ATV

Category: Lajme

  • Gjini: S’kemi votë për asnjërin kandidat të LVV-së për president

    Gjini: S’kemi votë për asnjërin kandidat të LVV-së për president

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka votë për dy kandidatët aktualë të Lëvizjes Vetëvendosje për president, tha nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.

    Ai pas mbledhjes së këshillit drejtues të AAK-së, tha se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të kryeministrit, njëherësh liderit të LVV-së, Albin Kurti, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Përkundër që Gjykata Kushtetuese dha afat 30 ditë për zgjedhjen e presidentit, Gjini tha se nuk po sheh vullnet dhe sinqeritet nga LVV-ja për të zgjedhur presidentin. Kësisoj, sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja pas konsumimit të këtij afati.

    I pyetur nëse i përgjigjen pozitivisht ndonjë ftese për takim nga Kurti, ai e mohoi një gjë të tillë.

    Duke folur për aktgjykimin e 25 marsit të Gjykatës Kushtetuese, ku e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani, nënkryetari i AAK-së thotë se do ta respektojnë të njëjtin.

    Gjatë konferencës për gazetarë, Gjini foli edhe për zgjedhjet e brendshme në parti, ku njoftoi se të njëjtat do të vijojnë dhe se i tërë procesi do të përmbyllet në fund të muajit maj.

    Gjini veçse ka shpallur kandidaturën për kryetar të AAK-së.

    Në anën tjetër, u shpreh edhe kritik ndaj qeverisë, siç tha për mos heqjen e akcizës për derivate./KP

  • 20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    20 cm borë në Kroaci, bllokohet trafiku

    Reshjet e shumta të borës që përfshinë Kroacinë të enjten kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e kamionëve në autostradat kryesore mes kryeqytetit Zagreb dhe Rijekës.

    Rreth 20 centimetra dëborë pranverore ranë në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar kaos në rrugët shumë të ngarkuara në vend.

    Ndërkohë, kushtet e këqija të motit pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në rajonin e Ballkanit, pasi reshjet e borës parashikohet të shtohen gjatë së premtes dhe të shtunës në Bosnjë dhe Serbi.

  • 1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

    1 prilli po afron, e Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk ka përfunduar me shqyrtimin e aplikimeve të KOSTT’it, KEDS’it dhe KESCO’s, të cilat kanë kërkuar rritje rreth 20% të çmimit të rrymës në vend. Pas finalizimit të këtij procesi, do të përgatitet Raporti Konsultativ, e më pas do të hapet konsultimi publik. Pas shqyrtimit të komenteve, Bordi do të mblidhet e do të vendos përfundimisht për tarifat. Data ende nuk dihet, ndonëse tarifat parashihet të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër.

    Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20%, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.

    Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 përqind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT’i. Aplikimet po vazhdojnë të shqyrtohen.

    Nga ZRRE kanë deklaruar për Reporteri.net se janë në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve dhe se më pas do të publikohet Raporti Konsultativ, që i paraprin hapjes së konsultimit publik.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është aktualisht në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar (përfshirë KESCO, KEDS dhe KOSTT). Pas finalizimit të këtij shqyrtimi, ZRRE do të përgatisë dhe do të publikojë Raportin Konsultativ, me qëllim që të hapë procesin e konsultimit publik dhe të marrë komentet nga të gjitha palët e interesit”, kanë deklaruar nga ky institucion.

    Pas shqyrtimit të komenteve të pranuara, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE’së ku do të vendoset përfundimisht mbi tarifat, teksa data ende nuk dihet.

    “Pasi të përfundojë periudha e konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha komentet e pranuara, pritet që të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes së Bordit do të njoftohet publikisht në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së. Duke qenë se ZRRE është ende në fazën e shqyrtimit të aplikimeve dhe përgatitjes së Raportit Konsultativ, procesi i konsultimit publik nuk ka filluar ende”, kanë deklaruar nga ZRRE për Reporteri.net.

    KESCO ka kërkuar që të hyrat maksimale për këtë vit të jenë 528.78 milionë euro.

    “FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve. Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate, rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e KESCO.

    Vjet kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja ia pati aprovuar 436 milionë euro.

    KEDS’i ndërkohë ka kërkuar që të hyrat maksimale për të të jenë 235 milionë euro apo 55 milionë më shumë sesa që ia pati aprovuar vjet ZRRE-ja.

    “Çfarëdo tendence për të zvogëluar kërkesën e OSSH-së do të rrezikoj likuiditetin financiar të OSSH-së dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike. Për me tepër, kjo do të ndikonte
    negativisht në kapacitetin e OSSH-së për të përmbushur detyrimet e tij dhe do të minonte besimin e konsumatorëve dhe investitorëve në sektorin energjetik. Në këtë kontekst, kërkojmë një reflektim të drejtë dhe të plotë të kostove të nevojshme për operimin e OSSH-së, për të siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në të ardhmen. Rregullimi i drejtë dhe i saktë i të hyrave të lejuara është kyç për garantimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të besueshëm për konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet në kërkesën e KEDS.

    Ndërsa kërkesa e KOSTT’it është 99 milionë euro apo rreth 11 milionë më shumë sesa ZRRE-ja ia pati aprovuar më 2025.

    “Kërkesa e KOSTT për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, në vlerën prej 99,383,831.20 euro, synon të sigurojë operim të qëndrueshëm të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin financiar të KOSTT-it…Duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve në sistemin e transmetimit, në përputhje me kërkesat e ENTSO-E, është me rëndësi jetike mbështetja e projekteve të reja, ndryshimet në projektet ekzistuese, si dhe kërkesat për shpenzime operative”, thuhet në kërkesën e KOSTT’it.

    Shqyrtimi dhe caktimi i tarifave të energjisë elektrike bëhet çdo vit nga ZRRE, të cilat shpallen më 1 prill dhe janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vitin e kaluar kishin hyrë në fuqi nga 1 maji, kur rryma ishte shtrenjtuar për 16 përqind.

    Shtrenjtim të rrymës ka pasur edhe në vitin 2022, kur rryma ishte shtrenjtuar për 14 përqind, teksa rritja paraprake kishte qenë në vitin 2022.

    Më 6 shkurt është mbajtur edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

    Protesta kishte filluar nga ndërtesa e KEDS-it, ku ishin mbledhur fillimisht qytetarët dhe më pas marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë.

    Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

    Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se të kundërshtojë tarifat e reja të energjisë elektrike, në rast se ka rritje.

    “Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, kishte deklaruar për Reporteri.net, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

    Njëjtë kishte vepruar edhe vitin e kaluar, kur ishte shtrenjtuar rryma./Reporteri.net

  • Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Ari shënon ulje të çmimit sërish

    Çmimi i arit ka shënuar rënie, duke zbritur nën 4,500 dollarë për ons gjatë ditës së sotme. Metali i çmuar u tregtua rreth 4,426 dollarë për ons, me një ulje prej 1.6 për qind.

    Rënia vjen në vazhdën e humbjeve të fundit, ndërsa tensionet në Lindja e Mesme dhe paqëndrueshmëria në tregjet globale kanë ndikuar negativisht.

    Që nga fundi i shkurtit, ari ka humbur rreth 15 për qind të vlerës, ndërsa ekspertët e lidhin këtë trend me rritjen e inflacionit dhe pritjet për norma më të larta interesi.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një 70-vjeçari të gjetur i vdekur në Prizren

    Policia e Kosovë njofton se një mashkull rreth 70 vjeç është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

    Viktima ende nuk është identifikuar, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët me informacion të kontaktojnë stacionin policor ose numrin 192.

  • Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian heton Snapchat për shkelje të ligjeve të sigurisë ndaj fëmijëve

    Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj Snapchat për dyshime se platforma mund të ketë shkelur rregullat e sigurisë dixhitale, duke ekspozuar të miturit ndaj rreziqeve si abuzimi dhe rekrutimi kriminal.

    Hetimi zhvillohet në kuadër të Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe do të shqyrtojë masat e platformës për mbrojtjen e përdoruesve të rinj.

    Autoritetet paralajmërojnë se procedurat mund të çojnë në masa të mëtejme nëse konstatohen shkelje.

  • “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    “Kam kërkuar ndihmë profesionale” – Paris Guri rrëfen periudhën e ankthit

    Ish-deputeti dhe kryetari i Forumit të Rinisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka folur  për përvojat e tij personale me ankthin dhe fazat depresive, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe kërkimin e ndihmës profesionale.

    I pyetur nëse ka kërkuar ndihmë nga psikologu, Guri u shpreh se përvoja e tij nuk është e pazakontë, sidomos te të rinjtë.
    “…Unë mendoj se secili i ri përballet me ankth dhe stres nga studimet, si dhe me faza të lehta depresive, të cilat mund të shndërrohen në gjendje më të rënda nëse nuk trajtohen. Absolutisht po, kam diskutuar me psikologë të ndryshëm. Para se të angazhohesha në këtë aspekt, kam punuar shumë me shëndetin mendor…” – tha ai.

    Në cilësinë e kryetarit të Forumit të Rinisë, në bashkëpunim me kryesinë e LDK-së, ai ka kontribuar në realizimin e Linjës Telefonike për Ndihmë Psikologjike “Me ty”, një projekt që synon të ofrojë mbështetje profesionale (psikologjike) për qytetarët.

    “…Kemi realizuar një projekt për krijimin e një linje telefonike institucionale përmes Qeverisë. Shumica e vendeve të botës e kanë një të tillë, ku çdo person mund të telefonojë dhe të ndajë shqetësimet e tij, dhe të përgjigjet një ekspert i fushës…” – u shpreh Guri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A është burri gjithçka në jetë?

    A është burri gjithçka në jetë?

    Poetja dhe opinionistja, Helena Halilaj, në emisionin “LIBERO” ka ndarë një reflektim mbi rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe pritshmëritë që vendosen ndaj saj. Në studio u diskutua nëse një burrë është domosdoshmëri për realizimin e jetës së një gruaje, duke sfiduar kështu një mendësi të përhapur.

    Sipas saj, shpesh një gruaje i thuhet se për të arritur suksesin dhe përmbushjen personale, duhet patjetër të ketë në krah një burrë – qoftë vëlla, partner apo baba. Por Halilaj sjell një këndvështrim ndryshe, duke theksuar se një grua mund të bëhet vetë mbështetja dhe forca e saj.

    “Një gruaje i thonë: ‘Që të realizohesh në jetën tënde, të duhet me patjetër një vëlla, një partner ose babai’. Dhe kur e pyesin si ia doli, ajo përgjigjet: ‘Unë u bëra burrë i vetes sime’,” shprehet Halilaj.

    Ajo shton se në mungesë të këtyre figurave, që shpesh shihen si udhërrëfyes apo mbështetje, gruaja mund të zgjedhë të ndërtojë vetë rrugën e saj drejt suksesit. Në një shoqëri ku ende mbizotëron ideja se një burrë është i domosdoshëm, Halilaj nënvizon se një grua mund të arrijë çdo gjë edhe duke u mbështetur vetëm te vetja.

    Në fund, ajo prek edhe pasigurinë që karakterizon marrëdhëniet moderne, duke theksuar se dashuria dhe martesa nuk janë më garanci për lumturi.

    “…Nuk kemi më të sigurta as dashuri, as martesa. Nuk mund të shpresojmë gjithmonë se njerëzit më të mirë do të vijnë në jetën tonë; mund të vijnë edhe njerëz që nuk na e bëjnë jetën të bukur dhe të mirë…” – përfundoi ajo.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Helena Halilaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Dy viktima në Abu Dhabi – mbeturinat e raketës balistike iraniane godasin qytetarët

    Dy viktima në Abu Dhabi – mbeturinat e raketës balistike iraniane godasin qytetarët

    Disa autoritete në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), thanë se dy persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi pjesët e një rakete balistike, që ishte goditur nga sistemi i mbrojtjes ajrore, ranë në një zonë të qytetit.

    Ngjarja ndodhi në rrugën Sweihan Road, kur sistemi ajror interceptoi raketën dhe pjesët që ranë poshtë shkaktuan fatalitetet dhe lëndime.

    Autoritetet gjithashtu deklaruan se disa automjete u dëmtuan në incident, shkruan skynews.

    Tre personat e plagosur ishin me kombësi emirate, jordaneze dhe indiane.

    Lëndimet u thanë se varionin nga të moderuara në të rënda.

    Sulmi ndodhi në një kohë kur zona është në një gjendje të tensionuar për shkak të konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ku Irani ka nisur sulme me raketa e dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, si pjesë e një eskalimi të konfliktit më të gjerë.

  • Rrezik nga erërat e forta? – IHMK del me njoftim

    Rrezik nga erërat e forta? – IHMK del me njoftim

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me rrezikun nga erërat e forta që mund të mbizotërojnë sot mbi territorin e vendit.

    Sipas njoftimit, do të fryjë erë e kategorizimit të verdhë, ndërsa shpejtësia e saj mund të arrijnë deri në 85km/h, transmeton Klankosova.tv.

    IHMK tutje shton se mund të ketë dëmtime në prona, probleme me transport, dëmtime të pyjeve.