ATV

Category: Lajme

  • Mblidhet Kryesia e PDK-së

    Mblidhet Kryesia e PDK-së

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kjo mbledhje vjen një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku e shfuqizon dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen Kuvendit.

    Mediat nuk u lejuan të marrin pamje në fillim të mbledhjes, mirëpo KosovaPress mësoi se do të ketë një konferencë për media pas përfundimit të takimit.

    Gjykata Kushtetuese, të mërkurën, e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

    Me këtë vendim, Kushtetuesja u jep deputetëve afat edhe 34 ditë për përfundimin e procedurës dhe e shfuqizon masën e përkohëshme të vendosur më 9 mars.

  • Greqia rrit pagën minimale, nga 1 prilli shkon në 920 euro

    Greqia rrit pagën minimale, nga 1 prilli shkon në 920 euro

    Greqia rrit pagën minimale e cila nga 1 Prilli shkon në 920 euro bruto sipas njoftimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

    Bëhet fjalë për rritjen e gjashtë radhazi që nga viti 2019, ndërsa vetëm nga viti i kaluar paga bazë shtohet me 40 euro në muaj, ose rreth 4,5 për qind.

    Kjo rritje nuk prek vetëm punonjësit që paguhen me minimumin, por “tërheq” automatikisht lart edhe një sërë pagesash dhe përfitimesh të lidhura me të. Ndryshojnë, ndër të tjera, shtesat për vjetërsinë në punë, të ashtuquajturat “periudha trevjeçare”, raporton Top Channel.

    Rritje do të ketë edhe për një numër të madh përfitimesh sociale. Shtesa për personat e martuar, që përllogaritet në 10 për qind të pagës minimale, rritet përkatësisht, ndërsa edhe asistenca sociale për të papunët ngjitet në 564 euro nga 540 që ishte më parë. Po ashtu ndikohen pagesat për lejen e lindjes, lejen prindërore, programet e punësimit, praktikave profesionale dhe një sërë ndihmash sezonale.

    Paralelisht, qeveria parashikon edhe një rritje horizontale prej 40 eurosh për të gjithë nëpunësit e sektorit publik.

    Sipas autoriteteve, që nga viti 2019 paga minimale është rritur nga 650 në 920 euro, një rritje kumulative që tejkalon 40 për qind, ndërsa qeveria thekson se synimi është mbështetja e të ardhurave përballë kostos së lartë të jetesës.

    Nga ana e tyre partitë opozitare dhe sindikatat e konsiderojnë këtë shifër si thërrime përballë rritjes kolosale të çmimeve. Hollësi për kategori të ndryshme punonjësish jepen pas orës 15.30 ora lokale në një konferencë shytpi nga ministrat përkatës.

  • AAK mbledh Këshillin e Përgjithshëm, do të diskutohen zhvillimet aktuale

    AAK mbledh Këshillin e Përgjithshëm, do të diskutohen zhvillimet aktuale

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njfotuar se në orën 16:00, do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i këtij subjekti politik.

    Siç bëhet e ditur në një njoftim, në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Aleancës lidhur me situatën e krijuar.

    “Pas përfundimit të mbledhjes, do t’ju informojmë për vendimet dhe qëndrimet që do të dalin nga diskutimet”, theksohet më tej në njoftim.

  • Tahiri: Kurti po dëshiron të instalojë sistem autoritar duke synuar postin e presidentit

    Tahiri: Kurti po dëshiron të instalojë sistem autoritar duke synuar postin e presidentit

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të reflektojë për të gjetur një zgjidhje sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

    Sipas tij, Kurti po synon të marrë nën udhëheqje edhe Presidencën përmes një kandidati partiak.

    Në një bisedë për RTV21, deputeti Tahiri tha se Kurti synon të marrë edhe postin e presidentit për të krijuar një sistem autoritar në Kosovë.

    “Në këtë situatë kemi ardhur për shkak se LVV-ja, me vetëm 66 vota, ka vendosur që në ditët e fundit të propozojë kandidat të partisë së vet, në mënyrë që ta kapë pozicionin e presidentit dhe që tri pushtetet Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria të jenë në dorën e tyre, edhe pse nuk i takon, sepse nuk i ka 80 vota. Të shohim nëse Vetëvendosje do të reflektojë gjatë këtyre 34 ditëve për një president që përfaqëson unitetin e popullit. Deri tani nuk e kemi parë. Ajo që kemi parë është se Kosova paska mbetur vetëm në njerëz të LVV-së, kjo nuk duhet të ndodhë në demokraci.”, tha ai.

  • Policia arreston 34-vjeçarin e kërkuar me urdhëresë gjykate

    Policia arreston 34-vjeçarin e kërkuar me urdhëresë gjykate

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, ndaj të cilit ka pasur urdhëresë gjykate.

    Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me narkotikë.

    “Një nga këto operacionet u realizua nga zyrtarët policorë të stacionit të Fushë Kosovë, të cilët arritën të arrestojnë personin e kërkuar për Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, 34-vjeçari A.G, konform urdhëresës së gjykatës, është dërguar në vuajtje të dënimit prej 1 viti e 150 ditë burg.

  • Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare, reagon Autoriteti kombëtar për siguri kibernetike

    Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare, reagon Autoriteti kombëtar për siguri kibernetike

    Sot gjatë ditës është raportuar se ka pasur sulm kibernetikë nga hakerë iranianë ndaj Postës Shqiptare.

    E pas këtyre raportimeve, ka dal me një njoftim Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ku bëhet e ditur se më 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.

    AKSK thekson tutje se në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.

    Lexoni të plotë reagimin:

    Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon opinionin publik se, më datë 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.

    Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike.

    Ky grup ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për:

    * analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;

    * identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC);

    * analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike;

    * izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.

    Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.

    Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.

    Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cenon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

    AKSK do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.

    Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të AKSK.

  • Kurti: 500 mijë euro shpërblim për fitore ndaj Sllovakisë, 1 milion për kualifikim në Botëror

    Kurti: 500 mijë euro shpërblim për fitore ndaj Sllovakisë, 1 milion për kualifikim në Botëror

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte bërë një zotim të fuqishëm në pjesën e dytë të vitit 2025.

    Gjatë njërës prej mbledhjeve të Qeverisë së tij, Kurti kishte premtuar shpërblime të majme për futbollistët e Kombëtares së Kosovës në rast të vazhdimit të suksesit.

    Më saktësisht, kreu i ekzekutivit i kishte premtuar 250 mijë euro për kalimin e grupeve, të cilin veçse e kishin bërë Dardanët.

    Ndërsa, premtimet e tij kishin vazhduar për suksesin eventual të Verdhekaltërve në të ardhmen.

    Ai më 27 nëntor 2025 kishte premtuar premi, si për fitoren ndaj Sllovakisë ashtu edhe për një kualifikim eventual në Botërorin 2026, i cili gjatë verës që po vjen do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.

    “Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tonë për ta. Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove”, thoshte Kurti, transmeton “Gazeta Express”..

    “Dhe së dyti, në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty”, kishte shtuar ndër të tjera kryeministri.

    Kosova do të luajë sonte me Sllovakinë në Bratisllavë në ndeshjen që do të nisë prej orës 20:45.

    Në rast të një fitoreje eventuale në kryeqytetin sllovak, Dardanët do të luajnë të martën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në finale me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal, Turqi – Rumani.

    Kosova nuk ka qenë kurrë më afër kualifikimit në Kampionat Botëror, e sheh veten veç dy ndeshje larg tij

  • Aksident trafiku afër kazermës “Adem Jashari”, krijohen kolona

    Aksident trafiku afër kazermës “Adem Jashari”, krijohen kolona

    Një aksident trafiku ka ndodhur afër kazermës “Adem Jashari”, në Prishtinë.

    Sipas pamjeve të siguruara nga ATV-ja në aksident është përfshirë një veturë e tipit Audi.

    Nuk dihet nëse nga ky aksident ka të lënduar.

    Lajmi në përditësim…

     

  • As Haxhiu nuk e komenton vendimin e Kushtetueses

    As Haxhiu nuk e komenton vendimin e Kushtetueses

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka refuzuar të flasë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Jo këtu”, ka thënë ajo derisa u pyet për vendimin e djeshëm të Kushtetueses.

    Sot, më herët, as presidentja Vjosa Osmani nuk ka pranuar të komentojë vendimin e djeshëm të Kushtetueses.

    Gjykata Kushtetuese, të mërkurën, e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit.Me këtë vendim, Kushtetuesja u jep deputetëve afat edhe 34 ditë për përfundimin e procedurës dhe e shfuqizon masën e përkohëshme të vendosur më 9 mars.

  • “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin”, i akuzuari Granit Plava nis deklarimin në gjykatë

    “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin”, i akuzuari Granit Plava nis deklarimin në gjykatë

    Në gjykatë është duke u zhvilluar seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Pas shpalosje së shumë detajeve në lidhje me natën kritike, tani radha është për ekipin mbrojtës së të akuzuarit Granit Plava.

    Plava tanimë është në foltore dhe pritet që të deklarohet në lidhje me pyetjet që do t’i parashtrohen.

    Plava akuzohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të Liridona Ademajt duke e lënë atë të vdekur. Plava dhe ish-bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli kishin kontaktuar më parë e që dyshimet janë se dyshja kishin bashkëpunuar në realizimin e kësaj vepre.

    Në deklarim e sipër si fillim Plava tha se është baba i tre fëmijëve dhe se ishte punëtor krahu.

    “Jam babë i tre fëmijëve, gjendje ekonomike e dobët, jam kanë punëtor krahu”, deklaroi ai.

    Përpos kësaj Plava deklaroi se deklaratën që kishte dhënë në stacion policor ka qenë në marrëveshjeje me Naim Murselin.

    “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin. Edhe kemi pas presion nga policia. Kam me fol për këtë deri të del e vërteta”