet tregojnë se Gen Z kalon më shumë kohë duke parë video sesa duke lexuar tekst, gjë që reflekton edhe ndikimin e madh të platformave digjitale dhe rrjeteve sociale në përditshmërinë e tyre.

    Po ashtu, në emision u përmend se të rinjtë e Gjeneratës Z përdorin aplikacione për njohje dhe krijim marrëdhëniesh më shumë se çdo brez tjetër, duke treguar një ndryshim të qartë në mënyrën se si krijohen lidhjet dhe komunikimi ndërpersonal.

    Pavarësisht këtyre ndryshimeve, një fakt tjetër i rëndësishëm është se Gen Z konsiderohet brezi më i arsimuar deri më tani. Akses i madh në informacion, mundësi më të shumta studimi dhe zhvillimi profesional kanë ndikuar që ky brez të ketë nivele më të larta arsimimi krahasuar me brezat e mëparshëm.

    Diskutimi në “LIBERO” solli në vëmendje se Gjenerata Z po formëson një mënyrë të re të të menduarit dhe të jetesës, duke reflektuar ndryshimet sociale, ekonomike dhe teknologjike të kohës moderne.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë për këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Turqia vendos një sistem mbrojtës raketor “Patriot” në qendër të vendit – pas raketës së fundit nga Irani

    Turqia vendos një sistem mbrojtës raketor “Patriot” në qendër të vendit – pas raketës së fundit nga Irani

    Turqia tha të martën se një sistem mbrojtës raketor Patriot po vendoset në qendër të vendit, një ditë pasi NATO interceptoi një raketë të dytë balistike të lëshuar nga Irani në hapësirën ajrore turke.

    “Po merren masat e nevojshme për sigurinë e kufijve dhe hapësirës tonë ajrore dhe po zhvillohen konsultime me NATO-n dhe aleatët tanë. Përveç masave që kemi marrë në nivel kombëtar, NATO ka forcuar masat e saj të mbrojtjes ajrore dhe raketore”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes, shkruajnë mediat e huaja.

    “Brenda këtij qëllimi, një sistem Patriot i caktuar për të mbështetur mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore po vendoset në Malatya”.

    E vendosur në Turqinë qendrore, Malatya njihet si vendndodhja e bazës ajrore Kurecik, një strukturë kyçe e drejtuar nga trupat amerikane, e cila strehon një sistem radari paralajmërues të hershëm të NATO-s që mund të zbulojë lëshimet e raketave iraniane.

    Edhe pse Ankaraja ka mohuar kategorikisht se të dhënat e radarit janë përdorur ndonjëherë për të ndihmuar Izraelin, prania e tij e ka tronditur Teheranin.

    Vendosja e raketave erdhi një ditë pasi NATO rrëzoi një raketë të dytë nga Irani, duke bërë që Uashingtoni të mbyllte konsullatën e saj në qytetin jugor të Adanasë dhe t’u bënte thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të largoheshin nga Turqia juglindore.

    Përveç Kurecik, trupat amerikane janë të stacionuara edhe në bazën ajrore Incirlik, një tjetër strukturë kyçe e NATO-s vetëm 10 kilometra (gjashtë milje) jashtë Adanasë.

    Kurecik shtrihet rreth 350 kilometra më tej në verilindje.

    Që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, Teherani ka nisur sulme në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Dhe përveç dy rasteve gjatë pesë ditëve, Turqia “duket se është kursyer”.

    Pasi raketa e parë balistike u rrëzua në hapësirën ajrore turke më 4 mars, NATO tha se kishte forcuar “qëndrimin e saj të mbrojtjes nga raketat balistike në të gjithë aleancën”, por nuk dha asnjë detaj për arsye sigurie operacionale.

    Bazat Incirlik dhe Kurecik janë një çështje thellësisht e ndjeshme për Turqinë, me policinë që arrestoi tre gazetarë për “shkelje të sigurisë kombëtare” për pamjet e filmuara pranë Incirlikut vetëm disa orë pasi filluan sulmet e Iranit.

  • “Pallati i Rinisë” me rregullore të re nga 1 prilli për dhënien me qira të hapësirave

    “Pallati i Rinisë” me rregullore të re nga 1 prilli për dhënien me qira të hapësirave

    Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë” ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 do të hyjë në fuqi rregullorja e re për procedurën e dhënies me qira të hapësirave të kësaj ndërmarrjeje.

    Në njoftimin e bërë publik, thuhet se rregullorja e re është hartuar pas një procesi të vlerësimit të qirave nga ekspertë të licencuar të fushës.

    “Që nga data 1 prill 2026 do të hyjë në fuqi Rregullorja e Re për procedurën e dhënies me qira të hapësirave të NPL ‘Pallati i Rinisë’ Sh.A.”, thuhet në njoftim.

    Sipas këtij institucioni, procesi ka përfshirë vlerësimin profesional të hapësirave dhe përcaktimin e çmimeve në bazë të sipërfaqes së secilës prej tyre.

    “Rregullorja e re vjen pas një procesi të vlerësimit të qirave i realizuar dhe vlerësuar nga ekspertë të licencuar të fushës, duke përcaktuar çmimin dhe metrat e secilës hapësirë të N.P.L ‘Pallati i Rinisë’ Sh.A.”, thuhet më tej në njoftim.

    Nga Pallati i Rinisë bëjnë të ditur se mbeten të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me bizneset dhe për të përmirësuar shërbimet për aktivitetet që zhvillohen në këtë hapësirë.

    “Pallati i Rinisë mbetet i përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me bizneset, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e aktiviteteve të rëndësishme që ndikojnë në imazhin kulturor të kryeqytetit”, thuhet në njoftim.