ATV

Category: Lajme

  • Gjashtë vjet më parë u shënua rasti i parë me Covid-19 në Kosovë

    Gjashtë vjet më parë u shënua rasti i parë me Covid-19 në Kosovë

    Sot shënohen gjashtë vjet nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në Kosovë.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në një njoftim, tha se nga data 13 mars 2020 deri më 13 mars 2026, në Kosovë janë testuar mbi 2 milionë mostra për SARS-CoV-2, janë konfirmuar 276,300 raste pozitive, ndërsa janë regjistruar 3,238 humbje jete.

    “Ndonëse u gjetëm para një shkaktari të panjohur për ne dhe për tërë botën, ne treguam shembull që dha rezultat në vend dhe u shqua e u njoh nga bota. Koordinimi, shkëmbimi i informatave në kohë reale dhe vendimmarrja e përbashkët, dëshmuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është forca më e madhe në kohë sfidash. Sot, sistemi i shëndetit publik është më i përgatitur për të identifikuar, monitoruar dhe reaguar ndaj sfidave të ngjashme të shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

  • Ftesa e Kurtit për takim, PDK: Të pritet vendimi i Gjykatës, mbesim të hapur për komunikim

    Ftesa e Kurtit për takim, PDK: Të pritet vendimi i Gjykatës, mbesim të hapur për komunikim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Për këtë ftesë është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën dhe tha se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.

    Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK tha se vlerëson se “është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”.

    Partia Demokratike e Kosovës tha se beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është “mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”.

  • Trupi i pajetë i një të riu shqiptar gjendet në dhomën e në një resorti të njohur luksoz me pesë yje në Itali

    Trupi i pajetë i një të riu shqiptar gjendet në dhomën e në një resorti të njohur luksoz me pesë yje në Itali

    Trupi i pajetë i një të riu shqiptar u gjet dy ditë më parë brenda një dhome, në një resort të njohur luksoz me pesë yje në Gargnano, në liqenin Garda të Italisë.

    Viktima, 32-vjeçar, kishte qenë në dhomë për disa orë kur u gjet, kurse shkaqet, dinamika dhe rrethanat mbeten ende të mbuluara nga misteri.

    Identiteti i tij nuk u publikua, ndërsa paraprakisht si pistë deklarohet ose vdekja natyrale, ose një akt ekstrem si vetëflijimi.

    Alarmi u dha në orët e para të pasdites të së mërkurës, më 11 mars, pak para orës 15:00.

    Disa punonjës nga stafi i institucionit, të pamundur për të kontaktuar mysafirin dhe pasi trokitën në derë disa herë pa marrë përgjigje, vendosën të kontrollonin situatën duke hyrë në dhomë.

    Zbulimi dramatik u bë brenda dhomës. Pasi telefonuan numrin e urgjencës, një makinë mjekësore u dërgua në vendngjarje, por nuk kishte asgjë më shumë që mund të bëhej për të riun: stafi mjekësor mundi vetëm ta shpallte të vdekur.

    Sipas hetimeve fillestare, 32-vjeçari kishte mbërritur i vetëm në brigjet e liqenit Garda, duke mbërritur në vendpushim me makinë. Ai kishte qëndruar në vendpushim për afërsisht një ditë.

    Karabinierët gjithashtu mbërritën në vendngjarje dhe filluan një hetim për të përcaktuar rrethanat e vdekjes. Gjetjet fillestare kanë përjashtuar përfshirjen e personave të tjerë: nuk u gjetën shenja dhune në trup, informon media italiane.

    Në dhomë, thuhet se u gjetën disa pako ilaçesh bosh pranë shtratit. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një akti ekstrem, si vetëvrasja e mundshme, megjithëse hetimet e mëtejshme do të sqarojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur./panorama/

  • Deputeti i PDK-së i reagon Kurtit për “shkrirjen e fusnotës”: U ke dhënë autonomi komunave serbe, ku janë njohjet

    Deputeti i PDK-së i reagon Kurtit për “shkrirjen e fusnotës”: U ke dhënë autonomi komunave serbe, ku janë njohjet

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se “pranvera pritet ta shkrijë fusnotën”, duke thënë se është ironike të flitet për këtë temë derisa, sipas tij, mungojnë rezultatet konkrete në diplomaci dhe integrime ndërkombëtare.

    Në një postim në Facebook, Behrami ka parashtruar disa pyetje për qeverinë.

    Ai ka pyetur se ku janë njohjet nga Greqia, Sllovakia, Spanja, Rumania dhe Qiproja, për të cilat, sipas tij, ishte nënshkruar marrëveshja e vitit 2023, e cila parashihte autonomi speciale për komunat me shumicë serbe dhe eksterritorialitet për Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

    Behrami ka përmendur edhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke thënë se për këtë çështje ishte marrë vendimi për t’i dhënë tokë Manastiri i Deçanit, duke e lidhur këtë me emrin e ministrit Nenad Rashiq.

    Postimi i plotë:

    Është ironike të dëgjosh sot moralizime për “shkrirjen e fusnotës si fjollë bore”, kur :

    1. Albin, ku është njohja nga Greqia, Sllovakia, Spanja, Rumania dhe Qiproja?

    Për këto njohje u nënshkrua marrëveshja e vitit 2023 duke u dhënë autonomi speciale komunave serbe dhe duke pranuar eksterritorialitet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

    Ku është rezultati?

    2. Ku është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për të cilin, për hatër të Nenad Rashiqit, u dorëzua toka e Manastirit të Deçanit?

    3. Pse u pranua nga Kurti dhe Besnik Bislimi që, në kuadër të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian të njohë me bekimin e tyre përdorimin e pasaportave serbe ilegale të lëshuara për serbët e Kosovës, pasaporta të cilat në vetvete e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë!?

    4. Me këto vendime, me rikthimin faktik të logjikës së Rezolutës 1244 në draft statutin e samoupravljanje dhe me formulimin anti-Kosovë në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023 se “pa cenuar pikëpamjet e ndryshme të palëve mbi çështje themelore, përfshirë çështjet e statusit”, Albin Kurti në thelb ka përmbushur pikërisht atë që iu kërkua gjatë gjithë procesit.

    Prandaj, sot po e shohim këtë strategji: për t’i ikur dialogut në Uashington, për të cilin ai është informuar mirë, Albin Kurti ka nevojë për krizë politike. Krizë, zgjedhje të reja, bllokim të zgjedhjes së presidentit, çdo skenar që e mban vendin në tension institucional.

    Qëllimi është i qartë: të qeveriset pa kontroll real parlamentar dhe pa dhënë llogari për vendimet që po merren.

    Ndërkohë, Besnik Bislimi, pasi ndërtoi rrjetin e tij të kontrollit në sektorin energjetik, synon hapin tjetër: fondin sovran. Ky është modeli që po tentohet të ndërtohet: një version i kopjuar keq i sistemit të Orbanit.

    Populizmi ka një afat skadence. Kur rezultatet mungojnë, mbetet vetëm propaganda. Dhe kur propaganda konsumohet, mbetet vetëm një gjë: të hedhësh gurë mbi veten dhe ta shesësh si betejë politike.

    Gjithçka mund të zbehet me kalimin e kohës. Por, marrëveshjet pro-Beogradit që i ka pranuar Albin Kurti, të negociuara nga Besnik Bislimi dhe të ndërmjetësuara nga Miroslav Lajčák, nuk zhbëhen vetë. Për to duhet betejë politike, pikërisht aty ku ti ke frikë të shkosh dhe ku je person non grata.

  • Presidentja takon ambasadorin italian, theksojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme

    Presidentja takon ambasadorin italian, theksojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.

    Aty u fol për zhvillimet politike në vend së fundmi, si dhe për marëdhëniet midis dy shteteve.

    “Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Italisë”, thuhet në komunikatën e presidencës.

    “Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.

  • Qytetarëve u bëhet thirrje që nesër të shmangin kalimin përmes pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

    Qytetarëve u bëhet thirrje që nesër të shmangin kalimin përmes pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

    Qytetarëve të Kosovës u është bërë thirrje që të shtunën ta shmangin pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka lëshuar këtë thirrje për qytetarët për shkak të një proteste në Serbi dhe bllokimit të rrugës për dy orë.

    “Ju njoftojmë, se nesër, më datë, 14.03.2026, është paralajmëruar mbajtja e një proteste në territorin e Serbisë dhe bllokimi i rrugës për dy orë, duke filluar nga ora 16:00 deri 18:00. Ju inkurajojmë që nesër të shmangni qarkullimin në PKK Jarinjë dhe të zgjedhni PKK tjera për qarkullim”, thuhet në njoftim.

  • Gërvalla e quan lajmi i ditës zgjedhjen e kryesisë së re të KPK-së

    Gërvalla e quan lajmi i ditës zgjedhjen e kryesisë së re të KPK-së

    Lajmi i ditës së sotme është mbledhja e Këshillit Prokurorial, ku suksesshëm u zgjodh Kryesuesi i tij.

    Kështu ka shkruar Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një postim në rrjetin social në Facebook.

    Gërvalla tha se ky zhvillim i kontribuon zbatimit të reformës së nisur kohë më parë nga institucionet tona për një shtet të së drejtës dhe një sistem prokurorial funksional.

    Postimi i plotë:

    Lajmi i ditës së sotme është mbledhja e Këshillit Prokurorial, ku suksesshëm u zgjodh Kryesuesi i tij.

    Kjo i kontribuon zbatimit të reformës së nisur kohë më parë nga institucionet tona për një shtet të së drejtës dhe një sistem prokurorial funksional. Funksionalizimi i plotë i Këshillit Prokurorial është thelbësor për zbatimin dhe thellimin e reformës në drejtësi, si dhe për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial.

    Pres që përbërja e re të kontribuojë me përgjegjësi në avancimin e mëtejshëm të reformës dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vend.

    Shteti ligjor është realitet vetëm kur ligji e drejtësia sundon mbi çdo ndikim tjetër.

  • ​SHBA lehtëson sanksionet ndaj naftës ruse, reagojnë aleatët

    ​SHBA lehtëson sanksionet ndaj naftës ruse, reagojnë aleatët

    SHBA-ja ka vendosur të lehtësojë sanksionet ndaj naftës ruse, duke lejuar përkohësisht vendet të blejnë naftë që tashmë është e ngarkuar në anije në det.

    SHBA-ja ka vendosur të lehtësojë sanksionet ndaj naftës ruse, duke lejuar përkohësisht vendet të blejnë naftë që tashmë është e ngarkuar në anije në det.

    Ky hap vjen pas sulmeve iraniane ndaj anijeve në Gjirin e Hormuzit dhe rritjes së çmimeve të naftës, por ka shkaktuar shqetësim në aleancat perëndimore.

    Britania ka deklaruar se nuk do të ndjekë të njëjtin hap dhe e ka refuzuar të kritikojë drejtpërdrejt vendimin amerikan, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes britanik, John Healey, tha se Moska dhe Teherani po bashkëpunojnë në teknologjinë dhe taktikat e dronëve. Ushtria britanike po heton nëse një dron që goditi një bazë ajrore në Qipro përmbante komponentë rusë.

    Gjermania kritikoi gjithashtu vendimin, raporton AP, përcjell KosovaPress. Kancelari Friedrich Merz tha se gjashtë anëtarë të G7 e shprehën qartë se ky nuk është sinjali i duhur dhe e quajti vendimin amerikan të gabuar, duke shtuar se problemi është më shumë me çmimin e naftës sesa me furnizimin dhe se motivet e tjera të SHBA-së duhet të sqarohet.

  • Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj Fikrim Damkës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj Fikrim Damkës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Gjykata ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fikrim Damka, duke vendosur ndërprerjen e plotë të procesit gjyqësor ndaj tij.

    Sipas vendimit të gjykatës, në rastin e iniciuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, u konstatua se pretendimet e ngritura nuk mbështeten në prova të mjaftueshme.

    Gjykata shqyrtoi aktakuzën e përgatitur nga prokuroria në kuadër të hetimeve për këtë rast dhe arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë baza të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale.

    Në vendimin e publikuar më 16 shkurt 2026 thuhet se janë pranuar kundërshtimet e paraqitura nga avokati i Damkës, Artan Qerkini, si dhe nga avokati i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Besim Kamberaj, Burim Azemi.

    Sipas vendimit gjyqësor, aktakuza e Prokurorisë e datës 4 korrik 2025, me numër PPPS.nr.76/2023, është refuzuar nga gjykata. Për shkak të mungesës së provave, është ndërprerë edhe i gjithë procesi penal ndaj të akuzuarve.

    Në dokumentin e gjykatës theksohet se akuzat e ngritura ndaj Damkës nuk kanë bazë ligjore, prandaj çështja është përmbyllur pa hyrë në shqyrtimin e meritave të rastit.

    Me këtë vendim, procesi gjyqësor ndaj Damkës konsiderohet i përfunduar.

  • Inspektorati i tregut sërish del në terren: S’ka ndryshim të çmimit të naftës

    Inspektorati i tregut sërish del në terren: S’ka ndryshim të çmimit të naftës

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruajë nga ministrja  Mimoza Kusari-Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

    Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës janë duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së enjte, – datë: 12.03.2026, ka qenë si në vijim: Naftë (Dizel): 1.42 €/litër; Benzinë: 1.17 €/litër.

    Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë: Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër; Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër.

    Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon: dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

    Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe të inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.