ATV

Category: Lajme

  • 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit që vrau vëllanë në Klinë

    30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit që vrau vëllanë në Klinë

    Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit J.J., për vrasjen e vëllait në Bokshiq të Klinës.

    Udhëheqësja e zyrës për informim dhe komunikim me media në Gjykatën Themelore në Pejë, Agnesë Zeqiraj-Çetaj, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit, të pandehurit mund t’i zgjasë deri më 19 prill.

    “Ju informojmë se të pandehurit J.J. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh. Koha e paraburgimit do të llogaritet nga dita e arrestimit të të pandehurit, më 21.03.2026 në ora 15:30, deri më 19.04.2026”, konfirmoi Zeqiraj-Çetaj.

    Masa e paraburgimit, të dyshuarit iu caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës- Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, të shtunën (21 mars) njoftuan se rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës. Si pasojë e plagëve, një person ka humbur jetën.

    “Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri. Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasojë e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”, thuhej në komunikatë.

    Aty u bë e ditur se Policia në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit u ndalua për 48 orë për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhej më tej në njoftim.

  • Protesta e Partisë Demokratike, reagon Ambasada Gjermane: Dënojmë dhunën e papranueshme

    Protesta e Partisë Demokratike, reagon Ambasada Gjermane: Dënojmë dhunën e papranueshme

    Ambasada Gjermane reagoi pas protestës së djeshme të Partisë Demokratike.

    Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Gjermane “dënon dhunën e papranueshme”

    “Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve”, lexohet në postim.

    Postimi i plotë:

    Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna.

  • Kanë mbetur më pak se 16 orë, ultimatumi i Trumpit për Iranin po skadon

    Kanë mbetur më pak se 16 orë, ultimatumi i Trumpit për Iranin po skadon

    Kanë mbetur më pak se 16 orë deri në skadimin e ultimatumit të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

    Presidenti kërkoi që Teherani të rihapë korridorin e transportit detar në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, të shtunën në mbrëmje.

    Duke dhënë vetëm 48 orë për t’u bindur, ai e paralajmëroi Teheranin se përndryshe SHBA-të do të “godisnin dhe shkatërronin centralet e tij, duke filluar me më të madhin”.

    Nga ana e tij, Irani këmbëngul që rruga ujore të mbetet e hapur, por jo për anijet e lidhura me “armiqtë e Iranit”.

    Qeveria e Teheranit ka paralajmëruar gjithashtu se do të shënjestrojë infrastrukturën e naftës në rajon nëse sulmohen termocentralet e saj “dhe çmimi i naftës do të mbetet i lartë për një kohë të gjatë”.

    Ndryshe, Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë thase të paktën 40 asete energjetike ishin dëmtuar “rëndë ose shumë rëndë” në Lindjen e Mesme për shkak të luftës në rajon.

    “Të paktën dyzet… asete energjetike në rajon janë dëmtuar rëndë ose shumë rëndë në nëntë vende”, deklaroi Fatih Birol.

    Birol theksoi gjithashtu se ekonomia globale përballet me një “kërcënim të madh, të madh” për shkak të luftës së Iranit.

  • Bashkim Ramosaj, distancohet nga “Lëvizja e Deçanit”: Nuk kane të bëjnë as me komb e as me fe, nuk kanë as din as iman

    Bashkim Ramosaj, distancohet nga “Lëvizja e Deçanit”: Nuk kane të bëjnë as me komb e as me fe, nuk kanë as din as iman

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është distancuar nga “Lëvizja e Deçanit”.

    Në një video që është shpërndarë në rrjete sociale, Ramosaj në një iftar të organizuar në Deçan ka thënë se s’kanë të bëjnë as me komb as me fe kjo lëvizje.

    “Në çfarëdo variante në këtë qytetin tonë është quajt “Lëvizja e Deçanit”, të jeni të bindur që nuk kanë të bëjnë me Deçan këta njerëz, nuk kanë të bëjnë as me komb e as me fe, nuk kanë as din as iman”, ka deklaruar ai.

    “Këtë e them zëshëm sa herë që më jepet mundësia për shkak se, një pjesë të këtyre njerëzve i njoh nga e kaluara, kam jetu me ta, dhe s’ka si me qenë ndryshe”, ka deklaruar më tej ai.

  • 320 vende, mbi 1 mijë aplikantë në FSK

    320 vende, mbi 1 mijë aplikantë në FSK

    Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbylljen e konkursit për pranimin e 320 ushtarëve të rinj në Forca e Sigurisë së Kosovës, interesimi i të rinjve vazhdon të rritet ndjeshëm. Në qendrat kryesore të vendit, përfshirë kryeqytetin, ekipet mobile të Forca e Sigurisë së Kosovës janë vendosur në terren për të informuar dhe inkurajuar të rinjtë që t’i bashkohen ushtrisë.

    Në qendrat kryesore të vendit, përfshirë Prishtina, ekipet mobile të Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdojnë të informojnë dhe inkurajojnë të rinjtë që t’i bashkohen ushtrisë.

    Nga Prishtina e në çdo qendër tjetër të vendit, prania e këtyre ekipeve mobile është sinjal i qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka hapur dyert për të rinjtë dhe të rejat që duan të bëhen pjesë e një misioni më të madh se vetja.

    Kjo ndodh kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në mbylljen e konkursit për ushtarë të rinj të Forca e Sigurisë së Kosovës. Interesimi, siç duket, është i madh. Brenda dy javësh, Ministria e

    “Është shumë entuziazmuese fakti që kemi një numër të lartë të aplikantëve. Deri më tani kemi mbi 1100 të rinj dhe të reja që duan t’i bashkohen FSK-së dhe, sigurisht, deri në mbylljen e konkursit presim që raporti të jetë 6 me 1, pra gjashtë persona për një vend në FSK”, tha Liridona Gashi, shefe e kabinetit, Ministria e Mbrojtjes.

    Të interesuarit vazhdojnë të kenë kohë për të aplikuar, ndërkohë që zyrtarët e dikasterit të mbrojtjes thonë se interesimi është në rritje.

    “Ka pasur rritje të interesimit, jo vetëm për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe zhvillimeve në botë, por edhe për shkak të përmirësimit të mirëqenies së ushtarëve gjatë viteve. Gjithashtu, ushtarakët tanë kanë mundësi të shumta për shkollim jashtë vendit”, theksoi për RTK, Liridona Gashi, shefe e kabinetit, Ministria e Mbrojtjes.

    Konkursi për rekrutimin e 320 ushtarëve të rinj në Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë i hapur deri më 27 mars. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, nga mosha 18 deri në 25 vjeç, të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm.

  • Hajnat bëjnë kërdi në Prizren, në dy shtëpi vjedhin stoli ari e para

    Hajnat bëjnë kërdi në Prizren, në dy shtëpi vjedhin stoli ari e para

    Dy raste të vjedhjeve janë raportuar të dielën në rajonin e Prizrenit.

    Sipas policisë, dje pasdite në Leshan të Suharekës hajnat janë futur në një shtëpi ku kanë vjedhur stoli ari.

    “Është raportuar se persona- të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar dhe nga aty kanë vjedhur një sasi stoli ari. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin e policisë.

    Rast i njëjtë ndodhi edhe në Krushë të Vogël, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë kryer vjedhje në një shtëpi,

    “Është raportuar se persona- të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar dhe nga aty kanë vjedhur një sasi stoli ari, para të gatshme si dhe disa gjësende tjera. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, njofton Policia.

  • Vdes ish-kryeministri francez

    Vdes ish-kryeministri francez

    Ka vdekur në moshën 88-vjeçare, ish-kryeministri francez Lionel Jospin, një socialist që ndërmori reforma si java e punës 35-orëshe dhe njohja ligjore e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks.

    Jospin, i cili drejtoi qeverinë nga viti 1997 deri në 2002-in, dha frymën e fundit të dielën, sipas deklaratës së familjes për agjencinë Agence France-Presse.

    Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, Jospin u paraqit si një figurë e pastër dhe e besueshme përballë rivalit të tij konservator Jacques Chirac.

    Megjithatë, në një rezultat të papritur, kandidati i ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen e kaloi në balotazh, duke e eliminuar Jospinin nga gara dhe duke tronditur politikën franceze. Pas këtij momenti, ai u tërhoq nga politika.

  • Aeroplani përplaset me një veturë, pezullohen të gjitha fluturimet në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut

    Aeroplani përplaset me një veturë, pezullohen të gjitha fluturimet në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut

    Aeroporti LaGuardia i Nju Jorkut u mbyll për fluturime herët të hënën pasi një aeroplan i Air Canada dhe një automjet i Autoritetit Portual u përplasën.

    Departamenti i policisë së Nju Jorkut konfirmoi përplasjen, por nuk mundi të ofronte menjëherë informacione të mëtejshme.

    Një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit të Nju Jorkut tha se zjarrfikësit iu përgjigjën raporteve për një aeroplan që u përplas me një automjet në pistë në orën 23:38.

    Përditësimi erdhi pasi faqja e internetit e ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 tha në një postim në X vonë të dielën se një aeroplan i Air Canada Express ishte përplasur me një automjet tokësor në aeroport.

    Më parë, departamenti i zjarrfikësve “iu përgjigj një incidenti të raportuar që përfshinte një aeroplan dhe një automjet në pistë”, tha një zëdhënës për AFP, por nuk specifikoi natyrën e incidentit.

    Autoriteti i menaxhimit të emergjencave të Nju Jorkut paralajmëroi njerëzit të “prisnin anulime, mbyllje rrugësh, vonesa në trafik dhe personel emergjence” pranë qendrës kryesore të transportit në lagjen Queens.

    “Përdorni rrugë alternative”, tha ai në X.

    E Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) lëshoi një ndalesë tokësore për të gjithë aeroplanët në aeroport, sipas një njoftimi nga rregullatori.

    Njoftimi i FAA-së tregoi se arsyeja e ndalimit në aeroport ishte një emergjencë dhe kishte një probabilitet të lartë për një zgjatje, pa specifikuar asnjë detaj.

    Në një njoftim të veçantë, FAA bëri të ditur se aeroporti mund të mbyllet deri në orën 14:00 sipas orës lokale.

  • Çmimet e naftës rriten pasi Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të kërcënimit të Trump

    Çmimet e naftës rriten pasi Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të kërcënimit të Trump

    Çmimet e naftës u rritën të dielën pasi Irani kërcënoi të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, për një kohë të pacaktuar në përgjigje të ultimatumit të presidentit Donald Trump që kërkonte rivendosjen e trafikut të naftës përmes rrugës ujore kritike.

    Nafta e papërpunuar Brent, çmimi global i referencës, u rrit me 1.69% në rreth 114.09 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar amerikane u rrit me 2% në 100.29 dollarë. Goldman Sachs tha të premten se çmimet e larta mund të vazhdojnë deri në vitin 2027.

    Trump tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara do të “shkatërrojnë” termocentralet e Iranit nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.

    Irani u përgjigj se nëse Trump e zbaton kërcënimin, do ta mbyllë plotësisht ngushticën dhe do të refuzojë ta rihapë atë derisa të rindërtohen termocentralet e shkatërruara.

    Irani tha gjithashtu se do të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë dhe komunikimit të SHBA-së dhe Izraelit në rajon. Lufta në Iran, tani në javën e katërt, ka shkaktuar tashmë çrregullime të mëdha në tregjet globale të naftës, kryesisht për shkak të mbylljes efektive të ngushticës, një nga rrugët më të ngarkuara të transportit të naftës në botë.

  • E rrahu dhe e largoi gruan nga shtëpia, arrestohet pejani

    E rrahu dhe e largoi gruan nga shtëpia, arrestohet pejani

    Një burrë është arrestuar në Pejë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua.

    Bazuar në njoftimin zyrtar, i dyshuari edhe e kishte larguar nga shtëpia viktimën.

    “Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe e kishte larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.