ATV

Category: Lajme

  • Ajatollahu i ri është ‘aq i keq sa babai i tij’, thonë disa iranianë – të tjerë dolën në shesh për t’i premtuar besnikëri

    Ajatollahu i ri është ‘aq i keq sa babai i tij’, thonë disa iranianë – të tjerë dolën në shesh për t’i premtuar besnikëri

    Disa iranianë kanë paralajmëruar se të kesh djalin e Ajatollahut të vrarë si udhëheqës të tyre të ri nuk do të ndryshojë asgjë pasi ai është ‘aq i keq sa babai i tij’.

    Mojtaba Khamenei u zgjodh si Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit të dielën pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit në një sulm me raketa në ditën e parë të luftës.

    Mojtaba, 56 vjeç, i linjës së ashpër, është një nga figurat më me ndikim në establishmentin klerikal të Iranit dhe për vite me radhë është parë si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar të atin, shkruan DailyMail.

    E Izraeli u zotua në fundjavë se do të ndjekë dhe vrasë këdo që Asambleja e Ekspertëve të Iranit vendosi të zgjedhë si udhëheqësin e saj të ri.

    Ndërkohë ka pasur raportime se Mojtaba u plagos në një shpërthim bombe, por nuk është e qartë nëse ishte e njëjta që vrau të atin.

    Të dielën, një ministër i Ministrisë së Jashtme të Britanisë paralajmëroi se emërimi i tij ‘nuk sugjeron asnjë ndryshim në drejtim nga Irani’.

    Dhe komenti i tij u pasqyrua nga shumë iranianë në vend.

    Njëri prej tyre, i quajtur Muhamed, tha: “Jemi të lodhur nga Mullahët që na kontrollojnë dhe shpresojmë vërtet që Izraeli dhe Amerika ta vrasin edhe atë së shpejti”.

    “Nuk jemi të lumtur për këtë udhëheqës të ri, ai është po aq i keq sa babai i tij”, citohet të ketë thënë më tej ai.

    Siç vë në pah mediumi britanik, Teherani ka vendosur një ndërprerje pothuajse të plotë të komunikimit, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë të flasësh me banorët brenda Iranit.

    Ata që e bëjnë këtë rrezikojnë arrestimin nga autoritetet.

    Një tjetër banor, një berber, shtoi: “Njerëzit po punojnë. Ata po vazhdojnë jetën e tyre normale. Dhe po, IRGC (Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike) ende po arreston njerëz”.

    Vetëm disa orë pas emërimit të Mojtabës, televizioni shtetëror iranian e quajti atë një “jaanbaaz” – një term që përdoret për të përshkruar një person shumë trim, të guximshëm dhe të gatshëm të rrezikojë jetën për të tjerët ose për një kauzë.

    Detajet e sakta të lëndimeve të tij nuk u zbuluan dhe ai nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës nga frika e një vrasjeje të synuar nga SHBA-të dhe Izraeli.

    Një burrë tjetër i tha BBC-së: “Edhe shanset më të vogla për një ndryshim nuk janë më brenda sistemit. Pra, gjithçka do të mbetet pak a shumë e njëjtë…”.

    Megjithatë, mijëra njerëz u mblodhën në një shesh në Teheran për t’i premtuar besnikëri Mojtabas.

  • Theret me thikë një 21 vjeçar në Kaçanik, transferohet në QKUK

    Theret me thikë një 21 vjeçar në Kaçanik, transferohet në QKUK

    Një person është therur me thikë mbrëmjen e së hënës në Kaçanik.

    Policia ka bërë të ditur se viktimë është SH.K, rreth 21 vjeç.

    Nga informatat e para të policisë dhe veprimet hetimore në terren është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fillim të bulevardit “Ismajl Raka”, tek ura e qytetit në Kaçanik, ku viktima dyshohet se është sulmuar dhe therur me thikë nga një personi i dyshuar, J.SH., 17 vjeç.

    Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Kaçanikut, më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për trajtim të mëtejshëm është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    Nga ana tjetër, 17 vjeçari, rreth orës 23:50 të së hënës është arrestuar nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit policorë.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa hetuesit policorë vazhdojnë hetimet dhe grumbullimin e informatave edhe për persona tjerë të implikuar në këtë rast.

  • 16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, nëna e saj beson se është gjallë

    16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, nëna e saj beson se është gjallë

    Janë bërë 16 vite nga zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata, më 22 maj 2010.

    Nëna e saj, Bukurie Mata, rikujtoi në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, momentet e fundit para se e bija të zhdukej pa lënë gjurmë.

    Sipas saj, ngjarja ndodhi rreth orës 17:40 të pasdites së 22 majit, kur Bleona po luante me bashkëmoshataret pranë një dyqani në fshat. Ajo rrëfen se vajza e xhaxhait të Bleonës, Qamilja, e mori me vete me pretekstin për të shkuar në mal.

    “22 maj, ditë e shtunë, edhe me orë e mbaj mend. Ishte ora 5:40 e pasdites, kur vajza luante me shoqet para dyqanit. Qamilja ishte organizuar të merrte një grep dhe ai ‘grep’ u bë shkaku për zhdukjen e Bleonës,” kujton Bukurie Mata me sytë e përlotur.

    Sipas dëshmisë së nënës, Qamilja, e cila në atë kohë ishte 17 vjeçe, ishte e afërme e familjes (vajza e xhaxhait të Bleonës) dhe e mori Bleonën së bashku me pesë vajza të tjera më të rritura, për t’u ngjitur në mal pa dijeninë e saj.

    Bukurie Mata thotë se vajzat, pasi u kthyen nga mali, pretenduan se kishin qenë duke ngrënë drekë, edhe pse në fakt ishte pasdite.

    Sipas saj, ato ishin ngjitur rreth 20 minuta më lart në mal së bashku me vajzën e vogël.

    Ajo kujton gjithashtu momentin kur familjarët nisën të kuptonin se diçka nuk shkonte. Ishte halla e Bleonës e cila e kishte telefonuar për ta pyetur nëse mbesa ishte kthyer në shtëpi.

    Menjëherë ata i ishin futur kërkimeve.

    “800 veta kemi qenë në mal, i tërë fshati. Gra, burra, fëmijë… të gjithë”, kujton mamaja e Bleonës, por policinë e kishin telefonuar vetëm pas orës 23:00, kur vetë nuk mundën ta gjenin të voglën.

    Megjithatë, pavarësisht kërkimeve, Bleona nuk u gjet kurrë. Nëna e saj shprehet se pas 16 vitesh ende nuk ka hequr dorë nga kërkimi për të bijën, ndërsa frika e saj është se vajza mund të jetë nxjerrë jashtë vendit.

    Sipas saj, në të njëjtën ditë inaugurohej edhe Tuneli i Kalimashit, çka mund të ketë lehtësuar lëvizjen drejt kufirit.

  • Hasani: Deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit

    Hasani: Deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit

    Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se kërkesa për të detyruar deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të sigurojnë 80 vota nuk mund të zbatohet.

    Hasani në Kanal 10 u shpreh se një kërkesë e tillë, e paraqitur nga Albulena Haxhiu dhe një grup deputetësh, nuk mund të imponohet nga Gjykata.

    “Gjykata nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë, për shumë arsye. E para është se ekziston një aktgjykim i vitit 2015, i cili përcakton se deputetët nuk mund të detyrohen të kryejnë një veprim të tillë,” ka deklaruar Hasani.

    Ai shtoi se seanca e thirrur nga Haxhiu duket të jetë fiktive, pasi sipas tij bazohet në një interpretim të gabuar të Kushtetutës dhe të standardeve të gjyqësorit kosovar.

    Sipas Hasanit, praktika dhe jurisprudenca kushtetuese në Kosovë e bëjnë të qartë se deputetët nuk mund të detyrohen me vendim gjyqësor të marrin pjesë apo të votojnë në një mënyrë të caktuar gjatë procedurave parlamentare.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

    Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

  • Rama zbulon planin për hekurudhën strategjike Durrës–Prishtinë

    Rama zbulon planin për hekurudhën strategjike Durrës–Prishtinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thekson se zhvillimi i rrjetit hekurudhor në vendin e tij është një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

    Mes linjave të ndryshme që po rikonstruktohen ose ndërtohen, Rama veçoi projektin ambicioz të hekurudhës Durrës–Prishtinë, që sipas tij, po ecën drejt fazave të zbatimit konkret.

    “Ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak për hekurudhën e kombit, Durrës–Prishtinë. Në takimin e fundit me kryeministrin Kurti kemi diskutuar për mundësinë e dy financimeve të huaja që do ta mundësojnë avancimin e projektit,” tha Rama, transmeton Oranews Albania.

    Sipas tij, kjo linjë pritet të integrohet me rrjetet hekurudhore europiane, duke respektuar standardet bashkëkohore dhe duke synuar elektrifikimin e shtrirjes prej 530 kilometrash të planifikuara.

    Rama nënvizoi se projekti është pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e transportit hekurudhor, që synon të lidhë Shqipërinë me rajonin dhe të përmirësojë lidhjet ndërkombëtare.

    Ndërtimi i kësaj hekurudhe, tha ai, kërkon durim dhe përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe reputacion ndërkombëtar dhe stabilitet ekonomik që Shqipëria tashmë e ka fituar.

    Rama siguroi se qeveria ka një plan të qartë dhe të strukturuar për realizimin e këtij projekti strategjik, i cili do të ndryshojë rrënjësisht lëvizshmërinë dhe transportin rajonal.

  • E mitura sulmohet seksualisht në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    E mitura sulmohet seksualisht në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një të mitur.

    Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 18 shkurt të këtij viti, ndërsa arrestimi i tij u bë në mars.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin për kryerje të veprës së lartcekur ndaj viktimës së mitur femër kosovare, i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje

    Deri më 31 mars, është ndaluar çdo veprim i presidentes Vjosa Osmani në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa është pezulluar edhe puna e Kuvendit. Kjo si masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese pasi Vetëvendosje e çoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

    Masa e përkohshme u përcoll me shumë reagime. Qeveria e cila e kishte dërguar në Kushtetuese dekretin, ka thënë se vendimi krijon hapësirë që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë, në përputhje me rendin kushtetues.

    “Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

    Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se pezullimi ndalon veprimin “që cenoi rendin kushtetues”.

    “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend. Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues. Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. “Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij. Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon 3 javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës”.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për të shpërndarë Kuvendin.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur bindjen se Gjykata do të vendosë në përputhje me dekretin e saj. Megjithatë, ajo shtoi se “nuk është pejgamere për të mos gabuar asnjëherë”.

    “Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.

    Menjëherë pas pezullimit nga Kushtetuesja, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita. Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.

    “A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.

    Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.

    Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

    “Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

    Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

    “Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

    Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

    Në mungesë kuorumi nuk u nis as procedura e votimit për kandidatët Glauk Konjufca e Fatmire Mullhaxha – Kollçaku.

  • Hartuesi i Kushtetutës së Kosovës: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është plotësisht kushtetues

    Hartuesi i Kushtetutës së Kosovës: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është plotësisht kushtetues

    Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihu, ka deklaruar se veprimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është i plotë kushtetues dhe në përputhje me ligjin themelor të vendit.

    ‘’Nuk besoj se kushtetuesja e hedh poshtë vendimin për shpërndarjen e Kuvendit sepse presidentes i ka skaduar mandati mirë ka bërë që ka vepru kështu’’, tha Salihu për FrontOnline.

    Sipas Salihut, zgjedhja e presidentit duhet të kishte filluar 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, por pasi ky proces nuk u realizua brenda afatit, veprimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte i nevojshëm dhe i drejtë. Ai ka thënë se Kushtetuesja nuk ka arsye ta hedhë poshtë vendimin, dhe se veprimi i Osmanit është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

    ‘’Në Kushtetutë shkruan që zgjedhja e presidentet duhet të fillojë 30 ditë para se ti skadojë mandati në orën 24:00 ka kaluar një muaj dhe nuk është zgjedhur presidenti dhe kjo e ka shpërndarë Kuvendin unë mendoj që veprimi i saj është plotësisht kushtetues’’, përfundon Salihu.

  • Zgjedhja e Presidentit, Lushaku: S’kemi refuzuar asnjë emër, vetëm kemi kërkuar kandidat konsensual

    Zgjedhja e Presidentit, Lushaku: S’kemi refuzuar asnjë emër, vetëm kemi kërkuar kandidat konsensual

    Lëvizja Vetëvendosje, disa herë e ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se nuk e ka propozuar asnjë kandidat për President.

    Kjo temë mjaft me rëndësi, dekreti i Presidentes Vjosa Osmani, shpërndarja e Kuvendit por edhe shumë tema tjera me rëndësi u diskutuan sonte në emisionin Rubikon në Klan Kosova me deputeten e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriun.

    Ajo deklaroi se subjekti që përfaqëson nuk ka refuzuar asnjë emër të përveçëm, vetëm se kanë kërkuar një kandidat konsensual.

    “Të jetë mbi partiak, vërtetë të ketë cilësimet të cilat definohen me Kushtetutë dhe të garantojë një person që garanton unitetin ashtu që siç definohet në Kushtetutë dhe kjo ka qenë e mundur është dashur veç të ketë një lloj vullneti politik nga partitë politik”, u shpreh ajo.

    Presidentja Vjosa Osmani, të premten e kaluar e ka shpërndarë Kuvendi pasi nuk u arrit zgjedhja e Presidentit të ri.

    Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Osmanit, derisa sot Kushtetuesja solli vendimin mbi këtë duke pezulluar veprimin për zgjedhjen e shefit të ri të Shtetit nga sot 9 mars e deri më 31 mars.

  • Mot me diell sot, maksimalja deri ne 17 gradë

    Mot me diell sot, maksimalja deri ne 17 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me stabilitet atmosferik. Parashihen kthjellime dhe rreze diellore me shumë pak vranësira lokale.

    Temperaturat ditore do të shënojnë rritje kurse ato të mëngjesit ulje.

    Minimalja rreth -1 gradë Celsius, kurse maksimale deri në 16 apo 17 gradë Celsius.