ATV

Category: Lajme

  • Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan për pesë vjet, rreth 50 krime të rënda s’u gjykuan

    Mbi 12 mijë raste u parashkruan vetëm gjatë 5 viteve të fundit në Kosovë. Saktësisht 12 mijë e 215 persona apo edhe më shumë të cilët shkelën ligjin, i shpëtuan dënimit për shkak se lënda e tyre u vjetërsua.

    Kështu vërtetohet nga mbledhja e të dhënave në pesë raportet që ka publikuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga viti 2020.

    Vetëm në 2024-ën, u parashkruan gjithsej 2 mijë e 375 raste. Sipas raportit të KPK-së, në mesin e këtyre rasteve, ishin edhe 17 aktakuza që ishin ngritur nga Departamentet e Krimeve të Rënda të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, gjatë atij viti vetëm një rast u parashkrua në fazën e hetimit.

    E numri më i madh i rasteve që u parashkruan në 2024-ën, ishin ato të Departamentit të Përgjithshëm. Sipas raportit të Këshillit Prokurorisë, gjykatat themelore morën vendime për parashkrim të 2 mijë e 357 aktakuzave të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Nga Departamenti i Përgjithshëm ishin gati të gjitha rastet të cilat u parashkruan në 2023-ën. Nga raportet e KPK-së, rezulton se atë vit, u parashkruan gjithsej 2050 raste, 2 mijë e 45 prej të cilave ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Ndërkaq, vetëm pesë nga të gjitha rastet të cilat u parashkruan gjatë 2023-ës, ishin lëndë për Krime të Rënda. Në 2023-ën, asnjë rast nuk u parashkrua në fazën e hetimit.

    Numri më i madh i rasteve të parashkrimit të lëndëve u regjistrua në 2022-ën. Atë vit, bazuar në raportin e Këshillit Prokurorial, u parashkruan 3 mijë e 80 raste.
    Dy prej këtyre rasteve u parashkruan qysh në fazën e hetimit.

    3 mijë e 77 raste të cilat u parashkruan gjatë 2022-ës, ishin aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore. Ndërkaq, njëri nga rastet që u parashkruan në 2022-ën, lidhej me një aktakuzë të Departamentit të Krimeve të Rënda.

    Vjetërsim të krimeve të rënda pati edhe në 2021-ën. Sipas raportit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, atë vit, Gjykatat Themelore vendosën për parashkrimin e 13 rasteve të Krimeve të Rënda.

    Në 2021-ën, 11 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Kurse, u parashkruan 2 mijë e 326 aktakuza të ngritura nga Departamentet e Përgjithshme të Prokurorive Themelore, duke e çuar kështu në 2 mijë e 350 numrin e rasteve të cilat u parashkruan në 2021-ën.

    E në 2020-ën, ishin vetëm 10 lëndë më shumë të cilat e vjetërsuan e u parashkruan. Në raportin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, figurojnë gjithsej 2 mijë e 360 raste të parashkruan në atë vit.
    Mbështetur në të dhënat e këtij raporti, në mesin e lëndëve që u parashkruan ishin edhe 11 raste të krimeve të rënda.

    Ndërkaq, vetëm gjatë atij viti, 2 mijë e 331 raste u parashkruan lidhur me aktakuzat e prokurorëve të Departamenteve të Përgjithshme të Prokurorive Themelore.

    Në 2020-ën,18 raste u parashkruan qysh në fazën e hetimit. Mirëpo, në këto raporte nuk figuron ndonjë e dhënë për dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të Shtetit nga të gjitha rastet të cilat janë parashkruar.

  • Rritja e çmimit të naftës, Hoti: Marzha e fitimit nuk është politikë adekuate – ulja e akcizës po

    Rritja e çmimit të naftës, Hoti: Marzha e fitimit nuk është politikë adekuate – ulja e akcizës po

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregoi se inflacioni për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është 6% për shkurtin e vitit 2026, krahasuar me shkurtin e vitit paraprak.

    Në ekonomi inflacioni deri në 2% konsideruar i moderuar, tashmë Kosova ka hyrë në fazën e inflacionit relativisht të lartë, i ndikuar pos nga konfliktet ndërkombëtare edhe nga trendet e rritjes së energjisë elektrike.

    Së fundmi lufta në Iran ka lëvizur shqetësimet për një valë të re inflacioni e ndikuar nga rritja e çmimeve të karburanteve të naftës, Kosova si një ekonomi me deficit tregtar cenohet më së lehti nga inflacioni i importuar.

    Por, Qeveria ka në dispozicion disa mekanizma në variantin më të mirë për të ulur inflacionin në pikën e moderuar apo në variantin më të keq për ta parandaluar inflacionin galopant

    Për këtë çështje, Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që ka shërbyer si kryeministër i Kosovës dhe ministër i Financave më parë, i ka thënë Gazetës Express se çmimi i derivatet përhapet në gjithë ekonominë.

    Kjo për shkak siç thotë Hoti integrimi të madh të tregjeve globale.

    “Rritja e çmimit të derivateve pa dyshim se përhapet në gjithë ekonominë, duke rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve. Më tutje, rritja e këtyre kostove bartet në çmimet e produkteve për konsumatorët dhe në produkte të tjera të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se efektet zinxhirore janë shumë të shpejta. Këtë e kemi parë të ndodhë më parë, dhe po e shohim edhe tani. Kosova nuk përbën përjashtim nga ky rregull”, ka thënë Hoti.

    Qeveria e Kosovës akoma nuk ka ndërmarrë ndonjë masë anti-inflacion, përkundër se Kosova ka një juridiksion që rregullon çështjet emergjente.

    “E vërteta është se ne e ndajmë fatin me të gjithë pjesëmarrësit në tregjet globale, siç edhe përfitojmë kur zhvillimet në tregjet globale janë të favorshme. Por, në rastin konkret të rritjes së çmimeve të derivateve, nuk duhet të pritet që e gjithë kostoja të bartet te konsumatori. Shumë vende evropiane tanimë kanë ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin negativ për konsumatorët”, ka thënë Hoti.

    Tutje, ish-kryeministri i Kosovës ka disa rekomandime të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi. Hoti kërkon aktivizimin më të madh të Inspektoratit të Tregut dhe Komisionit të Konkurrencës.

    “Inspektorati i tregut duhet të monitorojë tregun në vazhdimësi për të konstatuar sa po rritet çmimi i furnizimit dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet në çmimin për konsumatorët. Duhet të përgatitet raport ditor për këtë çështje, i cili bëhet transparent për publikun”.

    “Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet plotësisht për të konstatuar nëse ka sjellje të kompanive furnizuese që bien ndesh me parimet e funksionimit konkurrues të tregut. Ky është një rast tipik i situatës në treg ku, për shkak të luhatjeve të mëdha në çmime, Komisioni i Konkurrencës duhet të angazhohet sipas detyrës zyrtare”.

    Hoti ka kërkuar që Qeveria të ul akcizën që do të ndikonte direkt në uljen e çmimit të derivatëve.

    “Qeveria duhet menjëherë të ndërhyjë për të ulur akcizën në derivate. Ulja e akcizës duhet të bëhet bazuar në analiza që balancojnë këta dy faktorë: (a) sa duhet të ulet akciza për të siguruar rritje të kontrolluar dhe të moderuar të çmimit të derivateve për konsumatorët dhe (b) cili është ndikimi në të hyrat buxhetore nga ulja e akcizës. Faktori i dytë siguron më shumë hapësirë veprimi për Qeverinë për ulje të akcizës, pasi të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit. Praktikisht, Qeveria mund të ulë çmimin e derivateve për konsumatorët deri në nivelin kur akciza bie në zero, ndërkaq të hyrat buxhetore mund të mbesin të pandryshueshme për shkak të rritjes së vlerës së TVSH-së”,ka thënë Hoti.

    Ai ka kritikuar edhe mënryën sesi po caktohet marzha e fitimit, duke thënë se nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimeve.

    “Masa e caktimit të marzhave të fitimit nuk është adekuate për dy arsye. E para, caktimi i marzhës për biznese nuk e mbron konsumatorin nga rritja e çmimit. Kjo masë vetëm sa e kufizon fitimin e firmave, duke e mbajtur atë brenda një kufiri të caktuar. Ndërkaq, rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare bartet plotësisht te konsumatori. E dyta, caktimi i marzhës përbën ndërhyrje në modelin e operimit të biznesit, e cila çështje është e garantuar me Kushtetutë si liri e veprimit të biznesit. Historia ka dëshmuar se intervenimi i shtetit në çështje të tilla biznesore vetëm sa e përkeqëson situatën, duke nxjerrë kompani nga tregu, gjë që rezulton në përkeqësim të konkurrencës”.

    “Shteti e ka për obligim të sigurojë kushte konkurruese dhe të parandalojë sjelljet e kompanive që bien ndesh me ekonominë e lirë të tregut. Përtej kësaj, për të arritur efektin e dëshiruar, shteti duhet të përdorë instrumentet e politikave fiskale dhe industriale. Në rastin konkret, efekti i dëshiruar është parandalimi apo një rritje e moderuar e çmimit të derivateve. Dhe kjo mund të arrihet lehtësisht duke operuar me ulje të akcizës”, ka thënë Hoti.

  • Këtë javë nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

    Këtë javë nis llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë një orë përpara

    Si çdo vit, ndryshimi nga ora dimërore në atë verore do të ndodhë të dielën e fundit të marsit. Këtë vit, kjo përkon me datën 29, kur akrepat e orës në orën 03:00 duhet të shkojnë një orë përpara dhe të tregojnë 04:00.

    Ora e kursimit të dritës do të mbetet në fuqi deri të dielën e 25 tetorit 2026. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është kursimi i energjisë elektrike. Gjatë shtatë muajve të kohës së verës, falë dritës së diellit, kursejmë rreth 210 orë energji.

    Në vitet 1970, nën ndikimin e krizës së naftës, shumica e vendeve evropiane filluan ta përdornin këtë metodë për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës.

    Që nga viti 1996, Evropa ka një rregullore të përbashkët: në pranverë kthejmë orët një orë përpara, ndërsa në vjeshtë i kthejmë një orë pas. Ndryshimi i parë provë u bë më 1932, nga 6 korriku deri më 1 shtator, kur orët u vendosën një orë përpara.

    Ndryshimi i orës, që synon kursimin e energjisë, zbatohet edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, por ka shkaktuar debate të shumta.

    Kritikët thonë se ndryshimi i orës mund të ndikojë negativisht tek shëndeti, duke rritur rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të sistemit imunitar, sepse ndërpret ciklin normal të trupit. Ata gjithashtu argumentojnë se kursimi i energjisë nuk është gjithmonë i dukshëm.

  • Bajrami publikon postimin e dikurshëm të Kurtit ku ankohej për naftën e shtrenjtë: A s’po ndjeheni të mashtruar?!

    Bajrami publikon postimin e dikurshëm të Kurtit ku ankohej për naftën e shtrenjtë: A s’po ndjeheni të mashtruar?!

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami reagoi ndaj “komenteve me gjuhë vulgare” në një postim të saj në Facebook ku kishte kritikuar qasjen e qeverisë ndaj rritjes së çmimeve të naftës.

    Në një reagim të ri, Bajrami publikoi një postim të kryeministrit Albin Kurti, i cili në vitin 2018 ankohej se çmimi prej 1.20 euro e një litri naftë “kurrë s’ka qenë më shtrenjtë.

    “Për të gjithë ata që nuk u pajtuan pa e lexuar fare postimin tim të fundit dhe u shfryen në komente me gjuhë vulgare, që ku po ju lë një postim të Albinit në vitin 2018, lexone se besoj ju ka marrë malli. Dhe me tregoni a s’po ndjeheni të mashtruar?!”, shkroi Bajrami.

    “PS. Për fermerët që i paska përmendë atëbotë do të shkruaj një ditë tjetër, se si subvencionet e vonuara po ua merr ATK-ja me gjoba. Shkoni e pyetni fermerët si ju ka ndryshu gjendja prej që ka ardhë Albini në qeveri? A për xhipa të qeverisë nuk komentoj, se realiteti s’do koment”, shtoi ajo.

  • Reagon AGK pas deklaratave për “çanta me pare”: Të ofrohen fakte dhe emra, shqetësuese fushata e VV’së ndaj mediave

    Reagon AGK pas deklaratave për “çanta me pare”: Të ofrohen fakte dhe emra, shqetësuese fushata e VV’së ndaj mediave

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për një valë të re të fushatës kundër mediave dhe gazetarëve të nisur nga zyrtarë të partisë më të madhe politike në vend, Vetëvendosje.

    AGK iu referua deklaratave nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Adnan Rrustemin, Mefail Bajqinovcin dhe Dejona Mihalin, të cilët, siç thuhet, “kanë shkruar dhe shpërndarë materiale që flasin për ‘pagesa me çanta’ në raport me gazetarët”.

    “Fushata të tilla denigruese nga njerëz të partisë në pushtet janë vazhdimësi e një politike armiqësore të Vetëvendosjes dhe Qeverisë Kurti ndaj mediave në Kosovë, dhe që cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    “Kjo e ditëve të fundit vjen si reagim ndaj deklaratave në një emision televiziv, prodhim i BIRN Kosova ku flitet për atë se si “narrativa dezinformuese për Banjskën u shpërnda edhe në studio të televizioneve kosovare?” dhe “kemi operacion ku paret me çanta të strukturave të BIA-s, janë nxanë në veri të Mitrovicës duke iu dorëzuar agjentit shqiptar, i cili më pas ka pasë mi çu te ni gazetar””, thuhet tutje në reagim.

    AGK-ja konsideron se deklarata të tilla përgjithësuese ndaj “mediave online” dhe “studiove televizive” janë të papërgjegjshme.

    “Deklaratat akuzuese publike duhet të përcillen me fakte, prova dhe emra të përveçëm. AGK-ja i fton të gjitha palët që të përmbahen nga deklarata të tilla që minojnë seriozisht ambientin e zhvillimit medial”, thuhet në reagim.

  • Të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë, Basha njofton se u prangos edhe ekzamineria e Ministrisë: E mirëpresim aksionin

    Të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë, Basha njofton se u prangos edhe ekzamineria e Ministrisë: E mirëpresim aksionin

    Tre instruktorë dhe një ekzaminere janë arrestuar nën dyshimin për dallavere me patentë shoferë.

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha tha se ekzamineria e angazhuar është e këtij dikasteri.

    “Për vepra penale të marrjes së ryshfetit, falsifikimit të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare në procesin e pajisjes me patentë-shoferë, sot nga organet e rendit janë arrestuar 4 persona të dyshuar, ku në mesin e tyre është edhe një ekzaminere e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Basha tha se e mirëpresin aksionin e zhvilluar dhe shprehu “gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me organet përgjegjëse të drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”.

    “Ne do të jemi të përkushtuar e fort të vendosur në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke garantuar integritet, transparencë dhe besim në institucionet publike”, shkroi ai.

  • Kërkesa e opozitës për uljen e çmimit të naftës  për “40 centë”, Kusari -Lila u përgjigjet me një akuzë të vjetër të VV’së

    Kërkesa e opozitës për uljen e çmimit të naftës për “40 centë”, Kusari -Lila u përgjigjet me një akuzë të vjetër të VV’së

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj opozitës që po kërkon masa ndaj rritjes së çmimit të naftës.

    Ajo ka thënë se largimi i TVSH-së nuk është zgjidhje sepse nuk ofron asnjë garanci.

    Tutje, i është kundërpërgjigjur opozitës më akuzën e vjetër të Vetëvendosjes për kontestimin e Ligjit për Çmimet Tavan.

    “TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks. Edhe nëse hiqet apo ulet TVSH-ja, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet te çmimet finale për qytetarët. Ekziston rreziku real që operatorët ekonomikë të mbajnë të njëjtat çmime, duke mos e reflektuar uljen në çmimin final. Në anën tjetër, mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Prandaj, diskutimi për çmimet nuk duhet të fokusohet vetëm te TVSH-ja, por në një qasje më të gjerë që siguron transparencë, konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje reale për konsumatorin. Ndërkohë, sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara. Rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l. Inspektorati Qendror dhe Administrata Tatimore, në bashkërendim me Doganat e Kosovës, do të vazhdojnë monitorimin strikt të tregut të brendshëm”, ka thënë ajo.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit Ilaz Brahimit që u vra mbrëmë nga e dashura

    Nesër i jepet lamtumira e fundit Ilaz Brahimit që u vra mbrëmë nga e dashura

    Familja Brahimi nga Obiliqi ka njoftuar se nesër do të varroset më i dashuri i tyre, Ilazi, që vdiq tragjikisht në Majac të Podujevës.

    Në postimin e një familjari thuhet se të ndjerit do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit.

    Ceremonia mortore do të nis nga ora 12:30.

    Ndryshe, viktima u vra nga e dashura e tij, Ardita Gashi, e cila të dielën mbrëma e qëlloi edhe gruan e axhës së saj, në rrethana dhe për motive akoma të panjohura.

    E plagosura dhe vet e dyshuara, vdiqën sot në QKUK. Kjo e fundit u lëndua pasi e plagosi veten.

  • Trump: Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, SHBA-ja e Irani do ta kontrollojnë së bashku

    Trump: Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, SHBA-ja e Irani do ta kontrollojnë së bashku

    Presidenti amerikan Donald Trump i tha CNN të hënën se Ngushtica e Hormuzit do të jetë “shumë shpejt e hapur”, duke shtuar se do të donte që kjo rrugë jetike detare të ishte nën kontroll të përbashkët të SHBA-së dhe Iranit.

    I pyetur nga Kaitlan Collins e CNN se kur pritet të rihapet ngushtica, Trump tha: “Ajo do të hapet shumë shpejt”, nëse negociatat me Iranin vazhdojnë me këtë ritëm.

    “Ajo do të kontrollohet së bashku”, shtoi ai. “Unë dhe Ajatollahu, kushdo që është Ajatollahu, kushdo që do të jetë Ajatollahu i ardhshëm”.

    “Dhe do të ketë gjithashtu një formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit”, tha Trump, duke iu referuar goditjeve në orët e para të konfliktit që eliminuan një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë të Iranit. “Automatikisht ka një ndryshim regjimi”, tha ai, para se të sugjeronte se bisedimet gjatë fundjavës treguan shenja për përfundimin e konfliktit.

    “Por ne po merremi me disa njerëz që unë i konsideroj shumë të arsyeshëm, shumë të qëndrueshëm”, i tha Trump Collins. “Njerëzit brenda e dinë se kush janë, janë shumë të respektuar, dhe ndoshta njëri prej tyre do të jetë pikërisht ai që ne po kërkojmë”.

  • Ngritja e çmimit, Berjani i çon letër Kurtit, Muratit dhe Kusarit: Kërkon heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës

    Ngritja e çmimit, Berjani i çon letër Kurtit, Muratit dhe Kusarit: Kërkon heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës

    Kryetari i naftëtarëve Fadil Berjani ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë aktualisht janë në lëvizje për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se nuk mund të parashikohen çmimet për ditët në vijim.

    Sipas tij, çmimet me pakicë sillen rreth 1.70 deri në 1.78 euro për dizelin dhe 1.30 deri në 1.42 euro për benzinën, ndërsa çmimi furnizues ka qenë rreth 1.74 euro.

    Ndërkohë, Berjani ka bërë të ditur se i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, Hekuran Muratit dhe Mimoza Kusari-Lilës duke kërkuar heqjen e përkohshme të TVSH-së për derivatet e naftës.

    Ai theksoi se kjo masë do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e kostos për qytetarët, në kushtet e rritjes së çmimeve.

    Sipas tij, nga të dhënat e fundit, qytetarët aktualisht paguajnë rreth 0.62 euro për litër në buxhetin e shtetit, krahasuar me rreth 0.52 euro më herët, duke reflektuar rritje të ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër.

    “Kjo masë do të ndikonte drejpërdrejt në uljen e kostos për konsumatorin final, përkatësisht për qytetarët e Kosovës, duke ofruar një lehtësim të menjëherëshëm dhe të prekshëm në kushtet aktuale të rritjes së kostos së jetesës. Bazuar në të dhënat e fundit, me datën 21.03.2026, qytetari paguan rreth 0.62 për litër në buxhetin e shtetin, ndërsa më 21.03.2026, kjo vlerë ishte rreth 0.52.Kjo tregon se përveç rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, është evidentuar edhe një rritje e ngarkesës nga TVSH-ja prej 0.10 euro për litër”, thuhet tutje në letrën që Berjani dërgoi Kurtit dhe ministrave. /GazetaBlic