ATV

Category: Lajme

  • 27 vjet nga bombardimet e NATO-s, Hamza: Faleminderit që qëndruat në anën e së vërtetës!

    27 vjet nga bombardimet e NATO-s, Hamza: Faleminderit që qëndruat në anën e së vërtetës!

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë

    Si çdo vit, edhe këtë herë, Hamza nderoi heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, dhe njëkohësisht i falënderoi të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës.

    Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se bombardimet e NATO-s u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, “të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike”.

    Ai shtoi se mirënjohja e Kosovës për NATO-n është e përjetshme, sepse, sipas tij, ato ditë vendosën fatin e vendit dhe ishin vendimtare në rrugën drejt lirisë.

    “Nga 24 marsi 1999 deri te sfidat e sotme, rruga jonë mbetet e njëjtë: në anën e së vërtetës. Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë! NATO, faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar i pari i PDK-së.

  • Alarm për prindërit – Kukullat me substancë vdekjeprurëse shiten në dyqan

    Alarm për prindërit – Kukullat me substancë vdekjeprurëse shiten në dyqan

    Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Missouri, ku një nënë zbuloi substancën e rrezikshme “Fentanyl” brenda paketimit të një kukulle Barbie, duke ngritur alarm për sigurinë e produkteve për fëmijë, shkruan Daily Mail.

    Jade Adams kishte blerë kukullën nga një dyqan me çmime të ulëta, ndërsa ishte duke bërë pazar me bashkëshortin dhe vajzën e saj. Sipas saj, momenti i hapjes së paketimit ishte tronditës.

    “Kur bashkëshorti im e hapi me thikë, një pluhur u përhap menjëherë në makinë. U habitëm dhe pyetëm veten se çfarë ishte,” tha Adams për mediat lokale.

    Pas incidentit, ajo u kthye menjëherë në dyqan për të paralajmëruar stafin dhe për të kërkuar largimin e produkteve nga raftet.

    Policia e qytetit bëri të ditur se ishte njoftuar për një substancë të dyshimtë dhe, pas analizave, konfirmoi se bëhej fjalë për fentanyl, një drogë shumë e rrezikshme.

    Hetimet zbuluan se të paktën pesë njësi të tilla ishin shitur, por të gjitha janë identifikuar dhe rikuperuar nga autoritetet. Sipas policisë, vetë kukullat nuk ishin të manipuluara, por substanca ishte vendosur e ngjitur në pjesën e pasme të paketimit.

    Adams u shpreh e frikësuar për pasojat që mund të kishte pasur ky incident, veçanërisht për fëmijët.

    “Mund ta kishin shpërndarë atë pluhur nëpër trup apo në shtëpi. Kjo është vërtet e tmerrshme, sidomos kur mendon për fëmijët,” tha ajo.

    Autoritetet theksuan se nuk ka prova që produktet e manipuluara janë shpërndarë në dyqane të tjera dhe fatmirësisht nuk janë raportuar të lënduar. Megjithatë, hetimet vijojnë.

    Rasti ka shkaktuar reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë shprehur shqetësim dhe lehtësim që incidenti u zbulua në kohë

  • Sekuestrohen 12 kg drogë në Itali dhe 90 mijë euro: Arrestohen 4 persona, ndër ta dy shqiptarë

    Sekuestrohen 12 kg drogë në Itali dhe 90 mijë euro: Arrestohen 4 persona, ndër ta dy shqiptarë

    53 mijë euro para të gatshme, 4.5 kilogramë kokainë dhe 1.7 kilogramë hashash u sekuestruan në shtëpinë e tij në Osio Sopra.

    Ky është përfundimi i hetimit të Policisë së Shtetit, të kryer midis provincave të Bergamos dhe Milanos, i cili çoi në sekuestrimin e një totali prej 12 kilogramësh drogë dhe 90 mijë eurosh në para të gatshme.

    Operacioni, i kryer nga oficerë të Seksionit të Krimit të Huaj të Skuadrës Fluturuese të Milanos, u zhvillua midis shtatorit 2022 dhe marsit 2023.

    Pasi mbërritën urdhër-arrestet në mesin e marsit 2026, oficerët kryen kontrolle në shtëpi, duke i gjetur burrat e kërkuar ende në të njëjtat adresa në Osio Sopra dhe Milano, me para të fshehura në mure dhe drogë, kryesisht kokainë dhe hashash, shkruan media italiane Bergamo.corriere.it.

    Të arrestuarit janë dy shqiptarë, të moshës 39 dhe 52 vjeç (ky i fundit nën arrest shtëpiak), dhe një italian 64-vjeçar, transmeton Sinjali.

    Një egjiptian 44-vjeçar, tashmë në burg në Voghera, Pavia, për trafik droge, iu dorëzua një njoftim në qelinë e tij.

  • “Ishte nën përcjellje prej kohësh”, ky është serbi i arrestuar për krime lufte në Kosovë

    “Ishte nën përcjellje prej kohësh”, ky është serbi i arrestuar për krime lufte në Kosovë

    Një ditë më parë, institucionet e sigurisë dhe të hetuesisë në Kosovë e kanë prangosur një person që dyshohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

    Serbi i arrestuar në pikëkalimin kufitar të Merdares është Zoran Stankoviq.

    Ai ishte prej kohësh nën përcjellje nga autoritetet e Kosovës dhe është kapur në momentin që ka hyrë në pikën kufitare të Merdares.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, “i pandehuri, si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999. Brenda afatit ligjor, sipas Kodit te Procedurës Penale, Prokuroria Speciale do të paraqesë në Gjykatën Themelore te Prishtinës, Departamenti Special kërkesën për paraburgim”, thuhet në njoftim.

  • Sulm masiv gjatë natës në Ukrainë – Rusia godet me raketa dhe dronë, 4 të vrarë dhe 16 të plagosur

    Sulm masiv gjatë natës në Ukrainë – Rusia godet me raketa dhe dronë, 4 të vrarë dhe 16 të plagosur

    Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë në disa qytete ukrainase gjatë natës, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur 16 të tjerë, njoftuan zyrtarët vendas.

    Sulmi i fundit vjen vetëm disa orë pasi Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi për një sulm masiv të afërt nga forcat ruse, duke cituar raportet e inteligjencës ukrainase.

    Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Poltavas dhe Zaporizhzhia duke filluar pak para orës 3 të mëngjesit sipas orës lokale. Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për herë të parë për raketa balistike ruse që po vinin rreth orës 2:45 të mëngjesit sipas orës lokale.

    Shpërthime të mëtejshme u dëgjuan gjithashtu në Oblastin Ivano-Frankivsk, në perëndim të largët të vendit, rreth orës 4:30 të mëngjesit, raportoi transmetuesi publik Suspilne.

    Guvernatori i Oblastit të Zaporizhzhisë, Ivan Fedorov, raportoi se të paktën një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën në sulmin e natës në Zaporizhzhia, përfshirë një sulm me dron në qytet.

    Fedorov tha se gjashtë ndërtesa apartamentesh, dy shtëpi dhe një “objekt i infrastrukturës industriale” i paspecifikuar pësuan dëme dhe u përfshi nga zjarri gjatë sulmit.

    Në Poltava, guvernatori rajonal Vitaliy Dyakivnych raportoi se disa ndërtesa banimi, si dhe një hotel, kishin pësuar dëme gjatë sulmit. Të paktën dy persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në sulm.

    Alarme për sulme ajrore janë lëshuar në pothuajse të gjitha rajonet e Ukrainës gjatë natës, me dronë rusë që kanë synuar rajone të ndryshme të vendit duke përfshirë raportime për dronë që fluturojnë në rajonet më perëndimore të vendit.

    Forcat Ajrore të Polonisë thanë se ngritën në ajër avionë luftarakë polakë dhe të aleatëve për të mbrojtur hapësirën ajrore polake gjatë sulmit.

    Më herët gjatë natës, shpërthime u dëgjuan edhe në Kiev gjatë një sulmi me dronë në kryeqytet.

    Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terehov tha se një dron u rrëzua në një fushë të hapur në qytet pa shpërthyer ose shkaktuar dëme.

  • Begaj: NATO e solli lirinë në Kosovë e paqen në rajon, Shqipëria është falënderuese ndaj SHBA’ve dhe aleatëve të saj

    Begaj: NATO e solli lirinë në Kosovë e paqen në rajon, Shqipëria është falënderuese ndaj SHBA’ve dhe aleatëve të saj

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, president i Shqipërisë, është deklaruar në lidhje me 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, duke thënë se e njëjta e solli lirinë e vendit dhe paqen në gjithë rajonin.

    Presidenti Begaj ka thënë edhe se, Shqipëria i është falënderuese SHBA’ve dhe aleatëve të saj.

    ‘‘Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s kundër regjimit shtypës serbomadh të Millosheviçit, fushatë e cila përfundoi me sukses duke sjellë lirinë e Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në të gjithë rajonin.

    Shqipëria, sot e përgjithmonë, i është falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj të NATO-s!’’, ka thënë Begaj.

  • Osmani kujton ndërhyrjen e NATO’s me një mesazh për ruajtjen e aleancave, publikon edhe fjalimin e Clintonit

    Osmani kujton ndërhyrjen e NATO’s me një mesazh për ruajtjen e aleancave, publikon edhe fjalimin e Clintonit

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar ndërhyrjen e NATO’s në Kosovë 27 vjet më parë duke publikuar videon kur presidenti Bill Clinton kishte dhënë lajmin se kishin vendosur për këtë ndërhyrje.

    Osmani këtu pati edhe një mesazh për ruajtjen e aleancave, duke thënë se që sollën lirinë duhet të mbrohen si vetë liria.

    “27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”.

  • Garda Revolucionare Islamike: Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, s’ka nevojë për mina!

    Garda Revolucionare Islamike: Irani kontrollon plotësisht Ngushticën e Hormuzit, s’ka nevojë për mina!

    Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ebrahim Zolfaghari deklaroi se Irani mban kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se fuqitë e huaja nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në rajon.

    Në një deklaratë të fundit, ai theksoi se Iran ka autoritet të plotë dhe mban iniciativën në Persian Gulf, si dhe në ujërat territoriale të Oman, duke ushtruar kontroll mbi ngushticën përmes “inteligjencës dhe fuqisë së jashtëzakonshme”.

    Zolfaghari shtoi se, për shkak të këtij sovraniteti dhe kapaciteteve ushtarake, Teherani nuk e sheh të nevojshme vendosjen e minave detare në Gjirin Persik. “Nëse është e nevojshme, ne do të përdorim çdo mjet për të garantuar sigurinë”, deklaroi ai.

    Sipas tij, forcat e armatosura iraniane, në bashkëpunim me vendet e rajonit, janë të afta të sigurojnë stabilitetin dhe sigurinë në zonë, ndërsa kritikoi praninë e aktorëve jashtë rajonit, duke theksuar se ata “nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë”.

    Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Hoxhaj kujton ndërhyrjen e NATO-s: Ky duhet të jetë përvjetori i fundit pa krerët e UÇK-së në Kosovë

    Hoxhaj kujton ndërhyrjen e NATO-s: Ky duhet të jetë përvjetori i fundit pa krerët e UÇK-së në Kosovë

    Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, Enver Hoxhaj ka kujtuar këtë ngjarje si momentin vendimtar që ndali gjenocidin në Kosovë dhe hapi rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

    Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka treguar edhe për një vizitë të tij në një bazë ushtarake të NATO-s në vendet baltike, ku kishte parë nga afër një nga aeroplanët që kishte marrë pjesë në bombardimet mbi Serbi në vitin 1999.

    “Para 27 vitesh, bota u bashkua për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Sot kujtojmë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një moment vendimtar që i dha fund dhunës dhe na dha lirinë që kemi sot,” ka thënë Hoxhaj.

    Ai ka shtuar se gjatë një vizite në një bazë të NATO-s në Baltik, afër Rusisë, kishte parë një nga aeroplanët që hodhi më së shumti bomba mbi Serbi.

    “Ky aeroplan nuk është vetëm një pjesë e historisë, por një kujtim i përjetshëm i lirisë dhe drejtësisë që kemi sot,” është shprehur ai.

    Hoxhaj ka shprehur mirënjohje të përhershme ndaj aleatëve perëndimorë për rolin e tyre në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Falënderues përherë ndaj ShBA-së, BE-së dhe Perëndimit për mbështetjen e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,” ka deklaruar ai.

    Në fund, ai ka theksuar se beson që ky është përvjetori i fundit i ndërhyrjes së NATO-s pa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, duke përmendur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndërhyrja e NATO kundër Serbisë filloi më 24 mars 1999 dhe konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, pasi i dha fund luftës dhe çoi drejt çlirimit të vendit.

  • PDK thërret konferencë për media

    PDK thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Në njoftimin dërguar media nuk bëhet e ditur arsyeja e mbajtjes së kësaj konference.

    Konferenca do të mbahet në ora 14:00 në selinë qendrore të partisë.