ATV

Category: Lajme

  • E njohim për këngë dashnie, por Meda muzikën e paska filluar me folklor

    E njohim për këngë dashnie, por Meda muzikën e paska filluar me folklor

    Këngëtari i njohur Mehdin Përgjeçaj, i njohur për publikun si Meda, prej vitesh është një nga emrat më të dashur të muzikës popullore dhe baladave. Megjithatë, pak kush e di se hapat e parë në muzikë ai i ka bërë me këngë folklorike.

    Në një rrëfim ekskluziv në emisionin “LIBERO”, këngëtari ka treguar se muzikën e ka nisur shumë herët, duke kënduar së bashku me vëllain e tij. Ai tregoi se fillimisht është marrë me folklor, ndërsa me kalimin e viteve repertori i tij ka ndryshuar dhe është orientuar edhe drejt këngëve të dashurisë. Megjithatë, folklori mbetet ende pjesë e pandashme e tij.

    “…Bashkë me vëllain kemi kënduar në atë kohë. Unë e kam vazhduar, ndërsa ai e ka lënë… Kam filluar me folklorin dhe me kohën kam ndryshuar, mirëpo prapëseprapë folklorin s’e kam ndalur dhe mund të këndoj…”, është shprehur Meda.

    Dashuria për muzikën, sipas Medës, vjen edhe nga tradita familjare. Përgjeçaj ka treguar se talenti muzikor është trashëguar brez pas brezi në familjen e tij.

    “…Në familjen tonë, duke filluar prej babagjyshit, ai nuk ka instrument frymor që s’i ka rënë – çiftelisë, sharkisë… Ndërsa babai ka kënduar për një kohë të gjatë me grupin e Hajvalisë, mbi 25 vjet…”, ka rrëfyer këngëtari.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Medës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • I plagosuri në Gjakovë, jashtë rrezikut për jetë

    I plagosuri në Gjakovë, jashtë rrezikut për jetë

    I plagosuri në Gjakovë nga të shtënat me armë zjarri në Çarshinë e Vjetër është dërguar në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Gjakovës.

    Ilir Asllanaj, ushtrues detyre i shefit të Emergjencës në Gjakovë, ka bërë të ditur se gjendja e pacientit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

    “Rreth orës 5:20 ka ardhur një pacient i plagosur në Emergjencë. Menjëherë janë marrë masat, janë bërë disa ekzaminime të nevojshme. Pacienti është hospitalizuar në repartin e Ortopedisë. Gjendja e pacientit është stabile, jashtë rrezikut për jetë”, tha ai.

    Mëngjesin e sotëm ka humbur jetën një person si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, ndërsa një tjetër është plagosur.

    I dyshuari, që dyshohet të jetë pronari i lokalit ku ndodhi rasti, është në arrati dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës.

  • Vdekja tragjike e 20-vjeçares shqiptare në Itali, tentoi të futej në shtëpi nga ballkoni

    Vdekja tragjike e 20-vjeçares shqiptare në Itali, tentoi të futej në shtëpi nga ballkoni

    Anxhela Byku, një 20-vjeçare me origjinë shqiptare, humbi jetën mbrëmjen e së enjtes në Piacenza të Italisë, pas një rënieje dramatike nga ballkoni i banesës ku jetonte me bashkëshortin e saj, gjithashtu shqiptar.

    Shërbimet e emergjencës, përfshirë 118 dhe karabinierët, mbërritën në pallatin në Viale Beverora pas alarmit të dhënë nga bashkëshorti i saj, i cili e gjeti të shtrirë në oborrin e brendshëm të ndërtesës. Përplasja me tokën, nga një lartësi rreth 10 metrash, i shkaktoi dëmtime të rënda, veçanërisht në kokë, që rezultuan fatale.

    Njësia hetimore e karabinierëve ka kryer rindërtimin e ngjarjes dhe inspektime të hollësishme në apartament dhe ambientet përreth. Hetuesit përjashtuan përfshirjen e palëve të treta dhe tani besohet se shkaku i rënies ishte një aksident, shkruajnë mediat.

    Sipas hetimeve, vajza kishte ngelur jashtë apartamentit dhe në përpjekje për t’u kthyer brenda përmes ballkonit, humbi ekuilibrin dhe ra.

    Familjarët e vajzës, përfshirë nënën dhe motrën, kanë mbërritur nga Shqipëria për të qëndruar pranë të afërmve të saj. / abcnews

  • Starmer ofron 53 milionë paund mbështetje për familjet që përdorin naftë për ngrohje

    Starmer ofron 53 milionë paund mbështetje për familjet që përdorin naftë për ngrohje

    Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se qeveria e tij do të ofrojë 53 milion paund mbështetje për familjet që përdorin naftë për ngrohje, pas rritjes së çmimeve që pothuajse janë dyfishuar që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.

    “Po njoftoj sot mbështetje të menjëhershme për konsumatorët më të cenueshëm të naftës për ngrohje, duke ofruar 53 milion paund për ato familje që janë më të ekspozuara,” tha Starmer.

    Ai shtoi se do të ndërmerren veprime ligjore ndaj kompanive të naftës nëse rezulton se kanë shkelur ligjin. Raportet që disa kompani kanë anuluar porositë dhe më pas “rritur çmimet” janë “plotësisht të papranueshme,” theksoi kryeministri.
    Ky veprim është një nga pesë masat që qeveria po merr për të mbështetur konsumatorët, së bashku me mekanizmat ekzistues si kufiri i çmimeve të energjisë.

    Starmer gjithashtu bëri të ditur se një udhëzim ligjor është dhënë kompanive të energjisë, sipas të cilit çdo kursim që bëhet për shkak të ndërhyrjes së qeverisë duhet të kalojë te konsumatorët.

  • Gjendet e vdekur vajza e ministres izraelite

    Gjendet e vdekur vajza e ministres izraelite

    Shoshana Strook, 34 vjeçe, vajza e ministres së Izraelit për Misione Kombëtare, Orit Strook, u gjet e vdekur gjatë natës në banesën e saj në veri të Izraelit. Lajmin e konfirmoi vetë ministrja.

    Rrethanat e vdekjes së saj mbeten të paqarta ndërsa policia ka nisur një hetim për rastin. Strock njoftoi lajmin përmes një postimi në Facebook, duke shkruar:

    “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të vajzës sonë të dashur, Shoshana”.

    Në muajt e fundit, Shoshana kishte folur publikisht për abuzimin seksual nga prindërit e saj dhe për abuzime rituale që thoshte se kishte përjetuar gjatë fëmijërisë. Ajo publikoi disa postime në rrjetet sociale, duke përshkruar se ishte e detyruar të merrte pjesë në abuzime dhe ceremoni rituale që përfshinin përdorimin e drogës dhe hipnozës.

    “Që nga mosha dy e gjysmë vjeç, prindërit më çuan në ceremoni pedofilike ku më programonin dhe më trajnonin përmes drogës, hipnozës dhe abuzimeve seksuale”, tha ajo në një video të postuar në shkurt.

    Në një tjetër postim, Shoshana përshkruante se si babai i saj e “shiste” në Tel Aviv që nga mosha 13 vjeç, duke fituar para prej saj, dhe se abuzimi vazhdoi edhe më vonë.

    Në janar, ajo foli edhe për “terapinë e konvertimit” dhe ritualet e tjera të dhunshme që thoshte se kishte përjetuar gjatë rritjes.

    “Në ditët e fundit, kujtimet e kësaj terapie dhe të kultit sadik ku jam rritur më rikthehen vazhdimisht”, shkroi ajo, duke shtuar se përjetonte shpesh rikthime të traumës dhe ankth të madh nga ndarja e historisë së saj.

    Policia raportohet se nuk ka mundur të verifikojë pretendimet e Shoshanës për abuzimin seksual, ndërsa detajet e hetimit mbeten të paqarta.

    Organizatat e grave në vend i kanë bërë thirrje qeverisë që të kryejë një hetim më të gjerë, duke theksuar se policia nuk e ka mbrojtur siç duhej dhe se Shoshana nuk ka marrë mbështetjen e duhur. Bonot Alternativa, një organizatë për gratë, kërkoi që shteti të veprojë: “Detyra e shtetit tani është e qartë: të hetojë, të shqyrtojë dhe të zbulojë të vërtetën”.

    Në kujtim të Shoshanës u mbajt një protestë e heshtur në Sheshin Zion në qendër të Jeruzalemit. Organizatorët paralajmëruan se do të kërkojnë “ndryshime reale dhe drejtësi për të dhe për të gjithë ne”. Pjesëmarrësit mbajtën pankarta me mbishkrimin: “Ne të besojmë, Shoshana.”

    Shoqja e Shoshanës, Yael Shitrit, e cila gjithashtu ka deklaruar se ka qenë viktimë e abuzimeve rituale seksuale, kërkoi që të bëhet më shumë.

    “Biseduam me të atë mëngjes. Ajo nuk donte të vdiste. Donte një shtëpi dhe siguri. Nëse ky komb nuk zgjohet, ne jemi të radhës”, tha ajo.

    Pas njoftimit për vdekjen e Shoshanës, Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministrat shprehën ngushëllime për Strock dhe familjen e saj. Zyra e kryeministrit tha se ai kishte biseduar me Strock dhe “mori me hidhërim të thellë” lajmin për vdekjen e vajzës së saj.

  • Spanja zhvendos forcat speciale nga Iraku për shkaqe sigurie

    Spanja zhvendos forcat speciale nga Iraku për shkaqe sigurie

    Spanja ka zhvendosur përkohësisht forcat e saj speciale nga Iraku duke përmendur përkeqësimin e sigurisë dhe pamundësinë për të kryer operacione në mënyrë të sigurt, njoftoi Ministria spanjolle e Mbrojtjes.

    Grupi i Operacioneve Speciale u zhvendos në vende të sigurta pasi situata e bëri të pamundur vazhdimin e misioneve të trajnimit me forcat irakiane, sipas ministrisë.

    Raportohet se i gjithë personeli është i sigurt.

    Ndryshe, Spanja dislokon afërsisht 300 personel ushtarak në Irak si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër të ashtuquajturit grup i Shtetit Islamik (IS).

    SOTG trajnon njësitë irakiane kundër terrorizmit në Bagdad dhe në bazat në zonat e kontrolluara nga kurdët.

    Ministria nuk specifikoi se ku u zhvendosën forcat.

    Bëhet e ditur se Spanja ka ruajtur një prani të vazhdueshme në Irak që nga viti 2015 si pjesë e Operacionit Inherent Resolve, koalicionit të udhëhequr nga SHBA të formuar për të luftuar ISIS-in.

    SOTG ndërrohet çdo gjashtë muaj.

  • Konjufca pret Ademin dhe zyrtarët e FFK-së para ndeshjes historike me Sllovakinë

    Konjufca pret Ademin dhe zyrtarët e FFK-së para ndeshjes historike me Sllovakinë

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka pritur në takim presidentin e FFK-së, Agim Ademin me bashkëpuntorë.

    Shkak i këtij takimi kanë qenë edhe ndeshjet vendimtare të Kombëtares së Kosovës, ku Dardanët do të zhvillojnë ndeshjen ndaj Sllovakisë në Bratislavë.

    Konjufca ka uruar krerët e FFK-së për rezultatet e mira të arritura nga Kombëtarja, derisa i ka bërë me dije se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik.

    “Sot, së bashku me anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala, zhvilluam një vizitë pune te Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Gjatë takimit e informuam Zëvendëskryeministrin për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit tonë drejt Bratisllavës”.

    “Ai na përgëzoi për rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjellë fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në arenën ndërkombëtare”.

    “Gjithashtu vuri në pah se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim historik. E falënderuam Zëvendëskryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj ekipit tonë kombëtar në rrugëtimin tonë drejt realizimit të synimeve tona”, ka shkruar Ademi.

  • “Vit i humbur për Kosovën” – Bajrami kritikon qeverinë Kurti për draft-raportin e hartuar nga PE-ja

    “Vit i humbur për Kosovën” – Bajrami kritikon qeverinë Kurti për draft-raportin e hartuar nga PE-ja

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas publikimit të draft-raportit të Parlamenti Evropian për Kosovën, duke thënë se viti 2025 është cilësuar si “vit i humbur” për vendin për shkak të krizës politike dhe bllokadave institucionale.

    Sipas saj, në “DRAFT REPORT on the 2025 Commission report on Kosovo (2025/2252(INI))”, i publikuar më 6 mars 2026 nga raportuesi Riho Terras në Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET), theksohet se viti 2025 ka qenë një periudhë pa përparim për Kosova.

    “Viti 2025 ishte vit i humbur (lost year) për Kosovën, për shkak të paralizës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025: pa Kuvend funksional, pa Qeveri me mandat të plotë”, ka shkruar Bajrami.

    Sipas saj, raporti vë në pah se kjo situatë ka ndikuar negativisht në proceset reformuese dhe në integrimin evropian të vendit.

    “Sipas raportit, kjo gjendje bllokoi reformat, dialogun, fondet e BE-së dhe Planin e Rritjes, pati mungesë të përparimit në sundimin e ligjit, mungesë të lirisë së mediave (rënie për 24 vende në Indeksin e lirisë së medias), mungesë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mungesë në reforma në administratën publike”, u shpreh ajo.

    Deputetja thekson gjithashtu se në raport përmendet edhe rënia e Kosovës në indeksin global të korrupsionit.

    “Kosova ka rënë 3 vende në indeksin global të korrupsionit për 2025 në krahasim me 2024. Raporti shpreh shqetësim të madh për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi dhe kërkon reforma të thella në sundimin e ligjit, sepse pa reforma integrimi evropian mbetet peng”, tha ajo.

    Sipas Bajramit, Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit.

    Ajo ka kritikuar edhe situatën aktuale politike, duke thënë se kriza institucionale po vazhdon edhe në vitin 2026.

    “Pas një viti të humbur në 2025, humbja po vazhdon edhe në 2026, Kosova është me Kuvend të suspenduar deri më 31 mars e më pas, sipas të gjitha gjasave, zgjedhje parlamentare sepse LVV i do krejt për vete dhe asgjë për Kosovën”, ka shkruar deputetja.

    Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se qasja e tyre po çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

    “Kjo nuk është demokraci, ky është pengim i qëllimshëm i institucioneve.”

    Në fund, ajo ka bërë thirrje për reflektim qytetar dhe përgjegjësi politike.

    “Andaj ka ardhur koha për reflektim të vërtetë qytetar, t’i themi stop arrogancës së partive politike, atyre që shtetin po e konsiderojnë si lodër argëtimi. Askush, ama askush nuk ka të drejtë të abuzojë me besimin e qytetarëve”, u shpreh Bajrami.

  • Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës: Vrasja po hetohet, në vendin e ngjarjes gjetëm gëzhoja dhe një armë të ftohtë, të dyshuarin e njohim

    Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës: Vrasja po hetohet, në vendin e ngjarjes gjetëm gëzhoja dhe një armë të ftohtë, të dyshuarin e njohim

    Policia e njeh dhe është në kërkim të të dyshuarit për vrasjen në Gjakovë, tha zëdhënësi i Policisë për atë rajon, Sheremet Elezaj.

    Ai tha në një konferencë për media se rreth orës 05:30 pranuan një informatë se “në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë, dy persona meshkuj të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri”.

    Elezaj tha se “si pasojë e plagëve të marra, njëri prej këtyre personave ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij atje”.

    Ndërsa tregoi se njësitet relevante nga Policia dhe Prokuroria po i kryejnë hetimet e para, Elezaj tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe një armë e ftohtë.

    “Atë që mund ta ndajmë tash është se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajme me publikun aktualisht”, tha ai.

    I pyetur nëse i dyshuari është i njohur për Policinë, zëdhënësi tha: “Dorasi, për Policinë, për Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë është i njohur. Do me thënë, ne e njohim”.

  • Ndalja e pensioneve, veterani Luzha: Do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë

    Ndalja e pensioneve, veterani Luzha: Do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë

    Uran Luzha, veteran i UÇK-së sonte në emisionin “Fol me Arin” ka folur në lidhje me ndaljen e pensioneve për veteranët që punojnë.

    Ai është shprehur se nuk ka mbetur gjë tjetër vetëm t’i drejtohen organeve të drejtësisë, me gjë të cilën po merren.

    Luzha u shpreh se bashkë me kolegët e tij, po merren me grumbullimin e dokumentacioneve.

    “Neve nuk na ka mbetur tjetër vetëm t’u drejtohemi organeve të drejtësisë, që jemi duke i grumbulluar edhe me kolegët e mi. Po e grumbullojmë dokumentacionin”, tha ai.