ATV

Category: Lajme

  • Ish-pjesëtarja e UÇK-së, deputetja e VV-së Mimoza Shala: Politika më e vështirë se lufta

    Ish-pjesëtarja e UÇK-së, deputetja e VV-së Mimoza Shala: Politika më e vështirë se lufta

    Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Shala, ka deklaruar se për të politika ka rezultuar më e vështirë sesa përvoja e luftës, duke theksuar presionet dhe sfidat që, sipas saj, e shoqërojnë jetën politike.

    Në një intervistë në emisionin “LIBERO”, Shala, e cila ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pyet se cila nga dy përvojat i është dukur më e komplikuar: lufta apo politika. Ajo u përgjigj se politika është më sfiduese.

    “…Unë konsideroj që në jetën time viti 2017 ka qenë  më i vështiri, për shkak të presioneve të mëdha që i kam përjetuar për shkak të qëndrimeve politike. Lufta më është dukur tepër e thjeshtë në krahasim me politikën…”, tha ajo.

    Sipas saj, politika është një fushë që njëkohësisht mund të jetë edhe motivuese, edhe e vështirë.

    “…Politika aq sa është e bukur, më përmbush dhe kam qëllime, por në të njëjtën kohë është një ambient i ndyrë, ku nuk e di rreth kujt mund të gjendesh…”, u shpreh Shala.

    Ajo u pyet gjithashtu nëse është e vështirë për një ish-luftëtare që t’i ruajë idealet e luftës dhe imazhin për lirinë kur hyn në politikë.

    Shala tha se kjo është sfiduese, por jo e pamundur.

    “…Është e vështirë, por nuk është e pamundur. Deri tani asnjëherë nuk më ka ndodhur të lëkundem nga ajo që unë besoj, nga bindjet e mia, pavarësisht çfarë sulmesh mund të kem…”, deklaroi deputetja.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mimoza Shalës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Haradinaj nënshkruan peticionin kombëtar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Haradinaj nënshkruan peticionin kombëtar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se gjatë ditës së premte ka nënshkruar peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Përmes në njoftimi në Facebook, Haradinaj tha me besim të plotë se kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës të drejtë çlirimtare.

    “Sot nënshkrova peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë. Besojmë se edhe kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës sonë të drejtë çlirimtare. Rroftë UÇK-ja!”, ka shkruar ai.

  • Maskara në Tregun e Mitrovicës, Peci: Akt kriminal e terrorist, i porositur nga regjimi i Millosheviqit

    Maskara në Tregun e Mitrovicës, Peci: Akt kriminal e terrorist, i porositur nga regjimi i Millosheviqit

    Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci ka nderuar viktimat e 13 marsit, në përvjetorin e 27-të të Masakrës në Tregun e Mitrovicës.

    Në një postim në Facebook, Peci tha se ky ishte një akt kriminal, terrorist e gjenocidial, i planifikuar e i porositur nga regjimi i Millosheviqit në Beograd, e që siç thotë ai, ishte projektuar të shkaktonte humbjen e shumë jetrave, me destinacion një vend ku ka turmë njerëzish.

    “Përvjetori i 27 i Masakrës në Tregun e Mitrovicës. Ishte ditë pazari dhe tregu i qytetit i mbushur përplot gjallëri, blerës e shitës, fëmijë, gra, burra, pleq e të rinj, kur pamëshirshëm gjallërinë e jetës e shuajti granata e vdekjes. Në mesin e 7 të vrarëve në Masakrën e Tregut ishin nga më e reja Elizabeta Hasani, 5-vjeçare, deri tek më i vjetri Rrahim Peci, 65 vjeç. Të plagosur mbetën 128, shumë prej tyre ende me plagë. Sot, në shenjë nderimi, bëjmë homazhe pranë pllakës së të vrarëve dhe bashkëndjejmë dhimbjen e të gjallëve të prekur nga ky sulm kriminal”, ka shkruar Peci.

  • I ka kryer mbi 10,000 operacione, doktor Ferat Sallahu tregon se si i përjeton momentet kur pacientët vdesin

    I ka kryer mbi 10,000 operacione, doktor Ferat Sallahu tregon se si i përjeton momentet kur pacientët vdesin

    Pas më shumë se 10 mijë operacionesh të kryera gjatë karrierës së tij profesionale, specialisti i kirurgjisë, doktor Ferat Sallahu ka përjetuar shumë momente të vështira në profesionin e tij. Një ndër sfidat më të mëdha, sipas tij, mbetet përballja me rastet kur pacientët nuk arrijnë të shpëtohen.

    I pyetur se si e përballon momentin kur një pacient ndërron jetë, doktor Sallahu theksoi se çdo rast është i ndryshëm dhe varet nga mosha dhe sëmundja e pacientit.

    “…Përballimi i pacientit që vdes dallon prej moshës, dallon prej sëmundjes. Gjithmonë është humbje për familjen, por për ne si profesionistë kur e kemi një person që ndërron jetë në moshë të re dhe vuan prej një sëmundjeje të rëndë, për ne është jashtëzakonisht një peshë e madhe sepse nuk po arrijmë t’i ndihmojmë…”, u shpreh ai.

    Sipas tij, në mjekësi ka diagnoza të caktuara që kanë prognozë të rëndë dhe jetëgjatësi të kufizuar, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

    “…Gjithmonë në shëndetësi ka diagnoza që e kanë jetën e kufizuar. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për dajë, nanë, babë apo vëlla, kur diagnoza është me prognozë të keqe, edhe rezultatet janë të këqija…”, tha Sallahu.

    Megjithatë, ai theksoi se mjekët vazhdojnë të bëjnë maksimumin për çdo pacient, duke e konsideruar çdo jetë të shpëtuar si motivin më të madh për të vazhduar punën në këtë profesion sfidues.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ferat Sallahut, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pleurat Sejdiu rizgjedhet kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës

    Pleurat Sejdiu rizgjedhet kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës

    Pleurat Sejdiu është rizgjedhur edhe për një mandat tjetër si kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, duke mundur kundërkandidatin dhe nënkryetarin e OMK-së, Naser Gjonbalaj.

    Sejdiu kishte kaluar periudha të vështira shëndetësore disa muaj më parë, por rikthimi i tij është përshëndetur edhe nga familjarët.

    Përmes një postimi në Facebook, vëllai i tij, Gent Sejdiu, e ka uruar për suksesin e rizgjedhjes, raporton Klankosova.tv.

    “Para gjashtë muajve ishin momentet tua më të vështira në jetë, sot vëlla, me ndihmën e Zotit dhe shpirtit tënd luftarak, u ktheve i fuqishëm për të përjetuar këtë moment suksesi, të zgjedhësh për të tretën herë kryetar i Odes së Mjekëve të Kosovës! Puna jote dhe dedikimi yt për të mirën e qytetarëve dhe kolegëve tuaj sot e tregon këtë sukses. Mburemi me ty”, shkroi ai.

  • Haxhiu përshëndet zgjedhjen e kryesisë së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Haxhiu përshëndet zgjedhjen e kryesisë së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka përshëndetur zgjedhjen e Arian Gashit si kryesues të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe zgjedhjen e Dardan Vuniqit si zëvendëskryesues.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se kjo mbledhje, që u mbajt sot, është një hap i rëndësishëm në zbatimin e ndryshimeve të fundit ligjore dhe në avancimin e reformës në drejtësi.

    “Ky proces shënon një fazë të re për Këshillin Prokurorial dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve tona ndaj një sistemi të drejtësisë të pavarur, transparent dhe llogaridhënës. Është inkurajuese të shohim që përpjekjet për të forcuar rolin e Këshillit Prokurorial dhe për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë po konkretizohen përmes hapave të tillë institucionalë”.

    “I uroj suksese dhe punë të mbarë përbërjes së re të Këshillit Prokurorial, me besimin se angazhimi dhe vendimmarrja e tyre do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe në një sistem drejtësie më të besu

  • Barcelona do të dyfishojë taksën turistike nga muaji i ardhshëm

    Barcelona do të dyfishojë taksën turistike nga muaji i ardhshëm

    Turistët në Barcelonë mund të taksohen me 15 euro për natë nga prilli, pasi qyteti do të dyfishojë tarifën e turizmit, raporton Sky News.

    Vizitorët që qëndrojnë në hotele do të paguajnë më shumë, nga 10 euro deri në 15 euro për natë, nga 5 euro dhe 7.50 euro që paguanin më parë, në varësi të kategorisë së hotelit ku qëndrojnë.

    Ata që kanë marrë me qira një shtëpi pushimi do të duhet të paguajnë një maksimum prej 12.50 euro për natë, nga 6.25 euro që paguanin më parë.

    Pasagjerët e anijeve turistike do të vazhdojnë të paguajnë rreth 6 euro.

    Vendimi i autoriteteve katalanase vjen si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar numrin e vizitorëve dhe për të bërë banesat më të përballueshme për vendasit.

    Banorët kanë argumentuar se numri i tepërt i turistëve dhe rritja e qirave afatshkurtra për pushime po shkaktojnë rritje të çmimeve të banesave.

    Ligji që miraton rritjen e taksës turistike thotë se një e katërta e të ardhurave të mbledhura do të shpenzohet për krizën e banesave në qytet.

    Barcelona ka njoftuar tashmë planet për të ndaluar të gjitha akomodimet e përkohshme për pushime deri në vitin 2028.

  • Maqedonci për blerjet e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

    Maqedonci për blerjet e raketave kineze nga Serbia: Shpërfaqje e tendencave hegjemoniste ndaj fqinjëve

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se pretendimet e autoriteteve serbe që po armatosen për t’u mbrojtur nga vendet fqinje nuk qëndron, dhe me blerjet e fundit të armëve kineze ato po shpërfaqin tendencat e tyre hegjemoniste në raport me këto vende.

    Maqedonci i bëri këto deklarata pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur një ditë më parë se Serbia ka blerë raketa kineze “shkatërruese”.

    Bëhet fjalë për raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina.

    “Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci, duke përmendur se është Serbia ajo e cila shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës.

    Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Serbia i ka integruar me sukses raketat e blera kineze në aeroplanët ushtarakë rusë MiG-29, që veçse i zotëron.

    “Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

    Presidenti serb nuk tregoi se sa kushtuan raketat por tha se ato “janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”.

    Ministri Maqedonci beson se blerjet e Serbisë nga Kina janë vazhdimësi e politikës së Vuçiqit.

    “Republika e Serbisë blerjet ushtarake kryesisht i realizon nga vendet joanëtare të NATO-s. Kryesisht blerjet strategjike Serbia i ka realizuar nga Federata Ruse dhe Kina. Nga Kina, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka prokuruar sistemet raketore kundër-ajrore FK3, HQ-17 dhe HQ-9 si dhe fluturake pa pilot dhe radarë të ndryshëm”.

    Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

    Ndaj kësaj blerjeje të Serbisë ka reaguar kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili paralajmëroi se për këtë çështje do të diskutojë me aleancën e NATO-s.

    Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

    Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

    Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë./REL/

  • 16 vjeçe në luftë: Mimoza Shala rrëfen plagosjen në betejën e Çabratit

    16 vjeçe në luftë: Mimoza Shala rrëfen plagosjen në betejën e Çabratit

    Në moshën 16-vjeçare, Mimoza Shala u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke iu bashkuar luftës për çlirimin e vendit. Në emisionin “LIBERO”, ajo rrëfeu se rruga drejt frontit nisi që në bankat e shkollës, bashkë me shokë e shoqe, në një kohë kur gjithçka ishte e paqartë dhe e rrezikshme.

    “…Organizimi ka filluar në shkollë, me shokë e shoqe. Normal ishte e vështirë sepse nuk e dinim rrugën, nuk e dinim sakt ku gjendej UÇK-ja…”, kujtoi ajo.

    Shala tregoi se gjatë gjithë luftës kishte një frikë të veçantë: jo nga vdekja, por nga plagosja.

    “Gjatë krejt luftës unë nuk i jam frikësu vrasjes sa i jam frikësu plagës”, rrëfeu Shala.

    Në një moment të luftës, ajo e përmendi edhe një bisedë me komandantin e saj, Shkëlzen Haradinaj.

    “…Komandant, i lutem Zotit që ai plumb që m’kap le t’më kap mirë, në ndonjë organ vital dhe le t’më lë në vend”, i kishte thënë ajo, duke shpjeguar se nuk donte ta përjetonte plagosjen sepse i dukej shumë e rëndë.

    Megjithatë, fati i luftës e çoi pikërisht drejt asaj që kishte frikë. Më 7 maj, gjatë betejës së Çabratit në Gjakovë, ajo u plagos në një rrethim të vështirë.

    “Dita që u plagosa ka qenë 7 maji. Ne u gjendëm në një rrethim të vështirë. Kur jam plagosur, nuk i kam pasë as 20 metra larg. I kam pasë shtatë vrima në uniformë, vetëm një plumb më ka goditë. Në fillim as nuk e kam ndier, thjesht kam pa gjak”, tregoi Mimoza.

    Ajo potencoi se momenti ishte edhe më i rëndë sepse disa nga bashkëluftëtarët që i kishte pranë u vranë gjatë përplasjes.

    Rrëfimi i saj mbetet një dëshmi e fortë e sakrificës së shumë të rinjve që, edhe në moshë shumë të re, u përfshinë në luftën për liri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Mimoza Shalës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • FORBES publikon listën e njerëzve më të pasur të botës, mes tyre edhe një shqiptar

    FORBES publikon listën e njerëzve më të pasur të botës, mes tyre edhe një shqiptar

    Forbes publikoi njerëzit më të pasur sipas shteteve. Derisa Elon Musk vazhdon të kryesojë listën globale të njerëzve më të pasur në botë, miliarderët po shfaqen në gjithnjë e më shumë shtete – nga Afganistani dhe Algjeria deri te Vietnami dhe Zimbabveja.

    Sipas përmbledhjes më të fundit të revistës Forbes, këtë vit 80 shtete dhe territore kanë të paktën një miliarder, dy më shumë se vitin e kaluar.

    Historitë e miliarderëve shpesh janë shumë të ndryshme. Një nga shembujt më interesantë vjen nga Afganistani. Sipërmarrësi Mirwais Azizi u largua nga lufta sovjeto-afgane në vitin 1988 me vetëm 700 dollarë në xhep. Pasi mbërriti në Dubai, ai nisi biznes në industrinë e tekstilit, ndërsa më vonë kaloi në sektorin e patundshmërive. Sot kompania e tij Azizi Developments ka më shumë se 60 projekte dhe po ndërton një kullë që pritet të bëhet e dyta më e larta në botë.

    Afganistani nuk është i vetmi shtet që së fundmi ka fituar miliarderin e tij të parë. Pakistani, për shembull, është rikthyer në listën e Forbes falë sipërmarrësit të ri Sualeh Asif, bashkëthemelues i mjetit të inteligjencës artificiale për programim Cursor. Pasuria e tij vlerësohet në më shumë se një miliard dollarë.

    Në krye të renditjes globale mbetet Elon Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 839 miliardë dollarë, që është vlera më e lartë neto që Forbes ka regjistruar ndonjëherë. Pas tij vijnë shumë miliarderë të teknologjisë dhe industrisë, ndër ta edhe bashkëthemeluesi i Google, Larry Page.

    Në listën e Forbes është përfshirë edhe Shqipëria. Si personi më i pasur i lidhur me këtë shtet përmendet biznesmeni Samir Mane, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 1.9 miliardë dollarë.

    Pasuria e Manes, vitin e kaluar nga revista Forbesishte regjistruar në kuotën e 1.4 miliardë dollarëve.

    Ai është themeluesi dhe presidenti i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me qendër në Tiranë, Shqipëri.

    Mane u largua nga regjimi komunist i Shqipërisë në 1991 dhe u transferua në Austri si refugjat.

    Ai hapi dyqanin ‘Neptun’, një zinxhir dyqanesh elektronike në Shqipëri në vitin 1998 dhe u kthye në 2005 për të hapur qendrën e parë tregtare në vend.

    BALFIN zotëron gjithashtu prona të paluajtshme në SHBA, Kanada dhe Austri si dhe parqe logjistike dhe një universitet privat në Shqipëri.