ATV

Category: LAJME

  • Ralf Rangnick kritikon rëndë fushën e “Fadil Vokrrit”: Është katastrofike

    Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka kritikuar ashpër gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, një ditë para përballjes me Kosovën në Ligën e Kombeve.

    Kosova dhe Austria do të përballen të dielën nga ora 18:00, ndërsa në konferencën për shtyp, Rangnick e nisi fjalën e tij duke u ndalur te kushtet e terrenit.

    “Fusha është në një gjendje katastrofike. Rrallë kam luajtur apo jam stërvitur ndërkombëtarisht në një fushë kaq të keqe. Dhe nesër do të luajmë këtu”, deklaroi trajneri austriak.

    Rangnick theksoi se gjendja e fushës mund të ndikojë në mënyrën se si do të zhvillohet ndeshja, veçanërisht në aspektin e qarkullimit të topit dhe intensitetit të lojës.

    “Duhet të luajmë me intensitet të lartë për ta rifituar shpesh posedimin e topit. Në këto kushte, do të jetë e rëndësishme të krijojmë mundësi shënimi. Kjo vlen për të dyja ekipet”, u shpreh ai.

    Trajneri i Austrisë shtoi se kushtet nuk janë ideale as për Kosovën, një skuadër që sipas tij mbështetet shumë te aftësitë teknike.

    “Një ekip me aftësi teknike si Kosova nuk besoj se dëshiron të luajë në një fushë të tillë. Jam i lumtur që nuk do të luajmë këtu në nëntor”, përfundoi Rangnick.

  • Kurti: Aktgjykimi i Speciales ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore që duhet të korrigjohen në apel

    Kurti: Aktgjykimi i Speciales ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore që duhet të korrigjohen në apel

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë përmban, sipas tij, pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, të cilat duhet të korrigjohen në procedurën e apelit.

    Kurti i bëri këto deklarata gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë.

    Ai tha se pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës, ndërsa sipas tij, janë rrëzuar edhe akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.

    “Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike e juridike. Dhe presim që këto të korrigjohen në Apel”, ka deklaruar Kurti.

    Ai e ka cilësuar gjithashtu shqetësuese mungesën e transparencës së gjykatës dhe e ka përshkruar atë si “monoetnike”.

    Kurti ka folur edhe për vizitën e von der Leyen dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se vendi i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

  • Mungesa e masave të sigurisë, ndalen punimet në një objekt ndërtimi në Istog

    Mungesa e masave të sigurisë, ndalen punimet në një objekt ndërtimi në Istog

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Istog, pasi gjatë inspektimit janë konstatuar parregullsi në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, vendimi për ndalimin e punimeve do të jetë në fuqi deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës.

    Po ashtu, institucioni ka apeluar te të gjithë punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.

  • Ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit, dyshohet se i shkaktoi mbi 15.7 milionë euro dëm buxhetit

    Ngritet aktakuzë ndaj Naser Hafizit, dyshohet se i shkaktoi mbi 15.7 milionë euro dëm buxhetit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Izedin Bytyqit, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Aktakuza ndaj Bytyqit është ngritur në të njëjtin njoftim të Prokurorisë Speciale ku bëhet e ditur edhe aktakuza ndaj Naser Hafizit për tri vepra penale.

    Sipas Prokurorisë, Izedin Bytyqi akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armë pa autorizimin përkatës.

    Ndërkohë, ndaj Naser Hafizit është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

    Sipas aktakuzës ndaj Hafizit, veprat dyshohet se janë kryer gjatë viteve 2021-2023, në kohën kur ai ishte person zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa Prokuroria pretendon se veprimet e tij i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 15.752.486,07 euro.

    Të dyshuarit në këtë fazë të procedurës konsiderohen të pafajshëm, derisa fajësia e tyre të vërtetohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

  • Von der Leyen: Asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale

    Von der Leyen: Asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, aktgjykimi në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Ajo ka vlerësuar reagimin e matur të institucioneve dhe liderëve politikë të Kosovës, duke bërë thirrje për respektimin e mandatit të institucioneve gjyqësore, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë deklarimit të saj, Von der Leyen ka rikujtuar represionin dhe krizën humanitare të vitit 1999, ndërsa ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    “Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i ngulitur në kujtesën kolektive të Evropës: represioni i dhunshëm, kriza humanitare dhe vuajtjet që ka përjetuar populli juaj”, tha ajo.

    Ajo ka përmendur ndihmën financiare dhe mbështetjen e BE-së për rindërtimin, zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë.

    “Bashkimi Evropian ka qëndruar pranë jush që nga ajo kohë. Ne kemi qenë partneri juaj më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e një Kosove moderne e demokratike, një Kosovë, e ardhmja e së cilës është në Bashkimin tonë Evropian”, tha ajo.

    Duke folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, von der Leyen ka theksuar se të akuzuarit kanë të drejtë ankese, ndërsa ka kërkuar respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura gjyqësore.

    “Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të forta. E vlerësoj reagimin tuaj të matur, si dhe atë të liderëve të tjerë politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim është nxjerrë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Të akuzuarit tani kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë”, tha ajo.

    Ajo ka theksuar se aktgjykimi nuk e vë në gjykim rezistencën e Kosovës, por ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Po ashtu, ka bërë thirrje që kujtimi i viktimave nga të gjitha komunitetet të jetë pjesë e rrugëtimit drejt pajtimit.

    “Por, një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet ta nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave, nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Kujtimi i tyre duhet të mbetet pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt pajtimit dhe një të ardhmeje të përbashkët.

    Kjo më çon te pika ime e dytë: rëndësia thelbësore e stabilitetit institucional. Është formuar një Kuvend dhe një Qeveri e re. Kjo është pozitive”, tha ajo.

    Në vijim, presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur.

    “Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit dhe, gjatë javëve dhe ditëve të fundit, kemi parë se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur. Ju duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje tjetër: i reformave, rritjes ekonomike dhe përparimit në rrugën tuaj evropiane. Kjo më çon te pika ime e tretë: e ardhmja evropiane e Kosovës. E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris: besoj fuqishëm në të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha ajo.

  • Kurti pas takimit me von der Leyen: Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm

    Kurti pas takimit me von der Leyen: Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për zhvillimet në Kosovë, duke vlerësuar përparimin në demokraci, sundimin e ligjit, siguri dhe ekonomi, raporton Ekonomia Online.

    Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm dhe se kjo, sipas tij, është konfirmuar edhe nga vlerësues të pavarur.

    “Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur. Kosova ka pasur njëra prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë, vlerësuesit e pavarur tregojnë se kemi pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e sundimit të ligjit sikurse të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në avancimin e demokracisë. Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale”, tha ai.

    Kryeministri Kurti ka deklaruar gjithashtu se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, të drejta dhe konkurruese, duke theksuar nevojën që ato të zhvillohen sipas afateve të rregullta.

    “Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit. Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njëra prej vendeve më të sigurta në Evropë, 9 nga 10 qytetarët tanë ndihen të sigurt të ecin vetëm natën. Dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë. Ekonomia vazhdon të rritet 4% në vit, rritja më e lartë në rajon, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulët në Evropë. Vitin e kaluar Kosova u bë donatore e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, dhe sy kur banka botërore ashtu edhe fondi monetar ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti. Këtë rritje e kemi ndarë me qytetarët tanë përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë, masat që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë”, tha ai.

  • Akuzohet për spiunazh dhe shantazh, Fatmir Sheholli deklarohet sërish i pafajshëm – vazhdohet në fjalën hyrëse

    Akuzohet për spiunazh dhe shantazh, Fatmir Sheholli deklarohet sërish i pafajshëm – vazhdohet në fjalën hyrëse

    Fatmir Sheholli është deklaruar sërish i pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor që po mbahet ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku përballet me akuzat për spiunazh dhe shantazh.

    Në seancën e sotme po paraqiten fjalët hyrëse të palëve.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, duke zbatuar urdhrat dhe detyrat e zyrtarëve të tij.

    Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike informacione e dokumente për aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

    Akuza për shantazh lidhet me periudhën nga viti 2022 deri në dhjetor 2025. Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke i shkaktuar dëm pasuror që tejkalon 13 mijë euro.

    Në aktakuzë pretendohet se paratë i kërkoheshin në emër të huazimit, nën kërcënimin se, nëse nuk i jepte, do t’i publikoheshin në media video-incizime dhe informacione që do t’ia dëmtonin reputacionin.

    Sheholli i ka mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon.

  • Sulmi në avionin Dubai-Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe nisin hetimet për dyshime terroriste

    Sulmi në avionin Dubai-Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe nisin hetimet për dyshime terroriste

    Prokuroria e Përgjithshme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka nisur hetim për incidentin e rëndë në bordin e një fluturimi të FlyDubai nga Dubai drejt Tel Avivit, ku një pilot dyshohet se goditi me thikë bashkëpilotën në kabinën e avionit. Autoritetet po shqyrtojnë, ndër të tjera, edhe mundësinë e një motivi terrorist.

    Incidenti ndodhi një ditë më parë, kur piloti i avionit u arrestua pas sulmit ndaj bashkëpilotit gjatë një përpjekjeje të dyshuar për të marrë kontrollin e mjetit ajror dhe për ta rrëzuar atë.

    Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë juridiksion për hetimin, pasi avioni është i regjistruar në këtë shtet dhe ligji i Emirateve zbatohet për krimet e kryera në bordin e avionëve të saj, edhe kur ato ndodhin jashtë territorit të vendit.

    Kryeprokurori i Emirateve të Bashkuara Arabe ka theksuar se hetimi duhet të zhvillohet pa paragjykuar rezultatet dhe se çdo informacion lidhur me rastin duhet të mbështetet vetëm në të dhënat e publikuara nga burimet zyrtare.

    Piloti i plagosur, kapiteni indian Smit Machchhar, ndodhet në spital dhe gjendja e tij është e qëndrueshme. Ai është vlerësuar si hero nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministri indian Narendra Modi.

    “Piloti arriti të parandalonte një katastrofë të ngjashme me 11 shtatorin”, tha Netanyahu për CNN.

    Izraeli e ka cilësuar incidentin si një sulm terrorist të mbetur në tentativë, megjithatë një motiv i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet pjesë e hetimit.

    Sulmuesi ende nuk është identifikuar zyrtarisht, ndërsa një zyrtar izraelit ka deklaruar se ai është shtetas i Omanit.

    Pas incidentit, në neutralizimin e autorit u përfshinë edhe pasagjerë. Avioni u devijua dhe u ul në Arabinë Saudite, ndërsa pasagjerët u kthyen më pas në Izrael.

    Hetimet për incidentin po zhvillohen nga autoritetet përkatëse, ndërsa ende pritet të përcaktohet zyrtarisht motivi dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Protestat e nxënësve përhapen në Francë duke bllokuar dhjetëra shkolla dhe universitete

    Protestat e nxënësve përhapen në Francë duke bllokuar dhjetëra shkolla dhe universitete

    Nxënësit e shkollave të mesme franceze vazhduan të enjten bllokadat e shkollave, ndërsa protestat për kushte më të mira mësimi u përhapën edhe në universitete, sipas BFMTV.

    Të paktën 27 shkolla në Paris u prekën nga ndërprerjet, ndërsa protesta u raportuan edhe në Nisë, Lyon dhe Lille. Në disa raste u ndezën zjarre dhe u ngritën barrikada, ndërsa policia u vendos pranë institucioneve.

    Më shumë se 15 universitete u bllokuan në të gjithë vendin, përfshirë universitete në Strasburg, Aix-Marseille dhe Poitiers.

    Të mërkurën, të paktën 625 persona u arrestuan. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez foli për një “zgjerim të lëvizjes” dhe një “rritje të dhunës” pranë disa institucioneve.

    Në mobilizime u plagosën të paktën 32 studentë ose anëtarë të stafit arsimor dhe 83 pjesëtarë të forcave të sigurisë.

  • Kurti: Sot nisin komunikimet me krerët e opozitës për zgjedhjen e presidentit

    Kurti: Sot nisin komunikimet me krerët e opozitës për zgjedhjen e presidentit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Kurti tha se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Këtë deklaratë ai e bëri për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.

    “Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.

    Ndryshe dje, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se janë të domosdoshme takimet e reja dhe bisedimet me partitë, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për destabilitet të mëtejshëm institucional.

    “Duhet të ketë takime, bisedime e pajtime. Unë e kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë”, deklaroi ai.

    Sa i përket kandidatit për president, Kurti bëri të qartë se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.

    Sipas Kurtit, Sejdiu është tërhequr pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kanë shkelur marrëveshjen.

    Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja. /Telegrafi/