ATV

Category: Lajme

  • ‘Aleanca ushtarake Prishtinë-Tiranë-Zagreb’ – Vuçiq thotë se ‘ka marrë opinionin e Putinit’

    ‘Aleanca ushtarake Prishtinë-Tiranë-Zagreb’ – Vuçiq thotë se ‘ka marrë opinionin e Putinit’

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se është i shqetësuar aq shumë me “aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, sa që një temë të tillë e ka diskutuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë Vuçiq, pas një telefonate që ka thënë se ka pasur me presidentin rus, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Vuçiq raportoi se, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ai diskutoi edhe tema të tjera me Putinin, duke deklaruar se ai e pyeti për Kosovën dhe Republikën Serbe, dhe se ata shkëmbyen mendime “për të gjitha çështjet e rëndësishme”.

    “E prezantova edhe me aleancën e Zagrebit, Prishtines dhe Tiranes, biseduam për të gjitha temat”, ka thënë Vuçiq në fjalimin e tij në Presidencën e Serbisë.

    Ai pretendon se e pyeti Putinin se çfarë mendonte për përfundimin e armiqësive në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, në Iran.

    “Ai më dha shpjegimin e tij dhe pikëpamjen e tij për situatën, mendimin e tij”, ka thënë më tej Vuçiq.

    Ndryshe, ka bërë të ditur ai, Serbia ka siguruar tre muaj të tjerë importi gazi nga Rusia.

    Importet më të lira të gazit rus mbulojnë deri në 90% të nevojave të Serbisë, megjithëse Beogradi është përpjekur të diversifikojë furnizimin me gaz nga Azerbajxhani dhe gaz natyror të lëngshëm nga terminalet në Greqi.

    “Ajo që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, dhe e falënderova Presidentin Putin, është se morëm një tjetër zgjatje tremujore të kontratës së gazit me kushte shumë të favorshme”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Beograd.

    Ai shtoi se zgjatja ruajti kushtet aktuale të çmimit dhe vëllimit.

  • Haxhiu: Kuvendi shpreh keqardhje për ekspozitën për masakrat

    Haxhiu: Kuvendi shpreh keqardhje për ekspozitën për masakrat

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës shpreh keqardhje për atë çka ka ndodhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, tha kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu

    Ajo në konferencë për media tha se vendimi për financim të kësaj ekspozitë ka qenë e kryesisë së legjislativit dhe se s’ka pasur asnjë indikacion për pasaktësi.

    Haxhiu tha se në mbledhjen e sotme morën vendim për vendim për inicimin e ndryshimit të rregullores dhe formimin e një komisioni të posaçëm për verifikimin e mbështetjes financiare të këtyre projekteve.

    “Kuvendi nuk është organizatore e asaj ekspozite… Ata që sot linçojnë dhe më akuzojnë nuk ishin në këtë ekspozitë të Kuvendit që e kam organizuar unë më 6 mars për Prekazin”, tha ajo.

    Haxhiu theksoi se asnjëherë s’ka pasur përpjekje më serioze për dokumentimin e krimeve të luftës sesa nën qeverinë Kurti.

  • Haxhiu paralajmëron tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së për presidentin nëse ka konsensus

    Haxhiu paralajmëron tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së për presidentin nëse ka konsensus

    Haxhiu paralajmëron tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së për presidentin nëse ka konsensus

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar vullnet politik nga partitë për të zgjidhur çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Ajo tha se sapo të përfundojnë konsultimet mes partive politike, do ta thërrasë vazhdimin e seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit.

    Haxhiu paralajmëroi gjithashtu se dy kandidaturat e LVV-së për presidentin mund të tërhiqen nëse arrihet një emër konsensual mes partive.

    “Kushtetuta është e heshtur për tërheqjen e kandidaturave dhe rrjedhimisht lirimin e nënshkrimeve”, theksoi ajo.

  • OVL e UÇK paralajmëron vazhdimin e protestave kundër shtrembërimit të historisë

    OVL e UÇK paralajmëron vazhdimin e protestave kundër shtrembërimit të historisë

    Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, saktësisht veteranët e UÇK-së kanë mbajtur sot një protestë para Kuvendit të Kosovës.

    Pas përfundimit të kësaj protese, OVL-UÇK ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë simbolike.

    Në rast se institucionet nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre, ata kanë paralajmëruar veprime të tjera.

    “Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në protestën simbolike të sotme, të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Njëherit, njoftojmë opinionin publik se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e institucioneve ndaj kërkesave tona, aktiviteti ynë kundër tendencave për shtrembërimin e historisë sonë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, për të cilat do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së.

  • Visar Korenica: Largimi nga Vetëvendosje ishte veprim i drejtë dhe i përgjegjshëm

    Visar Korenica: Largimi nga Vetëvendosje ishte veprim i drejtë dhe i përgjegjshëm

    Visar Korenica, ish-pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se largimi i tij nga subjekti politik ka qenë një vendim i drejtë dhe i bazuar në parime.

    Në emisionin “LIBERO”, Korenica theksoi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë të qartë në qëndrimet dhe parimet që kanë mbrojtur. Sipas tij, ata janë vendosur në një situatë të padrejtë dhe të papërshtatshme, për të cilën qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë pasur njohuri dhe as nuk kanë dhënë mandat përmes votës.

    Ai kritikoi gjithashtu procesin legjislativ në Kuvend, duke thënë se janë propozuar ligje që, sipas tij, nuk përkojnë me traditat dhe interesat e shoqërisë kosovare. “Janë sjell ligje për të cilat populli i Kosovës as nuk i ka në traditë…”, u shpreh ai.

    Korenica nënvizoi se roli i deputetit nuk është individual, por përfaqësues i të gjithë qytetarëve. Ai theksoi përgjegjësinë që bart çdo votë në Kuvend, duke shtuar se çdo vendim ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri.

    Në fund, ai theksoi se largimi nga partia erdhi pasi u bë e qartë se për të vazhduar më tej, do të duhej të mbështesnin ligje që, sipas tij, ishin të papranueshme.

    “… Për ne ishte i paarsyeshëm ky lloj vendimi i marrë nga ish-partia…”, përfundoi ai.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Visar Korenicës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Lushaku: Nëse VV-së i mungon vullneti për një marrëveshje, LDK e gatshme për zgjedhje të reja

    Lushaku: Nëse VV-së i mungon vullneti për një marrëveshje, LDK e gatshme për zgjedhje të reja

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se, nëse VV-së i mungon vullneti për një marrëveshje, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja.

    Lushaku theksoi se partia e saj e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojë të mbajë qasje bashkëpunuese në dialogun politik për zgjedhjen e presidentit.

    “Ne tani jemi në një situatë të re, ku Gjykata Kushtetuese ka dhënë interpretimin e saj dhe ka dhënë sqarime për disa pika, dhe ne, si parti, e kemi pranuar vendimin si të tillë dhe vazhdojmë qasjen tonë, ashtu si para vendimit, që të jemi bashkëpunues dhe të marrim pjesë në dialog. Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale dhe të mos cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit tonë. Ne do të japim kontributin tonë për aq sa është përgjegjësia jonë, por nuk duhet harruar se përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe, që ka numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti”.

    “Prandaj, nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve, për çka LDK-ja është e gatshme, e bashkuar dhe unike për të shkuar drejt zgjedhjeve. Qytetarët kanë votuar që VV ta ketë qeverisjen, por jo edhe presidentin”, tha ajo. /EO

  • LDK inicion seancë të jashtëzakonshme për çmimin e lartë të naftës

    LDK inicion seancë të jashtëzakonshme për çmimin e lartë të naftës

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se janë duke mbledhur nënshkrimet për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deputetja theksoi se qytetarët po i rëndon edhe më shumë ngritja e çmimeve të tjera, duke theksuar se aktualisht, sipas saj, jemi në një krizë financiare.

    “E informova kryesinë që kemi ndërmarrë një iniciativë për organizimin e një mbledhje të jashtëzakonshme, ose seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës, çmim i cili ka ndikuar në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera. Si rezultat i kësaj jemi duke u përballur me një krizë financiare, secili qytetar, secila familje po ka vështirësi”, tha Lushaku-Sadriu.

  • “Problemi me njehsorët elektrikë”, reagojnë nga KEDS

    “Problemi me njehsorët elektrikë”, reagojnë nga KEDS

    KEDS përmes një njoftimi kanë thënë se janë duke i ndjekur me vëmendje diskutimet dhe shqetësimet e ngritura në opinion publik lidhur me njehsorët e energjisë elektrike.

    Sipas tyre, çdo pretendim trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë.

    “Besimi i qytetarëve është thelbësor për ne. Të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori duke siguruar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim.

    Tutje nga KEDS thonë se në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla teknike, por për çdo shqetësim ekipet e tyre reagojnë menjëherë, verifikojnë situatën dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme.

    “Në çdo rast kur identifikohet ndonjë parregullsi, ajo trajtohet dhe korrigjohet në përputhje me procedurat në fuqi. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj transparencës, korrektësisë dhe informimit të drejtë. Pikërisht për këtë arsye, kemi paralajmëruar një konferencë për media që do të mbahet të mërkurën, më 1 prill, në ora 15:00, ku do të ndajmë të gjitha sqarimet dhe faktet relevante mbi këtë çështje”, thuhet në njoftim.

  • Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Hysni Gucatit, largohet ma ambulancë nga protesta

    Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Hysni Gucatit, largohet ma ambulancë nga protesta

    Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati është larguar me autoambulancë nga protesta e sotme e cila u mbajt para Kuvendit të Kosovës pas eskpozitës skandaloze për masakrat.

    Sipas pamjeve të shpërndara në rrjete, Gucatit iu përkeqësua gjendja shëndetësore.

    I njëjti është parë me dy shoqërues deri tek ambulanca.

  • Qeveria paralajmëron ligj për çmimet tavan, Kurti kundër heqjes së TVSH-së

    Qeveria paralajmëron ligj për çmimet tavan, Kurti kundër heqjes së TVSH-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se ngritja e çmimeve të naftës në vend, po ndodh si pasojë se gjithë nafta në Kosovë importohet dhe në këtë mënyrë merret kostoja e inflacionit në import, raporton KosovaPress.

    Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se çmimet e larta që janë jashtë vendit, bëhen edhe më të larta në vendin tonë shkak i inflacionit.

    “E gjithë nafta që është në Kosovë importohet, ne jo vetëm që nuk kemi burime të naftës, por as rafineri të naftës. Ne as nuk përpunojmë naftë, përveçse nuk kemi naftë dhe në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import, çmimet e larta që janë jashtë, bëhen çmime edhe më të larta këtu brenda. MINT, ka vazhduar masat e ish ministres Hajdari dhe ajo është në komunikim me ekspertët”, tha Kurti.

    Propozimet për heqjen e TVSH-së e të akcizës, sipas Kurtit nuk janë mirë të menduara dhe sipas tij, nuk po bazohen nga dija ekonomike.

    “Këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen nga përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve”, shtoi Kurti.

    Kurti përmendi se së shpejti në mbledhje të Qeverisë do të jetë edhe projektligji për çmimet tavan për produktet bazë.

    Ai shtoi se ky ligj duhet të përfundonte para tri viteve, por sipas tij Gjykata Kushtetuese mandatin e kaluar u shndërrua në zyre për ankesa nga opozita.

    Si pasojë e kësaj, sipas tij nuk do të ishte kjo gjendje po të ishte ky ligj.

    “Së shpejti në mbledhje të Qeverisë, meqenëse tash ka përfunduar puna me Gjykatën Kushtetuese do ta kemi edhe ligjin për tavanin e çmimeve për produktet bazë. Që tre vite duhej ta kishim, mirëpo ju e dini që Gjykata Kushtetuese në mandatin e kaluar u pat shndërruar në zyrë për ankesa dhe ankesat aty nga opozita ka qenë njëfarë aktivizimi juridik, vetëm na vonin, nuk do të ishim në këtë gjendje po ta kishim këtë ligj”, tha Kurti.

    Sot, në vendin tonë po tregtohet një litër naftë nga 1.7 deri 1.8 euro. /kp/