ATV

Category: Lajme

  • 39 aksidente rrugore e mbi 1600 gjoba brenda 24-orëve

    39 aksidente rrugore e mbi 1600 gjoba brenda 24-orëve

    Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh ka bërë të ditur se në vendin tonë janë regjistruar 39 aksidente rrugore ku prej tyre 10 me të lënduar, 1 me fatalitet dhe 27 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 1654 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të trafikut rrugor.

    21 persona janë arrestuar dhe 9 janë dërguar në mbajtje.

  • Në 27-vjetorin e vrasjes, LDK përkujton Berishën dhe Hajrizin: Dhanë gjithçka për Kosovën

    Në 27-vjetorin e vrasjes, LDK përkujton Berishën dhe Hajrizin: Dhanë gjithçka për Kosovën

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot, në 27-vjetorin e vrasjes përkujtoi veprimtarët Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.

    Përmes një postimi, Abdixhiku tha se sot nderohen veprimtarët e shquar të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    “Latif Berisha ishte një figurë e shquar që përfshinte një mozaik të pasur angazhimesh si poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i palodhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kontributi i tij në arsimin në gjuhën shqipe në Kosovë është një pasuri e pazëvendësueshme dhe do të mbetet një shembull frymëzues për shumë gjenerata”.

    “Agim Hajrizi ishte një sindikalist i guximshëm, i palëkundur dhe atdhetar i përkushtuar, i cili në kohët më të vështira për vendin u vu në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe të popullit të Kosovës. Si Kryesues i Sindikatës së Kuvendit të Kosovës, ai u bë zë i qëndresës qytetare dhe simbol i guximit. Në natën tragjike të 24 marsit, ai u ekzekutua bashkë me nënën dhe djalin e tij, Ilirin, në një akt mizor që tronditi mbarë vendin”, ka thënë i pari i LDK-së.

    Pos tjerash, ai shtoi se Latif Berisha dhe Agim Hajrizi do të mbeten gjithmonë në kujtesë si ndër figurat më të shquara, “të cilët dhanë gjithçka për Mitrovicën dhe për tërë Kosovën”.

    “Vepra dhe idealet e tyre vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot. Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi!”.

  • Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialist

    Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Socialist

    Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare, ish-deputeti, Hamit Kosta, një figurë e njohur e jetës politike dhe publike në zonën e Peqinit.

    Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë trishtim te familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe te të gjithë ata që e kanë njohur nga afër gjatë viteve të angazhimit të tij në politikë.

    Hamit Kosta, ka shërbyer si deputet i Partisë Socialiste, duke kontribuar në përfaqësimin e qytetarëve dhe në zhvillimin e zonës që përfaqësonte.

    Gjatë karrierës së tij, ai u vlerësua për përkushtimin, thjeshtësinë dhe lidhjen e fortë me komunitetin.

    Figura e tij mbetet e respektuar për kontributin në jetën publike dhe për rolin që luajti në vite në skenën politike lokale dhe kombëtare.

  • Ambasada Amerikane në Kosovë paralajmëron për rreziqe globale ndaj qytetarëve amerikanë: Situata kërkon vigjilencë të shtuar

    Ambasada Amerikane në Kosovë paralajmëron për rreziqe globale ndaj qytetarëve amerikanë: Situata kërkon vigjilencë të shtuar

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka ngritur alarmin për sigurinë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar.

    Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada ka përcjellë mesazhin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili lidhet me zhvillimet e fundit dhe tensionet globale.

    Në njoftim theksohet se amerikanët në mbarë botën duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë të publikuara nga ambasadat dhe konsullatat përkatëse.

    Po ashtu, paralajmërohet se situata e sigurisë mund të ndikojë edhe në udhëtime, përfshirë ndërprerje të mundshme të fluturimeve apo kufizime në hapësirën ajrore.

    Ambasada u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare dhe të respektojnë rekomandimet e autoriteteve, në mënyrë që të shmangen rreziqet e mundshme.

    “Kujdes në të Gjithë Botën: Departamenti i Shtetit këshillon amerikanët në të gjithë botën, dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme, të tregojnë kujdes të shtuar. Amerikanët jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet në alarmet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e SHBA-së. Mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimit. Objektet diplomatike të SHBA-së, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Grupet mbështetëse të Iranit mund të shënjestrojnë interesa të tjera të SHBA-së jashtë vendit ose vende të lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe/ose amerikanët në të gjithë botën”, thuhet në njoftim.

  • Sllovenia kufizon furnizimin me karburant mes rritjes së kërkesës

    Sllovenia kufizon furnizimin me karburant mes rritjes së kërkesës

    Sllovenia ka njoftuar masa të përkohshme për kufizimin e karburantit, për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës në pikat e furnizimit, e nxitur nga frika për mungesa si pasojë e luftës në Iran, raportojnë mediat e huaja.

    Qeveria sllovene vendosi që furnizimi të kufizohet në 50 litra në ditë për automjetet private dhe 200 litra për kompanitë dhe fermerët. Kryeministri Robert Golob deklaroi se në vend ka rezerva të mjaftueshme karburanti dhe nuk pritet mungesë, duke theksuar se depozitat janë të mbushura.

    Autoritetet njoftuan gjithashtu se ushtria do të ndihmojë në shpërndarjen e karburantit në pikat e furnizimit, për të garantuar furnizim të rregullt.

    Sipas kompanisë MOL Slovenia, gjatë dy javëve të fundit është regjistruar një rritje e pazakontë e kërkesës, e shkaktuar nga qytetarët që po krijojnë rezerva dhe nga rritja e fluksit të ashtuquajtur “turistë të karburantit” në kufi, të cilët furnizohen në Slloveni për shkak të çmimeve më të ulëta se në vendet fqinje.

  • Prokuroria për vrasjen e dyfishtë në Majac: Motivi ende i panjohur

    Prokuroria për vrasjen e dyfishtë në Majac: Motivi ende i panjohur

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë komunën e Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac, dy persona kanë humbur jetën.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, viktimat janë identifikuar me inicialet I.B. dhe M.G. Ndërkohë, e dyshuara për rastin ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet hetimore, së bashku me prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, për të ndërmarrë veprimet e para hetimore.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

    Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

    Sipas hetimeve preliminare, motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk është i njohur. Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po zhvillon hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

  • Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban

    Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban

    Sipas ushtrisë izraelite operacionet kundër Hezbollahut në Liban “sapo kanë filluar”. Ministri i Mbrojtjes, Katz, madje bën krahasime me Gazën. Presidenti libanez, Aoun, është i alarmuar.

    Që nga fillimi i luftës me Iranin është përshkallëzuar ndjeshëm edhe konflikti midis Izraelit dhe milicisë Hezbollah, të financuar nga Irani. Hezbollahu vazhdon të qëllojë me raketa nga Libani drejt Izraelit, ndërsa ushtria izraelite është përgjigjur me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore. Tani Izraeli synon ta zgjerojë më tej këtë ofensivë. “Operacioni kundër organizatës terroriste Hezbollah sapo ka filluar”, deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ejal Zamir. Ai theksoi se bëhet fjalë për një “operacion afatgjatë” dhe se ushtria po përgatitet të forcojë sulmet tokësore dhe goditjet sipas një plani të përcaktuar.

    Zamir shtoi se Izraeli ka arritur tashmë “suksese të rëndësishme” javët e fundit: janë goditur më shumë se 2.000 objektiva, janë shkatërruar dhjetëra depo armësh dhe janë vrarë qindra luftëtarë. Ai theksoi: “Nuk do të ndalemi derisa kërcënimi nga kufiri të zhduket dhe të garantohet siguri afatgjatë për banorët e veriut të Izraelit.”

    Shkatërrimi i urave

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ushtria është urdhëruar të “shkatërrojë menjëherë të gjitha urat mbi lumin Litani, të cilat përdoren për aktivitete terroriste”. Qëllimi është të izolohet jugu i Libanitnga pjesa tjetër e vendit dhe të pengohet Hezbollahu të transportojë përforcime dhe armë. Vetëm pak orë pas kësaj deklarate ushtria izraelite shkatërroi një urë të rëndësishme që lidhte jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit.

    Lumi Litani prej kohësh në fokus

    Lumi Litani ka rëndësi të veçantë në përpjekjet e Izraelit për të dobësuar Hezbollahun. Ai ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin. Qeveria libaneze kishte urdhëruar ushtrinë që deri në fund të vitit 2025 të shkatërronte infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të këtij lumi dhe më pas ta çarmatoste milicinë në gjithë vendin. Sipas Izraelit, kjo nuk është zbatuar në mënyrë të mjaftueshme, prandaj edhe sulmet janë intensifikuar.

    Paralajmërim për “përshkallëzim të rrezikshëm”

    Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, reagoi i alarmuar ndaj valës së re të sulmeve izraelite. Ai i quajti sulmet ndaj urave një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “paralajmërim për një pushtim nga toka”. Aoun dënoi “shkatërrimin e infrastrukturës dhe të objekteve me rëndësi jetike në jug të Libanit” dhe i cilësoi sulmet izraelite si “shkelje flagrante të sovranitetit të Libanit.” /DW

  • Ngjarja e rëndë në Podujevë, familja njofton për vdekjen e Ilaz Brahimit

    Ngjarja e rëndë në Podujevë, familja njofton për vdekjen e Ilaz Brahimit

    Ilaz Brahimi është personi që humbi jetën në ngjarjen tragjike të mbrëmshme në Podujevë.

    Familja ka bërë të ditur vdekjen e tij, duke shtuar se më vonë do të njoftohet edhe koha e varrimit.

    “Të Allahu jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë ndërroi jetë vëllau ynë ILAZ (BAJRAM) BRAHIMI. Lusim Allahun ta ketë marrë në mëshirën e Tij! Sa i përket kohës së varrimit, do t’ju njoftojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e familjes.

  • Kërcënoi dëshmitarin në rastin “Brezovica”, ndalohet i dyshuari

    Kërcënoi dëshmitarin në rastin “Brezovica”, ndalohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuarin R.K, komuna e Skenderajt, pasi i njëjti dyshohet se ka kërcënuar dëshmitarin bashkëpunues në rastin “Brezovica”.

    Në njoftim thuhet se ai dyshohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria njoftoi se ka kanosur seriozisht dëshmitarin se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë”.

    “I pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë”, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë”.

    “Po ashtu, vlen të theksohet se personi i ndaluar R.K., ka qenë i pandehur edhe në rastin “Brezovica. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Gjenden mjete të pashpërthyera në Selishtë të Gjilanit

    Gjenden mjete të pashpërthyera në Selishtë të Gjilanit

    Një person ka hasur mjete të pashpërthyera gjatë gërmimeve në Selishtë të Gjilanit.

    Policia ka bërë të ditur se pasi janë marrë masat për të siguruar vendin njësiti për deminim i EOD-së dhe KFOR-it kanë bërë tërheqjen e mjeteve në mënyrë të sigurt dhe pa ndonjë incident.

    “Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë duke punuar gjatë gërmimeve kishte hasur në disa mjete të dyshuara të pashpërthyera. Njësitë relevante policore kanë siguruar vendin e ngjarjes derisa njësiti për deminim i EOD-së dhe KFOR-it kanë bërë tërheqjen e mjeteve në mënyrë të sigurt dhe pa ndonjë incident”, thuhet në raportin 24-orësh.