ATV

Category: Lajme

  • Vrasja e 29-vjeçarit shqiptar në Itali, trupi i dorëzohet familjes

    Vrasja e 29-vjeçarit shqiptar në Itali, trupi i dorëzohet familjes

    Trupi i 29-vjeçarit shqiptar që humbi jetën më 20 mars në Olmo, një zonë pranë Arezzos në Itali, i është dorëzuar familjes, e cila ka hapur dyert për pritjen mortore.

    Siç raporton JOQ Albania, Gjergj Pergegaj do të përcillet për në vendlindjen e tij në Shqipëri për t’u varrosur, pasi kishte jetuar në Itali prej rreth pesë vitesh.

    Ai punonte në ndërtim dhe u qëllua me armë zjarri nga një bashkëkombës i tij, Edison Beluli, 35 vjeç, sipas raportimeve të mediave italiane.

    Në qendër të konfliktit dyshohet të jetë një grua e re. Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Siena ka zbardhur detaje të rëndësishme mbi plagët: një plumb i qëlluar nga afër në zonën e fytit rezultoi fatal, ndërsa një tjetër e goditi në kraharor. Dy të shtëna të tjera nuk e prekën viktimën.

    Gruaja që mendohet se lidhet me përplasjen mes dy burrave punonte pranë lokalit ku ndodhi ngjarja. Ajo kishte qenë më parë në një lidhje me viktimën, ndërsa më pas kishte nisur një marrëdhënie me autorin e dyshuar. Mes tyre kishte pasur edhe konflikte të mëhershme.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur Pergegaj u qëllua me një pistoletë tip Glock, e cila rezulton e vjedhur një vit më parë në Assisi. Sipas hetimeve, arma ishte siguruar nga autori pak ditë para krimit. Beluli ndodhet tashmë në burg, i akuzuar për vrasje me dashje. Gjykatësi hetues Claudio Lara ka theksuar se ekzistojnë elemente të forta që sugjerojnë paramendim, pavarësisht se nuk pati përleshje fizike mes palëve.

    Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Një person i tretë ndërhyri për të ndaluar autorin, ndërkohë që viktima ndodhej në tokë. Më pas, i dyshuari u largua drejt Rigutinos, ku edhe banonte, por u arrestua nga policia.

    Nga sot, familjarët e viktimës kanë nisur procedurat për riatdhesimin e trupit dhe organizimin e ceremonisë mortore, që pritet të zhvillohet së shpejti. Pergegaj jetonte në Frassineto dhe përshkruhet nga të njohurit si një person i qetë dhe punëtor.

    Ndërkohë, hetimet vijojnë. I arrestuari ka zgjedhur të mos japë dëshmi deri më tani dhe përfaqësohet nga avokati Luca Turchetti.

  • Trump konfirmon takimin e majit me Xi Jinping

    Trump konfirmon takimin e majit me Xi Jinping

    Presidenti amerikan Donald Trump thotë se do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë më 14-15 maj, pasi e shtyu udhëtimin historik mes luftës SHBA-Izrael me Iranin.

    Kjo do të ishte vizita e parë në Kinë nga një president amerikan në gati 10 vjet.

    Trump gjithashtu do ta presë Xi në Uashington DC më vonë këtë vit, dhe zyrtarët po “përfundojnë përgatitjet për këto Vizita Historike”, shkroi ai në Truth Social të mërkurën.

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi datat e vizitës së Trump, duke u thënë gazetarëve se Presidenti Xi e kishte kuptuar dhe pranuar kërkesën për shtyrjen e udhëtimit, raporton BBC.

    “Presidenti Xi e kuptoi se është shumë e rëndësishme që presidenti të jetë këtu gjatë gjithë këtyre operacioneve luftarake tani”, tha Leavitt në një konferencë shtypi të mërkurën.
    Pekini nuk i ka konfirmuar datat e listuara nga Trump – megjithëse zakonisht nuk e zbulon axhendën e Xi shumë kohë më parë.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Lin Jian, u tha gazetarëve të enjten se “të dyja palët po mbajnë komunikim në lidhje me vizitën e Presidentit Trump në Kinë”.

    Ai tha gjithashtu se “diplomacia në nivel udhëheqësi luan një rol udhëheqës strategjik të pazëvendësueshëm” në lidhjet dypalëshe.

  • Zelensky jep alarmin: Rusia do të godasë rrjetin hidrik

    Zelensky jep alarmin: Rusia do të godasë rrjetin hidrik

    Rusët po përgatiten të nisin një operacion kundër sistemeve të furnizimit me ujë të Ukrainës në muajt e ardhshëm.

    Alarmi është dhënë nga vetë Presidenti Volodymyr Zelensky: “Ne duhet të forcojmë linjat mbrojtëse: kjo është një detyrë e qartë”.

    Më herët, në një intervistë për Reuters, Zelensky lëshoi akuza të forta ndaj Rusisë se po kushtëzojnë amerikanët që të detyrojnë Ukrainën të pranojë lëshimin përfundimtar të Donbasit në përfitim të garancive të sigurisë.

    “Tërheqja nga Donbasi është e gabuar, imorale e kështu me radhë, por tërheqja nga Donbasi sot do të thotë gjithashtu dobësim i linjave mbrojtëse të Ukrainës. Kaq është. Rusia gjithmonë mban një opsion rezervë. Merrni për shembull armët bërthamore, diçka për të cilën flasin vazhdimisht, duke kërcënuar të gjithë botën. Sa herë që ka një bllokim, në një moment ata dërgojnë një mesazh: ‘Po sikur t’i përdorim?’”, tha Zelensky.

    Rusia konfirmon menjëherë deklaratën e Presidentit të Ukrainës. Kirill Dimitrev, i dërguar i Rusisë, theksoi: “Unë jam i përqendruar në axhendën ekonomike dhe bisedimet e paqes atje po zhvillohen paksa me dyer të mbyllura. Por, meqenëse zoti Zelenskiy herë pas here komenton për të gjitha këto, do të doja thjesht të tërhiqja vëmendjen te deklarata e tij, e cila ishte e rëndësishme. Ai tha se më në fund e kuptoi se Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë garanci sigurie Ukrainës vetëm nëse tërhiqet plotësisht nga Donbasi”.

    Derisa paqja nuk është firmosur, palët shkëmbejnë sulme shkatërruese. Të paktën 5 të plagosur dhe dëme të shumta raportohen në Dnipro të Ukrainës. Edhe në Odesa ka pasur shpërthime të mëdha nga sulmet ruse. Situatë serioze paraqitet në ish impjantin bërthamor të Çernobilit, të dëmtuar kohë më parë nga bombardimet e ushtrisë së Moskës. Nëse çarja nuk riparohet, struktura do të fillojë të gërryhet brenda katër vjetësh.

    Sipas vlerësimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar situatën në centralin bërthamor për vite me radhë, restaurimi i strehës mbrojtëse mbi njësinë e katërt të energjisë së centralit, të dëmtuar nga një dron rus më 14 shkurt 2025, do të kushtojë 500 milionë euro.

    Drejtori i Centralit Atomik, Sergei Tarakanov paralajmëroi se shkatërrimi i sarkofagut do të shkaktonte një re radioaktive mbi Europën.

  • Një peng që zgjati 27 vjet: Helena Halilaj rrëfen kujtimin që nuk ia harron nënës së saj nga koha e refugjatëve të Kosovës

    Një peng që zgjati 27 vjet: Helena Halilaj rrëfen kujtimin që nuk ia harron nënës së saj nga koha e refugjatëve të Kosovës

    Poetja nga Shqipëria Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një rrëfim të ndjerë për periudhën e vitit 1999, kur familja e saj strehoi refugjatë nga Kosova. Në atë kohë, ajo ishte vetëm 10 vjeçe, por kujtimet e asaj periudhe kanë lënë gjurmë të thella në jetën e saj.

    Halilaj tregoi se gjatë ardhjes së familjeve nga Kosova, komuniteti ishte i organizuar për t’i sistemuar ato nëpër shtëpi. Sipas saj, banorët njihnin njëri-tjetrin dhe dinin se kush kishte pritur refugjatë dhe kush jo, madje shpesh kontrollonin për të siguruar që çdo familje të gjente strehim.

    Në rrëfimin e saj, Helena kujtoi një moment që e ka prekur thellë:
    “…Është një gjë që më ka mërzitur dhe më ka mbetur peng në jetën time. Kur erdhi një familje te dera, unë thashë ‘hajde te shtëpia ime’. Por nëna më tha se nuk kishim ku t’i vendosnim dhe se do t’i çonim diku tjetër. U mërzita shumë dhe qava. Që atëherë, kjo është një gjë që nuk ia kam falur kurrë…”

    Ajo shton se këtë ndjesi ia ka shprehur nënës së saj pas 27 vjetësh, duke treguar se sa e fortë ka qenë kjo përvojë për të.

    Ky rrëfim lidhet edhe me dokumentarin “Shtëpia e Kombit”, i realizuar nga Helena Halilaj – i cili trajton pritjen dhe solidaritetin e banorëve të Kukësit ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999. Filmi vendos në qendër kujtesën kolektive dhe lidhjen e fortë vëllazërore mes shqiptarëve në ato kohë të vështira.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilajt, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Rivarroset në Krushë të Vogël, Ajvaz Shehu, vëllai i tij: Mu vranë edhe nëntë anëtarë të familjes

    Rivarroset në Krushë të Vogël, Ajvaz Shehu, vëllai i tij: Mu vranë edhe nëntë anëtarë të familjes

    Vëllai i Ajvaz Shehut, Qazim Shehu, ka rrëfyer dhimbjen e thellë për humbjen e familjarëve të tij në masakrën e Krushës së Vogël, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga përjetimet më të tmerrshme që nuk mund të përshkruhen me fjalë, raporton Ekonomia Online.

    Në përvjetorin e kësaj masakre, familja Shehu i ka dhënë lamtumirën e fundit Ajvaz Shehut, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur u zhduk me forcë më 26 mars 1999, pas një pritjeje të gjatë për identifikimin dhe rivarrimin e tij.

    Shehu bëri të ditur se në mesin e viktimave ishin edhe nëntë anëtarë të familjes së tij.

    Ai tregoi se Ajvazi ishte gjetur para 8 vitesh, por nëna e Ajvazit nuk kishte mundur ta pranonte humbjen e djalit të saj deri në fund të jetës, ndërsa shtoi se vendimi për rivarrim erdhi pas vdekjes së saj, duke qenë se tashmë disa nga familjarët janë të varrosur.

    “Unë quhem Qazim Shehu, jam prej fshatit Krushë e Vogël. Historia e këtij fshati nuk është veç histori, asht nji rrëfim i tmerrshëm, një dhimbje që s’mund ta përshkruajë njeri që e pa ato çka ka ndodhur. Jo vetëm tek familjarët e mi, po aty kanë qenë prezent 109 persona. Unë, sipas të tjerëve, dëshmitarëve që kanë pas këtë rast po, që kanë qenë këta, ata kur i dëgjosh se çka kanë përjetu, i bëj pyetje vetes a thua mund njeri me bë këtë”, tha ai.

    “Mesin e këtyre kanë qenë 9 anëtarë të mi, që janë shtëpisë time baba, 4 vëllezër edhe 4 djemtë e vëllezërve. Në mesin e tyre është edhe Ajvazi. Ky është para 8 viteve i identifikuar. Po, siç thashë më herët, nëna e tij si çdo nënë nuk dëshironte ta pranonte që ai nuk ekziston. Edhe aty është problemi që unë, nëna para 6 viteve ka ndërru jetë, unë vendosa mbasi që 6 të tjerë i kam të varrosur, edhe këtë ta varros. Mu më mungojnë edhe dy vetë. Vëllai i madh edhe vëllai i dytë”, tha ai.

    Shehu tha se ende nuk dihet asgjë për fatin e dy anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht vëllait të madh dhe të dytë, duke theksuar se mungesa e informacionit për ta mbetet plagë e hapur.

    Ai u shpreh se, megjithëse dhimbja mbetet e madhe, fakti që tashmë dihet vendndodhja e Ajvazit e lehtëson disi barrën shpirtërore, pasi ai do të prehet pranë familjarëve të tij.

    “Nuk dihet asgjë për ta. Asgjë nuk dihet. Asgjë nuk dihet”, tha ai.

    “Po. Ky do të varroset si do t’ju bashkohet edhe këtyre trupave të tjerë që janë. Përndryshe edhe babës vet, se babai i tij është babai im. Për mua çka me thënë, jeta është shumë e dhimbshme, po kur po e di se ku ekziston edhe ku është, barem kjo për mua është shumë më lehtë që ta kem. Djali ka qenë 16 vjeçar”, tha ai.

    Në përvjetorin e masakrës së Krushës së Vogël, një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë, sot i jepet lamtumira e dinjitetshme edhe njërit prej më të rinjve të kësaj masakre.

    Pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme, familja Shehu ka vendosur të rivarrosë më të dashurin e tyre, Ajvaz Shehun , vetëm 16 vjeç në kohën kur u zhduk me forcë në masakrën e 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël.

  • Behrami: Pas 19 viteve, Kurti pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit përmes autonomisë për serbët në veri

    Behrami: Pas 19 viteve, Kurti pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit përmes autonomisë për serbët në veri

    Sot bëhen 19 vjet që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhet e pavarur.

    Lidhur me këtë ka reaguar Artan Behrami, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka thënë se pas 19 viteve, Albin Kurti, ka pranuar rinegocimin e kësaj Pakoje, ‘’përmes kompromiseve të fundit, marrëveshjes së Ohrit, largimit të njohjes reciproke, autonomisë për serbët në veri, eksterritorialitetit të kishave ortodokse serbe’’.

    Postimi:

    Para 19 vjetëve, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin propozoi që Kosova të bëhet e pavarur.

    Pas 19 vjetëve, Albin Kurti, përmes kompromiseve të fundit, marrëveshjes së Ohrit, largimit të njohjes reciproke, autonomisë për serbët në veri, eksterritorialitetit të kishave ortodokse serbe, pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit.

    Pra, pavarësinë që Ahtisaari e futi para 19 vjetëve në pako, sot Albin Kurti po e largon!

  • Haradinaj nga Krusha e Madhe: Siguria është jetike, duhet ta mbajmë fort me Amerikën që të mos na përsëritet historia

    Haradinaj nga Krusha e Madhe: Siguria është jetike, duhet ta mbajmë fort me Amerikën që të mos na përsëritet historia

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjen e palëkundur të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rruga e vetme për të garantuar që masakrat si ajo e Krushës të mos përsëriten më kurrë në Kosovë.

    Gjatë homazheve në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Haradinaj u shpreh se suksesi i shtetit dhe fuqizimi i institucioneve të sigurisë është “hakmarrja” më e mirë për të kaluarën e dhimbshme.

    “Është nder i madh me qenë këtu sot edhe me shpreh respektin edhe me u përul para të gjithë atyre njerëzve tanë që u vranë pafajësisht. Civilë, gra, pleq, fëmijë, të rinj, edhe po ashtu me shpreh shqetësimin tonë pse ende ka të pagjetur edhe pse ende s’ka ndodh drejtësia për këtë masakër në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Selinë, Pastasellë, Fortesë, e gjithkund”, tha ai.

    “Besoni është krejt e llogjikshme aq që me shpreh shqetësim pse nuk ndodh drejtësia, njëkohësisht është e drejtë pra me shpreh shqetësim si ka mundësi që ende me u gjyku UÇK-ja. S’ka lidhje cili asht. A e ka emrin Ramush, Afatmer, a dikush tjetër, a e ka Hashim, a Kadri, a Jakup, a Rexhepa, po UÇK-ja, njerëz që kanë luftu me mbrojt veten. Është shumë e pashpjegueshme e gjithë kjo”, tha ai.

    “Këto po na ndodhin në të vërtetë, po unë me leje n’nderim të të rënve sot, edhe jo vetëm sot, këto ditë se kanë fillu ma herët, 24, 25, 26 e vazhdon besoj edhe me tjerat, edhe janë në Gjakovë, janë në të gjithë. në t’gjithë Kosovën pra, shumë, qindra masakra. Si të veprojmë ma tutje, si t’i nderojmë këta?”, tha ai.

    “A ka diçka që mundemi me bë na, me bë ma me sinqeritet, ma me nder, si popull po flas, si Kosovë? Disa popuj thonë se hakmarrja ma e mirë asht suksesi. Ne duhet me punu shumë që kurrë ma mos me qenë të pambrojtun. Kurrë ma mos me qenë Kosova e pambrojtun. Prandaj duhet, si thotë populli, me i ra gurit e drunit e kurrë kjo tokë mos me qenë e pambrojtun.

    Se nëse nuk jemi të mbrojtun, po na përsëritet historia prapë, se na tregojnë gjyshërit, katragjyshërit çka na ka ndodh. Ushtrinë tonë, institucionet e sigurisë tonë duhet t’i forcojmë. Po ashtu, ne nuk bën kurrë me bë hajgare me sigurinë. Është shumë e pashpjegueshme mos me kuptu çka domethënë siguria e me besu që në siguri mundesh me marrë. Nuk mundesh me marrë në siguri për asgjë”, tha ai.

    “Nuk po hy ma në detaje po për asgjë s’mundesh me marrë në siguri. Kush merr prej sigurisë për çfarëdo qoftë tjetër ka me u gjyku keq. Na nuk mujmë me u përballë të vetëm me një armik që është jo vetëm sa na, o ashtu ma i madh se na, po që ka edhe miq. Na për siguri, mos me na u përsërit Krusha, e Krushat e tjera, duhet me e mbajt fort me Amerikën. Kush ju thotë ndryshe ta dini që ose ka diçka o ka ju thotë, ose o ka e di po s’e ka për të mirën e këtij populli, e këtij vendi, kurrë s’ka me e pasë. Se e dini vetë qysh jemi kthye njiherë në tokën tonë mos me pasë qenë Amerika dhe NATO-ja. E qysh ishim kthye edhe kur ishim kthye edhe çka kishim gjetë nga ky vend. Unë nuk du me e zgjat”, tha ai.

    Sot shënohet 27 vjetori i Masakrës se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.

    Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.

    Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat./EkonomiaOnline/

  • KFOR kryen inspektim sigurie në Trepçë: Pasqyron angazhimin e misionit për të punuar me institucionet lokale

    KFOR kryen inspektim sigurie në Trepçë: Pasqyron angazhimin e misionit për të punuar me institucionet lokale

    KFOR kryen inspektim të sigurisë që është kryer në Trepçë: Pasqyron angazhimin e misionit për të punuar me institucionet lokale

    KFOR ka njoftuar për një inspektim të sigurisë që është kryer në minierën e Trepçës.

    Në njoftim thuhet se, ky aktivitet pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të punuar së bashku me institucionet lokale, për të forcuar partneritetet dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë banorët që jetojnë në Kosovë.

    Postimi:

    Specialistë të Sigurisë së Eksplozivëve nga KFOR, nën koordinimin e Inxhinierëve të Përbashkët të Shtabit të KFOR-it (HQ J-Eng), kryen një inspektim të përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së bashku me inspektorët e armëve dhe municioneve nga Departamenti për Siguri Publike Ministria e Punëve të Brendshme, dhe inspektorët e eksplozivëve të minierave nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (ICMM), në minierën e Kompanisë Trepça në Stantërg/Stari Trg.

    Kjo aktivitet i rregullt pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të punuar së bashku me institucionet lokale, për të forcuar partneritetet dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë banorët që jetojnë në Kosovë.

    KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre respektive si përgjigjës të sigurisë.

  • Seanca ndaj Naim Murselit ndërpritet, do të vazhdojë në ora 13:30

    Seanca ndaj Naim Murselit ndërpritet, do të vazhdojë në ora 13:30

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca ndaj Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është ndërprerë dhe do të vazhdojë në ora 13:30. Sot, në seancë, fokusi ka qenë mbi mbrojtjen e Murselit dhe sqarimet për ngjarjen e 29 nëntorit 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    Gjatë kësaj seance Murseli ka deklaruar se armën e kanë blerë së bashku me të akuzuarin tjetër, Granit Plava, me qëllim përfitimin nga rishitja e saj.

    “Po. Sepse ai tha që e shet dyfish të nesërmen, kjo ishte arsyeja. Me atë qëllim e kam blerë.”

    Gjyqtarja Fatime Dermaku e ka pyetur për përfitimin e tij në rast se Plava do ta shiste armën, dhe Murseli tha se nuk do të kishte përfitim personal, por thjesht do t’i ndihmonte Plavës, të cilin e njihte si bashkëfshatar dhe shok të të akuzuarit tjetër, Kushtrim Kokalla, i cili është edhe i afërm i tij. Ai ka shtuar se më vonë kuptoi se me atë revole ishte kryer vrasja e bashkëshortes së tij.

    Se nuk ka parë Liridonën të vrarë në veturë, por e ka parë të nesërmen në morg.

    Se natën kritike ka qenë pre e një grabitjeje të armatosur dhe fëmijët janë larguar nga vendi i ngjarjes me familjen e të ndjerës.

    Se udhëtimi me Granit Plavën drejt Prishtinës natën e vrasjes ka qenë spontan, pa planifikim paraprak.

    Gjyqtari Alban Ajvazi e ka pyetur edhe për shenjat në dorën e viktimës dhe raportin mjeko-ligjor. Murseli ka thënë se nuk ka përgjigje konkrete, duke u bazuar në ekspertizën mjeko-ligjore. Ai ka shtuar gjithashtu se gjatë vizitës në morg i janë konfiskuar 1,350 euro, pjesë e një shume prej 2,000 eurosh që ia ka dhënë Valon Lluka.

    Sot në gjykatë janë trajtuar edhe elemente të tjera nga aktakuza:

    Murseli akuzohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30,000 euro.

    Kokalla akuzohet se ka kryer vrasjen në bashkëkryerje.

    I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit dhe Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar fillimisht me 5 vjet burgim, më pas Apeli e ka ulur në 3 vjet.

    Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm, ndërsa Plava nuk ka dhënë deklaratë për fajësinë dhe Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

  • Familja e Liridona Ademaj apel mediave: Mos publikoni pamjet nga seanca gjyqësore

    Familja e Liridona Ademaj apel mediave: Mos publikoni pamjet nga seanca gjyqësore

    Familja e së ndjerës Liridona Ademaj u ka bërë thirrje mediave dhe administratorëve të rrjeteve sociale që të mos publikojnë pamjet e transmetuara gjatë seancës së fundit gjyqësore në rastin e saj.

    Përmes një postimi në Facebook, vëllai i saj, Leonard Ademaj, ka deklaruar se pamjet në fjalë janë të rënda dhe kanë rëndësi për procesin gjyqësor, por jo për publikun e gjerë, pasi sipas tij cenojnë dinjitetin e motrës së tyre.

    Ai ka theksuar se kërkesa e familjes bëhet veçanërisht për të ruajtur figurën e Liridonës në raport me fëmijët e saj, të cilët në të ardhmen mund të përballen me këto pamje në hapësirën online.

    “Sot gjatë zhvillimit të seancës së rradhës në rastin e motrës tonë Liridona Ademaj janë transmetu pamje te rënda ku shihet motra jonë. I lusim mediat dhe administratorët e llogarive në media sociale të mos i publikojnë ato pamje te rënda. Ne konsiderojmë që ato pamje janë me rëndësi për gjykatën por jo për publikun e gjerë meqë e denigrojnë figurën e motrës tonë. Këtë kërkesë po e bëjmë sidomos për të ruajtur figurën e Liridonës në raport me fëmijët e saj te cilët në të ardhmen mund t’i shohin online. Ne duam që fëmijet e saj ta mbajnë në mend nënën e tyre ashtu siç e kanë njohur kur ka qenë gjallë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Më tej, ai ka shtuar se familja shpreson që edhe gjykata të ndërmarrë masa duke urdhëruar që pamje të tilla të mos publikohen dhe të përdoren vetëm për qëllime të procesit gjyqësor.

    Ndryshe, sot në Gjykatën themelore në Prishtinë është duke vazhduar gjykimi i ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

    Murseli përsëriti se natën kritike ka qenë pre e gabitjes nën kërcënimin e armës.

    Tha se atë natë, tani e ndjera kishte me vete kuletën me para.

    Por, trupi gjykues e ballafaqoi me foto të gjësendeve që Liridona Ademaj kishte me vete natën kritike, ku shihen dy byzylykë ari dhe një unazë ari.

    Aty iu paraqitën edhe pamje të viktimës nga vendi i ngjarjes, për çka Murseli tha se nuk mund t’i shikojë ato pamje të të ndjerës.