ATV

Category: Lajme

  • Kim Jong Un: Lufta me Iranin tregon se Koreja e Veriut ka nevojë për armë bërthamore

    Kim Jong Un: Lufta me Iranin tregon se Koreja e Veriut ka nevojë për armë bërthamore

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka përdorur luftën në Iran për të justifikuar mbajtjen e armëve bërthamore nga regjimi i tij.

    Në një fjalim para Asamblesë Popullore të këtij vendi autoritar, Kim tha:

    “Realiteti i sotëm tregon qartë legjitimitetin e zgjedhjes strategjike dhe vendimit tonë për të refuzuar fjalët e ëmbla të armiqve dhe për të siguruar përgjithmonë arsenalin tonë bërthamor.”

    Ai shtoi se Korea e Veriut “nuk është më një vend nën kërcënim” sepse ka “fuqinë për të paraqitur kërcënim”.

    “Qeveria jonë do të vazhdojë të konsolidojë me vendosmëri statusin e saj si fuqi bërthamore,” shtoi Kim.

    Programi bërthamor i Koresë së Veriut ka qenë objekt i negociatave ndërkombëtare që prej vitit 2003, kur vendi deklaroi se posedonte armë bërthamore. Megjithatë, bisedat janë shembur përsëri dhe përsëri.

  • Bimbashi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së

    Bimbashi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së

    Gëzim Bimbashi ka dhënë dorëheqja nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

    Këtë e ka bërë të ditur vet Bimbashi përmes një njoftimi për media, i cili tha se angazhimet si gazetar nuk e lejojnë të jetë i përkushtuar siç duhet për këtë pozitë dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë konflikt.

    “Ky vendim nuk lidhet me ndonjë konflikt apo arsye të jashtme. Dorëheqja ime vjen si pasojë e lodhjes dhe përqendrimit të energjisë sime në profesionin dhe karrierën time si gazetar. Angazhimet profesionale dhe private nuk më lejojnë të vazhdoj këtë detyrë me përkushtimin që ajo kërkon, dhe ndihem i detyruar të hap rrugë për energji të re dhe për një drejtim të ri të Sindikatës”, tha Bimbashi në njoftim.

    Ai tha se në këtë sindikatë është punuar për mbrojtjen e punëtorëve të RTK-së dhe se kanë reaguar nga padrejtësitë.

    “Gjatë dekadës që kam qenë pjesë e kësaj detyre, kemi punuar së bashku në mbrojtje të punëtorëve dhe të RTK-së. Kemi përballuar sfida, kemi reaguar ndaj padrejtësive, kemi marrë pjesë aktive në komisione dhe takime me institucione, kemi përfaqësuar Sindikatën në forume rajonale dhe ndërkombëtare, kemi organizuar komunikata dhe protesta kur ka pasur nevojë, dhe kemi zhvilluar aktivitete sociale dhe humanitare për anëtarët. Qindra komunikata, takime, aktivitete dhe përfaqësime janë dëshmi e punës sonë të përbashkët”, tha Bimbashi.

    Gjithashtu thotë se është koha për një energji të re në sindikatën që ai udhëheqi.

    “Pas një dekade angazhimi, ndihem se është koha që Sindikata të ketë energji të re dhe të fuqizohet edhe më shumë. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka treguar se është shembull i organizimit sindikal në Kosovë dhe mbetet autoritet i rëndësishëm brenda institucionit. Për këtë arsye, i bëj thirrje të gjithë kolegëve, përfshirë ata që ende nuk janë pjesë e Sindikatës, ta përqafojnë dhe ta mbështesin, sepse vetëm e bashkuar mund të ketë peshë reale dhe të mbrojë dinjitetin e punëtorëve”, tha Bimbashi.

  • Zbulim tronditës në Kenia: Foshnja dhe fëmijë të varrosur në një varrezë masive

    Zbulim tronditës në Kenia: Foshnja dhe fëmijë të varrosur në një varrezë masive

    Rreth 32 trupa, kryesisht fëmijë dhe foshnja, janë nxjerrë nga një varrezë masive në qytetin perëndimor kenian të Kericho, ndërsa hetimet vazhdojnë. Nxjerrja u bë pas një urdhri gjykate për 14 trupa që fillimisht besohej se ishin varrosur aty.

    Patologu qeveritar, Richard Njoroge, tha se trupat u gjetën “të vendosur në qese druri” dhe se disa dukeshin se kishin origjinë nga spitale dhe morgje. Nga autopsitë do të përcaktohet koha dhe rrethanat e vdekjes.

    Të martën, detektivë dhe ekipe forenzike punuan nën siguri të rreptë për të rikuperuar trupat, disa të paprekur e disa pjesërisht. Policia rrethoi zonën ndërsa banorë të tronditur ndiqnin procesin.

    Dy persona, një punonjës shëndetësor dhe një kujdestar varreza, janë arrestuar, ndërsa të tjerët po pyeten. Grupi i të drejtave të njeriut, Vocal Africa, e përshkroi zbulimin si “tronditës dhe të tmerrshëm”, duke kërkuar identifikim dhe hetim të menjëhershëm.

    Ky rast vjen pas një ngjarjeje të ngjashme në vitin 2023 pranë Malindi, ku pastori Paul Mackenzie u arrestua pas gjetjes së 429 trupave, përfshirë fëmijë, në pyllin Shakahola.

  • Paraqitet në Polici gruaja që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj

    Paraqitet në Polici gruaja që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj

    E dyshuara që dyshohet se vodhi në një qendër tregtare në Ferizaj është paraqitur vetë në stacionin policor të qytetit.

    Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më 6 janar 2026, në një qendër tregtare në Ferizaj.

     

  • Ra nga 50 në 38 ulëse në zgjedhjet e së martës, kryeministrja daneze ‘ende në lojë’ për Kryeministrinë

    Ra nga 50 në 38 ulëse në zgjedhjet e së martës, kryeministrja daneze ‘ende në lojë’ për Kryeministrinë

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, pritet të dorëzojë qeverinë e saj pas një humbjeje në zgjedhjet e së martës.

    Partia e saj, Social Demokratët, pati rezultatin më të dobët që nga 1903, duke fituar vetëm 38 ulëse nga 179, në rënie nga 50 ulëse katër vjet më parë.

    Shqetësimet mbi migracionin, krizën e jetesës dhe mirëqenien sociale dominuan zgjedhjet, duke e mposhtur mbështetjen që Frederiksen kishte për qëndrimin e saj të fortë ndaj përpjekjeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Grenlandës.

    Megjithatë, Frederiksen mund të rikthehet si udhëheqëse e një kabineti të ri, pasi negociatat për formimin e qeverisë së ardhshme mbeten të vështira dhe të paqarta, raporton Reuters.

  • Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Pacolli emëron Bajram Kafexhollin u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm në ministri

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ftore Pacolli, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.

    Ajo ka bërë me dije se në këtë pozitë e ka emëruar Bajram Kafexholli.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka treguar pse e ka marrë këtë vendim.

    “Kam emëruar ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Bajram Kafexholli. Ky emërim vjen në funksion të ndryshimeve që po bëjmë dhe të forcimit të kapaciteteve të Ministrisë me qëllim të rritjes së efikasitetit për të avancuar prioritetet tona. Ne jemi të përkushtuar për reforma të vazhdueshme në kthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar ajo.

  • Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Bedri Krasniqi kërkon masë lehtësuese: Dje i kam bërë 20 vjet burgim, akuzat kurrë nuk m’u kanë nda

    Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u shqyrtua ankesa e Prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Bedri Krasniqi ishte liruar nga akuza për kanosjen e Shkumbin Mehmetit.

    Kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave esenciale ligjore si dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I akuzuari Bedri Krasniqi tha se tash e 20 vjet është në burg dhe se asnjë masë lehtësuese ndaj tij nuk është marrë asnjëherë.

    “Dje i kam bo 20 vjet që jam ra në burg. Dhe për 20 vjet, kurrë një masë lehtësuese në drejtim temin nuk është marrë. Akuzat kurrë nuk m’u kanë nda që 20 vjet, kurrë hiç, kurrë pa akuza s’kam mbet”, tha Krasniqi.

    Ai tha se është i shqetësuar me ankesën e Prokurorisë për të kthyer rastin në rigjykim, duke shtuar se “Prokuroria nuk po heq dorë prej akuzave”.

    “Unë propozoj qysh kam propozu në rastin në shkallë të parë, kjo vepër s’ka ndodh kurrë i nderum gjyqtar, por sido që të vendosni ju unë e pranoj se nuk kam më motiv i nderum gjyqtar me u shty për këtë vepër se është shku kohë shumë e gjatë”, tha ai.

    Kolegji i Apelit përbëhej nga Avdullah Ahmeti- kryetar, Anita Krasniqi-Prenaj gjyqtare referuese dhe Mehmet Ndrecaj- anëtar.

    Ndryshe, Krasniqi më 13 shtator 2023 ishte liruar nga Themelorja për vrasjen rëndë ndaj dy zyrtarëve të UNMIK. Vendim i cili për pjesën e tij i ishte konfirmuar edhe nga Apeli.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbin Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

    Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

    Me këtë, Krasniqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

  • Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Dërgimi i ushtarëve shtesë nga ShBA, Kryetari i Parlamentit të Iranit: Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën

    Irani po monitoron nga afër të gjitha lëvizjet e SHBA-së në rajon, “veçanërisht dislokimet e trupave,”, ka deklaruar Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.

    Deklarata vjen pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi dislokimin e më shumë se 1 mijë ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme, raporton NBC News.

    “Ajo që gjeneralët kanë prishur, ushtarët nuk mund ta rregullojnë; përkundrazi, ata do të bien viktimë e iluzioneve të Netanyahut”, Ghalibaf në një postim në X.

    “Mos e vini në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur tokën tonë”, ka deklaruar Ghalibaf. /Reporteri.net

     

  • Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja kërkon sqarim shtesë nga Kushtetuesja për emërimin e tre anëtarëve të VV’së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sot lidhur me emërimin e anëtarëve nga partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Osmani, ka thënë se arsyeja se përse ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është se partitë kanë kërkuar emërimin e më shumë anëtarëve në KQZ.

    Sipas saj, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë e janë emëruar vetëm dy, dhe PDK-ja ka kërkuar dy e është emëruar vetëm një.

    “Për shkak se janë kërku tre nga Vetëvendosja, janë emëru vetëm dy. Janë kërku dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”, tha ajo.

    Sipas saj, Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë dhe se janë në pritje të përgjigjes.

    “Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, tha ajo.

  • Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, jep dorëheqjen pas zgjedhjeve të parakohshme

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka dhënë dorëheqjen nga posti gjatë takimit me Mbretin Frederik, ka bërë të ditur të mërkurën Pallati Mbretëror danez.

    Vendimi i saj vjen pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të së martës, në të cilat Frederiksen kryesoi me vota, por nuk arriti shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Qeveria trepartiake në largim nuk ka shumicën e nevojshme për të vazhduar në detyrë; ajo ka fituar 70 vende, shumë më pak se 90 të kërkuara për një shumicë.

    Megjithatë, Frederiksen pritet të mbetet kryeministre në detyrë deri në formimin e një administrate të re, dhe mbetet një nga favoritet për t’u rikthyer në post.

    Një takim i partive politike është thirrur për në orën 13:00 sipas kohës lokale, ku do të shqyrtohet rruga e mundshme për formimin e shumicës së re dhe qeverisë së ardhshme.

    Vendimi i Frederiksen për dorëheqje lë në lëvizje procesin e formimit të qeverisë së re, duke hapur rrugën për negociata ndërpartiake dhe krijimin e një shumice të re parlamentare.