ATV

Category: Lajme

  • Kërcënoi se do të vendosë bombë dhe kryejë vrasje në një shkollë në Tetovë, policia e ndalon 18-vjeçarin

    Kërcënoi se do të vendosë bombë dhe kryejë vrasje në një shkollë në Tetovë, policia e ndalon 18-vjeçarin

    Arrestohet 18-vjeçari nga rajoni i Tetovës i cili dërgoi kërcënime për vendosje bombash dhe vrasje në shkollën e mesme të Tetovës
    Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njofton se mbrëmë (12/13 mars 2026) në Departamentin e Policisë së Tetovës, disa profesorë nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë raportuan se kishin marrë informacione nga prindërit e nxënësve, se M.R. u kishte dërguar mesazhe nxënësve, përkatësisht duke u kërcënuar se do të vendoste bomba dhe do të kryente vrasje në shkollë.

    “Menjëherë nga oficerët e policisë së Sektorit të Punëve të Brendshme Tetovë u ndërmorën masa dhe aktivitete përkatëse dhe pas marrjes së urdhrit gjyqësor, u krye kontroll në fshatin Pallaticë, rajoni i Tetovës, në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të R.R. (49)”.

    “Gjatë kontrollit, u gjetën disa sende që i përkisnin djalit të tij M.R. (18), të cilat dyshohet se burojnë nga një vepër penale. M.R. është i privuar nga liria dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen akuza përkatëse”, thonë nga SPB Tetovë.

  • Një milionë euro ka kushtuar evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Dubai

    Një milionë euro ka kushtuar evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Dubai

    Në faqen e sistemit të prokurimit publik prej dje është publikuar marrëveshja e Ministrisë së Punëve të Jashtme me operatorin për evakuimin e qytetarëve të RMV-së nga Lindja e Mesme.

    Bëhet fjalë për një marrëveshje të negociuar pa publikuar njoftim për prokurim publik, të arritur me Avialog Dooel për shumën prej 59,799,900 denarë.

    Më parë, Ministri Timço Mucunski tha se qytetarëve të RMV-së nuk do t’u ngarkohej tarifa për transportin ajror për evakuim.
    Deri më tani, një pjesë e madhe e qytetarëve të RMV-së që kërkuan ndihmë për t’u larguar nga vendet e rrezikshme janë evakuuar.
    Dje, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërriti grupi i dytë i qytetarëve, të cilët fluturuan shëndoshë e mirë nga Dubai dhe u larguan nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.

    “Lidhur me situatën aktuale në Lindjen e Mesme, për shkak të së cilës një numër i madh qytetarësh të RMV-së gjenden në vendet nën sulm ose në rrezik sulmesh të mëtejshme nga Irani, që nga fillimi i konfliktit, gjithsej 473 qytetarë të RMV-së kanë kontaktuar misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dhabi dhe kanë kërkuar evakuim, prandaj Ambasadat komunikojnë çdo ditë me qytetarët tanë dhe mbledhin të dhëna dhe kërkesa për evakuim nga rajoni, pra nga Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini, por aktualisht nuk ka mundësi për evakuim nga ajri”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

  • Heqja e fusnotës, Haxhiu: Kosova për një kohë të gjatë është përfaqësuar padrejtësisht në organizata ndërkombëtare

    Heqja e fusnotës, Haxhiu: Kosova për një kohë të gjatë është përfaqësuar padrejtësisht në organizata ndërkombëtare

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka mirëpritur vendimin e Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr nga përdorimi i fusnotës krahas emrit të Kosovës, si Kosovo.

    Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Republika e Kosovës për një kohë të gjatë është përfaqësuar padrejtësisht në organizata ndërkombëtare me një emërtim të tillë jozyrtar.

    “Vendimi i Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr nga përdorimi fusnotën krahas emrit të vendit tonë, pra si ‘Kosovo’, është një zhvillim shumë i mirë dhe i shumëpritur. Republika jonë për një kohë të gjatë është përfaqësuar padrejtësisht në organizata ndërkombëtare me një emërtim të tillë jozyrtar, i cili erdhi si rezultat i dialogut të dikurshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Heqja e kësaj padrejtësie përbën një hap të rëndësishëm përpara në fuqizimin dhe afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Haxhiu.

  • Bondsteel i dhuron tre shtretër QMF-së në Lagjen e Muhaxherëve

    Bondsteel i dhuron tre shtretër QMF-së në Lagjen e Muhaxherëve

    Bondsteel-i Amerikan ka dhënë tre shtretër spitalorë si donacion për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lagjen e Muhaxherëve.

    Ky donacion, njofton kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, se u realizua me ndërmjetësimin e KFOR-it Italian.

    Ndër të tjera, i pari i Prishtinës theksoi se çdo mbështetje që forcon shërbimet shëndetësore në lagjet e kryeqytetit,është një hap më shumë drejt një qyteti që kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të tij.

    “Qendra e Mjekësisë Familjare në Lagjen e Muhaxherëve u pajis me 3 shtretër spitalorë, donacion nga Bondsteel Amerikan, i realizuar me ndërmjetësimin e KFOR-it Italian (LMT Italiane). Çdo mbështetje që forcon shërbimet shëndetësore në lagjet tona është një hap më shumë drejt një Kryeqyteti që kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të tij”, ka shkruara Rama.

  • ​Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në UP paralajmërojnë në grevë

    ​Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në UP paralajmërojnë në grevë

    Punëtorët teknikë dhe atë të sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë.

    Sipas tyre, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu u ka thënë se pagat e tyre nuk do të ndryshojnë deri në gusht të vitit 2027.

    “Pas takimit të djeshëm të kryesisë se Sindikatës me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, ku Rektori i UP-së u deklarua se pagat e punëtorëve teknik dhe ato të sigurimit fizik nuk do të ndryshojnë deri në gusht të vitit 2027, kryetari i Shoqatës së punëtorëve të sigurimit fizik në UP, Arsim Xhinovci, njofton Federatën Sindikale te Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës se do të fillojnë me protesta dhe greva të menjëhershme”, thuhet në njoftimin në njoftim.

    Tutje thuhet se nëse nuk arrihet marrëveshja për rritjen e pagës, punëtorët deklarohen se në mënyrë kolektive do të largohen nga shërbimi për sigurim të Universitetit të Prishtinës pasi që pagat e tyre janë paga qesharake.

  • Doktori hoqi dorë nga ai, mendoi se do të vdiste, por pacienti sot është gjallë, çfarë ndodhi?

    Doktori hoqi dorë nga ai, mendoi se do të vdiste, por pacienti sot është gjallë, çfarë ndodhi?

    Doktori i specializuar në Kirugjinë e Përgjithshme dhe Kirurgjinë Abdominale, Ferat Sallahu, në emisionin “LIBERO” rrëfeu  një rast që e përjetoi në fillimet e karrierës së tij, kur ishte ende specialist i ri. Në klinikë i erdhi një pacient me diagnozë të rëndë – kancer i mëlçisë në stade shumë të avancuara.

    Sipas tij, gjendja e pacientit ishte aq e rëndë saqë në mjekësi konsiderohej terminale, çka do të thotë se shanset për mbijetesë ishin shumë të vogla. Pacienti u trajtua për rreth dy javë në spital, por gjendja e tij mbeti kritike dhe më pas u lirua për në shtëpi me udhëzimin që të paraqitej në kontroll pas një muaji.

    “…E lëshuam në shtëpi në gjendje të rëndë. Mendja ime nuk ishte e qetë, nuk kisha shpresa se do të mbijetonte…”, rrëfeu mjeku.

    Megjithatë, ajo që ndodhi më pas e befasoi plotësisht. Pas një muaji, teksa mjeku po punonte në kompjuter, kolegët e njoftuan se pacienti kishte ardhur për kontroll.

    “…Nuk e besoja. Kur dola ta shoh, ai kishte ardhur në këmbët e veta, i shoqëruar nga një person tjetër…”, tregoi ai.

    I habitur, mjeku e pyeti pacientin se çfarë kishte përdorur gjatë kësaj kohe. Përgjigjja ishte e thjeshtë: ai kishte vazhduar terapinë e përshkruar nga mjeku.

    Pacienti u këshillua të vazhdonte trajtimin dhe të paraqitej sërish për kontroll pas dy muajsh. Edhe pse mjeku ende kishte dyshime nëse ai do të mund të kthehej përsëri, realiteti e surprizoi sërish.

    Pas dy muajsh, pacienti u shfaq përsëri – këtë herë edhe më mirë. Sipas rrëfimit të mjekut, ai kishte ardhur i veshur me kravatë dhe dukej i kthjellët.

    Pacienti, sipas mjekut, është ende gjallë edhe sot, duke u bërë një nga ato raste që dëshmojnë se ndonjëherë shpresa dhe trajtimi mund të sjellin rezultate që tejkalojnë çdo parashikim.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ferat Sallahut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • NATO shkatërron një tjetër raketë iraniane në hapësirën ajrore të Turqisë

    NATO shkatërron një tjetër raketë iraniane në hapësirën ajrore të Turqisë

    Një raketë e lëshuar nga Irani është shkatërruar nga mbrojtja ajrore e NATO-s, sipas ministrisë së mbrojtjes së Turqisë.

    “Një municion balistik i lëshuar nga Irani dhe që hyri në hapësirën ajrore turke u neutralizua nga asete të mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor,” thuhet në një deklaratë të ministrisë të postuar në X.

    Deklarata shton “të gjitha masat e nevojshme po merren me vendosmëri” ndaj kërcënimeve kundër vendit dhe hapësirës së tij ajrore.

    Nato kishte shkatërruar edhe ditë më parë një raketë të nisur drejt Turqisë.

  • Konfiskohen aparate të lojërave të fatit dhe mbyllet lokal në Malishevë

    Konfiskohen aparate të lojërave të fatit dhe mbyllet lokal në Malishevë

    Drejtori i Inspektoratit në Malishevë, Jakup Gashi, ka bërë të ditur se inspektorët komunal kanë ndërmarrë veprime pas zbulimit të një lokali që ushtronte veprimtari ilegale të lojërave të fatit.

    “Rasti u identifikua nga Policia e Malishevës, e cila konstatoi se në lokal po përdoreshin aparate për lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin”, tha drejtori Gashi.

    Sipas tij, në bashkëpunim me Policinë, Inspektorati Komunal ka njoftuar edhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës. Gjatë aksionit janë konfiskuar pesë aparate të lojërave të fatit, ndërsa lokali është mbyllur deri në procedurat e mëtejshme ligjore.

    Drejtori i Inspektoratit theksoi se veprime të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe ruajtjen e rendit ligjor në komunë.

  • Jakaj nga KDI: S’është hera e parë që LVV-ja sulmon Gjykatën Kushtetuese

    Jakaj nga KDI: S’është hera e parë që LVV-ja sulmon Gjykatën Kushtetuese

    Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se deklarimet e fundit publike të zyrtarëve të LVV-së se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në favor të tyre sa i përket dekretit të presidentes Osmani vlerësohen si sulme dhe presion i radhës që zyrtarët e partisë në pushtet po ua bëjnë gjyqtarëve të Kushtetueses.

    Sipas tij, kjo praktikë duhet të ndalet, sepse ekziston edhe një zotim para Këshillit të Evropës që të mos ushtrohet presion mbi sistemin e drejtësisë.

    “Nuk është hera e parë që akterët politikë, veçanërisht LVV-ja, e cila është në pushtet, e sulmojnë Gjykatën Kushtetuese, por edhe ndërhyjnë përmes deklaratave publike. Kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë duke i bërë presion Gjykatës që ajo të vendosë në formën siç dëshiron LVV-ja. Një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte. E dimë se si Kosova, respektivisht kryeministri Kurti, ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe presidentja aktuale Osmani, i kishin dërguar letër Këshillit të Evropës se nuk do të ndërhyjnë në drejtësi përmes deklaratave publike. Tashmë ky zotim nuk po jetësohet dhe ne do të jemi dëshmitarë se në Raportin e Progresit Kosova mund të renditet si vend që sulmon dhe ndërhyn në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike.”, tha Jakaj për RTV21.

  • AVONET kërkon rehabilitimin ekologjik të një hapësire publike në fshatin Begracë të Kaçanikut

    AVONET kërkon rehabilitimin ekologjik të një hapësire publike në fshatin Begracë të Kaçanikut

    AVONET i është drejtuar Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, me një kërkesë për largimin e mbeturinave dhe rehabilitimin ekologjik të hapësirës publike në rrugën “Ilmi Shehu dhe Veteranët e UÇK-së” në fshatin Begracë, si dhe për krijimin e një hapësire të gjelbër.

    Në kërkesën e tij, AVONET ka theksuar nevojën për largimin e menjëhershëm të mbeturinave nga zona, pastrimin e saj dhe ndërmarrjen e masave për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërimin e hapësirës. Qëllimi i këtij nisme është përmirësimi i mjedisit dhe krijimi i një hapësire më të shëndetshme dhe më të rehatshme për banorët e fshatit.

    Në dokumentacionin e bashkëngjitur me kërkesën, AVONET ka përfshirë edhe fotografi që tregojnë gjendjen aktuale të hapësirës dhe nevojën urgjente për ndërhyrje.

    Komuna e Kaçanikut pritet të shqyrtojë kërkesën dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e mjedisit dhe rehabilitimin e zonës publike.

    avont