ATV

Category: Lajme

  • Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar se do të vendosë mina për të bllokuar të gjithë Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e Iranit sulmohen, raportuan mediat shtetërore të hënën, shkruan CNN.

    “E vetmja mënyrë për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit për vendet jo-belligerente është koordinimi me Iranin”, thuhet në deklaratën e këtij organi të lartë të sigurisë, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare Fars News.

    “Çdo përpjekje e armikut për t’i sulmuar brigjet ose ishujt iranianë” do të çojë në “minimin me lloje të ndryshme minash detare të të gjitha rrugëve të hyrjes dhe linjave të komunikimit në Gjirin Persik dhe përgjatë brigjeve”, thuhet se ka deklaruar Këshilli i Mbrojtjes.

    “I gjithë Gjiri Persik do të bllokohet në mënyrë efektive, dhe përgjegjësia për këtë do t’i takojë kërcënuesit”, shtohet më tej.

    Ky paralajmërim vjen pasi ushtria iraniane deklaroi se do ta mbyllte Ngushticën e Hormuzit dhe do ta sulmonte infrastrukturën rajonale nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizon kërcënimin për t’i bombarduar centralet e saj energjetike nëse kjo rrugë ujore kyçe nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.

  • Trump: ShBA-Iran kanë zhvilluar bisedime këto dy ditë, kam vendosur të shtyjë sulmet kundër termocentraleve iraniane

    Trump: ShBA-Iran kanë zhvilluar bisedime këto dy ditë, kam vendosur të shtyjë sulmet kundër termocentraleve iraniane

    Donald Trump thotë se janë zhvilluar bisedime për një “zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive” me Iranin.

    Ai tha se ka pasur “bisedime produktive” lidhur me një zgjidhje të plotë të konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Gjithashtu, ai u shpreh se do të “shtyjë çdo sulm ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesëditore.

    Në një postim në Truth Social, ai shkroi:

    “Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme.

    Duke u bazuar në frymën dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje! Presidenti Donald J. Trump.”

  • Washington Post: Mojtaba Khamenei është i plagosur, i izoluar dhe nuk u përgjigjet mesazheve

    Washington Post: Mojtaba Khamenei është i plagosur, i izoluar dhe nuk u përgjigjet mesazheve

    Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “i plagosur, i izoluar dhe nuk reagon ndaj mesazheve”, thanë zyrtarë të sigurisë amerikane dhe izraelite për The Washington Post.

    Sipas zyrtarëve izraelitë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe disa klerikë kanë forcuar kontrollin e tyre mbi Iranin.

    Portali Axios raportoi të shtunën se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së, Mossadi i Izraelit dhe agjenci të tjera të inteligjencës po punojnë për të gjurmuar Khamenein, pasi ai ka mbetur “i padukshëm” që kur u shpall udhëheqësi i ri suprem pas vrasjes së babait të tij Ali Khamenei më 28 shkurt.

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegsett, deklaroi më 13 mars se Mojtaba Khamenei ishte “i plagosur dhe ndoshta i shpërfytyruar” .

    Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqësi i ri suprem i Iranit më 8 mars dhe nuk është shfaqur në publik që atëherë, dhe vetëm më 12 mars, katër ditë pas emërimit të tij, ai dërgoi një mesazh me shkrim përmes medias shtetërore iraniane duke njoftuar vazhdimin e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.

  • FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

    Forca e Sigurisë së Kosovës i është bashkuar shteteve partnere në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026”, i cili po realizohet në Gjermani.

    Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në këtë ushtrim, FSK-ja, me një skuadër transporti nga Komanda e Logjistikës, po realizon operacione duke qenë e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane.

    “Ky ushtrim ka në fokus zhvillimin e kapaciteteve në fushën e transportit dhe mbështetjes logjistike në klasat I, III dhe V. FSK-ja po operon me automjetet e saj logjistike, duke qenë plotësisht e integruar në strukturat e ushtrisë gjermane. Përmes këtij ushtrimi, pjesëtarët e Komandës së Logjistikës po realizojnë me sukses detyra të mbështetjes në transport, duke dëshmuar profesionalizëm dhe ndërveprueshmëri në mjedis ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

  • Konfirmohet turbekulozi te lopët

    Konfirmohet turbekulozi te lopët

    Në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë, është konfirmuar prania e sëmundjeve infektive te kafshët, konkretisht te lopët, që janë bruceloza dhe tuberkulozi.

    Fermeri Xhevxhet Ferizi, në një deklaratë për Radio Kosovën bëri të ditur se 12 krerë lopë, do të asgjësohen si pasojë e këtyre nsëmundjeve, ndërsa disa të tjera, tashmë kanë ngordhur.

    Rasti i parë i tuberkulozit te lopët është konfirmuar më 3 mars 2026 në fermën e Xhevxhet Ferizit, fermer në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë.

    Ferizi thotë se dëmet janë të mëdha dhe se biznesi i tyre familjar është goditur rëndë. Ai sqaron se fillimisht, ka dyshuar për sëmundjen pasi lopët kanë abortuar viçat, ndërsa diagnoza është konfirmuar me ndihmën e veterinerit.

    “Afër 60 krerë lopë i kam nga të cilat, 12 kanë dalë të sëmura. Nuk kam pajisje që vetë të kujdesem për to. Më kanë thënë të mos t’i lëshoj ne kullota. Edhe pse nuk kam ushqim për kafshë,sepse ushqimi është shtrenjtuar”, ka thënë Ferizi.

    Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Nerxhivane Ferizi, thotë se familja e saj ka jetuar kryesisht nga puna në këtë fermë dhe tani përballet me humbje të mëdha, duke shpresuar në mbështetje nga institucionet.

    “Normalisht, është humbje e madhe. Ne prej fermës jetojmë. E kemi biznes familjar. Jemi të brengosur shumë por shpresojmë që do të na ndihmojë qeveria”.

    Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Sadik Sadikheta, ka konfirmuar për Radio Kosovën se në Komunën e Vitisë, janë identifikuar disa ferma me raste të brucelozës dhe tuberkulozit te gjedhët, përkatësisht lopët qumështore.

    “Qëllimi i asgjësimit është ç’rrënjosja e sëmundjes dhe kompensimi i dëmit që u është shkaktuar. Ne si autoritet, fermerëve u kemi dhënë të gjitha këshillat dhe rekomandimet se si të veprojnë në këtë situatë”, ka thënë Sadikheta.

    Sadikheta u ka bërë thirrje fermerëve që të mos krijojnë panik, duke theksuar se sipas dispozitave ligjore, kafshët e infektuara do të asgjësohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, duke shtuar se “fermerët e prekur do të kompensohen për dëmet e shkaktuara”.

    Sipas legjislacionit në fuqi, asgjësimi i kafshëve të infektuara duhet të bëhet brenda një afati 30 ditësh nga konfirmimi i sëmundjes. Bruceloza është sëmundje ngjitëse që transmetohet përmes konsumimit të qumështit të papasterizuar, mishit të papjekur, apo kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara dhe sekrecionet e tyre.

  • Digjen disa ambulanca të një organizate hebraike në Londër, dyshohet për krim urrejtjeje antisemitike

    Digjen disa ambulanca të një organizate hebraike në Londër, dyshohet për krim urrejtjeje antisemitike

    Katër ambulanca të organizatës vullnetare hebraike Hatzola janë shkatërruar nga një zjarr i dyshuar si i qëllimshëm në zonën Golders Green, në veri të Londër, raporton The Guardian.

    Zjarri shpërtheu gjatë natës pranë një sinagoge, duke shkaktuar shpërthime të bombolave të oksigjenit dhe dëme në ndërtesat përreth. Dhjetëra zjarrfikës ndërhynë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa fatmirësisht nuk u raportuan persona të lënduar.

    Policia po e heton rastin si zjarrvënie të qëllimshme dhe krim të mundshëm urrejtjeje antisemitike. Sipas autoriteteve, dyshohet se tre persona janë përfshirë në incident dhe hetimet janë ende në zhvillim.

    Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin hebraik lokal dhe është dënuar nga zyrtarë të lartë britanikë, të cilët e kanë cilësuar si një sulm tronditës ndaj një shërbimi emergjent dhe ndaj vlerave të shoqërisë.

  • Ç’pasoja mund të ketë ultimatumi i Trumpit ndaj Iranit?

    Ç’pasoja mund të ketë ultimatumi i Trumpit ndaj Iranit?

    Konflikti për Ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohet më tej. Presidenti i SHBA-së, Trump, kërcënon me sulme ndaj impianteve energjetike të Iranit. Edhe Teherani kërcënon.

    Konflikti për Ngushticën e Hormuzitpo përshkallëzohet ndjeshëm. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë Iranit një ultimatum 48-orësh për të hapur këtë rrugë detare strategjike, duke kërcënuar se në të kundërt do të sulmojë termocentralet iraniane. Ngushtica e Hormuzit është një nyje kyçe për tregtinë botërore të naftës dhe të gazit, sepse përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë. Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ashpër.

    Irani mund ta bllokojë lehtësisht Ngushticën e Hormuzit

    Irani i ka kapacitet ushtarake për ta bllokuar relativisht lehtë Ngushticën e Hormuzit, gjë që tashmë ka ndikuar në uljen e trafikut detar dhe rritjen e tensioneve ndërkombëtare.

    Irani ka mundësi të shkaktojë dëme të mëdha me mjete relativisht të thjeshta. Sipas një raporti të “New York Times” shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine, e paralajmëroi Trumpin gjatë një takimi në Zyrën Ovale se edhe një ushtar i vetëm iranian mund t’u afrohet anijeve të transportit me një varkë me motor të shpejtë dhe t’i qëllojë me predhë ose të vendosë një minë.

    Objektiva të mundshëm të SHBA-së

    Trump ka deklaruar se do të fillojë me “termocentralin më të madh” në Iran, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ka gjasa që në shënjestër të jenë centralet me gaz, pasi rreth 80% e energjisë elektrike në Iran prodhohet nga gazi natyror. Ndër më të rëndësishmit është centrali në Damavand, pranë Teheranit, me kapacitet mbi 2.800 megavat, si dhe një tjetër në provincën Mazandaran, pranë Detit Kaspik, me kapacitet mbi 2.200 megavat .

    Një sulm i mundshëm amerikan ndaj këtyre objekteve do të kishte pasoja të rënda për popullsinë, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike, ujë si dhe funksionimin e ekonomisë.

    Si mund të kundërpërgjigjet Irani

    Irani ka paralajmëruar se nëse nisin sulmet do ta mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta rihapë derisa termocentralet e shkatërruara të rindërtohen. Gjithashtu Teherani ka kërcënuar edhe me sulme ndaj impianteve të shkripëzimit të ujit në vendet e Gjirit Persik, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm në këtë rajon.

    Këto impiante janë me rëndësi jetike, pasi vendet e Gjirit Persik kanë shumë pak burime natyrore uji të ëmbël dhe mbi 90% e ujit të pijshëm në disa vende si Katari dhe Bahreini sigurohet prej tyre impianteve të shkripëzimit. Sulmet ndaj tyre mund të rrezikojnë furnizimin me ujë për miliona njerëz dhe të dëmtojnë sektorë të rëndësishëm si industria kimike dhe qendrat e të dhënave.

    Dëmet afatgjata për rajonin

    Sipas analistëve, dëmtimi i një impianti të vetëm mund të kompensohet përkohësisht, por sulmet e koordinuara me raketa dhe dronë ndaj rrjeteve të shpërndarjes së ujit do të kishin pasoja shumë më të rënda. Përveç ndikimit praktik, i madh do të ishte edhe efekti psikologjik, dëmtimi i imazhit të sigurisë dhe të stabilitetit në rajon, i cili mund të largojë investitorët, turistët dhe partnerët ekonomikë.

    Në përgjithësi, përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit rrezikon të ketë pasoja serioze humanitare, ekonomike dhe gjeopolitike ndërkombëtare. /DW

  • Vdes në QKUK edhe e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës

    Vdes në QKUK edhe e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës

    Ka vdekur edhe Ardita Gashi, e dyshuara për vrasjen e dyfishtë mbrëmë në fshatin Majac të Pocujevës.

    “Sipas njoftimit nga Qendra Emergjente, po, edhe rasti 31-vjeçarja ka ndërruar jetë”, tha zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.

    31-vjeçarja, siç merr vesh Gazeta Express, dyshohet se pasi vrau I.B (45 vjeç) – i cili vdiq në vendin e ngjarjes – e plagosi edhe gruan e axhës së saj, M.G (75-vjeçare), e cila gjithashtu vdiq në QKUK si pasojë e plagëve të marra.

    Pasi qëlloi në drejtim të dy viktimave, Ardita Gashi dyshohet se e qëlloi edhe veten.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja si dhe “prova të tjera materiale relevante për rastin”.

    Prokuroria tha se po zhvillon hetime intensive dhe se “motivi i këtij rasti ende nuk është i njohur”.

  • Rritja e çmimeve të karburanteve, Greqia shpall paketën 300 milionë euro me masa lehtësuese

    Rritja e çmimeve të karburanteve, Greqia shpall paketën 300 milionë euro me masa lehtësuese

    Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi një paketë prej katër masash të synuara, me vlerë 300 milionë euro, për të mbështetur qytetarwt nga efektet e luftës në Lindjen e Mesme.

    Masat, të cilat do të zbatohen për muajt prill dhe maj, përfshijnë një subvencion për naftë, bileta karburanti dhe ndërhyrje për fermerët dhe bileta trageti.

    “Që nga fillimi i konfliktit në Iran, kam deklaruar se qeveria do të marrë iniciativa për të ndërtuar një “digë” kundër pasojave të krizës së re të madhe. Ne menjëherë u zhvendosëm në fushën gjeopolitike, duke mbrojtur Qipron, stabilitetin dhe sigurinë energjetike në rajon. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne duhet të mbështesim familjet dhe bizneset kundër paqëndrueshmërisë ekonomike ndërkombëtare. Veçanërisht, në fushën e karburanteve, pasi këto lidhen me kostot e prodhimit, rritjen e çmimeve të produkteve, por edhe me jetën e përditshme të qytetarëve”, theksoi Mitsotakis.

    Ai theksoi gjithashtu se “Greqia tashmë po udhëheq rrugën në formësimin e një përgjigjeje të unifikuar evropiane”, megjithatë siç shtoi “deri atëherë, qeveria është e vendosur të veprojë në mënyrë të njëanshme, në nivel kombëtar, gjithmonë brenda kornizës së aftësive buxhetore”.

  • Familjarët flasin për vrasjen në Podujevë: 31-vjeçarja hyri në shtëpinë e viktimës dhe e mori peng

    Familjarët flasin për vrasjen në Podujevë: 31-vjeçarja hyri në shtëpinë e viktimës dhe e mori peng

    Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac të Podujevës, ndërsa para pak minutash u konfirmua vdekje edhe e të dyshuarës.

    Sipas familjarëve, të cilët folën për EO prapa kamerës, thanë se pas vrasjes së 45-vjeçarit, e dyshuara ka hyrë në shtëpinë e viktimës 73-vjeçare, ku dyshohet se e ka marrë atë peng. Sipas tyre, në momentin kur 73-vjeçarja është mbajtur brenda në shtëpi, aty ka qenë edhe reja e saj bashkë me fëmijët, ndërsa, sipas familjarit, reja aktualisht ndodhet në gjendje shoku.

    73-vjeçarja është gruaja e axhës së të dyshuarës 31-vjeçare, por familjarët kanë thënë se dy familjet kishin raporte shumë të mira.

    Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 18:40 është pranuar informata se në këtë fshat një person që ndodhej në një veturë ishte pa shenja jete. Njësitë relevante policore, hetimet dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe janë njoftuar prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore.

    Në vendin e ngjarjes është hasur një veturë e tipit “VW”, ngjyrë e bardhë me targa lokale 01, e cila ka rezultuar në pronësi të një mashkulli kosovar nga Obiliqi. Ekipi mjekësor ka konstatuar se personi i hasur në automjet ishte pa shenja jete.

    Referuar hetimeve fillestare, policia ka siguruar informacion se një person i gjinisë femërore ndodhej brenda një shtëpie, posedonte armë zjarri dhe nuk pranonte të komunikonte me askënd, duke paraqitur rrezik për veten dhe për të tjerët. Në këtë situatë janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë vënë situatën nën kontroll.

    Brenda shtëpisë janë gjetur dy persona të gjinisë femërore me plagë të rënda, por me shenja jete. Sipas policisë, atyre u është ofruar tretman mjekësor nga njësia emergjente dhe më pas janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nën mbikëqyrje mjekësore dhe policore.

    Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes. Policia ka njoftuar se më 23 mars 2026, rreth orës 03:35, njëra nga viktimat femra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me urdhër të prokurorit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është ri-cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën dy persona me inicialet I.B. dhe M.G. Në fund vdiq edhe vetë e dyshuara.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale relevante për rastin.

    Sipas prokurorisë, motivi i rastit ende nuk është i njohur, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të ngjarjes.