ATV

Category: Lajme

  • U gjet i djegur, ky është personi që vdiq tragjikisht në Stroc të Vushtrrisë

    U gjet i djegur, ky është personi që vdiq tragjikisht në Stroc të Vushtrrisë

    Një ngjarje tronditëse ka ngjarë të mërkurën e 25 marsit në Stroc të Vushtrrisë, ku një burrë u gjet i djegur.

    Rastin e rëndë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

    I njëjti deklaroi për redaksinë se rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

    Mësohet se viktima është Bejtullah Isufi, për vdekjen e së cilit kanë shkruar edhe familjarët e tij.

  • Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri Muja nënshkruan vendimin për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka nënshkruar vendimin për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë.

    Kjo, është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook në faqen zyrtare të ministrisë.

    Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Postimi i plotë:

    Nga qiratë tek zhvillimi – një hap konkret për një shtet më efikas

    Sot kam nënshkruar një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë. Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.

    Po ashtu, po krijojmë Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit.
    Rezultati: rreth 1 milion € kursime në vit. Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete:

    🌱 Mbështetje për prodhimin vendor dhe fermerët
    🚜 Investime në mekanizim dhe teknologji bujqësore
    💧 Zgjerim i ujitjes dhe rritje e produktivitetit
    👩‍🌾 Mbështetje për të rinjtë dhe gratë në bujqësi
    Po ndërtojmë një administratë që kursen aty ku duhet dhe investon aty ku ka më shumë ndikim për qytetarët.

  • Murseli: Armën e kam blerë sepse Plava më tha se e shet dyfish të nesërmen

    Murseli: Armën e kam blerë sepse Plava më tha se e shet dyfish të nesërmen

    I akuzuari Naim Murseli në vazhdim të dhënies së mbrojtjes para trupit gjykues, deklaroi se armën me të cilën sipas Prokurorisë, është vrarë tani e ndjera Liridona Ademaj, ia bleu Granit Plavës pasi i kishte thënë se do ta shiste të nesërmen dyfish.

    I akuzuari po ashtu pranoi se të akuzuarin Granit Plava e kishte dërguar pranë shtëpisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Anëtari i trupit gjykues Gent Beka e pyeti sërish për armën që ia kishte blerë Murseli- Plavës. Për këtë, i akuzuari tha se kur ua kishte treguar shitësi armën, Graniti i kishte thënë se po i pëlqen dhe se të nesërmen do ta shiste dyfish. Tha se aty u morën vesh t’ia paguante.

    “U morëm vesh me m’i kthy paratë”, deklaroi Murseli.

    Ndërkaq, lidhur me situatën në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja, i akuzuari tha se nuk kishte qenë kërkesë e grabitësit të dilte nga vetura, por ka dalë vetë.

    Më tej, i akuzuari u pyet se përse nuk e kishte nisur veturën me vrull për t’iu shmangur grabitësit dhe për të ikur, ndonëse ai ishte nga ana e Liridonës.

    “Nuk m’u ka kujtu në atë moment, Liridona tha ‘o kuku hajni- hajant’, kështu diçka, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u ndala”, u përgjigj Murseli.

    Takimet me Plavën, Murseli tha se kanë zgjatë në total 4 orë.

    “Domethënë, ju keni vendosë të shoqëroni një person që keni kalu rreth 4 orë për në Prishtinë dhe keni vendos spontanisht t’i besoni dhe t’i tregoni se ku jetoni”, e pyeti gjyqtari Beka.

    “Po”, u përgjigj Murseli.

    Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leondard Ademaj, avokati Leutrim Syla kërkoi që pamjet e tani të ndjerës Liridona Ademajt që u shfaqën në Gjykatë, ku shihet e vrarë vendin e ngjarjes, të mos publikohen në media dhe mos të kenë qasje fëmijët e saj në to. Tha se kjo është kërkesë e familjes.

    “Qëllimi ka qenë me i tregu Naimit se stolitë i ka pas”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

  • Hoxhaj nga Suhareka: Masakra e familjes Berisha mbetet plagë e hapur

    Hoxhaj nga Suhareka: Masakra e familjes Berisha mbetet plagë e hapur

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka përkujtuar martirët e Suharekës përmes homazheve në disa prej pikave kryesore memoriale, duke theksuar se dhimbja për viktimat mbetet ende e gjallë dhe se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend.

    Gjatë vizitave te Obelisku i Martirëve, në Qendrën Memoriale të Masakrës së Berishëve dhe te Memoriali i Varrezave të Berishëve, Hoxhaj ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin e viktimave të masakrës.

    “Dhimbja për martirët e Suharekës mbetet e gjallë dhe plagët e asaj dite nuk janë mbyllur ende,” është shprehur ai.

    Duke u ndalur te masakra ndaj familjes Berisha, Hoxhaj ka theksuar se ajo vazhdon të jetë një plagë e hapur për shoqërinë kosovare.

    “Masakra ndaj familjes Berisha është plagë e hapur dhe kujtesë se drejtësia ende nuk ka folur sa duhet,” ka deklaruar ai.

    Ai ka shtuar se këto homazhe janë një riafirmim i përkushtimit për drejtësi dhe për të mos harruar krimet e kryera gjatë luftës.

    “Përulemi me respekt dhe riafirmojmë zotimin për drejtësi dhe mosharresë,” ka thënë ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

  • 27 vjetori i Masakrës së Krushës së Madhe, Osmani: Kujtesa për viktimat nuk duhet të shuhet

    27 vjetori i Masakrës së Krushës së Madhe, Osmani: Kujtesa për viktimat nuk duhet të shuhet

    Sot është mbajtur një tubim përkujtimor në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, ku u nderuan viktimat e një prej krimeve më të rënda të regjimit serb në Kosovë.

    Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë për familjen Berisha nga Suhareka, e cila u përball me mizorinë e regjimit gjenocidal të Serbisë.

    “Në pragun e shtëpisë së tyre, aty ku duhej të mbretëronte jeta dhe siguria, anëtarë të familjes Berisha u përballën me barbarinë e regjimit gjenocidal të Serbisë. 49 anëtarë të kësaj familje, prej të cilëve 19 viktima kanë qenë të moshës nën 18-vjeçare, u masakruan mizorisht, ndërsa trupat e tyre u zhdukën e u bartën gjetiu, në përpjekje për të fshehur krimin dhe për t’i shuar gjurmët e së vërtetës,” shkruan Osmani.

    Ajo shtoi se fati ka shpëtuar tre nga familjarët: Vjollcën me të birin Gramozin dhe Shyhretjen, të cilët mbetën jo vetëm dëshmitarë të krimit, por edhe zë i kujtesës që nuk shuhet.

    “Kjo histori nuk është vetëm dhimbje, por thirrje për drejtësi. Kujtesa për krime si kjo është themel i së vërtetës dhe i kërkesës për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët!” përfundon Osmani.

  • Pritet përkeqësimi i motit në Shqipëri, anulohet lundrimi i anijes Brindisi-Vlorë

    Pritet përkeqësimi i motit në Shqipëri, anulohet lundrimi i anijes Brindisi-Vlorë

    Përkeqësimi i kushteve meteorologjike ka sjellë pezullimin e lundrimit për anijen e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë, e cila ka anuluar mbërritjen dhe nisjen nga Porti i Vlorës për ditën e sotme. Sipas njoftimit nga Kapiteneria, masat shtrënguese përfsijne edhe mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, të cilave u është ndaluar dalja në det për sot dhe nesër.

    Ndërkohë që anijet e transportit ndërkombëtar tregtar do të vijojnë operimet normalisht. Situata detare pritet të jetë e rënduar me erëra që arrijnë shpejtësinë 15-20 m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri në 2.50 metra, parametra këta që përbëjnë rrezik për mjetet e vogla.

    Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike parashikohet të nisë gjatë ditës së nesërme, duke lejuar rikthimin gradual në normalitet të aktiviteteve detare dhe peshkimit në gjirin e Vlorës.

  • Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Ligji për të huajt – Fillon mbledhja e të dhënave për serbët që kanë nevojë për regjistrim të vendbanimit në Kosovë

    Nebojsha Arsiq, udhëheqës i universitetit paralel në Mitrovicën veriore, deklaroi se kanë nisur procedurën për mbledhjen e informacioneve për personat të cilëve u nevojitet regjistrimi i vendbanimit, pas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE’në lidhur me ligjin për të huajt.

    Leje nuk kanë 2.780 studentë dhe 550 profesorë dhe staf mësimor, ndërsa Arsiq ka deklaruar se deri më sot kërkesë kanë paraqitur 414 të punësuar dhe pak më shumë se 2.400 studentë.

    Ai gjithashtu thekson se mbledhja e të dhënave është plotësisht mbi bazë vullnetare.

    “Të gjithë të punësuarit dhe të gjithë studentët janë njoftuar se mbledhja e këtyre informacioneve është ekskluzivisht në bazë vullnetare dhe këto të dhëna janë në një vëllim shumë më të vogël sesa të dhënat që jepen gjatë kalimit të vijës administrative. Pra, këto të dhëna që ne po i mbledhim me qëllim sigurimin e dokumenteve të nevojshme për qëndrimin dhe punën e të punësuarve në këtë hapësirë, si dhe të studentëve tanë, po zhvillohet normalisht dhe ne do të jemi në gjendje që të gjitha këto të dhëna të mbledhura t’i përcjellim, siç është dakorduar, te kryetarët e komunave në përputhje me marrëveshjen e arritur”, shpjegon Arsiq.

    Ai ka thënë edhe se ata janë në kontakt me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjithçka të ‘zhvillohet pa pengesa’’.

    “Të gjitha shërbimet janë njoftuar se duhet të pranojnë edhe të dhënat që mbërrijnë më vonë, e pastaj do të shohim, në marrëveshje me përfaqësuesit tanë politikë — duhet të them se jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta — ndërsa ata me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjithçka me qëllim të zhvillimit pa pengesa të këtij procesi shumë të rëndësishëm për ne. Sepse pa zgjidhjen e këtij statusi, Universiteti do të ishte në probleme të mëdha. Mund të them se priten edhe masa administrative dhe burokratike nga pala tjetër, të cilat me gjasë do të përpiqen ta vështirësojnë këtë proces të regjistrimit, përkatësisht marrjen e këtyre lejeve të qëndrimit. Por shpresoj se në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të arrijmë t’i largojmë të gjitha këto probleme”, thekson Arsiq.

  • Abdixhiku kërkon hetim dhe u bën thirrje qytetarëve: Po faturoheni me tarifë të shtrenjtë edhe natën, kontrolloni njehsorët

    Abdixhiku kërkon hetim dhe u bën thirrje qytetarëve: Po faturoheni me tarifë të shtrenjtë edhe natën, kontrolloni njehsorët

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim për njesorët elektrikë, për të cilët bashkëpartiaku i tij, Visar Azemi, dje tha se po bëjnë matjen e konsumit të energjisë gabim dhe se për këtë po faturohen qytetarët.

    Abdixhiku tha se të gjeturat e prezantuara dje janë alarmante dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i kontrollojnë njehsorët.

    “Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogarit. Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik”.

    Abdixhiku tha se partia e tij do të kërkojë përgjegjësi institucionale për këtë.

    “Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar. LDK kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale”.

  • Visar Azemi: KESCO duhet të tregojë sa qytetarë u manipuluan me njehsorë, sa është kostoja dhe kur do të kompensohen

    Visar Azemi: KESCO duhet të tregojë sa qytetarë u manipuluan me njehsorë, sa është kostoja dhe kur do të kompensohen

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dje në një konferencë për media tha se njehsoret elektrike tyre e matin kohën gabim, duke thënë se ka bërë hulumtim për këtë.

    Ai tha se reagimi i KESCO për këto deklarime të tij ishte “vërtetim”.

    “Nëpërmjet disa artikujve të sponsorizuar, KESCO paska reaguar lidhur me konferencën që e mbajtëm sot për problemet me njehsorë elektrik. Por, reagimi i tyre nuk po e mohon problemin! Në fakt po e vërteton atë. Sepse vetë thanë se mund të ketë devijime. Pra, devijimet po ekzistojkan edhe sipas tyre. Por, nga 884 mostrat të cilat unë personalisht i kam vërtetuar, 87% e tyre tregojnë se ka probleme në matje. Pra, nuk po flasim për gabim. Po flasim për një dështim sistemik. Tani pyetja është shumë e thjeshtë: nëse devijimet po ekzistojkan, pse është dashur që qytetarët e Republikës së Kosovës të faturohen me çmim të shtrenjtë të energjisë në kohën kur sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është dashur të faturohen me çmim të lirë?”.

    Ai tha se KESCO tash duhet të tregojë se sa qytetarë janë dëmtuar nga këto anomali”

    Shumica e familjeve tona e presin orën 22:00, atëherë kur fillon tarifa e lirë, për me lëshu bojlerin, me lëshu nxejmjen, me i la enët dhe me i la rrobat. Pra, ky është skandali. Shumica e këtyre familjeve janë vjedhur. Prandaj pyetja është e thjeshtë: KESCO duhet me tregu qartë se sa qytetarë janë manipuluar, sa është kostoja e këtyre manipulimeve dhe se kur do të kompenzohen këta qytetarë për këto manipulime? Nuk mjaftojnë artikujt e sponsorizuar në media. Nuk mjaftojnë arsyetimet. Unë nuk do të ndalem me kaq. Do t’i ftoj organet për hetim. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj kompensim për qytetarët e Kosovës dhe këtë do ta bëj menjëherë. Prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me këtë rast”.

  • Borë në Kroaci – pritet të bjerë edhe në disa vende të Ballkanit

    Borë në Kroaci – pritet të bjerë edhe në disa vende të Ballkanit

    Bora ka mbuluar disa pjesë të Kroacisë, dhe pritet që skenari i ngjashëm të shfaqet edhe në disa vende të Ballkanit – me deri në 40 cm borë.

    Ka nisur një ndryshim i motit dhe tashmë bora po bie në disa zona të Kroacisë, ku që nga mbrëmja e kaluar reshjet janë duke formuar një shtresë të bardhë të borës në terren.

    Në veçanti, në Gorski Kotar dhe në pjesë të veri-perëndimit të Kroacisë reshjet e borës janë mjaft të dukshme, dhe për zonën rreth Gospiçit janë lëshuar paralajmërime për mundësinë që bora të arrijë deri në rreth 50 cm thellësi, shkruan index.hr.

    Për zonat përreth Zagrebit është dhënë paralajmërim portokalli për erë të fortë veriore dhe veriore-lindore, me shpejtësi që në disa vende mund të arrijë 55–90 km/h.

    Parashikohet që reshjet e shiut në disa zona, ndërkohë, gradualisht të kalojnë në borë – me mundësi që në zona malore të akumulohen 20 deri 40 cm borë, në varësi të lartësisë së terrenit.

    Ndryshe, moti i keq pritet të mbretërojë gjatë ditës së nesërme edhe në Kosovë.