ATV

Category: Lajme

  • 27 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    27 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

    Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.

    Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.

    Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

    Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.

    FDH, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve, ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.

    Lidhur me krimet serbe në Kralan, në dhjetor 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi. Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkoi që të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në Kralan.

    Bytyqi në letrën e vet përkujtoi se askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.

  • Ftohtë edhe sot e me reshje shiu

    Ftohtë edhe sot e me reshje shiu

    Sot në Kosovë pritet të kemi mot të ftohtë dhe me vranësira të dendura të cilat do të sjellin reshje të shpeshta shiu.

    Reshjet lokalisht pritet të jenë edhe intensive, ndërsa në viset malore do të ketë reshje bore.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 3 minimalja deri në 8 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani shijon ushqimin shqiptar te kuzhinieri dhe reperi i njohur Action Bronson

    Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani shijon ushqimin shqiptar te kuzhinieri dhe reperi i njohur Action Bronson

    Kryetari i New York City, Zohran Mamdani, është bërë pjesë e një momenti jo të zakonshëm dhe shumë “New York style”, duke kaluar kohë me reperin dhe kuzhinierin e njohur Action Bronson, ku në fokus ishte – ushqimi shqiptar.

    Në një takim që ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, Mamdani u pa duke provuar pjata tradicionale shqiptare të përgatitura nga vetë Bronson, i cili prej kohësh njihet për lidhjen e tij të fortë me kuzhinën dhe rrënjët e tij shqiptare.

    Ky moment nuk ishte vetëm një degustim i thjeshtë ushqimi, por edhe një ndërthurje e kulturës, politikës dhe identitetit. Përmes gatimeve, Bronson solli një pjesë të Shqipërisë në zemër të New York-ut, duke i prezantuar kryetarit shije autentike që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

    Reperi, i njohur për emisionet e tij kulinare dhe pasionin për gastronominë, i shpjegoi Mamdanit elementet kryesore të kuzhinës shqiptare, ndërsa ky i fundit e përjetoi eksperiencën si një reflektim të diversitetit që e karakterizon qytetin që ai drejton.

    Takimi është komentuar gjerësisht si një shembull i bukur se si ushqimi mund të bashkojë kultura të ndryshme dhe të krijojë ura komunikimi edhe në nivelet më të larta të lidershipit, duke e kthyer një moment të thjeshtë në një simbol të dialogut kulturor.

  • Presidenti i Iranit i drejtohet popullit amerikan: Ne nuk ushqejmë armiqësi ndaj kombeve tjera

    Presidenti i Iranit i drejtohet popullit amerikan: Ne nuk ushqejmë armiqësi ndaj kombeve tjera

    Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka publikuar një letër drejtuar publikut amerikan, në të cilën ai vë në pikëpyetje nëse slogani “Amerika e Para” është vërtet ndër prioritetet e qeverisë amerikane.

    Ai thotë se lufta me Iranin nuk po i shërben interesave të SHBA-së dhe u bën thirrje amerikanëve të “shohin përtej retorikës politike” dhe të rishqyrtojnë pikëpamjen e tyre për vendin e tij, shkruan CNN.

    “Saktësisht cilat nga interesat e popullit amerikan po i shërben vërtet kjo luftë? A kishte ndonjë kërcënim objektiv nga Irani për të justifikuar një sjellje të tillë?”, pyet presidenti.

    “A është ‘Amerika e Para’ vërtet ndër prioritetet e qeverisë amerikane sot?”.

    Ai vazhdon duke thënë se perceptimi i Iranit si një kërcënim është “produkt i tekave politike dhe ekonomike të të fuqishmëve” dhe se veprimet e Teheranit deri më tani kanë qenë “vetëmbrojtje legjitime” dhe jo një fillim lufte.

    Duke thënë se marrëdhënia midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është keqkuptuar, ai pohon se Irani “nuk ka zgjedhur kurrë, në historinë e tij moderne, rrugën e agresionit, zgjerimit, kolonializmit ose dominimit, dhe nuk ka filluar kurrë ndonjë luftë”.

    Letra u publikua vetëm disa orë para se Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet t’i drejtohet kombit në lidhje me Iranin.

    “Populli iranian nuk ushqen armiqësi ndaj kombeve të tjera, përfshirë popullin e Amerikës, Evropës ose vendeve fqinje”, shkroi Pezeshkian në letrën e tij.

    Ai theksoi se sulmet ndaj infrastrukturës iraniane kanë pasoja si për iranianët ashtu edhe për njerëzit përtej kufijve të vendit.

  • PDK me rezolutë në seancën e nesërme: Të ndëshkohen përgjegjësit për skenarin me ekspozitën

    PDK me rezolutë në seancën e nesërme: Të ndëshkohen përgjegjësit për skenarin me ekspozitën

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se në seancën e nesërme do të propozojnë një rezolutë jashtë rendit të ditës, me qëllim që Kuvendi i Kosovës të rreshtohet në mbrojtje të vlerave më të larta dhe të nderimit të viktimave, dëshmorëve dhe martirëve të luftës.

    Në Debat Plus, Tahiri theksoi se përveç kësaj, është momenti që të reflektohet dhe të bëhen ndryshime në legjislacion, konkretisht në Kodin Penal, në mënyrë që këto vlera të mbrohen më fuqishëm.

    Për ekspozitën e Shkëlzen Gashit me të dhëna të pasakta lidhur me masakrat në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, Tahiri tha se kërkesa për mbështetje financiare kishte ardhur nga një organizatë, ndërsa realizimi i projektit ishte bërë nga një tjetër.

    “ Kemi kërkuar hetim që të shihet pse është bërë ky manipulim se pse nuk ka pasur korrektësi, pse ka qenë organizatorë tjetër që ka kërkuar fondet dhe ka qenë organizata tjetër që ka realizuar projektin. Pse ka qenë gjithë ky skenar dhe kemi kërkuar hetim dhe ata që janë përgjegjës me u ndëshku”, ka deklaruar Tahiri.

    Ekspozita në fjalë, për masakrat në Kosovë gjatë luftës 1998–1999, ishte organizuar nga organizatat joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.

  • Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Paralajmërimi i SHBA-së se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, reagon qeveria shqiptare

    Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

    Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

    Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

    Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

    Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

    “Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

    Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

    Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

    Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

    Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.

    Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.

    Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

    Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

    “Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

    Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

    Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

    Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

    Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

    Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre./Rel/

  • Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Limaj i del në krah Muriqit pas akuzave; Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet

    Lideri i partisë politike Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dalë në mbështetje kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas akuzave të rënda që u hodhën ndaj tij nga një tifoz.

    Përmes një reagimi publik, Limaj ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe akuzat ndaj sulmuesit kosovar, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të pabaza.

    “Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut,” ka shkruar ai.

    Ai ka theksuar se persona të tillë nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë kosovare dhe se shpifjet e tyre burojnë nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit për vendin.

    Në fund, Limaj ka shprehur mirënjohje për Muriqin dhe gjithë ekipin kombëtar, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e dashurisë për fanellën dhe shtetin.

    “Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju,” përfundoi ai.

  • Punëtorët e KEK-ut s’e morën pagën e 13-të, Sindikata: Kryeministër, edhe ne jemi Kosovë

    Punëtorët e KEK-ut s’e morën pagën e 13-të, Sindikata: Kryeministër, edhe ne jemi Kosovë

    Sindikalistët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës për mosndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut.

    Sindikata e Re e KEK-ut ka thënë se nga ky vendim i ekzekutivit janë lënë jashtë punëtorët e kësaj korporate, por edhe të disa ndërmarrje tjera.

    “Edhe ne jemi Kosovë! Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi. Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale. Ne kemi familje. Kemi fëmijë në shkolla. Kemi prindër të sëmurë. Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë. Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit.”, thuhet në reagimin e tyre.

    Kjo sindikatë ka thënë se punëtorët e KEK-ut padrejtësisht po lihen anash.

    Kundër kësaj, ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një konference për të enjten, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

  • Paga e 13’të për deputetët, Ermal Sadiku: Kuvendi s’ka qenë aktiv, secili t’i ndaj nga 500-1000 euro për fëmijët me autizëm

    Paga e 13’të për deputetët, Ermal Sadiku: Kuvendi s’ka qenë aktiv, secili t’i ndaj nga 500-1000 euro për fëmijët me autizëm

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar dhënien e rrogës të 13 për deputetët.

    Ai ka propozuar se nesër për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve me Autizëm, secili deputet duhet të ndajë 500 deri në 1 mijë euro.

    Sadiku tha se ai personalisht nuk e ka marrë këtë rrogë, por do të kontribuoje me këtë shumë.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar deputetë

    Si deputet i ri, nuk dua ta luj rolin e protagonistit politik por gjithashtu dua ta bëj një propozim

    Edhepse kuvendi ska qenë aktiv si duhet këtë periudhë, 2025 deri sot, deputetët kanë marrë rrogën e 13-të!

    Në një vend ku njerëzit luftojnë çdo ditë për jetesë, kjo nuk ka as logjikë, as ndjeshmëri. Një vend që mbështetet tek sektori privat, i njejti ska marre rrogen e 13te!

    Prandaj, propozoj: secili deputet i republikës ti japë nga 500 – 1000€ nga kjo rrogë.

    Nesër është dita e fëmijëve me autizëm.

    Për ne është pak, për ta ka shumë vlerë.

    Së bashku mund të bëjmë mbi 50,000€

    Sepse politika fillon me njerëzinë.

    Unë nuk e kam marrë rrogën e 13të por do të kontriboj me të njejtën shumë.

  • Irani paralajmëroi Bullgarinë të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj

    Irani paralajmëroi Bullgarinë të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj

    Autoritetet iraniane paralajmëruan anëtaren e NATO-s, Bullgarinë, muajin e kaluar të mos lejojë që SHBA-të të përdorin aeroportet e saj për aeroplanët që marrin pjesë në operacione ushtarake në Iran, tha ministria e jashtme të mërkurën.

    Më herët të mërkurën, Stanislav Balabanov, një deputet i partisë “Ka Njerëz të tillë”, tregoi një shënim të 18 marsit në të cilin qeveria iraniane protestonte kundër furnizimit ushtarak amerikan me karburant të aeroplanëve të parkuar në aeroportin Vasil Levski të Bullgarisë.

    Në shënim, Irani tha se “rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj kombëtare në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

    Më vonë të mërkurën, në një deklaratë për gazetarët, zëvendësministri i jashtëm Marin Raikov konfirmoi shënimin dhe tha: “Bullgaria nuk është në luftë”.

    “ Asnjë aeroplan luftarak nuk po ngarkohet mbi Bullgari për të marrë pjesë në operacione ushtarake”, u tha ai gazetarëve. “Ne mbajmë marrëdhënie diplomatike të paprekura me palën iraniane”.

    Në fund të shkurtit, media bullgare raportoi se disa aeroplanë ushtarakë amerikanë u ulën në aeroportin civil Vasil Levski të Sofjes, dhe autoritetet kanë thënë se ata ishin pjesë e vendosjes së avancuar të NATO-s, të cilën Raikov e konfirmoi të mërkurën.

    “ Parlamenti ynë nuk ka miratuar vendime për të mbështetur veprimet ushtarake përkatëse në rajonin e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai.

    Kujtojmë se disa vende evropiane, të shqetësuara për luftën me Iranin, kanë kundërshtuar operacionet ushtarake amerikane.

    Spanja mbylli hapësirën e saj ajrore dhe mohoi qasjen në bazë, Italia refuzoi një ndalesë në bazën Sigonella dhe Franca bllokoi fluturimet e armëve SHBA-Izrael.