ATV

Category: Lajme

  • Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Rritet edhe për disa centë çmimi i naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 72 centë, apo 3 centë më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 51 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

     

  • Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë pranë një zone të pyllëzuar në Suharekë, Policia gjen gëzhoja

    Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar mbrëmjen e së premtes banorët në Suharekë, duke bërë që në vendin e ngjarjes të dalin njësitë e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.

    Rasti është raportuar rreth orës 19:30, në rrugën “Milaim Bajrami”, pasi një qytetar njoftoi se kishte dëgjuar të shtëna nga një zonë e mbuluar me lisa, ku nuk ishte e mundur të identifikoheshin personat e përfshirë.

    Pas daljes në terren, patrullat policore nuk kanë hasur në asnjë person të dyshuar.

    Megjithatë, gjatë kontrollit të lokacionit, njësia e Krimteknikës ka gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja të një arme të shkurtër, me kalibër ende të panjohur.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin e personit apo personave që dyshohet se kanë shtënë me armë.

  • Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Katër persona kapen duke hyrë ilegalisht në Kosovë – dy nga Maqedonia e Veriut, dy nga Serbia

    Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin 24 orësh se katër persona janë kapur duke hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Sipas raportit policor, dy janë nga Maqedonia e Veriut, ndërkaq dy nga Serbia.

    Raporti i plotë:

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:30. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarën e mitur femër shtetase e Maqedonisë së Veriut e cila në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit.

    Hani i Elezit 24.07.2026 – 16:45. Njësiti policor ka ndaluar të dyshuarin e mitur mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili në mënyrë ilegale këmbë nga fshati Bllacë i RMV-së ka hyrë në territorin e Kosovës – Hani i Elezit. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Rr. Stublinë, Dobërqan 24.07.2026 – 10:10. Policia ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, gjatë kontrollimit të dokumentacionit është kuptuar që e dyshuara vozitësja e veturës femër shtetase e Serbisë së bashku me pasagjeren femër shtetase e Serbisë me veturë përmes rrugëve dytësore, jashtë vendkalimit kufitar, në mënyrë ilegale nga territori i Serbisë kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në procedurë të shpejtë para gjykatës.

  • Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Sonte meçi Joshua-Prenga: A do të shkruaj histori boksieri shqiptar?

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të përballet sonte me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite do të hyjë në ring kundër ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

    Meçi mes Joshuas dhe Prengës është pjesë e një mbrëmjeje të madhe boksi, ku do të zhvillohen edhe dy përballje për tituj botërorë. Dueli kryesor mes dy boksierëve të peshave të rënda pritet të nisë rreth orës 00:00 pas mesnate sipas kohës së Kosovës, megjithëse orari mund të ndryshojë në varësi të përfundimit të meçeve paraprake.

    Anthony Joshua, 36-vjeçar, ka një karrierë të jashtëzakonshme në boksin profesionist. Britaniku ka qenë kampion bote në kategorinë e peshave të rënda dhe gjatë karrierës së tij ka zhvilluar duele me emra të mëdhenj të këtij sporti. Ai ka një bilanc prej 28 fitoresh dhe 4 humbjesh, me shumicën e fitoreve të ardhura me nokaut.

    Joshua në ringun e fundit u paraqit në dhjetor, kur mposhti Jake Paulin me nokaut teknik në raundin e gjashtë në Miami.

    Përballë tij do të jetë Kristian Prenga, 35-vjeçari shqiptar i cili njihet për fuqinë e goditjeve dhe stilin agresiv të boksimit. Prenga ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në kategorinë e peshave të rënda dhe synon që përmes kësaj përballjeje të fitojë një vend në mesin e emrave më të njohur të këtij divizioni.

    Megjithatë, përballja me Joshuan do të jetë testi më i madh për boksierin shqiptar, pasi britaniku ka përvojë të madhe në duele të nivelit më të lartë.

    Kjo sfidë shihet edhe si një hap përgatitor për Joshuan para një superdueli të mundshëm me bashkëkombësin e tij, Tyson Fury.

    Nëse Prenga arrin ta mposhtë Joshuan, fitorja do të ishte një nga befasitë më të mëdha në boksin e peshave të rënda dhe një moment historik për boksin shqiptar.

    Në të njëjtën mbrëmje do të zhvillohen edhe meçe të tjera, përfshirë mbrojtjen e titullit WBO në peshat super të mesme nga britaniku Hamzah Sheeraz ndaj gjermanit Simon Zachenhuber, si dhe duelin për titullin IBF në peshat e lehta-mesme mes Josh Kelly dhe Caoimhin Agyarko.

  • Valdete Daka: Për të shmangur zgjedhjet e reja, Kurti duhet t’ia ofrojë pozitën e presidentit opozitës

    Valdete Daka: Për të shmangur zgjedhjet e reja, Kurti duhet t’ia ofrojë pozitën e presidentit opozitës

    Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka folur për situatën aktuale politike në vend dhe për përpjekjet e subjekteve politike për arritjen e një marrëveshjeje apo koalicioni.

    Daka ka deklaruar se, për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, duhet të bëjë kompromis politik.

    Sipas saj, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, duhet t’ia japë pozitën e presidentit opozitës, në mënyrë që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.

    “Në këtë rast kompromisin mund ta bëjë vetëm partia në pushtet. Opozita mundet me pritë çka po ofron partia që ka fituar zgjedhjet. Që të mos shkojë vendi në zgjedhje është që Albin Kurti t’ia japë presidentin opozitës. S’ka nevojë as për koalicion dhe të vazhdohet tutje”, ka thënë Daka në T7.

  • ATK nis aksion në sektorin e dasmave, paralajmëron kontrolle të shtuara

    ATK nis aksion në sektorin e dasmave, paralajmëron kontrolle të shtuara

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar veprimet operative në sektorin e shërbimeve që ofrohen në ahengje dhe dasma, me qëllim të rritjes së nivelit të zbatimit të obligimeve tatimore.

    Sipas njoftimit, kontrollet do të përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë sallat e dasmave dhe hotelet, kompanitë që ofrojnë shërbime catering, këngëtarët dhe grupet muzikore, DJ-të, videografët dhe fotografët, ofruesit e veshjeve ceremoniale, makeup artistët, hairstylistët, dekoruesit e ambienteve, organizatorët e eventeve, kompanitë për ndriçim dhe efekte speciale, shërbimet “Rent a Car”, ëmbëltoret që përgatisin torta dhe ëmbëlsira për dasma, si dhe luleshitësit.

    ATK u ka bërë thirrje qytetarëve dhe klientëve që kanë shfrytëzuar këto shërbime të bashkëpunojnë me institucionin në kuadër të këtyre veprimeve operative.

    Raportimi i rasteve të dyshuara për parregullsi mund të bëhet përmes platformës DENONCO https://crmm.atk-ks.org/sq/Public/WantToReport ose duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve të Administratës Tatimore të Kosovës në numrin 038 222 165.

  • Thellohet tragjedia në Fier, ndërron jetë në spital edhe ish-vjehrra e autorit Refit Buzi

    Thellohet tragjedia në Fier, ndërron jetë në spital edhe ish-vjehrra e autorit Refit Buzi

    Pas disa orësh në sallën e operacionit, Belere Plaka nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.

    Në orët e para të mëngjesit të së premtes, Nertil Buzi vrau pas një konflikti ish-vjehrrin e tij në fshatin Vidhisht, plagosi ish-vjehrrën dhe rrëmbeu ish të fejuarën e tij.

    Ekipet RENEA mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me Drejtorinë e Policisë së Fierit, nisën negociatat me Nertil Buzin, shkruan A2.

    Fillimisht, 35-vjeçari la të lirë ish të fejuarën dhe kërcënoi se do të vriste veten. Nëntë orë negociata nuk mjaftuan që Nertil Buzi të dorëzohej te autoritetet, duke u vetëvrarë me po të njëjtën armë që kreu krimin.

    Menjëherë pas ngjarjes reaguan edhe prindërit e Nertil Buzit, duke thënë se shkak i konfliktit ishin një shumë e konsiderueshme parash.

    Nertil Buzi dyshohet për të shkuar kriminale edhe në Londër, pasi në vitin 2022 u mbajt peng nga disa persona për 12 ditë, duke i kërkuar familjes Buzi shumën prej 400 mijë paund në këmbim të lirisë së tij.

  • KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    KEDS gjobitet me 65 mijë euro nga MINTI, 13 njehsorë elektrikë u gjetën me verifikim të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që kanë qenë në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh.

    MINTI ka bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

    Ky veprim, sipas ministrisë, vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

    MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë, që t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose përmes adresës elektronike [email protected].

  • Mbindërtimi pa leje rrënohet në Dardani, Rama: Ligji vlen për të gjithë

    Mbindërtimi pa leje rrënohet në Dardani, Rama: Ligji vlen për të gjithë

    Një mbindërtim pa leje në lagjen Dardania të Prishtinës është rrënuar.

    Me këtë rast, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka theksuar se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

    Rama njoftoi për aksionin e rrënimit, duke e cilësuar atë si pjesë të përkushtimit të institucioneve për mbrojtjen e rendit urban dhe interesit publik.

    “Rrënohet mbindërtimi pa leje në Dardani. Ligji vlen për të gjithë”, ka shkruar Rama.

    Ai njëherësh ka falënderuar qytetarët që raportojnë raste të parregullsive, duke vlerësuar se angazhimi i tyre ndihmon në ruajtjen e rendit urban në Kryeqytet.

    “Faleminderit qytetarëve aktivë që vazhdojnë të raportojnë parregullsitë në Kryeqytet. Bashkë po mbrojmë rendin urban dhe interesin publik”, është shprehur Rama.

  • Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari – Lila: S’kemi vota për presidentin, kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje

    Mimoza Kusari -Lila, e cila me partinë e saj “Alternativa” është pjesë e koalicionit me LVV-në që fituan zgjedhjet e fundit, në EURO n’T7 ka thënë se shkuarja eventuale në zgjedhje prapë gjatë vitit 2026 nuk mund të prodhojë rezultat ndryshe nga ai që kishim në zgjedhjet e fundit.

    Ajo ka deklaruar se çështja e presidentit mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

    “Ne i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë dhe Kuvendin, por nuk i kemi votat për zgjedhjen e presidentit. Për me zgjedh presidentin nevojiten 80 vota të paktën dhe të jenë në tri raundet e votimit prezent në sallë dhe të jenë 80 vota në kuti. Kjo është pika ose momenti që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje ose edhe mund ta shpëtojë vendin edhe nga një palë zgjedhje gjatë vitit 2026. Nuk e kemi interesin aspak për zgjedhje të reja, sepse po e shohim që cikël pas cikli zgjedhor nuk po prodhohet diçka e re, po lëvizin dy-tre deputetë në numra të përgjithshëm. P.sh. PDK-ja nuk ka ndryshuar fare në numrin e deputetëve, ne kemi humbur 5 deputetë, por nuk ka pasur diçka që të ndërrojë dramatikisht situatën në vend. LDK-ja i fitoi 3 deputetë, nuk ka ndryshim dramatik, ata prapë mbeten në vendin e tretë, aty ku ishin edhe para këtij procesi zgjedhor”, ka thënë Kusari Lila.