ATV

Category: Lajme

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, me 1 gusht do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    Në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë.

    Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime.

    “Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

  • ​Zvicra feston sot ditën e saj kombëtare

    ​Zvicra feston sot ditën e saj kombëtare

    Zviceranët sot festojnë ditën kombëtare të tyre. 1 Gushti përkujton krijimin e Konfederatës Zvicerane që ne njohim sot.

    Në vitin 1291 tre kantone malore u bashkuan dhe firmosën Kartën Federale e cila ishte baza e Konfederatës së sotme Zvicerane me 26 kantone.

    Një grup burrash liridashës u betuan për besnikëri në livadhin e Rutli në bregun e liqenit të Lucernit, në kantonin e Urit.

    Megjithatë, kjo kartë u zbulua në vitin 1758 dhe Qeveria zvicerane e konsideroi zyrtarisht atë si dokument mbi të cilin ngrihej shteti i tyre nga fundi i viteve 1800.

    Për herë të parë, 1 Gushti u festua në vitin 1891, ndërsa nga viti 1899 u bë festë vjetore.

    Në vitin 1993, zviceranët votuan në masë që 1 Gushti të jetë festë kombëtare dhe kështu nga viti pasardhës, pra 1994, ajo u bë edhe ditë pushimi.

  • Kryeministri spanjoll fajëson rrjetet e trafikantëve pas futjes së 60 mijë emigrantëve

    Kryeministri spanjoll fajëson rrjetet e trafikantëve pas futjes së 60 mijë emigrantëve

    Rreth 60 mijë emigrantë nga Maroku janë futur në enklavën spanjolle të Ceutës, duke shkaktuar një krizë të madhe humanitare dhe të sigurisë.

    Të paktën 57 persona kanë humbur jetën gjatë kalimit të kufirit, sipas mediave lokale.

    Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez fajësoi rrjetet e trafikimit të emigrantëve, duke e cilësuar ngjarjen si shkelje të integritetit territorial të Spanjës.

    Autoritetet spanjolle njoftuan se mbi 48 mijë persona janë kthyer vullnetarisht në Marok.

    Përndryshe, Spanja ka dërguar ushtrinë për të forcuar sigurinë në Ceuta dhe Melilla.

    Kriza ka nxitur reagime të forta nga disa vende evropiane, ndërsa Italia pezulloi përkohësisht zbatimin e marrëveshjes Schengen me Spanjën.

    Bashkimi Evropian bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të kalimeve të paligjshme dhe forcimin e kontrollit kufitar.

  • Caktimi i seancës më 6 gusht, partitë ish-opozitare akuzojnë LVV-në për zvarritje të procesit

    Caktimi i seancës më 6 gusht, partitë ish-opozitare akuzojnë LVV-në për zvarritje të procesit

    Ndonëse afati kushtetues për caktimin e seancës konstituive skadon më 7 gusht, Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca do të mbahet më 6 gusht. Caktimi i kësaj date ka nxitur reagime nga partitë ish-opozitare, të cilat e kanë cilësuar vendimin si të vonuar dhe kanë kritikuar mungesën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike.

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online tha se 6 gushti ishte data e fundit e mundshme për thirrjen e seancës, duke kritikuar zvarritjen e procesit.

    “Me e shiku me data dhe me kalendar, nuk ka pasur datë më të vonshme. Është data e fundit që ka pasur mundësi me u caktu seanca konstituive. Edhe nuk kam koment për gatishmërinë e partisë në pushtet për formimin e institucioneve. Kjo është me e zgjatë një pe derisa të këputet, që me e testu edhe durimin tonë”, u shpreh ajo.

    Sipas saj, seanca është dashur të thirrej shumë më herët, pasi nuk ka pasur pengesa për formimin e institucioneve.

    “Sa më herët që është e mundur. Bile nuk ka qenë as arsyeja as pjesa e LDK-së, se seancën kanë mund me e konstituu edhe më herët, edhe me e formu qeverinë. Sa për, si me thënë, shkëmbimin e pozitave për qeverisje, Vetëvendosja e ka bërë edhe në legjislaturën e kaluar, pra nuk ka qenë asnjëherë problem formimi i qeverisë e pastaj negocimi i pozitave të ndryshme për marrëveshje”, tha Ymeri.

    Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Ymeri u shpreh skeptike se aktualisht ekziston vullnet politik apo një emër konkret që mund të sigurojë mbështetje.

    “Me e gjyku momentumin aktual dhe qysh shihet, nuk ka ndonjë farë shprese ose potencialisht një kandidat. Për shembull, edhe tash, sot mundet me e propozu Vetëvendosja një kandidat për president. Nuk do të thotë patjetër me mbajtë konferencë për shtyp, një eksponent i Vetëvendosjes mundet me e tregu një kandidat për president, edhe e shohim sa është përkrahja për atë kandidat ose kandidate. Po qysh po shihet, nuk e kanë as interesin për këtë çështje, se me formimin e institucioneve dhe me stabilizimin e vendit, rritet edhe transparenca edhe llogaridhënia për Vetëvendosjen, e që nuk është aspak në favor të tyre”, thekson ajo.

    Ajo shtoi se përgjegjësia për propozimin e kandidatit për president i takon shumicës parlamentare.

    “Ata i kanë votat shumicë. Edhe në pushtetet e tjera, edhe në vendet e tjera, ai që e ka shumicën, ai e ka edhe të drejtën më të madhe të propozimit. Ne nuk jemi 100 njerëz me i propozu, tani Vetëvendosja, nuk jemi në pasarelë, nuk jemi duke garuar për miss, edhe me thënë “kjo po më pëlqen, kjo s’po më pëlqen, kësaj po ia vendosi notën tetë ose nëntë”. E kanë interesin e vendit, i njohin plotësisht mirë figurat tona kombëtare, edhe munden me e propozu një vetë e pastaj me shiku se sa është përkrahja në përgjithësi”, theksoi Ymeri.

    Edhe deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri për Ekonomia Online kritikoi caktimin e datës së seancës, duke thënë se gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të arritur një marrëveshje politike.

    “Caktimi i 6 gushtit kishte me pasë kuptim të kishte ndodhë, në qoftë se përgjatë gjithë kohës kishte pasë dinamikë të Vetëvendosjes si shumicë parlamentare për me mujt me ardhë deri te një marrëveshje, deri te një ide. Krejt çka ka ndodhë: kanë ndodhë dy takime, kanë ndodhë katër konferenca për shtyp dhe asgjë tjetër. Kuvendi dhe Kosova duhet t’i ketë institucionet e veta”, tha Tahiri.

    Tahiri theksoi se funksionimi i shtetit kërkon respektimin e rregullave demokratike dhe gjetjen e një figure unifikuese për kryetar të Kuvendit.

    “Mirëpo, të pasë shtet funksional, duhet me iu nështru rregullit demokratik. Rregulli demokratik edhe verdikti i popullit është shumë i thjeshtë: Për Qeverinë, për qeverisje i ki votat urdhëro qeverisë e ki edhe kryetarin e Kuvendit. Për kuvend nuk i ki votat, duhesh me u ulë me gjetë një figurë unifikuese, një figurë përfaqësuese dhe jo një figurë të partisë në pushtet, e cila do të funksiononte si një degë politike e Vetëvendosjes dhe jo si një institucion që do të kishte synim thelbësor ushtrimin e funksionit kushtetuese dhe unitetin e vendit”, shtoi Tahiri.

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 06.08.2026 për mbajtjen e seancës konstituive.

    “Për shkak të lidhjes së datës për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit, jam kujdesur në lidhje me datat për shkak të hapësirës për takime. Sot ju njoftoj që seanca do të mbahet më 6 gusht në ora 10:00”, tha Haxhiu në konferencë për media më 24 korrik.

    Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të kanë kohë deri më 07.08.2026 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, megjithatë jo me patjetër duhet të pritet fundi i këtij afati.

    Para caktimit të datës, në një rast tjetër, Haxhiu kishte thënë se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë seancën konstituive.

    “E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, pati thënë Haxhiu.

  • ​Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ushtarake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

    ​Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ushtarake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se vendi ka prodhuar automjetet e para ushtarake “Made in Albania”, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s.

    Rama në një postim në Facebook shkruan se kompania TIMAK DEFENCE e cila do të plotësojë të gjitha nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh, ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e automjeteve.

    “Mirëmëngjesi… dhe me krenarinë e prodhimit të parë MADE IN ALBANIA të automjeteve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërkohë që kompania TIMAK DEFENCE e cila do të plotësojë të gjitha nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh, ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e tyre, ju uroj fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

    Ndryshe, një ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur 31 korrikun ditë historike për ‘rilindjen’ e industrisë ushtarake, gjersa njoftoi prodhimin e 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s. /Telegrafi/

     

  • 41 të vdekur nga kalimi masiv i emigrantëve nga Maroku në Ceutë

    41 të vdekur nga kalimi masiv i emigrantëve nga Maroku në Ceutë

    Të paktën 41 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në enklavën spanjolle të Ceutës, pasi rreth 50 mijë emigrantë hynë në territor nga Maroku brenda pak orësh, duke shkaktuar një krizë humanitare dhe politike në Spanjë.

    Shumica e emigrantëve mbërritën duke notuar nga Maroku ose duke kaluar gardhin kufitar, duke e zënë në befasi qytetin me rreth 85 mijë banorë.

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili vizitoi Ceutën të premten, e cilësoi situatën si “një shkelje të integritetit territorial të Spanjës” dhe deklaroi se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në territor.

    Sanchez ia atribuoi fluksin masiv “mafias së trafikimit të qenieve njerëzore”, duke thënë se ato kanë përfituar nga një vendim i fundit i Gjykatës Supreme të Spanjës lidhur me trajtimin e emigrantëve të ndaluar në det.

    Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një qendre të përkohshme pritjeje për dokumentimin, regjistrimin, triazhin dhe dëbimin e përshpejtuar të personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në Spanjë.

    Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rreth 25 mijë persona janë kthyer vullnetarisht në Marok gjatë së premtes.

    Ngjarja tejkalon kalimin masiv të majit 2021, kur rreth 10 mijë persona hynë në Ceuta brenda dy ditësh. Kriza e atëhershme lidhej me tensionet diplomatike mes Spanjës dhe Marokut për çështjen e Saharasë Perëndimore.

  • Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

    Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

    Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi i vunë zjarrin hamulloreve në dy raste të ndara në territorin e Klinës, raporton Sinjali.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur më 30 korrik 2026, rreth orës 11:00, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informacion për një zjarrvënie në fshatin Caravik.

    “Me datën 30.07.2026 rreth orës 11:00, Stacioni Policor Klinë, ka pranuar informacion lidhur me një zjarrvënie në fshatin Caravik-Klinë. Njësitet relevante menjëherë kanë dalë nё vendin e ngjarjes, ku prezent ishte edhe njësia e zjarrfikëseve – Klinë, tё cilët kishin intervenuar në rast. Kundërvajtësi (njëkohësisht pronari i tokës), ka pranuar se i kishte djegur hamulloret, pas korrjes sё grurit. Lidhur me këtё rast është njoftuar prokurori i Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.

    Rasti i dytë është raportuar po atë ditë, rreth orës 15:25, kur Policia në Klinë ka pranuar informatë për një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc.

    “Me datën 30.07.2026, rreth orës 15:25, Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatë lidhur me një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc-Klinë. Njësitë policore kanё dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka vërejtur se ishin duke u djegur hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2-3 hektarësh. Në atë pjesë të tokës janë hasur edhe 3 (tre) traktorë duke bёrё lavër. Zjarri kishte përfshirë një pjesë të arës, sipërfaqe e cila paraprakisht ishte lëvruar. Zjarri është lokalizuar dhe fikur në tërësi. Nё vendin e ngjarjes njё qytetar nga fshati Gllarevë Klinë, i cili ka pranuar se është pronar i tokës dhe se ai ia ka vënë zjarrin hamulloreve me qëllim të pastrimit të pronës së tij. Lidhur me këto që u thanë më lart është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit dhe me udhëzim tё prokurorit shkresat e lëndës do të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundёrvajtёsit ёshtё shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit nё fuqi”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që, në çfarëdo forme, rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve.

    Njëkohësisht, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, përfshirë përdorimin e shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezjen e zjarreve në natyrë.

  • Fushë-Kosova hap rrugën për ndërtimin e stadiumit modern të Atletikës

    Fushë-Kosova hap rrugën për ndërtimin e stadiumit modern të Atletikës

    Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka miratuar propozimin për ndarjen e parcelës kadastrale ku do të ndërtohet Stadiumi i ri i Atletikës, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Kosovë.

    Stadiumi modern do të ndërtohet në fshatin Miradi e Poshtme dhe pritet të krijojë kushte bashkëkohore për stërvitje dhe gara, duke u bërë shtëpia e re e atletëve kosovarë dhe një qendër për zhvillimin e talenteve të rinj.

    Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Fushë Kosovës, Ylber Kelmendi, e ka cilësuar këtë si një lajm shumë të rëndësishëm për atletikën dhe sportin në përgjithësi.

    “Sot, në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, u votua me sukses propozimi për ndarjen e parcelës kadastrale për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës. Ky projekt madhor do të shërbejë si një qendër moderne dhe shtëpi e re për atletët tanë, duke krijuar kushte për zhvillimin e talentit dhe arritjen e sukseseve të reja në arenën kombëtare e ndërkombëtare”, ka deklaruar Kelmendi.

    Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij hapi të rëndësishëm.

    “Shprehim një falënderim të veçantë për Kryetarin e Komunës, Valon Prebreza, dhe Kryetarin e Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, për angazhimin e tyre të pandalshëm dhe insistimin që ky investim strategjik të realizohet pikërisht në komunën tonë. Faleminderit edhe të gjithë asamblistëve që votuan pro”, ka përfunduar ai.

  • ShBA dhe Irani ulen në tryezë dhe i’u kthehen negociatave, Trump: Bisedime të mira

    ShBA dhe Irani ulen në tryezë dhe i’u kthehen negociatave, Trump: Bisedime të mira

    Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime konstruktive me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje për uljen e tensioneve. Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, sulmet ajrore amerikane do të rifillojnë.

    Sipas Tramp, kërkesa e Teheranit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve është rezultat i presionit të ushtruar nga sulmet e fundit amerikane.

    Ndërkohë, Uashingtoni ndërpreu të shtunën fushatën dyjavore të sulmeve ajrore ndaj Iranit, një vendim që shënon një tjetër ndryshim të rëndësishëm në strategjinë e administratës amerikane gjatë konfliktit që ka zgjatur pesë muaj.

    Autoritetet saudite njoftuan se mbrojtja ajrore rrëzoi disa dronë që kishin në shënjestër objektet e naftës. Sipas Riadit, ata ishin lëshuar nga territori i Irakut nga një milici e mbështetur nga Irani. Arabia Saudite deklaroi se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, shkruan Abcnews.al.

    Pezullimi i operacioneve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u prit pozitivisht nga tregjet financiare. Çmimi i naftës bruto ra me më shumë se 6 %, duke zbritur nën nivelin e 90 dollarëve për fuçi.

  • PDK konfirmon se do të mbetet në opozitë, Çitaku: Nuk ka bashkëqeverisje me LVV-në

    PDK konfirmon se do të mbetet në opozitë, Çitaku: Nuk ka bashkëqeverisje me LVV-në

    Pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku deklaroi se kjo parti do të mbetet në opozitë, duke përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

    Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ajo tha se kjo çështje nuk duhet parë si një “vend pune”, por si një proces që ndikon drejtpërdrejt në vazhdimësinë e qeverisjes.

    “Siç e dini, sot është mbajtur njw takim për seancë konstituive, Partia Demokratike e Kosovës ka pozicion të qartë politik: ne do të jemi në opozitë, mirëpo po ashtu jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen në mënyrë që të fillojnë të adresojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. Kaq. Sot jam për të folur vetëm për seancën konstituive. PDK-ja do të jetë në opozitë. Jemi vite larg me Lwvizjen Vetëvendosjes, përveç nëse nuk përqendrohemi te kjo e qartë. Kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë për sa i përket konstituimit të institucioneve dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por jo në bashkwqeverisje. Ndërkohë që opozita ka arritur për këtë kohë, ne ende duke diskutuar për të qenë në opozitë. Çështja e presidentit nuk është një vend pune. Zgjedhja e presidentit mundëson a i mundëson qeverisje kësaj qeverie. Për ne po ashtu është i rëndësishëm presidenti, është raporti me Shtetet e Bashkuara, gazsjellësi amerikan, sektori privat, liria e medias, sundimi i ligjit e edukata, ka shumë çështje rreth të cilave ne kemi dallime të thella. Dhe zgjedhja e presidentit i mundëson Lëvizjes Vetëvendosje edhe një qeverisje katër vite”, tha ajo.