ATV

Category: Lajme

  • Katari paralajmëron kundërpërgjigje ndaj Teheranit pas sulmit ndaj impiantit më të madh të gazit, dëbon dy diplomatë iranian

    Katari paralajmëron kundërpërgjigje ndaj Teheranit pas sulmit ndaj impiantit më të madh të gazit, dëbon dy diplomatë iranian

    Katari ka paralajmëruar se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur sulmit iranian ndaj impiantit të gazit në Ras Laffan.

    Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Katarit theksoi se vendi “rezervon të drejtën për t’u përgjigjur, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe me të drejtën për vetëmbrojtje të garantuar nga e drejta ndërkombëtare”.

    Autoritetet në Doha nënvizuan se nuk do të hezitojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve dhe banorëve në territorin e tyre.

    Ndërkohë, Katari ka njoftuar dëbimin e dy diplomatëve iranianë pas sulmit. Ministria e Jashtme bëri të ditur se ambasadori i Iranit në Doha është informuar se atasheu ushtarak dhe ai i sigurisë, së bashku me personelin përkatës, janë shpallur “persona non grata” dhe duhet të largohen nga vendi brenda një afati maksimal prej 24 orësh.

  • Gjini: Mund të kemi dy palë zgjedhje në vitin 2026

    Gjini: Mund të kemi dy palë zgjedhje në vitin 2026

    Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka folur për zhvillimet politike, duke thënë se janë prodhuar kriza për gjëra të thjeshta.

    Ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova foli edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve gjatë vitit 2026.

    Madje, ai u shpreh se gjatë këtij viti, Kosova mund të përballet me dy procese zgjedhore.

    “Kurti me qëllim po i humb kohë Kosovës. Janë prodhuar kriza për gjëra krejt të thjeshta. Po shpresoj që kjo çka po them nuk del as profeci vetpërmbushëse, as e vërtetë, por mundemi me pasë dy palë zgjedhje në vitin 2026”, tha Gjini.

  • “Po largohem, mos më kërkoni”, gjendet e mitura që ishte zhdukur pa gjurmë në Durrës

    “Po largohem, mos më kërkoni”, gjendet e mitura që ishte zhdukur pa gjurmë në Durrës

    Është gjetur 14-vjeçarja që ishte zhdukur në Durrës që në orët e para të mëngjesit dhe nuk ishte kthyer në shtëpi.

    Nëna e vajzës, deklaroi se deri në orën 5 të mëngjesit, kur ka qenë zgjuar për konsumimin e syfyrit, vajza ka qenë në shtëpi. Më pas në orën 6:30, ajo thotë vajza nuk ishte në dhomën e saj.

    Nëna ka deklaruar se ka gjetur një letër ku e mitura shkruante: ‘Po largohem, mos më kërkoni.’ Të alarmuar, prindërit kanë nisur kërkimet për vajzën. Sipas informacioneve ajo nuk ishte paraqitur në shkollë mëngjesin e sotëm.

    Lidhur me zhdukjen e vajzës së mitur është bërë denoncimi në polici, ndërkohë që prindërit apeluan që kushdo që kishte dijeni ose e kishte parë 14-vjeçaren t’i kontaktonte. Fatmirësisht e mitura u gjet dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

  • Forbes: Shqipëria ndër 5 vendet e NATO-s që mbështesin ofensivën ndaj Iranit, përmendet edhe Kosova

    Forbes: Shqipëria ndër 5 vendet e NATO-s që mbështesin ofensivën ndaj Iranit, përmendet edhe Kosova

    Konflikti në Lindjen e Mesme vuri në dukje edhe një herë ndasitë brenda NATO-s, veçanërisht mes SHBA dhe vendeve të mëdha evropiane.

    Shqipëria rezulton ndër 5 vendet anëtare që kanë dalë hapur në mbështetje të operacioneve ushtarake që amerikanët dhe Izraeli po kryejnë prej tre javësh kundër Iranit.

    Revista “Forbes” ka listuar edhe Kosovën mes mbështetësve të SHBA, për faktin që NATO ka baza ushtarake aty.

    Në artikull theksohet se qëndrimi i Tiranës zyrtare përforcon linjën e saj tradicionale pro aleancës. Kryeministri Edi Rama e lidhi këtë qëndrim me konfliktet e mëparshme me Iranin, duke e paraqitur Shqipërinë si një aleat të fortë të SHBA-së.

    Në vitin 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin pas një sulmi të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore.

    “Forbes” thekson se përveç tre vende të Ballkanit: Shqipëria, Kosova dhe Maqdonia e Veriut, Trump ka marrë mbështetje publike edhe nga Republika Çeke, Lituania dhe Letonia. Por vetëm kaq.

    Kjo është arsyeja se përse Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj një pjese të madhe të aleatëve që kanë vendosur të qëndrojnë jashtë përshkallëzimit ushtarak dhe nuk ka kursyer as aleatin e hershëm siç është Mbretëria e Bashkuar.

    Ndërkohë, vende të tjera si Danimarka, Finlanda dhe Luksemburgu kanë mbajtur një qëndrim neutral.

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell. Në zonat malore mund të ketë ndonjë reshje të izoluar bore.

    Era do të fryjë nga verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-51 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 3 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 8 deri në 13°C. /MeteoKosova

  • E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    E jashtëzakonshme: Shqiptarja Drena Kusari emërohet në një nga pozitat më të larta në Microsoft

    Ekspertja shqiptare në industrinë globale të teknologjisë, Drena Kusari, ka njoftuar se ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin teknologjik Microsoft.

    Përmes një postimi në rrjetin LinkedIn, Kusari njoftoi se ka nisur zyrtarisht punën si Corporate Vice President dhe General Manager në këtë kompani.

    “Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, ka shkruar Kusari në njoftimin e saj.

    Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e vendosur Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.

    Emërimi i saj përbën një tjetër histori suksesi për gratë shqiptare në industrinë globale të teknologjisë.

    Me një karrierë të ndërtuar në ekosistemin e Silicon Valley dhe në kompani të mëdha ndërkombëtare, Kusari është ndër figurat shqiptare që kanë arritur në nivele të larta të lidershipit në sektorin global të inovacionit dhe teknologjisë.

    Kusari lindur dhe është rritur në Gjakovë. Pas luftës në Kosovë, ajo u shpërngul në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, ku përfundoi vitin e fundit të shkollës së mesme. Puna e saj e parë ishte si interprete dhe punonjëse terreni për organizatën Save the Children menjëherë pas luftës.

    Ka diplomuar me dy drejtime, Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College në SHBA.

    Ka marrë MBA nga Harvard Business School, një nga shkollat më prestigjioze të biznesit në botë.

    Para se të arrijë në Microsoft, ajo ka pasur një karrierë në disa kompani të mëdha globale si në Goldman Sachs si analiste financiare, McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani Fortune 500, pastaj në Lyft ku ishte General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke qenë dhe gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani, e po ashtu edhe në Bumble, ku kishte rol drejtues për strategji dhe zhvillim biznesi.

  • Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Irani godet Katarin, përfshihet nga flakët impianti më i madh i gazit

    Ministria e Brendshme e Katarit njoftoi se një sulmi nga Irani i ka shkaktuar një zjarr masiv në impiantit kryesor të gazit në vend në zonën industriale të Ras Laffan-it.

    “Shërbimet e mbrojtjes civile po ndërhyjnë për të shuar zjarrit në zonën industriale të Ras Laffan pas sulmit iranian, pasi janë shkaktuar dëme të mëdha”,thuhet në deklaratën e ministrisë.

    Sulmi vjen pasi Teherani kishte paralajmëruar se do të godiste infrastrukturën energjetike në të gjithë Gjirin, si përgjigje ndaj sulmit të përbashkët të Shtetet e Bashkuara dhe Izrael ndaj impianteve të tij të gazit.

    Sipas raportimeve, impiantet e Ras Laffan për gaz natyror të lëngshëm (GNL) ishin në proces evakuimi për shkak të kërcënimit iranian ndaj infrastrukturës energjetike të Gjirit.

    Katari ka ndërprerë plotësisht prodhimin e gazit natyror të lëngshëm për shkak të këtyre tensioneve, dhe çdo dëmtim i impianteve mund të zgjatë ndërprerjen e furnizimit përtej majit, duke kërcënuar që të marrë jashtë funksionit një të pestën e furnizimit global të GNL-së.

  • Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Gruda: Presim që dekreti i Osmanit të shpallet kushtetues, zgjedhjet brenda 45 ditëve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se pret që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të shpallë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të kushtetueshëm dhe të përcaktojë që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

    Gruda në Debat Plus ka shtuar se Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar të drejtën për të zgjedhur presidentin dhe se çdo interpretim tjetër, si ai i afatit 60-ditor, nuk është i vlefshëm.

    “Ne presim që dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të shpallet kushtetues, dhe Gjykata Kushtetuese të përcaktojë që duhet të shpallen zgjedhjet e reja dhe se duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Kjo sepse kështu është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar ai.

    Ai ka theksuar se Kuvendi duhet të kishte zgjedhur presidentin 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.

    “Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar drejtën e vet për me zgjedh një president. Dhe asnjë interpretim obstruktiv që i bëhet Kushtetutës sikur qenkan edhe 60 ditë tjera nuk mendoj që është i vlefshëm. Kuvendi i Kosovës është dashur me zgjedh presidentin 30 ditë para se t’i përfundojë presidentit ekzistues mandati”, ka deklaruar Gruda në Debat Plus.

    Gruda ka theksuar se afati 30-ditor në Kushtetutë është për një qëllim tjetër, ndërsa afati 60-ditor shërben për një qëllim tjetër.

  • Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Kurti thërret kabinetin qeveritar në mbledhje nesër

    Zyra për Media e Kryeministrisë ka njoftuar se nesër do të mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të nis të enjten në orën 11:00.

    Në njoftimin për media nuk janë bërë të ditura pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.

  • Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Izraeli thotë se më shumë se 200 objektiva janë goditur sot në Iran

    Forcat Mbrojtëse Izraelite thonë se avionët e tyre luftarakë kanë goditur më shumë se 200 objektiva në Iranin perëndimor dhe qendror gjatë ditës së fundit.

    Objektivat përfshijnë vende të përdorura për të ruajtur dhe lëshuar raketa balistike, sisteme mbrojtjeje ajrore, lëshues raketash balistike dhe vende prodhimi armësh, thotë IDF, ka raportuar BBC.