ATV

Category: Lajme

  • Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House

    Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House

    Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.

    Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.

    Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.

    Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor, shkruan Evropa e Lirë.

    “Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.

    Në raportin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej se kishte shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.

    Si renditen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

    Nga vendet e rajonit, Serbia qëndron më së keqi, pasi vlerësohet me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.

    Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti, me 69 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.

    Edhe Shqipëria shënoi përparim për një pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

    Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.

    Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.

    Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.

    Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.

    Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.

    Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni gëzuan përmirësimet më të mëdha.

    Tri vende – Bolivia, Fixhi dhe Malaui – u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të Lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.

  • Apeli ia ul dënimin në 13 vjet burgim të akuzuarit për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë

    Apeli ia ul dënimin në 13 vjet burgim të akuzuarit për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë

    Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Zhivojin Neshiq, duke ia ulur dënimin nga 15 në 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Neshiqin dhe e kishte dënuar me 15 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”

    “APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Zhivojin Neshic dhe NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtine – Departamenti Special, PS.nr.71/2024 i datës 17.06.2025, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin Zhivojin Neshic për veprën penale për të cilën është shpall fajtor i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) viteve”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 17 mars 2026.

    Apeli e ka hudhur si të palejuar ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Makifete Saliuka e paraqitur kundër aktgjykimit të Themelores. Po ashtu, pjesa tjetër e ankesës së mbrojtësi i të akuzuarit Neshiq, avokatit Millosh Deleviq u refuzua si e pabazuar, ndërsa pjesa tjetër të aktgjykimit mbetet e pandryshuar.

    Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishet paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Neshiq, avokati Millosh Deleviq për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal. Ka propozuar që Apeli ta lirojë të akuzuarin në mungesë të provave apo lëndën ta kthejë në rigjykim.

    Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Makifete Saliuka, ka parashtruar ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të Ligjit Penal lidhur me sanksionin penal, duke propozuar të ndyshohet aktgjykimi i Themelores në pjesën që ka të bëjë me shqiptimin e dënimit dhe që ta dënojë Neshiqin me 20 vjet burgim.

    Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e avokatiit Deleviq të refuzohet si e pabazuar, ndërsa të aprovohet ankesa e avokates Saliuka dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim prej 20 vitesh.

    Sipas pretendimeve ankimore të avokatit Deleviq, gjykata e shkallës së parë nuk i vlerësoi siç duhet të gjitha faktet vendimtare të këtij rasti. Sipas mbrojtjes, Themelorja ka pranuar versionin e mëvonshëm të deklarimit të viktimës, duke ndryshuar kualifikimin ligjor të veprës penale nga tentativa në vepër penale të përfunduar, pa dëshmi mjekësore apo prova tjera objektive.

    Po ashtu, mbrojtja kishte pretendenduar se gjykata e shkallës së parë ka shkel Ligjin Penal, pasi që nuk ka individualizim të veprimeve të të pandehurit dhe as prova të cilat vërtetojnë dashjen e tij, dhe se vetëm prania e tij në uniformë dhe rrethanat e përgjithshme të konfliktit nuk janë të mjaftueshme.

    Në ankesën e mbrojtjes janë theksuar edhe pretendimet për shkeljet esenciale të procedurës, në mungesë të arsyeve të qarta dhe të plota mbi faktet vendimtare, identifikimet e kryera pa praninë e mbrojtjes, kontradikta në deklaratat e dëshmitarëve dhe mungesës së provave objektive për inkriminim të të pandehurit, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

    Në pretendimet ankimore të saj, avokatja Makifete Saliuka ka konsideruar se dënimi është tejet i butë dhe nuk përkon me peshën e veprës penale, pasojat dhe dëmin e shkaktuar.

    Cilat janë gjetjet e Apelit?

    Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit, janë të pabazuara pretendimet e avokatit Deleviq se dispozitivi i aktakuzës dhe aktgjykimit është i paqartë, bie ndesh me arsyetimin, mungojnë arsyet mbi faktet vendimtare, si dhe se arsyet janë kontradiktore apo të vlerësuara gabimisht, veçanërisht në raport me shkeljet procedurale.

    Kolegji i kësaj Gjykate ka vlerësuar se dispozitivi përmban përshkrim të mjaftueshëm të elementeve faktike dhe juridike të veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, dhe se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë është mbështetur në prova dhe dëshmi që inkriminojnë veprimet e të akuzuarit.

    Tutje, pretendimet e mbrojtjes se deklaratat e dëshmitarëve dhe procedura e identifikimit janë realizuar pa praninë e mbrojtësit, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara.

    Mbrojtja në pretendimet ankimore ndaj aktgjykimit të Themelores ka pretrenduar se deklarimet e viktimës në periudha të ndryshme kohore përmbajnë kundërthënie thelbësore. Por, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se dëshmia e dëshmitares – të dëmtuarës D1., karakterizohet nga qartësia, pasi faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e zhvillimit dhe logjikën jetësore të ngjarjes. Andaj, këto pretendime nuk qëndrojnë.

    Gjithashtu, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtjes se identifikimi i të akuzuarit nga ana e viktimës dhe dëshmitarëve është i pasigurt dhe i pambështetur në prova të mjaftueshme.

    “Nga analiza kronologjike e provave të administruara në këtë çështje rezulton se identiteti i të pandehurit është përmendur dhe konfirmuar në mënyrë konsistente gjatë gjithë fazave të procedurës”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Po ashtu, edhe pretendimi për kontradiktë në deklarimet e viktimës lidhur me tentativën apo dhunimin e përfunduar, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se nuk qëndron. Kurse për mungesë dëshmish mjekësore, Apeli ka vlerësuar se nuk është rrethanë që përjashton vërtetimin e veprës penale.

    “Gjykata e Apelit thekson se mungesa e provave mjekësore nuk përbën rrethanë që përjashton mundësinë e vërtetimit të veprës penale të dhunimit gjatë konfliktit të armatosur. Prandaj, marrë parasysh të lartcekurat, Gjykata e Apelit konstaton se nuk ekziston asnjë mangësi në vërtetimin e gjendjes faktike dhe asnjë rrethanë që do të krijonte dyshim të arsyeshëm mbi përfundimet e gjykatës së shkallës së parë, për çka pretendimet ankimore të mbrojtjes në këtë drejtim refuzohen në tërësi si të pabazuara”, thuhet në vendim.

    Të pabazuara, shkalla e dytë i gjen edhe pretendimet e mbrojtjes për shkelje të Ligjit Penal, dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, me të cilat pretendohet se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar elementet përbërëse të veprës penale dhe nuk ka individualizuar veprimet e të akuzuarit.

    “Nga këto rrethana faktike siç janë deklarimet e viktimës dhe dëshmitarëve tjerë vërtetohet se i pandehuri Zhivojin Neshiq ka qenë pjesëtar i forcave policore serbe”, ka theksuar Apeli.

    Sipas Apelit, nga rrethanat e vërtetuara ka rezultuar se i akuzuari ka vepruar me dashje dhe me vetëdije.

    “Në aspektin subjektiv, nga rrethanat e vërtetuara rezulton se i pandehuri Zhivojin Neshiq ka vepruar me dashje, duke qenë i vetëdijshëm për natyrën e veprimeve të tij dhe për pasojat e tyre ndaj një personi civil të pambrojtur”, thuhet ne këtë aktgjykim.

    Rrjedhimisht, sipas këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt Ligjin Penal dhe se në rastin konkret janë vërtetuar të gjitha elementet përbërëse të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    “Gjykata e Apelit konstaton se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, ka bërë vlerësim të drejtë dhe të gjithanshëm të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe ka zbatuar drejt ligjin penal”, vlerëson Apeli.

    Ndërsa, sa i përket vendimit mbi dënimin, Apeli thekson se mbrojtja e të akuzuarit në ankesë nuk ka paraqitur pretendime të drejtpërdrejta lidhur me lartësinë e dënimit të shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, por ka kërkuar lirimin e të pandehurit nga dënimi duke kontestuar fajësinë e tij, përkatësisht duke pretenduar vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal.

    “Gjykata e Apelit e konsideron të drejtë këtë vlerësim të gjykatës së shkallës së parë, duke pasur parasysh se veprat e dhunës seksuale gjatë konfliktit të armatosur përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe cenim serioz të integritetit fizik dhe psikologjik të viktimave. Rrethanat konkrete të kryerjes së veprës, mënyra e ushtrimit të dhunës dhe pozita e viktimës si person civil i pambrojtur gjatë konfliktit të armatosur, përbëjnë elemente që e rrisin shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Në vendimin e Apelit thuhet se në procesin e individualizimit të dënimit, kjo gjykatë mori parasysh edhe rrethanat që lidhen me personalitetin dhe sjelljen e të pandehurit, përfshirë edhe sjelljen e tij pas kryerjes së veprës penale, dhe në këto rrethana ka vlerësuar edhe kohëzgjatjen e dënimit me burgim.

    Sipas Apelit, nga shkresat e lëndës nuk rezulton se i akuzuari pas kryerjes së veprës penale ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprave të tjera penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme.

    “Gjykata e Apelit vlerëson se një dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite është proporcional me shkallën e fajësisë së të pandehurit, me rrethanat konkrete të kryerjes së veprës penale dhe me nevojën për të shprehur dënimin shoqëror ndaj veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhet në vendim.

    Kurse, për ankesën e përfaqësueses së palës së dëmtuar, Apeli gjeti se ankesa nuk është e lejuar dhe si të tillë e hudhi poshtë.

    “…ankesa e palës së dëmtuar në rastin konkret është e palejuar, ngase vepra penale për të cilën është dënuar i akuzuari, nuk hyn në kategorinë e veprave penale për të cilat lejohet ankesa e të dëmtuarit, andaj edhe kolegji penal i kësaj gjykate këtë ankesë e hedhi poshtë si të palejuar”, vlerëson Apeli.

    Kolegji konstaton se nuk është bërë balancim i plotë i rrethanave individuale të rëndësishme për individualizimin e dënimit, veçanërisht në raport me rolin konkret dhe shkallën individuale të përgjegjësisë së të pandehurit, andaj ndryshoi aktgjykimin vetëm në pjesën e dënimit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 qershor 2025 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Zhivojin Neshiqit, duke e dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, saktësisht për dhunim seksual ndaj një viktime.

    Gjykimi ndaj të akuzuarit kishte filluar më 11 shtator 2024, e i cili gjykim nga shkalla e parë ishte mbajtur i mbyllur për publikun, me qëllim të ruajtjes së informacioneve dhe jetës personale të të dëmtuarës.

    Ndryshe, në fillim të seancës fillestare më 11 shtator 2024, gjykatësja Violeta Namani-Hajra kishte bërë të ditur se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 26 gusht 2024, Zhivojin Nesiq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal Jogosllav, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143 paragrafi 1, nën paragrafi 1.6 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Janari shënon rritje të fluturimeve dhe rekord udhëtarësh në Kosovë

    Janari shënon rritje të fluturimeve dhe rekord udhëtarësh në Kosovë

    Transporti ajror në Kosovë e ka nisur vitin 2026 me një rritje të dukshme si në numrin e fluturimeve ashtu edhe në atë të udhëtarëve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Gjatë muajit janar 2026 janë realizuar gjithsej 1,158 fluturime, duke shënuar një rritje prej 1.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Në të njëjtën periudhë, numri total i udhëtarëve arriti në 358,930, që përfaqëson një rritje prej 4.5% në krahasim me janarin e vitit 2025.

    Nga ky total, 156,945 udhëtarë ishin në ardhje, me një rritje prej 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ndërsa numri i udhëtarëve në shkuarje arriti në 201,985, duke shënuar një rritje më të theksuar prej 7.0%.

  • S’iu përgjigj thirrjeve të familjarëve, gjendet i vdekur një 81-vjeçar në Prizren

    S’iu përgjigj thirrjeve të familjarëve, gjendet i vdekur një 81-vjeçar në Prizren

    Një 81-vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën “Selajdin Berisha” në Prizren.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Ai tha se i ndjeri nuk iu ishte përgjigjur thirrjeve të familjarëve, çka dhe i alarmoi ata.

    “Patrulla policore i është përgjigjur rastit dhe në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me një familjar, i cili ka raportuar rastin. Meqenëse dera e shtëpisë ishte e mbyllur dhe nuk kishte asnjë përgjigje nga brenda, është përdorur forcë për hapjen e saj. Brenda objektit është gjetur viktima J.B., i lindur më 10.05.1944. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe ekipi i emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha Bytyqi.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe hetuesi kujdestar, ndërsa rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit dhe do të vazhdohet sipas udhëzimeve të tij.

  • Këto janë 10 vendet më të lumtura në botë, Kosova e 16-ta

    Këto janë 10 vendet më të lumtura në botë, Kosova e 16-ta

    Nëse lumturia do të ishte një garë olimpike, vendet nordike do të kishin garantuar të tri vendet në podium.

    Sipas edicionit më të fundit të World Happiness Report, tri vendet më të lumtura në botë janë: Finlanda, Islanda dhe Danimarka.

    Finlanda u shpall vendi më i lumtur në botë për herë të 9-të radhazi, me Islandën në vendin e dytë dhe Danimarkën në vendin e tretë, në renditjen që përpilohet nga Qendra për Kërkime mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit dhe përfshihet në raportin vjetor mbi lumturinë globale.

    Kosta Rika pati një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vendin e katërt — renditja më e lartë ndonjëherë për një vend nga Amerika Latine, por më pas renditja i kthehet sërish vendeve nordike, me Suedinë dhe Norvegjinë që zënë përkatësisht vendin e 5-të dhe të 6-të. Tri vende të tjera evropiane shfaqen në top 10: Holanda në vendin e 7-të, Luksemburgu në vendin e 9-të dhe Zvicra në vendin e 10-të.

    Izraeli, i vetmi vend nga Lindja e Mesme në top 20, zuri vendin e 8-të. Kosova renditet e 16-ta në listë, duke lënë pas vendet si Gjermania, Austria, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.

    SHBA-ja renditet në vendin e 23-të këtë vit, ndërsa Kanadaja në vendin e 25-të dhe Mbretëria e Bashkuar në vendin e 29-të. Ky është viti i dytë radhazi që asnjë nga vendet anglishtfolëse — SHBA-ja, Zelanda e Re, Irlanda, Australia, Kanadaja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk shfaqet në top 10.

    Për të përcaktuar renditjen, sondazhi global i Gallup-it u kërkon të anketuarve në 147 vende të vlerësojnë jetën e tyre duke përdorur imazhin e një shkalle, ku jeta më e mirë e mundshme është 10 dhe më e keqja është 0. Çdo i anketuar jep një përgjigje numerike në këtë shkallë, e njohur si Shkalla Cantril.

    Studiuesit marrin në konsideratë gjashtë faktorë, përfshirë PBB-në për frymë, jetëgjatësinë, bujarinë dhe perceptimet për lirinë dhe korrupsionin, për të shpjeguar dallimet midis vendeve.

    Këto janë dhjetë vendet më të lumtura në botë:

    1. Finlanda
    2. Islanda
    3. Danimarka
    4. Kosta Rika
    5. Suedia
    6. Norvegjia
    7. Holanda
    8. Izraeli
    9. Luksemburgu
    10. Zvicra

  • Arabia Saudite paralajmëron Iranin: Durimi nuk është i pakufizuar

    Arabia Saudite paralajmëron Iranin: Durimi nuk është i pakufizuar

    Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, ka paralajmëruar Iranin se durimi i vendeve të Gjirit ndaj sulmeve të tij nuk është i pakufizuar, duke kërkuar nga Teherani të rishqyrtojë menjëherë strategjinë.

    Ai deklaroi se Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë kapacitete të konsiderueshme për t’iu përgjigjur, nëse vendosin të ndërmarrin veprime mbrojtëse.

    Sipas tij, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajon janë të planifikuara dhe të mirë organizuara, duke hedhur poshtë pretendimet e Iranit se bëhet fjalë për reagime spontane.

    Paralajmërimi vjen pas sulmeve iraniane ndaj objekteve të gazit në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe tentativave për goditje në territorin saudit, të cilat u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.

    Rijadi theksoi se, edhe pse konflikti mund të përfundojë, rivendosja e besimit me Iranin do të jetë e vështirë dhe afatgjatë.

  • Shërbimet inteligjente amerikane: Kina nuk pritet të pushtojë Tajvanin në vitin 2027

    Shërbimet inteligjente amerikane: Kina nuk pritet të pushtojë Tajvanin në vitin 2027

    Agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Kina nuk ka plane për të pushtuar Tajvanin në vitin 2027, pavarësisht se vazhdon ta konsiderojë bashkimin si objektiv strategjik.

    Në raportin vjetor të kërcënimeve për vitin 2026, thuhet se Pekini nuk ka një afat të përcaktuar për bashkimin dhe preferon ta arrijë atë pa përdorim force, nëse është e mundur.

    Megjithatë, dokumenti thekson se Kina po forcon gradualisht kapacitetet ushtarake dhe po shton aktivitetet rreth Tajvanit, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve në të ardhmen, në varësi të faktorëve politikë dhe ushtarakë.

    Raporti paralajmëron se një konflikt do të kishte pasoja të rënda globale, për shkak të rolit kyç të Tajvanit në prodhimin e çipave dhe rëndësisë së Ngushticës së Tajvanit për tregtinë botërore.

    Ekspertët theksojnë se rreziku mund të rritet në dekadën e viteve 2030, ndërsa Kina synon bashkimin deri në vitin 2049.

  • Kosova rikthehet në agjendën e BE-së, lirohen 205 milionë euro

    Kosova rikthehet në agjendën e BE-së, lirohen 205 milionë euro

    Komisioni Evropian ka konfirmuar zyrtarisht heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për rifillimin e plotë të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.

    Konfirmimi u bë gjatë një debati në Parlamenti Evropian, ku përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, deklaroi se tashmë janë liruar të gjitha fondet që më parë ishin të bllokuara.

    Ai theksoi se ky vendim shënon një hap drejt riangazhimit të plotë të BE-së me institucionet e Kosovës, me synimin për ta rikthyer vendin në rrugën e integrimit evropian.

    Ndërkohë, një zëdhënës i Komisioni Evropian bëri të ditur se, pas përfundimit të procedurave të brendshme, është miratuar lirimi i rreth 205 milionë eurove ndihmë financiare.

    Këto fonde përfshijnë rreth 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte të financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

    Sipas zyrtarëve evropianë, në vijim pritet një intensifikim i bashkëpunimit mes Bashkimi Evropian dhe institucioneve të Kosovës, ndërsa theksohet se Prishtina zyrtare duhet të përshpejtojë reformat dhe të përmbushë obligimet që lidhen me procesin e integrimit, përfshirë edhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe progresin në zbatimin e reformave. /Telegrafi

  • Mbetet e bllokuar rruga Pejë-Kullë-Rozhajë, QKMK del me njoftim

    Mbetet e bllokuar rruga Pejë-Kullë-Rozhajë, QKMK del me njoftim

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se rruga Pejë-Kullë-Rozhajë mbetet e mbyllur për qarkullim.

    “Ju njoftojmë se rruga Pejë- PKK Kullë-Rozhajë dhe anasjelltas ende mbetet e mbyllur për të gjitha llojet e automjeteve. Për çdo risi do t’u njoftojmë me kohë” thuhet në njoftimin e QKMK-së.

    Ky segment rrugor u bllokua për qarkullim paraditën e djeshme, për shkak të reshjeve të borës.

    Pikërisht në të njëjtën zonë, dje u bllokuan disa udhëtarë, përfshirë dhe një familje 5-aëtarëshe.

    Për evakuimin e këtyre të fundit u angazhua Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor.

  • Alarmohen autoritetet në SHBA, dron mbi bazat ku qëndron Rubio dhe Hegseth

    Alarmohen autoritetet në SHBA, dron mbi bazat ku qëndron Rubio dhe Hegseth

    Shqetësimi u ngrit në Uashington pasi dronë me origjinë të panjohur u panë mbi një bazë ushtarake ku banojnë zyrtarë të lartë qeveritarë.

    Prania e këtyre dronëve ka ngritur alarmin dhe ka çuar në rritjen e masave të sigurisë, ndërsa autoritetet përpiqen të sqarojnë origjinën e tyre.

    Sipas një raporti të Washington Post , zyrtarët amerikanë kanë vëzhguar vazhdimisht dronë që fluturojnë mbi Fort McNair, një bazë ushtarake në Uashington ku ndodhen Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Origjina e dronëve mbetet e panjohur, gjë që ka alarmuar agjencitë përkatëse dhe ka çuar në rritjen e mbikëqyrjes së zonës.

    Fort McNair, ku ndodhen Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare dhe zyrtarët e lartë të Pentagonit, është një vendndodhje kritike sigurie. Edhe pse më parë nuk është përdorur për të strehuar udhëheqës politikë, disa zyrtarë të administratës Trump janë zhvendosur atje për shkak të shqetësimeve të shtuara për sigurinë e tyre. Shfaqja e përsëritur e dronëve natën gjatë dhjetë ditëve të fundit ka çuar në rritjen e masave të sigurisë dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë për të përcaktuar përgjigjen.

    Një zyrtar i lartë qeveritar konfirmoi nivelin e lartë të gatishmërisë, veçanërisht në dritën e sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, të cilat po krijojnë një mjedis të tensionuar sigurie. Ekspertët vërejnë se Fort McNair nuk ka të njëjtin nivel mbrojtjeje si instalimet e tjera ushtarake në rajon, gjë që shton shqetësimet në lidhje me sigurinë e zyrtarëve të lartë që banojnë atje.

    Autoritetet amerikane vazhdojnë të hetojnë origjinën e dronëve dhe të forcojnë masat e mbikëqyrjes përreth Fort McNair.