ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit, rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025 nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit në një objekt në fshatin Maqitevë është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës narkotike marihuanë (kanabis sativa), mbi 500 kilogramë, saktësisht 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë si dhe prova të tjera materiale.

    Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se është lëshuar urdhër i përkohshëm për sekuestrimin dhe ngrirjen e dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.

    Sipas dyshimeve të ngritura, i pandehuri në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 16 shtator 2025, në pjesën malore të këtij fshati, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje dhe shpërndarjen e saj në treg.

    Me këto veprime, ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri aktualisht ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

    Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LVV, Albin Kurti, ka shkruar për 21 vjetorin e masakrës së Podujevës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.

    Kurti ka shkruar se kjo masakër është kryer nga njësiti famëkeq “Shkorpionët”, që ishin përfshirë edhe në masakra në Bosnje e Hercegovinë.

    “Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë. Ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara. Institucionet tona kanë për obligim që këto dëshmi të bëhen themel i drejtësisë së mohuar për dekada”, ka shkruar Kurti.

  • Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka bërë të ditur se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 17 prill në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

    Në deklaratën e tij, Berisha ka akuzuar Ramën se po përpiqet të bindë qytetarët përmes sulmeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është largimi i tij nga pushteti.

    “Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës.”

    Ai shtoi se opozita do të vazhdojë qëndresën, duke paralajmëruar mungesë stabiliteti për qeverinë aktuale.

    “Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, u shpreh Berisha.

  • Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës në 27-vjetorin e saj, duke nderuar viktimat dhe duke bërë thirrje për drejtësi.

    Në mesazhin e saj, ajo rikujtoi krimin e kryer 27 vjet më parë, kur, sipas saj, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë.

    “27 vjet më parë, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë, në mesin e tyre edhe një foshnje 6-muajshe, Dafina Qelaj. Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë”.

    Osmani theksoi se masakra e Izbicës mbetet një dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet.

    “Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është poashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë. Krimet e Serbisë, të cilat u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit tone, duhet të përballen me drejtësinë.Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët!”, tha Osmani.

  • Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa tragjike me sulme të koordinuara nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike.

    Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë natës që lamë pas, rusët goditën masivisht qytetin e Odessës, duke përdorur mbi 60 dronë.

    “Ky sulm nuk kishte asnjë kuptim ushtarak, ishte thjesht terror ndaj jetës civile,” tha Zelensky përmes një postimi në Telegram.

    Nga sulmet e natës, një person humbi jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një fëmijë.

    Objektivat e goditura përfshinë një maternitet, ndërtesa banimi, biznese dhe infrastrukturë portuale. “Shërbimet tona po punojnë për të ndihmuar aty ku është e nevojshme,” shtoi presidenti ukrainas.

    Ndërkohë në veri, në qytetin Kryvyi Rig, dy burra humbën jetën nga sulmet ruse, ndërsa Kievi është kundërpërgjigjur duke goditur një rafineri të madhe nafte në Yaroslavl, në veri të Moskës. Rafineria Slavneft-Yanos, një nga pesë më të mëdhatë në Rusi, ka kapacitet prodhimi mbi 15 milion ton naftë në vit.

  • Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    OVL e UÇK-së kundërshton fuqishëm ekspozitën në qendër të Prishtinës, e cila sipas tyre shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një komunikatë për media, OVL thekson se paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe është e papranueshme.

    Organizata kërkon distancim të menjëhershëm zyrtar nga përmbajtja e ekspozitës dhe llogaridhënie institucionale, duke theksuar se askush nuk guxon të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar.

    Postimi i plotë:

    REAGIM

    Kundërshtojmë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.

    Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme.

    Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë.

    Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale.

  • Kolumbia heq vizat për pasaportat diplomatike të Kosovës

    Kolumbia heq vizat për pasaportat diplomatike të Kosovës

    Kosova dhe Kolumbia kanë nënshkruar tri marrëveshje, ndër të cilat përfshihet edhe heqja e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare.

    Ky vendim është marrë gjatë një takimi mes zëvëndësministrit të MPJD, Kreshnik Ahmetit, dhe homulogut nga Kolombia, Pauna Andrea Ceron Arboleda.

    Përpos kësaj ujdie, të dyja vendet u dakorduan edhe për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme si dhe nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike.

    “Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve”.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Gjithashtu u njoftua se palët u pajtuan që në një afat të afërt të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

  • Rebelët Houthi marrin përgjegjësinë për sulmin me raketa ndaj Izraelit, i pari që nga fillimi i luftës

    Rebelët Houthi marrin përgjegjësinë për sulmin me raketa ndaj Izraelit, i pari që nga fillimi i luftës

    Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e tyre të parë me raketa ndaj Izraelit që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme. Sulmi vjen disa orë pasi rebelët paralajmëruan se do të bashkoheshin me luftën që ka tronditur rajonin dhe ekonominë globale.

    Ushtria izraelite ka njoftuar se ka rrëzuar raketën e qëlluar nga rebelët Houthi.

    Zëdhënësi ushtarak i Houthit, gjenerali i Brigadës Yahya Saree, në një deklaratë të transmetuar të shtunën në mëngjes nga krahu mediatik Ansar Allah, tha se ata qëlluan një breshëri raketash balistike që synonin atë që ai e përshkroi si “vendndodhje të ndjeshme ushtarake izraelite” në jug të Izraelit.

    Hyrja e Houthëve në konflikt gjithashtu ngre pikëpyetje për sigurinë e anijeve tregtare që kalojnë përmes korridorit të Detit të Kuq, duke rrezikuar edhe më tej transportin global. Që nga nëntori i vitit 2023 deri në janar 2025, rebelët Houthi kanë sulmuar mbi 100 anije tregtare me raketa dhe dronë, duke fundosur dy anije dhe duke vrarë katër marinarë.

    Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, nga ku dikur kalonte një e pesta e të gjithë naftës dhe gazit natyror, ka vështirësuar edhe më tej transportin detar global, dhe sulmet e Houthi-ve mund të shkaktojnë kaos të mëtejshëm.

  • Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje në Gjakovë

    Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë, pasi gjatë një bastisjeje në rrugën “Fehmi Agani” i janë gjetur armë dhe mjete të tjera të ndaluara.

    Rasti ka ndodhur të premten në mbrëmje, ndërsa i dyshuari është shoqëruar menjëherë për procedura të mëtejshme.

    Sipas raportit policor, në çantën e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë me pesë fishekë, si dhe një thikë.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet një person për kultivim narkotikësh në Suharekë

    Arrestohet një person për kultivim narkotikësh në Suharekë

    Një person është arrestuar në Suharekë lidhur me një rast të kultivimit të bimës narkotike, i cili ishte raportuar më herët në fshatin Maqitevë.

    Sipas raportit policor, arrestimi i të dyshuarit është bërë të premten, rreth gjashtë muaj pas datës kur rasti ishte evidentuar fillimisht.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.