ATV

Category: Lajme

  • “Koha nuk ekziston”, ja kush hapi biznes në moshën 62 vjeçare, kush e zbuloi talentin në moshën 78 dhe kush fitoi çmimin Nobel në moshën 97

    “Koha nuk ekziston”, ja kush hapi biznes në moshën 62 vjeçare, kush e zbuloi talentin në moshën 78 dhe kush fitoi çmimin Nobel në moshën 97

    Debati mbi “kohën e duhur” për të arritur suksesin në jetë vazhdon të mbetet aktual, mes presioneve shoqërore dhe pritshmërive personale. Në emisionin “LIBERO”, u theksua se arritjet nuk lidhen domosdoshmërisht me moshën, duke u sjellë në vëmendje disa histori frymëzuese nga figura të njohura botërore.

    Një ndër shembujt e përmendur ishte Colonel Harland Sanders, i cili themeloi rrjetin e famshëm të ushqimit të shpejtë KFC në moshën 62-vjeçare, duke dëshmuar se sipërmarrja nuk ka kufi kohor. Po ashtu, Grandma Moses zbuloi talentin e saj për pikturë në moshën 78-vjeçare, duke u bërë një nga artistet më të njohura të artit popullor amerikan.

    Historia e Susan Boyle, e cila u bë e famshme në moshën 47-vjeçare përmes Britain’s Got Talent, dhe ajo e Laura Ingalls Wilder, që publikoi librin e saj të parë në moshën 65-vjeçare, u përmendën si dëshmi të tjera se suksesi mund të vijë në çdo fazë të jetës.

    Ndërkohë, shkencëtari John B. Goodenough fitoi Çmimin Nobel në Kimi në moshën 97-vjeçare, duke sfiduar çdo ide mbi kufijtë e moshës në arritjet akademike dhe shkencore.

    Megjithatë, psikologia Ibelinda Halili theksoi se, ndonëse shumë fusha lejojnë zhvillim të vazhdueshëm gjatë jetës, ekzistojnë edhe profesione dhe disiplina që kanë kufizime kohore. Sipas saj, “në disa gjëra – sfera të caktuara – ka afate kohore strikte, ndërsa në disa të tjera ka jetëgjatësi më të madhe”.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth temës: “A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë”?, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Riintegrimi në shoqëri, 38 të dënuar në Dubravë nisin trajnim profesional

    Riintegrimi në shoqëri, 38 të dënuar në Dubravë nisin trajnim profesional

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka filluar një trajnim profesional për të dënuarit, i cili sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, po zhvillohet në katër fusha: metalpunues, instalues i ujit dhe kanalizimit, murator dhe zdrukthëtar.

    “Ky trajnim po organizohet në bashkëpunim me Qendrën për Aftësim Profesional në Pejë dhe synon ngritjen e kapaciteteve profesionale të të dënuarve, si dhe përgatitjen e tyre për riintegrim në shoqëri pas përfundimit të mbajtjes së dënimit”, thotë SHKK-ja.

    Kanë treguar se në këto programe janë regjistruar gjithsej 38 të dënuar, të cilët kanë shprehur interesim për zhvillimin e aftësive të tyre në profesionet përkatëse.

    Programet e trajnimit, thotë SHKK-ja, do të zgjasin tre muaj dhe do të realizohen nga trajnerë të kualifikuar sipas planit të paraparë të trajnimit. Pas përfundimit të trajnimit, kandidatët e suksesshëm do të certifikohen.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në ofrimin e programeve që ndihmojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.

  • AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për ngjarje tragjike, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj familjeve të prekura.

    AIP thekson se është thelbësore që në raste të tragjedive, raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në këto situata të ndjeshme, është thelbësore që raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, duke respektuar privatësinë, dinjitetin dhe dhimbjen e familjarëve. Agjencia thekson se mbrojtja e të dhënave personale është detyrim ligjor dhe moral, veçanërisht në situata të ndjeshme”, njofton AIP.

    Agjencia fton mediat që të veprojnë me ndjeshmëri dhe korrektësi, duke kontribuar në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe duke treguar solidaritet me familjet në momente të vështira.

    Duke marrë shkas ngjarjet e fundit tragjike në vend, ku brenda një jave nga të shtënat me armë zjarri u vranë pesë persona, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ua ka rikujtuar mediave Kodin e Mediave të Shkruara dhe raportimin për tragjedinë dhe mbrojtjen e privatësisë.

  • Osmani bën homazhe për ushtarët e rënë të NATO’s: Mirënjohje e përhershme

    Osmani bën homazhe për ushtarët e rënë të NATO’s: Mirënjohje e përhershme

    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore dhe memorialit të ushtarëve të rënë të NATO-s në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

    “Në përvjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kujtojmë një nga momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne. Më 24 mars 1999, përballë një tragjedie njerëzore nga veprimi gjenocidal i Serbisë, aleanca ushtarake më e fuqishme e botës demokratike ndërmori veprime vendimtare për të ndalur mizorinë e regjimit kriminal. Ky ishte një akt që i dha fund një epoke të errët dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe paqes. “NATO air, just do it” mbetet simbol i thirrjes për veprim në mbrojtje të vlerave universale, një thirrje që u dëgjua dhe u përkthye në vendim dhe përgjegjësi historike. Mirënjohje e përhershme për gra e burra të NATO-s, të cilët qëndruan në anën e drejtë të historisë”, tha ajo.

    Osmani shtoi se kjo ditë rikujton se liria dhe paqja kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm “dhe se, në momentet vendimtare, veprimi është ai që e përcakton historinë”.

  • 27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali iu është bashkuar reagimeve në kuadër të përvjetorit i 27 të ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë.

    Përmes një mesazhi në Facebook, Spiropali theksoi se 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.

    “Më 24 mars 1999, bota demokratike bëri diçka që nuk ndodh shpesh në histori. Vendosi të mos presë më. Bombardoi.
    Kosova po zhbëhej para syve të botës dhe ndërhyrja nuk erdhi si luks i fuqisë, por si detyrim i ndërgjegjes. Ishte momenti kur Perëndimi nuk e mati veten me interes, por me përgjegjësi.

    Dhe pikërisht për këtë arsye, 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.
    Kjo nuk do të thotë se NATO-ja e ka humbur fuqinë.

    Do të thotë se sot e ka më të vështirë ta kthejë fuqinë në vullnet. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia historike e asaj date. Na kujton një kohë kur aleanca nuk pyeti vetëm sa kushton veprimi, por edhe sa kushton mosveprimi.
    Prandaj 24 marsi nuk i përket vetëm kujtesës së Kosovës.

    I përket biografisë morale të NATO-s. Sepse në Kosovë, aleanca nuk mbrojti vetëm një popull. Mbrojti kuptimin e vetes.
    Sot, 27 vjet më pas, kjo datë është krahasim.

    Bota është më e ndarë, vendimet më të ngadalta, ndërhyrja nuk është më refleks, por dilemë. Por 1999 mbetet provë e pashlyeshme: kishte momente kur neutraliteti nuk ishte paqe, por dorëzim.
    Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë. 24 marsi mbetet. Edhe kur gjithçka tjetër lëviz”, shkruan Spiropali.

  • Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, duke e cilësuar atë si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

    Ai theksoi se ndërhyrja 78-ditore e NATO-s përfaqësoi përputhjen e sakrificës së popullit të Kosovës me vendimin e aleatëve ndërkombëtarë për liri dhe dinjitet.

    Abdixhiku nënvizoi se sot ekziston një detyrim për të ruajtur miqësinë me aleatët dhe për të forcuar rrugën euroatlantike të vendit.

    Ai propozoi që 24 marsi të trajtohet si datë kombëtare e Kosovës, si simbol i ditës kur, sipas tij, historia mori një drejtim të ri për vendin.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Sot shënojmë 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një nga kthesat më të thella në historinë moderne të Kosovës.

    Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes nderkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar – dhe atë në formën më të bukur të mundshme – nga qielli.

    Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë.

    Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën.

  • Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe ish-eprori i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, kryetar Komunash kanë bërë homazhe me rastin e 28-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.

    Homazhet u zhvilluan në Gllogjan, në përkujtim të betejës së 24 marsit 1998, kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përballën me forcat serbe që kishin rrethuar fshatin.

    Të pranishmit vendosën lule dhe bënë nderime pranë varrezave të dëshmorëve, duke kujtuar sakrificën e të rënëve në këtë betejë, e cila konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së në Dukagjin.

    Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, ndërsa beteja e Gllogjanit mbetet një nga përballjet më të njohura të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. /eo

  • Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Duke folur gjatë një vizite në Australi, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për një paqe të negociuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke thënë se është “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin në vazhdim.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të arrijmë në një zgjidhje të negociuar, e cila t’i japë fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme,” tha von der Leyen, së bashku me kryeministrin australian Anthony Albanese në Canberra.

    Disa vende të BE-së po përgatiten të ndihmojnë në një “mision” për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit pasi të përfundojë lufta, tha von der Leyen.

    “Ne të gjithë po i ndiejmë efektet zinxhir në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe në shoqëritë tona,” shtoi ajo, duke theksuar se ky kanal tregtar është “jetik për linjat e furnizimit me energji në mbarë botën.”

     

     

  • 4 IVF i kam bërë për të pasur fëmijë – nuk kam zgjedhë me ra në depresion

    4 IVF i kam bërë për të pasur fëmijë – nuk kam zgjedhë me ra në depresion

    Doktoresha Merita Emini Sadiku në emisionin “LIBERO” ka ndarë një rrëfim personal mbi sfidat e saj në krijimin e familjes, duke theksuar se presioni shoqëror për “kohën e duhur” nuk duhet të përcaktojë jetën e askujt.

    Ajo tregoi se ka kaluar katër procedura IVF për të pasur fëmijë, një rrugëtim i gjatë dhe emocionalisht i vështirë. Megjithatë, përkundër sfidave, Sadiku theksoi se nuk e ka lejuar veten të bjerë në depresion.

    “E kam përvojën time personale në krijimin e familjes në moshë pak më të shtyer se zakonisht, por asnjëherë s’kam rënë pre e idesë që po më ikën koha biologjike” – u shpreh ajo.

    Diskutimi për një “kohë të duhur” për arritjet në jetë, sipas saj, shpesh është më shumë presion shoqëror sesa realitet personal. Doktoresha shtoi se zgjedhja për të mos u ndalur dhe për të mos u fokusuar vetëm te një sfidë e vetme ka qenë vendimtare.

    “…Nuk ka qenë zgjedhja ime të ndalem dhe të bie në depresion për atë problem. Kam pasur objektiva të tjera për t’i arritur dhe ato më kanë dhënë kënaqësi në jetë…”, deklaroi doktoreshë Merita.

    Vendimi për të ndjekur trajtimet IVF ishte një hap i menduar mirë, që në fund i solli përmbushjen që kërkonte. Ajo u bë nënë për herë të parë në moshën 35-vjeçare, ndërsa fëmijën e dytë e solli në jetë në moshën 43-vjeçare.

    Vlen ta theksojmë se sipas Britannica, IVF (In Vitro Fertilization) është një procedurë mjekësore e ndihmuar për të trajtuar infertilitetin, ku vezët e gruas fekondohen me spermë jashtë trupit, në një laborator, dhe më pas embrionet e krijuara transferohen në mitrën e gruas për të mundësuar shtatzëni.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth temës: “A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë”?, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama prej të enjtes ka nisur një seri takimesh në “Vilën 30” me secilin ministër të kabinetit qeveritar.

    Takimi i parë është zhvilluar të enjten me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçin.

    Top Channel mëson se këto takime pune vijuan këtë të martë me ministrin e punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe më pas atë të Drejtësisë, Toni Gogu. Burime nga Ministria e Brendshme treguan se në kë takim nuk është folur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

    Formati i takimeve është konceptuar ministër, sekretar i Përgjithshëm dhe drejtor dikasteresh.

    Burime në dijeni të këtyre takimeve, treguan se bëhet fjalë për analizim të punës së deritanishme të secilës ministri, përfshirë zbatimin e prioriteteve.

    Këto takime pritet të përmbyllen deri në fund të kësaj jave.