ATV

Category: Lajme

  • Kërkohet dorëheqja e bordit të ZRrE-së, Azemi: Njehsorët elektrikë e masin gabimisht rrymën

    Kërkohet dorëheqja e bordit të ZRrE-së, Azemi: Njehsorët elektrikë e masin gabimisht rrymën

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se njehsorët elektrikë janë duke matur gabimisht kohën.

    Ai, ka thënë se ka bërë një hulumtim për energjinë elektrike ku si mostër kanë përdorur mbi 800 njehsor në Prishtinë dhe Ferizaj dhe në bazë të këtij hulumtimi kanë gjetur që rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën.

    “Sot jam para jush për me fol për një skandal, një ndër skandalet më të rënda të sektorit të energjisë, që ka të bëjë me regjistrimin njësor elektrik të konsumit të energjisë elektrike në tarifa të ndryshme dhe të një hulumtimi të cilin e kam bë në Prishtinë dhe Ferizaj. Me ju tregu kështu si kronologji, kam filluar e kam vërejt një anomali në njësorë të energjisë elektrike dhe pastaj kam filluar me e bë si hulumtim dhe kam inspektuar dhe kam hulumtuar dikund rreth 900 njësorë elektrikë në zonat e Prishtinës dhe Ferizajt, prej të cilëve pra 87% e këtyre njësorëve kanë rezultuar që nuk e masin kohën ashtu siç duhet, pra kanë gabim. Dhe këtu, të dashur gazetarë, të dashur qytetarë, nuk po flasim për një gabim teknik, po flasim për një mashtrim ose manipulim sistematik, sepse mostra prej 884 njësorëve nga të cilët 87% nuk është një rastësi, pra nuk mund të themi që ka një ‘glitch’ të sistemit, po po flasim që ka një manipulim ku ky skandal iu ka kushtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës miliona euro. Pra, po i shihni disa njësorë të energjisë elektrike dhe po e shihni që nuk përkojnë me kohën reale. Pra koha në njësor këtu për shembull është 07:55 minuta në mëngjes, koha reale është 3:26 pas dite”, tha Azemi para medieve.

    Sipas Azemit, qytetarët paguajnë gjithmonë me tarifa të shtrenjta edhe pse nga ora 22:00 tarifa është e caktuar me të lirën.

    “Në momentin kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë i aprovon tarifat dhe ne kemi tarifën e dimrit dhe të verës, kemi tarifën e ulët dhe të shtrenjtë në orën 22:00 në mbrëmje, gjatë muajve të dimrit, supozohet që qytetarët e Kosovës me përdorë tarifën e ulët të energjisë elektrike. Dhe në atë kohë ne i kemi ndezë pajisjet elektroshtëpiake, pra në orën 22:00 kemi lëshuar ndoshta nxemjen, kemi lëshuar lavatriçen, pajisjet për larjen e enëve, ku ta di unë, duke menduar që po faturohemi me të lirën, realisht energjinë jemi duke e paguar me të shtrenjtën. Dhe dallimi këtu në çmim e dini që është 6 e sa centë me të lirën dhe 13 centë është me të shtrenjtën, pra ka një dallim dikun prej 112% rritje. Pra ky është një mashtrim. Po i shihni këta katër njësorë, varion dallimi prej dy orë e tetë minuta në të parin, tre orë e gjysmë këtu, shtatë orë e gjysmë këtu, i fundit ka tetë orë e tetë, po ka edhe raste ku kjo diferencë shkon deri në 15 orë. Pra është komplet disbalancë dhe çakordim i komplet sistemit të faturimit të energjisë elektrike” tha Azemi.

    Për këtë skandal siç e quan Azemi, kërkohet dorëheqja e bordit të ZRRE-së dhe hetim penal.

    “Pra, këtu duhet me kërkua një përgjegjësi, sepse po shohim qartë që qytetari nuk paska abuzue, paska abuzua KEDS-i në këtë rast. Dhe KEDS-in e monitoron dikush: Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që është bashkëfajtore në këtë mashtrim. Pra, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka aprovuar tarifat dhe ka tregu se kur qytetari duhet me u faturua me çmim të lirë dhe kur duhet me u faturua me çmim të shtrenjtë, atëherë ata është dashtë me u kujdesë që ai implementim i atyre rregulloreve, i atij ligji që kanë nxjerrë vetë Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të zbatohet. Pra ata nuk janë kujdes dhe ka ardhë deri te kjo të cilën po e shohim në ekran, në fotografitë të cilat i paraqita edhe pak më herët. Dhe në fund tash, unë mendoj që këtu duhet të shikohet zinxhiri i përgjegjësisë. Pra, të gjithë ata që kanë përgjegjësi duhet të marrin dënimin e merituar. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kërkojmë që të ketë hetim të pavarur, forenzik madje, dhe auditim të sistemit të faturimit të KEDS-it, me parë se sa është e madhe kjo humbje, sa duhet me e ditë qytetarët se sa para kanë paguar në formë jo të ligjshme në faturat e energjisë elektrike. Duhet dhe po kërkojmë tërheqjen e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sepse këta kanë dështue me implementue vendimet e tyre, ligjet e Republikës së Kosovës, kodin e faturimit dhe kanë dështue me mbrojtë interesin e qytetarit. Pra Zyra e Rregullatorit të Energjisë është për me rregullue tregun dhe sistemin energjetik, është edhe me mbikëqyrë implementimin e vendimeve të veta, po është edhe me mbrojtë interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të bordi” tha Azemi. /Ekonomiaonline

  • Konfirmohet rasti i parë i gripit të shpendëve në Evropë

    Konfirmohet rasti i parë i gripit të shpendëve në Evropë

    Gripi i shpendëve ka infektuar pacientin e parë njerëzor në Evropë. Rasti me infeksionin A(H9N2) është identifikuar në rajonin e Lombardisë së Italisë.

    Ministria e Shëndetësisë së vendit fqinj bën me dije se pacienti ka probleme shëndetësore, me sëmundje bashkëshoqëruese dhe e ka marrë infeksionin në një vend jo evropian. Ai aktualisht ndodhet i shtruar në spital.

    “Të gjitha kontrollet e nevojshme u kryen menjëherë dhe kontaktet përkatëse u identifikuan, si pjesë e aktiviteteve të zakonshme të parandalimit dhe mbikëqyrjes“, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Italisë.

    Sipas asaj që dihet aktualisht rreth gripit të shpendëve, infeksioni ndodh nëpërmjet ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj shpendëve të infektuar, por edhe nëpërmjet kontaktit me mjedise ose materiale të kontaminuara.

    Rastet njerëzore klasifikohen si me patogjenitet të lartë ose të ulët, varësisht nga ashpërsia e sëmundjes. Rastet e para shkaktojnë infeksione të rënda sistemike me vdekshmëri të lartë, ndërsa rastet e dyta shkaktojnë simptoma të lehta ose aspak të frymëmarrjes, por mund të mutohen në forma më agresive.

  • Osmani: Presidenca nuk ishte kulmi i karrierës sime, por vetëm fillimi

    Osmani: Presidenca nuk ishte kulmi i karrierës sime, por vetëm fillimi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të mërkurën se marrja e detyrës si kryetare e Republikës, pesë vjet më parë, nuk ka qenë kulmi i karrierës së saj, por vetëm fillimi.

    Këtë deklaratë ajo e bëri në një organizim për Javën e Gruas në Prishtinë, që rastis të jetë pak ditë para se ta përfundojë mandatin e saj si shefe e shtetit.

    “Pesë vite më parë kur e mora detyrën nuk e pash si kulm të rrugëtimin tim por si fillim. Ishte ai moment kur filloi përgjegjësia dhe pushtetin nuk e mora si privilegj por shërbim”, tha Osmani.

    Sipas Osmanit, pesëvjeçari i saj në krye të shtetit ishte periudhë kur u forcuan institucionet dhe u shtua hapësira për gratë.

    Megjithatë, ajo përmendi edhe atë që e quajti fushatë baltosëse ndaj saj, për të cilën tha se u bë kohët e fundit, pasi shpërndau Kuvendin, me dekret presidencial.

    Edhe pse nuk përmendi emra, e para e vendit tha se kur propaganda mund të kthejë, brenda natës, dikë si tradhtare, atëherë e tërë demokracia është në rrezik.

    “Në javët e fundit puna ime është shfaqur me një fushatë baltosëse. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti njerëzor. Kur propaganda mund të kthejë këdo në tradhtare brenda natës atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha ajo.

  • Franca: Zgjerimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin, i domosdoshëm

    Franca: Zgjerimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin, i domosdoshëm

    Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, ka deklaruar se procesi i zgjerimit me anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës është një domosdoshmëri gjeopolitike e BE-së.

    “Tani duhet të flasim më tepër për ribashkimin e familjes evropiane. Në Evropë është i nevojshëm stabiliteti, kështu që zgjerimi është i domosdoshëm. Duhet të kini parasysh se procesi i zgjerimit është i gjatë dhe i vështirë, sepse shtetet kandidate duhet të përmbushin kërkesat që lidhen me sundimin e ligjit”, tha Benjamin Haddad, ministër për çështjet evropiane i Francës.

    Franca premton ekspertizë.

    “Franca dëshiron t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit. Ne kemi ekspertë të cilët do të dërgohen në shumicën e këtyre vendeve pikërisht për të ofruar mbështetje për reformën e drejtësisë dhe për çështjet ekonomike. Aktualisht ka një reflektim brenda Bashkimit Evropian mbi reformën e procesit të zgjerimit. Jemi të hapur për të zhvilluar diskutime rreth mënyrës në të cilën ndoshta mund të mendojmë në mënyrë krijuese për një status të ri të ndërmjetëm”, shtoi ai.

    Haddad ka vlerësuar mbajtjen e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë vitin e kaluar.

    “Ndonjëherë mjafton të bësh një shëtitje në Mal të Zi, në Shqipëri, në Moldavi dhe gjetkë për të parë se çfarë vazhdon të përfaqësojë Bashkimi Evropian për këto shtete që duan të anëtarësohen në të”, tha më tej Benjamin Haddad.

    Franca ka qenë vitet e fundit skeptike për procesin e zgjerimit, por së fundmi ka dhënë sinjale politike për përshpejtimin e integrimit evropian të shteteve ballkanike.

  • Çmimet e naftës, Mustafa i PDK’së: Qeveria po qëndron spektror, të ulën menjëherë taksat mbi derivatet

    Çmimet e naftës, Mustafa i PDK’së: Qeveria po qëndron spektror, të ulën menjëherë taksat mbi derivatet

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve të fundit, që kanë prekur derivatet.

    Mustafa ka thënë se çmimet e naftës sot, janë ‘’shumë’’ dhe ‘’ të përballueshme.

    ‘’Kosova ka hy në një valë të re të rritjes së çmimeve. Qytetarët po ballafaqohen me një valë të ashpër të rritjes së çmimeve. Sot çmimi ka arrit në rreth 1.80 cent. Kjo është shumë, e papërballueshme. Rritja e çmimit të naftës ndikon në rritjen e kostos së transportit, në atë të prodhimit, dhe çon në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimit, pra çon në rritjen e çmimit të të gjitha produkteve që ne i konsumojmë’’, ka thënë ai.

    Ai ka thënë edhe se ekonomia e vendit dhe qytetarët kanë nevojë ‘’për dorën e shtetit’’ kundër çmimeve të fundit të cilat, ka thënë ai, ‘po e gërryejnë standardin e jetesës’’.

    ‘’Ekonomia ka nevojë për dorën e shtetit, qytetarët kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit kundrejt çmimeve që po gërryejnë standardin e tyre të jetesës. Mirëpo ajo dorë e shtetit nuk po shihet. Sepse ata që qeverisn sot janë po të njëjtit që kanë qeverisë edhe në vitin 2022, kur lejuan që vala e inflacionit të shpërthente lirshëm pa asnjë reagim nga qeveria. Këtë po e bëjnë edhe sot duke qëndruar spektatorë kundrejt një rritje të ashpër të çmimeve që po ndodh’’, ka thënë ai tutje.

    Deputeti i PDK’së ka theksuar se kjo parti kërkon që të ketë ulje të taksave mbi derivatet e naftës.

    ‘’ Është momenti që ata që e qeverisin vendin të tregojnë përgjegjësi dhe të reagojnë ndaj sfidave reale. Sot ekonomia ka nevojë për ndërhyrjen emergjente të shtetit. Ne kërkojmë ulje të menjëhershme ulje të taksave mbi derivatet e naftës. Kërkojmë masa konkrete për mbrojtje të bujqve dhe prodhuesve vendor’’, ka thënë ai tutje.

  • Dorëhiqet kryeministrja e Danimarkës pas humbjes në zgjedhje

    Dorëhiqet kryeministrja e Danimarkës pas humbjes në zgjedhje

    Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i paraqiti të mërkurën dorëheqjen e qeverisë së saj mbretit, pasi koalicioni i saj trepartiak pësoi një humbje të madhe në zgjedhjet e përgjithshme.

    Kjo u bë e ditur përmes një deklarate nga pallati mbretëror.

    Partitë janë gati të nisin negociata potencialisht të vështira dhe të gjata për të përcaktuar nëse qeveria e ardhshme do të formohet nga Frederiksen apo nga një udhëheqës tjetër partie, raporton Reuters.

  • Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit: Vetëm 37% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se deri më sot, mbi 37 për qind e zyrtarëve publikë kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025. Ndërkohë, mbi 42 për qind e tyre nuk e kanë nisur ende këtë proces, edhe pse afati ligjor për përfundimin e deklarimit është 31 marsi.

    Më 31 mars përfundon afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë. Deri më tani, rreth 4 mijë zyrtarë publikë e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë për vitin 2025.

    Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se ky proces është duke vijuar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore.

    “Deri më tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë, apo 37.82%, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34, apo 19.65%, e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, respektivisht 4 mijë e 404 apo 42.54%, ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, ka thënë Buleshkaj.

    Ai ka theksuar se mosdeklarimi brenda afatit, vonesat apo deklarimet e pasakta përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me gjoba, kallëzim penal, madje edhe me dënim me burgim deri në pesë vjet. Po ashtu, ai shtoi se pasuria e padeklaruar mund t’i nënshtrohet konfiskimit.

    Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë ngritur kallëzime penale ndaj 44 personave për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë.

    Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi Hajdari, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, tha se për disa raste hetimet janë pushuar, ndërsa për katër persona janë ngritur aktakuza.

    Sipas Agjencisë, numri i përgjithshëm i zyrtarëve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10 mijë e 340, përfshirë mjekë dhe profesorë. Afati për deklarimin e pasurisë për vitin 2025 përfundon më 31 mars, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta ndaj atyre që nuk e përmbushin këtë detyrim ligjor.

  • Alarmuese: Rreth 500 raste të reja me kancer në QKUK ende pa u mbyllur tremujori

    Alarmuese: Rreth 500 raste të reja me kancer në QKUK ende pa u mbyllur tremujori

    Shifrat nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) tregojnë se kanceri mbetet një nga sëmundjet më të shpeshta në Kosovë, me rreth 2,100 raste të reja në vit, kështu ka bërë të ditur Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

    Sipas tij, vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars, rreth 500 pacientë janë diagnostikuar dhe trajtuar për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë.

    Kurtishi ka theksuar se ngarkesa në këtë klinikë është e lartë, ku çdo ditë pune trajtohen rreth 250 deri në 300 pacientë në shërbimin e Onkologjisë mjekësore, ndërsa rreth 140 pacientë në ditë i nënshtrohen rrezatimit në shërbimin e Radioterapisë.

    “Ne Kosove regjistrohen rreth 2100 raste të reja në vit, kjo përkthehet në afërsisht 170 -190 raste në muaj,pra për periudhën janar – 20 mars:rreth 500 pacientë të rinje te ekzaminuar/diagnostikuar dhe trajtuar ne Kliniken e Onkologjise per here te pare.Cdo dite pune rreth 250-300 pacient trajtohen ne sherbimin e Onkologjise mjekesore dhe rreth 140 pacient ne dite rrezatohen ne Sherbimin e Radioterapise, pra mbi 450 pacient ne total cdo trajtohen ne Kliniken e Onkologjise.”, ka thënë Kurtishi në një prononcim për IndeksOnline.

    Kanceri mbetet një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor në Kosovë, si për nga numri i rasteve të reja ashtu edhe për nga ngarkesa e vazhdueshme në trajtimin e pacientëve.

    Sëmundjet malinje kërkojnë diagnostikim të hershëm dhe trajtim të specializuar, ndërsa institucionet shëndetësore po përballen me një fluks të lartë pacientësh që kërkojnë shërbime onkologjike gjatë gjithë vitit

  • Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Haxhiu: E kemi pranuar agjendën legjislative nga Qeveria, s’po mund ta trajtojmë shkaku masës nga Kushtetuesja

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu Haxhiu ka deklaruar se Kuvendi ka pranuar agjendën legjislative të qeverisë që përmban rreth 174 projektligje, por se nuk po mund ta trajtojnë për shkak të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

    Ajo tha se roli i komisioneve parlamentare është kyç për shqyrtimin dhe trajtimin efektiv të këtyre ligjeve.

    “Ne kemi pranuar agjendën legjislative nga qeveria. Nuk kemi arritur që ta trajtojmë atë për shkak të vendimit për masën e përkohshme, pra që duhet të presim deri më 31 mars. Por e kemi agjendën legjislative që përmban diku 174 projektligje. Qeveria ambicioze, dhe ligjet janë shumë të rëndësishme. Por ajo çka është e rëndësishme është që kur ato procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të vijë në shprehje pastaj roli i komisioneve parlamentare. Sepse, më besoni edhe për shkak të përvojës praktike, puna më e madhe bëhet në komisionet parlamentare. Diskutimet në seancë janë diçka tjetër, por ajo që nuk shihet pra, ajo që është shumë përmbajtësore, është puna në komisionet parlamentare”, tha ajo.

    “Prandaj edhe si kryetare e Kuvendit, do të angazhohem maksimalisht që këto trajtime të projektligjeve të bëhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Edhe duke e pasur parasysh edhe aspektin gjinor, sepse nuk kemi nevojë që të bëjmë ligje të cilat nuk i përshtaten rrethanave tona. Kosova ka ligje të mira, por që shumë shpesh ato nuk zbatohen në praktikë. Prandaj edhe në këtë kuptim, duhet që në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës të përfshihen organizatat e shoqërisë civile, institucionet e ndryshme, që mund të kenë direkt apo indirekt përgjegjësi në raport me një ligj. Por po ashtu edhe secili grup që, si me thënë, i dedikohet një rregullim ligjor i tillë. Prandaj jam shumë e hapur që të fuqizoj rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deri tani nuk shoh që kemi pasur mungesë të vullnetit në këtë drejtim”, tha ajo./EO

  • Hungaria do të ndalojë dërgimin e gazit natyror drejt Ukrainës

    Hungaria do të ndalojë dërgimin e gazit natyror drejt Ukrainës

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka njoftuar të mërkurën se vendi i tij do të ndalojë gradualisht furnizimin me gaz natyror drejt Ukrainës, duke ruajtur gazin e mbetur për përdorim të brendshëm.

    Ky vendim ndërpret një nga rrugët kryesore të furnizimit me energji për Ukrainën dhe thellon tensionet mes Budapestit dhe Kievit lidhur me ndërprerjen e furnizimeve me naftë ruse.

    “Ne do të ndalojmë gradualisht furnizimin me gaz natyror nga Hungaria drejt Ukrainës dhe do ta ruajmë gazin e mbetur në vend”, tha Orban në një video të publikuar në rrjetet sociale.

    Ai shtoi: “Për sa kohë që Ukraina nuk furnizon me naftë, nuk do të marrë gaz nga Hungaria”.

    Furnizimet me naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë janë ndërprerë prej gati dy muajsh, pas dëmtimeve që sulmet e dronëve rusë shkaktuan në tubacionin Druzhba, i cili kalon përmes territorit të Ukrainës. Liderët e Hungarisë dhe Sllovakisë, të cilët vazhdojnë të importojnë lëndë djegëse fosile ruse, kanë akuzuar Ukrainën për pengesë të qëllimshme të furnizimeve.

    Zyrtarët ukrainas kanë theksuar se sulmet e vazhdueshme ruse e bëjnë të rrezikshme riparimin e tubacioneve për teknikët, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar këtë muaj se heziton të lejojë vazhdimin e tranzitit të naftës ruse nëpër vendin e tij.

    Ukraina importon një pjesë të madhe të nevojave të saj për gaz përmes Hungarisë, që vitin e kaluar përbënte rreth 45% të totalit të importeve, sipas kompanisë këshilluese ExPro. Kjo shifër ra në 38% deri në janar 2026.

    Vendimi i Orbanit vjen si pjesë e një serie masash hakmarrëse ndaj Ukrainës, pas ndërprerjes së furnizimeve me naftë ruse. Javën e kaluar, ai bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe u zotua të vendosë veto ndaj çdo vendimi të mëtejshëm pro-Ukrainës derisa të rifillojnë furnizimet me naftë.

    Më herët, lideri hungarez kishte ndalur edhe dërgesat e naftës dizel drejt Ukrainës dhe kishte vendosur veto ndaj një rundi të ri sanksionesh të BE-së kundër Rusisë.