ATV

Category: Lajme

  • Osmani uron Luana Bajramin për çmimin Oscar: Përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë

    Osmani uron Luana Bajramin për çmimin Oscar: Përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar aktoren me origjinë kosovare Luana Bajrami-Rahmani dhe ekipin e filmit për çmimin Oscar të fituar në ceremoninë e Academy Awards.

    Përmes një postimi në platformën X, presidentja theksoi se kjo arritje është një moment krenarie për Kosovën dhe për të rinjtë e vendit.

    “Urime Luana Bajrami-Rahmanit dhe të gjithë ekipit që rrodhi pas filmit të shkurtër fitues të çmimit Oscar ‘Two People Exchanging Saliva’, fitues i Çmimit të Akademisë për Filmin më të Mirë të Shkurtër me Aksion. Jemi krenarë për këtë arritje të madhe nga Luana, një aktore e patrembur e lindur në Kosovë, e cila përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë, talentin, vendosmërinë dhe besimin për të ndjekur edhe ëndrrat më të guximshme”, ka shkruar Osmani.

  • Shefi i BE-së largohet nga Kosova, Avio Orav merr detyrë të re në Turqi

    Shefi i BE-së largohet nga Kosova, Avio Orav merr detyrë të re në Turqi

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Avio Orav pritet që së shpejti të nis një detyrë të re në Turqi.

    Kështu ka bërë të ditur Matti Maasikas, Sekretar i Përgjithshëm në detyrë në Shërbimin Evropian për Veprime të Jashtme (EEAS), i cili i ka shprehur falënderimet dhe urimet e tij të ngrohta Oravit, për detyrën e re në Turqi.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Maasikas ka shkruar se Orav ka bërë punë të shkëlqyer në Kosovë.

    “Faleminderit Aivo Orav për punën e shkëlqyer të bërë në Kosovë! Do të mungosh shumë. Urime për detyrën tënde të re në Turqi dhe jam shumë i lumtur të vazhdoj të punojmë së bashku – ashtu si kemi bërë gjatë dekadave në role të ndryshme”, ka shkruar Maasikas.

    Në fotografitë e ndara me postimin, Maasikas dhe Orav shihen duke shkëmbyer përshëndetje përpara godinës së EEAS, duke simbolizuar bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëm mes tyre.

    Aivo Orav ka shërbyer si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë në një periudhë të rëndësishme për zhvillimet politike dhe integruese të Kosovës, duke mbështetur proceset demokratike dhe bashkëpunimin rajonal.

    Aivo Orav kishte marrë detyrën e tij si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë më 2 shtator 2024. Para Orav në Kosovë kishte shërbyer Thomas Szunyog.

  • Hapet apeli i ish-presidentit francez Sarkozy kundër dënimit për konspiracion

    Hapet apeli i ish-presidentit francez Sarkozy kundër dënimit për konspiracion

    Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të paraqitet në gjykatë të hënën për të apeluar një dënim për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet për të siguruar fonde fushate nga Libia, për të cilat ai mori një dënim me pesë vjet burg vitin e kaluar.

    Kjo e bëri Sarkozin presidentin e parë të Francës pas luftës që u burgos – një rënie tronditëse për një njeri që udhëhoqi vendin nga viti 2007 deri në vitin 2012, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv

    Ai u burgos në tetor në burgun La Sante në Paris dhe u lirua tre javë më vonë, pasi një gjykatë pranoi ta lironte atë nën mbikëqyrje gjyqësore, e cila përfshinte edhe ndalimin e largimit nga Franca.

  • Pacienti i plagosur nga të shtënat në Gjakovë është në gjendje stabile

    Pacienti i plagosur nga të shtënat në Gjakovë është në gjendje stabile

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, ku dy persona janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri ka mbetur i plagosur.

    Pacienti i plagosur u paraqit rreth orës 05:20 në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, ku u pranuar në emergjencë dhe iu nënshtrua të gjitha ekzaminimeve të nevojshme.

    Dr. Ilir Hasanaj, shef i Emergjencës, tha se gjendja e pacientit është stabile.

    “Rreth orës 05:20 në mëngjes sot ka ardhur një pacient i plagosur me armë zjarri. Është pranuar në emergjencë dhe janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Pacienti është hospitalizuar në ortopedi për trajtim të mëtejshëm dhe gjendja e tij aktualisht është stabile”, tha Hasanaj për Syri Vision.

    Sipas raportimeve, viktima dhe autori i dyshuari kanë qenë shokë mes veti, ndërsa konflikti dyshohet të ketë nisur brenda një lokali.

    Policia ka identifikuar të dyshuarin, i cili aktualisht ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga forcat e rendit.

    Hetimet nga policia dhe prokuroria po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/

  • Vrasja në Gjakovë, viktima është xhaxhai i Elijona Binakaj

    Vrasja në Gjakovë, viktima është xhaxhai i Elijona Binakaj

    Krismat e armëve të zjarrit kanë alarmuar mëngjesin e sotëm qytetin e Gjakovës, ku një person ka mbetur i vrarë ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Sipas të dhënave fillestare, viktima është Rasim Binakaj, 38-vjeçar, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

    Si i dyshuar për këtë rast përmendet N.Z., pronari i lokalit “My Place”. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në incident dhe, pas ngjarjes, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Rasim Binakajt është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, ndërsa policia është vënë në kërkim të të dyshuarit Nexhdet Zymberaj.

    Ndërkohë, viktima. Rasim Binakaj. raportohet të jetë xhaxhai i Elijona Binakaj, ish-finalistes së Big Brother VIP Kosova 4.

    Lajmi ka tërhequr vëmendje edhe në rrjetet sociale, pasi Elijona u bë e njohur për publikun gjatë pjesëmarrjes së saj në reality show-n e njohur, ku arriti deri në finale dhe fitoi një numër të madh ndjekësish.

    Deri më tani, Elijona Binakaj nuk ka bërë ende ndonjë reagim publik lidhur me ngjarjen e rëndë.

    Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, 38-vjeçari ka marrë plagë vdekjeprurëse, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij. /Telegrafi/

  • Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë: Të respektohet vendimi i Kushtetueses sapo ai të merret

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve që ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sapo ai të merret.

    Ambasada nuk i ka komentuar pretendimet e zyrtarëve të Lëvizja Vetëvendosje se ambasadorët, përmes vizitave të tyre në Kushtetuese, po ndërhyjnë në këtë institucion.

    “Ambasada gjermane nuk komenton proceset aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ne presim që të gjitha institucionet ta respektojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese sapo ai të merret”, ka thënë Ambasada gjermane në një përgjigje për RTV21.

    Ky qëndrim i ambasadës vjen në një moment kur zyrtarët e LVV-së kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë në favor të kërkesës së tyre që dekreti i presidentes Vjosa Osmani të shpallet kundërkushtetues.

  • 89 gra rurale në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj përfitojnë pajisje bujqësore nga FAO dhe UN Women

    89 gra rurale në Mitrovicë, Istog dhe Skenderaj përfitojnë pajisje bujqësore nga FAO dhe UN Women

    Tetëdhjetë e nëntë gra nga zonat rurale të komunave të Istogut, Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut kanë përfituar pajisje bujqësore në kuadër të projektit “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, me një vlerë totale prej 113,000 euro.

    Iniciativa implementohet nga FAO dhe UN Women, me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

    Shpërndarja e pajisjeve u realizua gjatë kësaj jave në secilën nga tri komunat e përzgjedhura, me pjesëmarrjen e grave përfituese, përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe organizatave partnere.

    Kryetarët e komunave, Ilir Ferati në Istog, Sami Lushtaku në Skenderaj dhe Faton Peci në Mitrovicën e Jugut, theksuan rëndësinë e mbështetjes së grave në bujqësi.

    “Partneritete të tilla janë thelbësore për krijimin e mundësive të reja për gratë në zonat rurale dhe për avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural në nivel lokal,” tha kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

    Gratë përfituese kanë marrë pajisje bujqësore sipas planeve të tyre të biznesit për të mbështetur aktivitete prodhuese në bujqësi, përfshirë blegtorinë, përpunimin e produkteve ushqimore dhe prodhimin bujqësor.

    “Jam blegtore nga fshati Kqiq i Madh i Komunës së Mitrovicës dhe kam marrë pajisje për përpunimin e qumështit. Kjo do ta lehtësojë punën time dhe do të më ndihmojë ta rris prodhimin”, tha Aurora Alija, njëra nga gratë përfituese.

    Pajisjet synojnë të rrisin kapacitetet prodhuese, të lehtësojnë proceset që kursejnë kohë dhe punë, si dhe të krijojnë mundësi më të qëndrueshme për gjenerimin e të ardhurave.

    Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm rural.

  • Koci: Skandal në një rast të ngacmimit seksual – viktima në sallë, gjykatësit jo

    Koci: Skandal në një rast të ngacmimit seksual – viktima në sallë, gjykatësit jo

    Avokati Arianit Koci ka raportuar të hënën në mëngjes një skandal në sistemin gjyqësor.

    Koci ka thënë se sot në një rast të ngacmimit seksual në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Fushë Kosovë, gjyqtarët nuk erdhën fare.

    Rastet e ngacmimit seksual kërkojnë që të trajtohen me prioritet të veçantë në bazë të Ligjit, sqaroi avokati në një postim në rrjetet sociale.

    “Realiteti që gjetëm sot në Gjykatën e Fushë Kosovës ishte krejt tjetër”, tha ai.

    Sipas tij, seanca ishte planifikuar të fillonte në orën 09:00. Por, në sallën e gjyqit në orën 09:20 aty ishin vetëm “viktima dhe unë si përfaqësues i saj”.

    “Ndërkohë, duhet me u kujtu një fakt: aktakuza në këtë rast është ngritë para më shumë se dy vitesh. Gjatë kësaj kohe, viktima më ka tregu se që nga dita e parë në Polici është ndi e pashpresë dhe e pakënaqur me trajtimin institucional”, bëri të ditur Koci.

    Koci alarmoi për mesazhin që po u jepet viktimave me këtë sjellje.

  • Izraeli shkatërron aeroplanin e ish-liderit iranian Ali Khamenei

    Izraeli shkatërron aeroplanin e ish-liderit iranian Ali Khamenei

    Forcat Ajrore Izraelite goditën dhe shkatërruan aeroplanin e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei në aeroportin Mehrabad të Teheranit gjatë natës, ka njoftuar ushtria.

    IDF tha se aeroplani ishte përdorur nga Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë “për të çuar përpara prokurimin ushtarak dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me vendet e boshtit përmes fluturimeve vendase dhe ndërkombëtare”.

    Ushtria shtoi se shkatërrimi i “asetit strategjik” është një goditje ndaj “aftësive koordinuese” të Iranit “ndërtimit të fuqisë ushtarake dhe aftësive të regjimit për rehabilitim”.

    Ndryshe, më herët këtë muaj, Forcat Ajrore Izraelite goditën dhe shkatërruan 16 aeroplanë në aeroportin Mehrabad.

    Sipas tyre, ata ishin përdorur nga Forca Quds, krahu i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, për të dërguar armë dhe para në dorë të grupeve terroriste, kryesorja ndër të cilat Hezbollahu në Liban.

    Sipas ushtrisë, Irani kishte zhvendosur disa nga aeroplanët në zonat e magazinimit për aeroplanë jashtë shërbimit, në një përpjekje për ta bërë më të vështirë për Izraelin identifikimin e tyre.

  • Vonesat në paga, punëtorët teknik të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë fillojnë grevën

    Vonesat në paga, punëtorët teknik të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë fillojnë grevën

    Punëtorët teknik të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë kanë filluar grevën për shkak të vonesës në pagesa, njofton Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK).

    Sipas kryetarit të FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, qëndrimi i punëtorëve në grevë do të vazhdojë deri sa pagat të përpunohen dhe të shpërndahen në mënyrë të rregullt.

    “Shpresojmë që pagat për këta punëtorë të përcillen sa më shpejtë dhe punëtorët të kthehen në shërbimet e tyre. Përderisa pagat nuk paguhen, punëtorët do të qëndrojnë në grevë”, tha Azemi.