ATV

Category: Lajme

  • “E pashë me sytë e mi” – Blerina Veseli reagon ashpër për ngacmimet e të moshuarve ndaj vajzave të reja

    “E pashë me sytë e mi” – Blerina Veseli reagon ashpër për ngacmimet e të moshuarve ndaj vajzave të reja

    Aktorja Blerina Veseli ka bërë një reagim (në vitin 2022) në rrjetin social Facebook, ku kritikonte sjellje që, sipas saj, përbëjnë një kontradiktë në shoqëri.

    Në emisionin “LIBERO” derisa iu lexua ky status, Veseli shpjegoi arsyet që e shtynë ta publikojë këtë qëndrim. Ajo theksoi se postimi erdhi si pasojë e disa përvojave shqetësuese dhe rasteve që, sipas saj, po përsëriten në shoqëri.

    “…Ky reagim ka ardhë si pasojë e një faze ku fatkeqësisht mosha e shtyme kanë pasë disa raste vdekje të menjëhershme nëpër motele… në të njëjtën kohë kam pasë vazhdimisht ngacmime prej pleqve gjatë rrugës…”, u shpreh ajo.

    Aktorja solli edhe një rast konkret, duke përshkruar një situatë ku një vajzë ishte ngacmuar nga një burrë i moshuar!

    “…Një rast konkret ku një çikë u kanë t’u kalu edhe axha në fjalë ka qenë t’u dalë prej xhamisë edhe ka pasë tërleme n’kry, e kqyrke vajzën edhe i thojke hajde veç pak deri te axha, hajde hajde qitu t’kallxoj unë ty diçka – çka ka qitu brenda…”, deklaroi aktorja.

    Sipas Veselit, këto përvoja dhe raste të ngjashme kanë qenë arsyeja kryesore që ajo të reagojë publikisht. “Përnjëmend është shqetësuese përderisa e sheh këtë gjendje që po bëhet”, theksoi ajo, duke shtuar se reagimi i saj ishte rezultat i një sërë situatash të përjetuara më parë.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Blerina Veselit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Këto këngë nuk janë për parti”, Përparim Gashi rrëfen përplasjen mes publikut gjatë këngës për UÇK-në

    “Këto këngë nuk janë për parti”, Përparim Gashi rrëfen përplasjen mes publikut gjatë këngës për UÇK-në

    Këngëtari Përparim Gashi në emisionin “LIBERO” ka zbuluar arsyet pse ka realizuar tri këngë kushtuar UÇK-së brenda një viti, duke theksuar se motivi i tij buron nga rrënjët familjare dhe ndjenja e fortë atdhetare.

    “…Unë vij prej një familje atdhetare, jam rritur me folklor… Na duam që çlirimtarët të jenë në liri dhe e duam lirinë e tyre me patjetër…” – është shprehur ai, duke nënvizuar përkushtimin ndaj kësaj teme.

    Gashi ka bërë thirrje për unitet kur interpretohen këngë me karakter kombëtar, duke theksuar se ato nuk duhet të ndahen sipas bindjeve politike. “Kur këndohen këto këngë duhet të mos ketë dallime në parti, sepse në Hagë po gjykohen tri shkronja të arta,” tha ai, duke shtuar se ky është mesazhi kryesor që dëshiron të përcjellë.

    Ai gjithashtu tregoi një përvojë konkrete nga një performancë e tij, ku tensionet politike u reflektuan edhe gjatë interpretimit. Sipas tij, në një rast, të pranishmit u përfshinë në përplasje mes vete.

    “…Më ka ndodhur në një vend, u kapën ndërmjet vete… për shkak të partive, dhe për këtë dua ta theksoj në emision se kur këndohet kjo këngë, tri shkronjat këndohen, çdo gjë anash…”, theksoi Gashi.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Përparim Gashit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • KRU “Prishtina”: Pa kontrata s’ka ujë

    KRU “Prishtina”: Pa kontrata s’ka ujë

    Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka folur rreth rrezikut për mungesën e furnizimit të rregullt me ujë.

    Për emisionin “Fol me Arin”, Mjeku tha se pa kontrata, konsumatorët do mbesin pa ujë.

    “Ne kemi apeluar që të mos hezitojnë të nënshkruajnë kontratën për shërbime”, tha aj në Klan Kosova.

    Ndërsa në momentin që kontrata shkon në shtëpinë e konsumatorit, ai/ajo ka kohë deri në 10 ditë për të nënshkruar të njëjtën.

  • Deklarohen nga Prokuroria: Dyshohet se tragjedia në Majac, ndodhi pas një mosmarrëveshjeje

    Deklarohen nga Prokuroria: Dyshohet se tragjedia në Majac, ndodhi pas një mosmarrëveshjeje

    Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka dhënë detaje shtesë lidhur me tragjedinë në Majac të Podujevës, që përfundoi me tre të vrarë.

    Para mediave, Shala bëri të ditur se ngjarja nisi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës kryesore, dhe 45-vjeçarit, Ilaz Brahimit.

    “Lidhur me këtë ngjarje tragjike, dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet tyre, situata ka eskaluar dhe më pas është përdor një armë zjarri, ku ka shtënë në drejtim të dy personave dhe për fat të keq për shkak të plagëve të marra, kanë ndërruar jetë, dhe po ashtu e dyshuara kryesore e këtij akti ka ndërruar jetë”, tha Shala.

  • Po dyshohen për vjedhje, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre dy personave

    Po dyshohen për vjedhje, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre dy personave

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi.

    Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]”, thuhet në kërkesën e policisë.

  • Çfarë ndodh nëse dekreti i presidentes shpallet i ligjshëm ose i kundërligjshëm?

    Çfarë ndodh nëse dekreti i presidentes shpallet i ligjshëm ose i kundërligjshëm?

    Avokati Arbër Jashari ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë ose për ligjshmërinë e dekretit të presidentes Vjosa Osmani, ose të zgjasë masën e pezullimit të tij deri në vendimin përfundimtar.

    Sipas Jasharit, fati i dekretit nuk lidhet me mandatin e presidentes, i cili përfundon më 4 prill, dhe ushtruese e detyrës pas saj do të jetë Kryetarja e Kuvendit.

    Nëse dekreti shpallet ligjor, zgjedhjet do të mbahen brenda 45 ditësh; nëse shpallet i kundërligjshëm, Kuvendi nuk do të shpërndahet dhe mund të ketë deri 2 muaj për zgjedhjen e një presidenti të ri.

    “Gjykata Kushtetuese i ka dy rrugë përpara, ose te vendos për çështjen kryesore, pra ligjshmërinë e dekretit të presidentes osmani, ose ta zgjasë masën e sigurisë, respektivisht pezullimin e këtij dekreti, edhe për një afat të caktuar, aq sa i duhet deri në marrjen e vendimit përfundimtar”.

    “Fati i dekretit të Presidentes Osmani, nuk është i lidhur me mandatin e saj. Ajo do ta përfundoj mandatin me 4 prill, dhe pastaj pozitën e saj do ta zë Kryetarja e Kuvendit, e cila do te jetë ushtruese e detyrës se presidentes për 6 muajt vijues. Nëse gjykata vendos qe dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ka qenë i ligjshëm, atëherë do te kemi zgjedhje brenda 45 dite. Nëse vendos se ai ka qenë i kundërligjshëm, atëherë i bije qe Kuvendi nuk është shpërndarë, dhe me gjasë do ta kemi edhe një afat kohore, mbase 2 muaj, për ta zgjedhur një president te ri”, tha Jashari për GazetaBlic.

  • Haradinaj i ashpër ndaj pushtetit: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

    Haradinaj i ashpër ndaj pushtetit: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe ekonomike në Kosovë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si jonormale dhe të dhimbshme për qytetarin.

    Sipas Haradinajt, vendi po përballet me një situatë të paprecedentë, ku institucionet funksionojnë jashtë normave ligjore e kushtetuese dhe ku parlamenti, ndonëse i zgjedhur, mbetet i pezulluar.

    Ai, përmes një postimi në Facebook, theksoi se debati publik është zhvendosur tërësisht në çështje politike, ndërsa problemet reale të qytetarëve po lihen në harresë.

    “Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeq që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë”, ka shkruar ai.

    Haradinaj ngriti shqetësimin edhe për varfërinë në rritje, emigrimin masiv dhe rritjen e çmimeve, duke veçuar shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe arsimor.

    “Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm. E dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, që nuk janë më shumë se sa lëmoshë, po shndërrohen në mrekullinë e ‘çudibërësit’”, ka shkruar ai.

    Në reagimin e tij, ai vuri në dukje mungesën e investimeve kapitale dhe të huaja, si dhe zvarritjen e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.

    “Jemi i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe ku e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prapë në zgjedhje. Ku një parti politike e vetme, veç për propagandë, shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve. Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar…”.

    “Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është. Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë. Unë kam shpresë për ditë më të mira!”, tha Haradinaj.

  • Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë rekordin e 500 milionë eurove

    Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë rekordin e 500 milionë eurove

    Vlera e rezervës së arit të mbajtur nga Banka e Shqipërisë ka arritur nivelet më të larta historike, e nxitur nga rritja e çmimeve, por pjesërisht edhe nga rritja e sasisë së rezervave.

    Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të janarit të këtij viti, vlera e arit në rezervën valutore të vendit arriti në 498 milionë euro, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me një vit më parë, vlera e rezervës së arit është rritur me më shumë se 70%.

    Gjithashtu, pesha specifike e arit në rezervën valutore ka arritur nivelin më të lartë historik në 6.8% të saj, nga 4.65% që zinte një vit më parë. Ari ngelet i vetmi aset fizik në strukturën e rezervës valutore, që në masën dërrmuese përbëhet nga monedha të huaja dhe nga tituj borxhi të denominuara në këto monedha.

    Çmimi i arit ka ardhur në rritje të vazhdueshme gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti. Aktualisht, ari kuotohet pranë vlerës së 5000 mijë dollarëve amerikanë për onz (njësi e barabartë me 28.35 gramë). Me bazë vjetore, çmimi i arit i shprehur në dollarë është në rritje me afërsisht 65%, ndërsa në Euro rritja e çmimit rezulton rreth 57%.

    Rritja e çmimit të arit është ndikuar faktorë të ndryshëm, duke filluar nga konfliktet gjeopolitike, sidomos tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Përgjithësisht, çmimi i arit tenton të rritet në periudha pasigurie, duke qenë se ai konsiderohet si një aset i sigurt dhe i qëndrueshëm. Një faktor tjetër është edhe rritja e kërkesës për ar, e nxitur sidomos nga blerjet e mëdha që po ndërmerren nga Bankat Qendrore.

    Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i departamentit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, Marian Gjermeni, u shpreh se qasja e ndjekur nga Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka rezultuar e ngjashme me atë të bankave të tjera qendrore, të cilat kanë rritur peshën e arit në rezervat e tyre. Ky fenomen ka rezultuar më i theksuar për bankat qendrore të vendeve me ekonomi në zhvillim, krahasuar me ato të vendeve me ekonomi të zhvilluara.

    “Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë vijojnë të jenë të krahasueshme me bankat qendrore të ngjashme. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka rritur sasinë e arit në rezervat e saj.

    Kjo qasje do të vijojë të ndiqet në vitet e ardhshme, në rast se do të mbështetet nga ecuria e faktorëve cilësorë dhe sasiorë që vlerësohen nga Banka e Shqipërisë për përcaktimin e peshës së këtij aktivi në rezervat e saj,” tha z.Gjermeni.

    Në tërësinë e vet, rezerva valutore po shënon rritje të shpejtë në vitet e fundit, e mbështetur nga blerjet e vazhdueshme të valutës së Bankës së Shqipërisë, por pjesërisht edhe nga rritja e vlerës së aseteve, siç është shembulli i arit. Në janar 2026, vlera totale e aseteve të rezervës arriti në 7.33 miliardë euro, niveli më i lartë historik dhe në rritje me 16.6% krahasuar me një vit më parë./Monitor

  • Dyshimet për dallavere me patentë shoferë, Prokuroria dhe Policia zhvillojnë aksion në Prishtinë

    Dyshimet për dallavere me patentë shoferë, Prokuroria dhe Policia zhvillojnë aksion në Prishtinë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar një aksion nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.

    “Betimi për Drejtësi” merr vesh se në këtë aksion pritet të ketë arrestime.

    Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë rast ishin zhvilluar masa të fshehta për një kohë.

  • Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

    Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar se do të vendosë mina për të bllokuar të gjithë Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e Iranit sulmohen, raportuan mediat shtetërore të hënën, shkruan CNN.

    “E vetmja mënyrë për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit për vendet jo-belligerente është koordinimi me Iranin”, thuhet në deklaratën e këtij organi të lartë të sigurisë, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare Fars News.

    “Çdo përpjekje e armikut për t’i sulmuar brigjet ose ishujt iranianë” do të çojë në “minimin me lloje të ndryshme minash detare të të gjitha rrugëve të hyrjes dhe linjave të komunikimit në Gjirin Persik dhe përgjatë brigjeve”, thuhet se ka deklaruar Këshilli i Mbrojtjes.

    “I gjithë Gjiri Persik do të bllokohet në mënyrë efektive, dhe përgjegjësia për këtë do t’i takojë kërcënuesit”, shtohet më tej.

    Ky paralajmërim vjen pasi ushtria iraniane deklaroi se do ta mbyllte Ngushticën e Hormuzit dhe do ta sulmonte infrastrukturën rajonale nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizon kërcënimin për t’i bombarduar centralet e saj energjetike nëse kjo rrugë ujore kyçe nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.