ATV

Category: Lajme

  • Mbretëria e Bashkuar përgatitet të dërgojë anijen e dytë në Mesdhe

    Mbretëria e Bashkuar përgatitet të dërgojë anijen e dytë në Mesdhe

    Ministria e Mbrojtjes sapo ka konfirmuar se Mbretëria e Bashkuar po përgatit një anije të dytë për dërgim në Mesdhe.

    Ishte njoftuar tashmë se HMS Dragon, një shkatërrues i Tipit 45, po përgatitej për këtë mision.

    Por tani Ministria e Mbrojtjes thotë se RFA Lyme Bay po përgatitet për dërgim “për detyra detare në Mesdheun Lindor”.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Si pjesë e një planifikimi të kujdesshëm, ne kemi marrë vendimin për ta sjellë RFA Lyme Bay në gatishmëri të shtuar si masë paraprake, nëse do të nevojitet për të ndihmuar në detyrat detare në Mesdheun Lindor”.

    Lyme Bay është një anije zbarkimi, e pajisur për të funksionuar si një platformë aviacioni dhe ka ambiente mjekësore.

    Ajo përdoret shpesh për misione humanitare dhe ndihme në rast fatkeqësish.

  • Supremja e Speciales rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë

    Supremja e Speciales rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë

    Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara ka rrëzuar në tërësi kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë. Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga ZPS-ja.

    Në kërkesë ngriheshin pretendime për disa shkelje të bëra në Aktgjykimin e Apelit të shpallur në korrik 2025.

    “Paneli rrëzoi të gjitha pikat e paraqitura nga Mbrojtja dhe konstatoi se nuk ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë e Shalës, ligji penal ose procedurat dhe i deklaroi të papranueshme disa prej pikave”, thuhet në njoftim.

    Më 2024, Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte dënuar me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

    Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

  • Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike

    Marta Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike

    Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, do anuloj vizitën e planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian duke precizuar se komisionerja Kos tashmë e ka informuar kryeministrin Kurti për vendimin e saj.

    Komisionerja Kos synon të udhëtojë për në Prishtinë sa më shpejt të jetë e mundur, u than nga zyra e shtypit të Komisionit Evropian.

    Vizita e Kos ishte paraparë për mesin e kësaj jave.

    Kosova është i vetmi vend që bën pjesë në portofolin e saj të cilin ajo ende nuk e ka vizituar ndonëse mban postin evropian nga dhjetori i vitit 2024.

    Gjatë vitit të kaluar, arsyeja e mosvizitës ishte kriza institucionale në vend. Menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ajo paralajmëroi një vizitë në Kosovë sapo të formoheshin institucionet në vend.

    Ishte menduar që kjo vizitë gjithashtu të përkonte me lajmin për heqjen e masave ndaj Kosovës, raporton RTK.

    Zyrtarët evropianë, ndërkohë, kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ata nuk dëshirojnë të prononcohen më tej, pasi janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

  • Sveçla në Forumin e Salzburgut: ​Kosova synon sisteme digjitale për siguri kufitare

    Sveçla në Forumin e Salzburgut: ​Kosova synon sisteme digjitale për siguri kufitare

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po merr pjesë në takimin e Forumi të Salzburgut ku po diskutohet për bashkëpunimin rajonal në fushën e menaxhimit të migracionit dhe sigurisë kufitare.

    Gjatë fjalës së tij, ai mirëpriti lansimin e Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe digjitalizimit të kufijve të jashtëm të zonës Schengen.

    Ai theksoi se Kosova është e interesuar të përfitojë nga sisteme të tilla për të rritur sigurinë kufitare dhe për të përmirësuar menaxhimin e migracionit.

    “Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e informimit të qytetarëve të Kosovës për rregullat e udhëtimit dhe qëndrimit në zonën Schengen, por dhe rregullat në Kosovë që janë në përputhje me direktivat e BE-së, përmes fushatave informuese dhe platformave online të dedikuara”.

    “Në kuadër të diskutimit për bashkëpunimin me Frontex në Ballkanin Perëndimor, ministri Sveçla vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Frontex, duke theksuar angazhimin e përbashkët me Policinë e Kosovës në disa pika kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, bëhet e ditur në një njoftim të ministrisë që udhëhiqet nga Sveçla.

    Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me partnerët evropianë ai dhe avancimin e bashkëpunimin me EUROPOL-in për të kontribuar si partner i besueshëm në sigurinë rajonale dhe më gjerë.

  • Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet të kenë ndodhur mbrëmjen e së hënës në Skenderaj.

    Sipas raportimit fillestar, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

    Sipas policisë, rreth orës 21:00 i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    Me urdhër të prokurorit, njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie dhe 15 fishekë. Ndërkohë, i dyshuari ndodhet në kërkim policor dhe hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt 2026.

    Në publikimin e ASK’së, thuhet se çmimet e konsumit janë me një shkallë të rritjes për 6,0 % vjetore dhe 0,6 % mujore.

    Tutje shtohet edhe se, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Inflacioni mujor ishte 0,6 % në muajin shkurt 2026.

    ‘’Shkurt 2026 / Shkurt 2025 6,0 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5 %); bileta të fluturimeve (39,0 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (16,8 %); pemë (16,4 %); mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit (15,1 %); mish (14,7 %); pushime të organizuara (13,2 %); shërbime ambulantore (9,6 %); shërbime hoteliere (9,5 %); kafe, çaj dhe kakao (9,3 %); peshq (8,0 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (7,4 %); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (6,7 %); kujdes personal (6,6 %); perime (6,4 %); pije alkoolike (6,4 %); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,1 %),; qumësht, djathë dhe vezë (5,6 %); mirëmbajtje dhe rregullim të vendbanimit (5,5 %); prodhime ushqimore (5,4 %); gjëra personale (5,2 %); bukë dhe drithëra (5,2 %); duhan (4,2 %); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9 %); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,9 %); veshje (3,3 %); vajra dhe yndyra (3,1 %); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2,7 %); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,4 për qind në IHÇK.’’, thuhet në njoftimin e ASK’së.

    Nisin reformat në Kodin zgjedhor/ Mbahet mbledhja e parë e grupit të punës
    Read more

  • QKUK ul tarifën e parkingut, nga 1 euro në 50 cent për orë

    QKUK ul tarifën e parkingut, nga 1 euro në 50 cent për orë

    Pas kritikave të qytetarëve, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka vendosur të ulë tarifën e parkingut në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas vendimit të marrë më 27 shkurt 2026, tarifa e re është 0.50 € për 1 deri në 60 minuta qëndrimi, si dhe 0.50 € për çdo orë shtesë.

    Nga ShSKUK thonë për Lajmi.net se ky vendim synon të lehtësojë barrën financiare për pacientët, familjarët dhe qytetarët që frekuentojnë QKUK-në.

    Për informata shtesë, qytetarët do të informohen përmes lajmërimeve zyrtare të vendosura në hyrjet e rampave të parkingut dhe në momentin e marrjes së biletës.

    Ky vendim vjen pas vendosjes së rregullores së re për parkingun në fillim të muajit shkurt, e cila kishte ngjallur reagime për shkak të tarifës prej 1 euro për qëndrime deri në 1 orë.

  • Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për mbi 40 aksidente

    Mbi 2 mijë e 400 gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për mbi 40 aksidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, në vend janë shqiptuar 2455 gjoba trafiku.

    Në raport njoftohet edhe se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 15 aksidente me të lënduar, ndërsa 29 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se janë arrestuar 19 persona, ku 8 janë dërguar në mbajtje.

  • Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe reformat që lidhen me integrimin e Kosovës në BE.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, integrimi evropian mbetet prioritet i qeverisë.

    Gjatë bisedës, Kurti theksoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat dhe përmendi disa nga vendimet e fundit të Kuvendit, përfshirë miratimin e buxhetit prej katër miliardë euro dhe Planin e Rritjes në vlerë rreth 880 milionë euro për përshpejtimin e reformave.

    Në njoftim thuhet se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë paraparë hapa për zbatimin e këtij plani përmes ligjeve që kapin vlerën rreth 90 milionë euro.

  • E dhimbshme: Vdes polici, Bajram Mustafa

    E dhimbshme: Vdes polici, Bajram Mustafa

    Këtë të martë, ka ndërruar jetë zyrtari policor, Bajram Mustafa.

    Kështu ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një telegrami ngushëllimi.

    “Me rastin e vdekjes të zyrtarit policor Bajram Mustafa, familjes, miqve dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.