ATV

Category: Lajme

  • Zvicra pritet të sjellë robotë autonomë për pastrimin e rrugëve

    Zvicra pritet të sjellë robotë autonomë për pastrimin e rrugëve

    Në Zvicër, pastrimi i rrugëve mund të marrë së shpejti një pamje krejtësisht tjetër. Sipas raportimeve, vendi është në proces të prezantimit të një rrjeti të madh mikro-robotësh autonomë, të dedikuar për pastrimin e trotuareve dhe hapësirave publike, transmeton albinfo.ch.

    Këto pajisje të vogla, të pajisura me sensorë të avancuar dhe inteligjencë artificiale, pritet të lëvizin vazhdimisht në zonat urbane, duke mbledhur pluhur, gjethe dhe mbeturina të vogla. Falë teknologjisë së tyre, robotët janë në gjendje të lëvizin me siguri rreth këmbësorëve, biçiklistëve, madje edhe kafshëve shtëpiake, si qentë, pa krijuar rrezik apo pengesë.

    Ideja kryesore e këtij projekti është që të ruhet standardi i lartë i pastërtisë për të cilin Zvicra është e njohur, duke njëkohësisht reduktuar kostot dhe optimizuar punën e mirëmbajtjes urbane.

    Megjithatë, në një vend që tashmë konsiderohet ndër më të pastërtit në botë, sfida kryesore mund të mos jetë teknologjia apo efikasiteti, por gjetja e asaj që ende ka nevojë për pastrim.

    Ky zhvillim pritet të hapë diskutime edhe mbi rolin e teknologjisë në shërbimet publike dhe mënyrën se si qytetet evropiane po përshtaten me të ardhmen digjitale.

  • Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti

    Pas 4 prillit, kush e drejton Kosovën? Skenarët nëse nuk zgjidhet Presidenti

    Me afrimin e datës së përmbylljes së mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, në diskursin publik është intensifikuar debati rreth procedurave që duhet të ndiqen në rast se nuk arrihet zgjedhja e një presidenti të ri brenda afateve të parapara.

    Njohës të Kushtetutës kanë theksuar se sistemi juridik i vendit parashikon mekanizma të qartë për tejkalimin e një situate të tillë, duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.

    Në qendër të këtyre zhvillimeve mbetet roli i Kuvendit të Kosovës, i cili, përmes kryetares së tij, merr përkohësisht kompetencat e kreut të shtetit, si dhe detyrimin për të avancuar procesin e zgjedhjes së Presidentit.

    Në të njëjtën kohë, ekspertët ngrenë edhe mundësinë e zhvillimeve të tjera politike, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse institucionet nuk arrijnë të përmbyllin procesin brenda afatit kushtetues prej gjashtë muajsh.

    Kjo situatë po shihet si një test i rëndësishëm për funksionimin demokratik dhe për pjekurinë institucionale të vendit.

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline, ka sqaruar procedurat që parashihen me Kushtetutë në rast të mungesës së një Presidenti të zgjedhur.

    Sipas tij, kjo situatë është e rregulluar qartë dhe parashikon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të kreut të shtetit nga kryetari i Kuvendit.

    “Kjo është e rregulluar me Kushtetutë. Quhet mandat i përkohshëm i Presidentit dhe këtë mandat e merr kryetari i Kuvendit. Afati kushtetues është gjashtë muaj, që nënkupton se brenda kësaj periudhe duhet të krijohen institucionet”, ka deklaruar Kryeziu, për FrontOnline.

    Ai thekson se nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, vendi shkon në zgjedhje të reja.

    “Nëse nuk ka zgjedhje të Presidentit, shkohet në zgjedhje dhe kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajve – të mbahen zgjedhjet, të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet Presidenti”, ka shtuar ai.

    Ish-kryetari i KQZ-së dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka sqaruar ecurinë institucionale që pritet të ndodhë pas përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani.

    Sipas tij, më 4 prill përfundon mandati i Osmanit dhe nga ajo datë ajo nuk do të jetë më Presidente e vendit. Baraliu thekson se, në mungesë të zgjedhjes së një presidenti të ri, vendi hyn automatikisht në fazën e procedurës për zgjedhjen e kreut të shtetit.

    “Me datën 4 prill mbaron mandati i saj dhe Osmani më nuk është Presidente. Meqë nuk e kemi të zgjedhur Presidentin/en tjetër dhe duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi në fazën e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë situatë, ushtrimin e detyrës së Presidentit, me automatizëm e merr kryetarja e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Baraliu për FrontOnline.

    Ai shton se kryeparlamentarja, në këtë rast, bëhet ushtruese e detyrës së Presidentit për një periudhë të kufizuar kohore.

    “Ajo ka maksimalisht deri në gjashtë muaj për të ushtruar këtë detyrë, ndërkohë që duhet të zhvillohet procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri”, theksoi ai.

    Sipas Baraliut, brenda këtij afati kushtetues, institucionet e vendit janë të obliguara që të përmbyllin procesin dhe të zgjedhin Presidentin e ri të Kosovës.

    ‘’Brenda kësaj kohe ne duhet ta zgjedhim Presidentin e vendit’’, tha ai./Front Online

  • Krasniqi: Hiqen tarifat e regjistrimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

    Krasniqi: Hiqen tarifat e regjistrimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

    Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se edhe këtë vit do të mundësohet regjistrimi falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me qëllim rritjen e përfshirjes dhe qasjes së barabartë në shërbimet komunale.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se u ka kërkuar komunave që muaji prill të shpallet si muaj i regjistrimit falas për këto komunitete.

    “Me qëllim të gjithëpërfshirjes, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbime komunale, si secilin vit të kaluar, edhe këtë vit kam marrë vendim për regjistrim falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai ka theksuar se komunat duhet të krijojnë lehtësira dhe të ofrojnë informacion të plotë për qytetarët, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm.

    “Kam kërkuar nga Komunat që të shpallin muajin prill si muaj falas për regjistrimin e këtyre komuniteteve, duke krijuar lehtësira dhe ofruar informacion të plotë dhe të nevojshëm për regjistrim të mëvonshëm”, ka shtuar ai.

    Sipas Krasniqit, kjo nismë synon të dëshmojë përkushtimin institucional ndaj përfshirjes dhe barazisë në shoqëri.

    “Regjistrimi falas i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian do të dëshmojë përkushtimin tonë ndaj përfshirjes, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të kenë qasje në shërbimet komunale”, ka theksuar ministri.

    Ai ka shtuar se heqja e tarifave të regjistrimit do të ndihmojë në eliminimin e barrierave financiare për komunitetet e margjinalizuara.

    “Duke hequr dorë nga tarifat e regjistrimit, komunat do të eliminojnë barrierat financiare që mund të pengojnë komunitetet e margjinalizuara”, ka deklaruar Krasniqi.

  • FMN: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua gjatë 2025-së, inflacioni ka vazhduar të rritet

    FMN: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua gjatë 2025-së, inflacioni ka vazhduar të rritet

    Bordi Ekzekutiv i International Monetary Fund (FMN) ka përmbyllur konsultimet për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia ka shfaqur ngadalësim gjatë vitit të fundit, ndërsa presionet nga inflacioni janë rritur.

    Sipas raportit, rritja ekonomike ka rënë në 3.6% në vitin 2025, krahasuar me 4.6% në vitin 2024, si pasojë e dobësimit të eksportit dhe kërkesës private.

    Inflacioni ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.

    Po ashtu, deficiti u thellua në 9.2% të Bruto Produktit Vendor, si rezultat i importeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve.

    Megjithatë, punësimi formal ka shënuar rritje, ndërsa rritja e pagave është moderuar krahasuar me një vit më parë.

    FMN paralajmëron se perspektiva ekonomike mbetet e pasigurt dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve, si tensionet globale, konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëria politike në vend.

    Për vitin 2026, parashihet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike në 3.3%, ndërsa inflacioni mund të arrijë në 5.9%, ndërkaq pritet të stabilizohet gradualisht në vitet në vijim.

    Në këtë kontekst, FMN rekomandon që politikat fiskale të rishikohen për të shmangur zgjerimin e deficitit në vitin 2026 dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në afat të mesëm. Sipas tyre, është e nevojshme rritja e investimeve publike cilësore, kontrolli i shpenzimeve dhe përmirësimi i mbledhjes së të hyrave.

    Sa i përket sektorit financiar, FMN vlerëson se ai mbetet i qëndrueshëm, por kërkon forcim të mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe rregullimit, si dhe përmirësim të mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe rreziqeve sistemike.

    Në përfundim, FMN thekson se reformat strukturore janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

    Zbatimi i planit të rritjes së Bashkimit Evropian dhe reformat në tregun e punës, energji dhe administratë publike konsiderohen kyçe për të përmirësuar perspektivën ekonomike të Kosovës.

  • Vdes Dom Kelmend Spaqi, prifti që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

    Vdes Dom Kelmend Spaqi, prifti që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

    Ka vdekur prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës në Shqipëri, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook.

    “E Enjtja e Shenjtë. Dita e Meshtarisë. Kjo ditë që duhej të ishte ditë gëzimi e bekimi, u kthye në dhimbje për të gjithë ne që të njohëm dhe të deshëm. Pusho në Paqe Dom Kelmend Spaqi”, shkroi prifti Gabriel Grabanica.

    Kush ishte Dom Kelmend Spaqi?

    Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.

    “4 prilli, i kanë marrë 12 burra, edhe i kanë marrë me i pushkatu. Kam shku pas tyne, dhe iu kam pri, edhe ‘ose edhe mu, ose asnjë’, dhe i kam kthy në kishë. Edhe sot nuk mundem me besu se si kam mundur në atë kohë me i marrë serbit automatin prej dore e me i thanë, ti s’ki zemër me e vra kta”, është rrëfimi i vetë priftit Kelmend Spaqi për kohën e luftës, kur kishte strehuar qindra shqiptarë në kishën e tij.

    “Ndaj tha ti besimtarët tu, le të rrinë në kishë, myslimanët jepani ne, e dimë ne çka bëjmë me ta. U thashë, ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çka të doni, kjo është nga unë”.

    “Pushkatomni më së pari mu, e krejt stafin këtu, atëherë mundeni me i prek këta”, rrëfente Dom Kelmend Spaqi.

    Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.

    “Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin te ta, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte atë kohë, “Sky News”.

    Pos kësaj, Prifti Dom Kelmend Spaqi, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, ai bashkë me udhëheqësit tjerë të kishës, vendosën ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.

  • Komuna e Mitrovicës ndan nga 50 euro për fëmijët me autizëm

    Komuna e Mitrovicës ndan nga 50 euro për fëmijët me autizëm

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësim ndaj Autizmit, komuna ka vendosur të ndajë nga 50 euro për fëmijët me autizëm.

    Përmes një postimi në Facebook, Peci ka theksuar se ky vendim synon të shprehë përkujdesjen institucionale dhe vullnetin për të mbështetur këtë kategori.

    “Ky vendim më shumë është demonstrim i vullnetit të mirë dhe përkujdesit institucional, si dhe zotim për mbështetje edhe në forma të tjera”, ka deklaruar Peci.

    Ai ka bërë të ditur se angazhimet e komunës do të jenë gjithëpërfshirëse, me synim avancimin e pozitës dhe përmirësimin e shërbimeve për fëmijët me autizëm.

    “Angazhimet tona do të jenë gjithëpërfshirëse për të avancuar pozitën dhe ngritur kualitetin e shërbimeve ndaj kësaj kategorie”, ka theksuar ai.

    Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se një shoqëri e zhvilluar duhet të kujdeset për të gjitha kategoritë e qytetarëve.

    “Një shoqëri e avancuar përkujdeset për secilën kategori”, ka deklaruar Peci.

  • Arrestohet një shtetase e Shqipërisë në Vitomiricë, e rrahu burrin e bëri për spital

    Arrestohet një shtetase e Shqipërisë në Vitomiricë, e rrahu burrin e bëri për spital

    Një shtetase e Shqipërisë është arrestuar në Vitomiricë të Pejës, pasi që kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psiqike ndaj burrit. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

    “Vitomiricë 01.04.2026-12:00. Është arrestuar e dyshuara femër shtetase e Shqipërisë pasi që e njëjta dyshohet se ka shkaktuar dhunë psiqike dhe fizike ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës.

  • Ekspozita skandaloze e Gashit, PDK sot në seancë propozon rezolutë

    Ekspozita skandaloze e Gashit, PDK sot në seancë propozon rezolutë

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka treguar se në seancën e sotme parlamentare kjo parti do të propozojë një rezolutë, e cila ka të bëj më ekspozitën skandaloze të Shkëlzen Gashit.

    Ai ka bërë me dije se qëllimi i kësaj rezolute është që Kuvendi i Kosovës të rreshtohet në mbrojtje të vlerave më të larta dhe të nderimit të viktimave, dëshmorëve dhe martirëve të luftës.

    “Kemi kërkuar hetim që të shihet pse është bërë ky manipulim se pse nuk ka pasur korrektësi, pse ka qenë organizatorë tjetër që ka kërkuar fondet dhe ka qenë organizata tjetër që ka realizuar projektin. Pse ka qenë gjithë ky skenar dhe kemi kërkuar hetim dhe ata që janë përgjegjës me u ndëshku”, ka deklaruar Tahiri në emisionin Debat Plus.

  • Shtrenjtimi i derivateve ‘rrezikon thellimin e krizës së çmimeve’ – Kurti refuzon ndërhyrjen fiskale

    Shtrenjtimi i derivateve ‘rrezikon thellimin e krizës së çmimeve’ – Kurti refuzon ndërhyrjen fiskale

    Teksa rrjedha negative e inflacionit po e rëndon ditë më fortë mirëqenien e qytetarëve, me shpenzimet për ushqim, energji, banim dhe lëndë djegëse që janë rritur frikshëm mujave të fundit, sinjalet për një shtrenjtim edhe më eksponencial, të nxitur nga ndërprerjet në furnizimin global me derivate, po shtojnë frikën se gjendja ekonomike në vend mund të përkeqësohet edhe më tej.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në shkurt 2026 ka arritur në 6 për qind. Kjo e shkëput dukshëm Kosovën nga ritmi i rajonit dhe i eurozonë. Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor lëvizin kryesisht në dy deri në tre për qind inflacion vjetor, Kosova po përballet me një ritëm mbi dyfish më të lartë.

    Nga ana tjetër, kriza me çmimet e derivateve, “për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale”, po shihet si rrezik serioz për përkeqësim edhe më të madh të gjendjes. Pushteti dhe opozita janë përplasur së fundi nëse duhet hequr përkohësisht akciza dhe të lehtësohet TVSh-ja për derivatet – të cilat kanë pësuar rritje “me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026”.

    Kërkesa për ndërhyrje nuk ka ardhur vetëm nga opozita, por edhe nga akterë ekonomikë që paralajmërojnë efekt zinxhiror në çmime.

    AAK kërkoi zyrtarisht lirimin e të paktën 50 për qind të TVSh-së për derivatet dhe heqjen e përkohshme të akcizës. Paralelisht, Oda Ekonomike e Kosovës ka propozuar ulje të akcizës dhe përjashtim ose reduktim të përkohshëm të TVSh-së, duke argumentuar se barra fiskale po rëndon jo vetëm mbi konsumatorin, por mbi gjithë zinxhirin prodhues e tregtar.

    Megjithatë, në konferencën për media të 30 marsit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se Qeveria nuk e sheh si zgjidhje heqjen e TVSh-së dhe akcizës për naftën. Sipas tij, “propozimet për heqje të TVSh dhe Akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike.”

    Qeveria, tha Kurti, po vazhdon me masat ekzistuese të mbikëqyrjes së tregut dhe me kufizimin e marzhës së fitimit, jo me ndërhyrje në taksa.

    Nga ana tjetër, ish-kryeministri Avdullah Hoti argumentoi sot përmes një shkrimi në Facebook se kufizimi i fitimit nuk e ndihmon konsumatorin. Sipas tij, me këtë masë, sa herë që nafta shtrenjtohet në tregun ndërkombëtar, bizneset thjesht ia kalojnë atë faturë qytetarit.

    “Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Me këtë masë, bizneset nuk kanë asnjë nxitje të ulin shpenzimet. Kështu që, konsumatori jo vetëm që nuk mbrohet, por e paguan plotësisht rritjen e çmimit të derivateve.” – tha Hoti.

    Ai paralajmëroi se rritja e çmimet të derivateve rrezikon të krijojë pasoja zinxhirore, duke çuar në “çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët.”

    “Çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me datën 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet. Rrjedhimisht, janë rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, të cilat po barten te çmimet e produkteve të konsumit dhe produkteve të ndërmjetme. Për shkak të integrimit të madh të tregjeve globale, përvoja ka treguar se këto efekte zinxhirore janë relativisht të shpejta në mbarë botën. Pa asnjë dyshim, kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët”, tha Hoti.

    Deputeti i LDK-së sugjeroi se shteti duhet të mbajë një pjesë të barrës dhe të mos e lërë qytetarin të paguajë gjithçka, duke kërkuar që “të ulet akciza në derivate, e cila mund të ulet deri në 36 cent për litër pa shkaktuar asnjë ndryshim në të hyrat buxhetore.”

    Sipas tij, meqenëse çmimet janë rritur, shteti po mbledh automatikisht më shumë para nga TVSh-ja. Këto para shtesë, thotë ai, qeveria duhet t’i përdorë për të ulur akcizën, duke i dhënë kështu qytetarëve naftë më të lirë pa e dëmtuar arkën e shtetit.

    “Duke qenë se të hyrat buxhetore nga TVSH-ja në derivate rriten si rezultat i rritjes së çmimit, Qeveria ka mjaftueshëm hapësirë për të ulur akcizën proporcionalisht me rritjen e të hyrave të saj nga TVSH-ja shtesë që mbledh nga derivatet.” – shkroi ai ndër tjera. Ai sugjeroi edhe një sërë masash tjera për të luftuar krizën. /Nacionale

  • Arrestohet një person në Obiliq, u kap me armë dhe 12 fishekë

    Arrestohet një person në Obiliq, u kap me armë dhe 12 fishekë

    Një person është arrestuar në Obiliq pasi që në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me 12 fishekë.

    Policia e Kosovës njofton përmes raportit se me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar.

    Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.