ATV

Category: Lajme

  • Nis verifikimi i njëhsorëve elektrikë, disa që kishin mospërputhje të kohës tërhiqen

    Nis verifikimi i njëhsorëve elektrikë, disa që kishin mospërputhje të kohës tërhiqen

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka filluar verifikimi i ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e Ministrisë thuhet se njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

    Sipas MINT, rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti.

    “Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut. Njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës. Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet në njoftim.

  • Përdori AI për të shkruar recension libri, New York Times largon nga puna gazetarin

    Përdori AI për të shkruar recension libri, New York Times largon nga puna gazetarin

    New York Times ka ndërprerë bashkëpunimin me një gazetar freelancer pasi zbuloi se ai kishte përdorur inteligjencën artificiale për të ndihmuar në shkrimin e një recensioni libri, i cili përmbante elemente të ngjashme me një recension të të njëjtit libër të botuar në The Guardian.

    Kjo ndodhi pasi një lexues i New York Times sinjalizoi ngjashmëri mes recensionit të janarit për librin Watching Over Her nga Jean-Baptiste Andrea, i shkruar nga autori dhe gazetari Alex Preston, dhe një recensioni të gushtit për të njëjtin libër të shkruar nga Christobel Kent në The Guardian.

    The New York Times nisi një hetim, gjatë të cilit Preston pranoi se kishte përdorur AI për të ndihmuar në shkrimin e recensionit dhe nuk kishte vënë re pjesët që ishin marrë nga The Guardian përpara se ta dorëzonte. Në një deklaratë për The Guardian të martën, Preston deklaroi se ishte “jashtëzakonisht i turpëruar” dhe se kishte “bërë një gabim serioz”.

    The New York Times njoftoi The Guardian për përputhjet përmes një emaili të dërguar të hënën dhe shtoi një shënim redaktorial në recension, duke pranuar përdorimin e AI dhe duke lidhur artikullin e Guardian.

    “Një lexues së fundmi njoftoi Times se ky recension përfshinte gjuhë dhe detaje të ngjashme me ato në një recension të të njëjtit libër të botuar në The Guardian,” thuhet në shënimin redaktorial.

    “Ne folëm me autorin e këtij shkrimi, një recensent freelancer, i cili na tha se kishte përdorur një mjet AI që kishte përfshirë materiale nga recensioni i Guardian në draftin e tij, të cilat ai nuk arriti t’i identifikonte dhe t’i hiqte. Mbështetja e tij te AI dhe përdorimi i punës së një autori tjetër pa citim përbëjnë një shkelje të qartë të standardeve të Times.”

    Gjuha që duket se është marrë nga recensioni i Guardian përfshin përshkrime personazhesh – “Stefano makiavelian dhe dembel” shfaqet si “Stefano dembel, makiavelian” në versionin e New York Times – si dhe vlerësimin përfundimtar të romanit: recensioni i Guardian thotë se libri është “mbi të gjitha një këngë dashurie për një vend kontradiktash, të goditur, të shkatërruar nga lufta, të përçarë, të gabuar dhe të mrekullueshëm: një Itali ku jeta është kostum dhe performancë arti, dhe ku cirqet lindin në toka të braktisura”; ndërsa versioni i New York Times thotë se personazhet “popullojnë atë që në fund është një këngë dashurie për një vend kontradiktash: i goditur, i përçarë, i gabuar dhe i mrekullueshëm. Kjo është një Itali ku jeta është performancë, ku cirqet ngrihen në toka të braktisura.”

    Një zëdhënës i New York Times i tha The Guardian se Preston nuk do të shkruajë më për gazetën. Preston kishte shkruar gjashtë recensione për gazetën midis viteve 2021 dhe 2026, por i tha New York Times se nuk kishte përdorur AI për artikujt e tjerë.

    “Bëra një gabim serioz duke përdorur një mjet AI në një draft recensioni që kisha shkruar dhe nuk arrita të identifikoj dhe heq gjuhën e mbivendosur nga një recension tjetër që AI kishte përfshirë,” tha Preston në deklaratën e tij për The Guardian. “Jam jashtëzakonisht i turpëruar për atë që ndodhi dhe sinqerisht më vjen keq. Mora përgjegjësinë menjëherë dhe kërkova falje ndaj New York Times, dhe dua gjithashtu t’i kërkoj falje Christobel Kent dhe The Guardian.”

    Preston ka shkruar gjerësisht për The Observer dhe Financial Times, si dhe ka kontribuar në The Guardian dhe The Economist. Ai është autor i gjashtë librave, ku më i fundit, A Stranger in Corfu, u botua në shkurt, dhe gjithashtu është drejtues i këshillimit në firmën e menaxhimit të investimeve Man Group. Më herët këtë vit, ai shkroi një artikull për faqen e Man Group me titull The AI Bubble: Hidden Risks and Opportunities.

  • ZRrE: Po monitorojmë situatën me njehsorë, nëse konstatohen gabime do merren masa

    ZRrE: Po monitorojmë situatën me njehsorë, nëse konstatohen gabime do merren masa

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka deklaruar se është duke monitoruar situatën me njehsorë, dhe se, është duke grumbulluar informata me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike.

    Tutje, në reagimin e ZRRE’së, apelohet tek të gjithë konsumatorët se, në rast që hasin në probleme të tilla që fillimisht t’i drejtohen KEDS’it, për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.

    “ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi’’, thuhet mes tjerash në reagimin.

    Postimi:

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik dhe të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike lidhur me shqetësimet e raportuara për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike, se është duke e monitoruar situatën me kujdes të shtuar dhe në vazhdimësi, duke grumbulluar informata, me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe që reflekton një faturim të drejtë.

    ZRRE apelon te të gjithë konsumatorët që në rast se hasin në probleme të tilla që fillimisht t’i drejtohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.

    ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi.

    Theksojmë se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike. Gabimet e tilla, nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre.

    Gjithashtu, informojmë se në bazë të legjislacionit në fuqi, përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrik është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.

    ZRRE mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

  • Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë

    Dogana kap mallra të padeklaruara në Vërmicë

    Dogana e Kosovës, ka njoftuar se në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, është ndaluar për kontroll një automjet me targa të huaja.

    Gjatë procedurës së rregullt, drejtuesi i automjetit është pyetur nga zyrtarët doganorë nëse kishte mallra për të deklaruar, me ç’rast ai ka deklaruar se nuk posedon asgjë për deklarim.

    Bazuar në analizën e riskut dhe në bashkëpunim me zyrtarët policorë, automjeti është dërguar për kontroll në vijën e dytë.Gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar se në automjet ndodheshin mallra të padeklaruara, me një vlerë të përafërt rreth 1,500 euro.Personi përgjegjës, shtetas i huaj, është proceduar në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në luftimin e dukurive të kundërligjshme, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë dhe mbrojtje të ekonomisë së vendit.

  • Kuvendi mblidhet nesër, ky është rendi i ditës

    Kuvendi mblidhet nesër, ky është rendi i ditës

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër në seancë plenare.

    Sipas njoftimit nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, seanca pritet të fillojë nga ora 10:00, derisa në rend ditë janë gjithsejtë 16 pika.

    Rendi i ditës:

    1.    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3.    Pyetjet parlamentare,

    4.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e  Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,

    5.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,

    6.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,

    7.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

    8.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,

    9.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,

    10.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,

    11.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,

    12.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,

    13.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë  në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,

    14.    Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare,

    15.    Shqyrtimi i Buxhetit të Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026,

    16.    Formimi i Komisionit Ad-hoc për hartimin e “Projektligjit për parandalim të vetëvrasjes”.

  • Izraeli vret komandantin e lartë të Hezbollahut në Beirut

    Izraeli vret komandantin e lartë të Hezbollahut në Beirut

    Një komandant i lartë i grupit militant Hezbollah është vrarë dje në sulme izraelite, ka njoftuar Ushtria e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

    Hajj Yusuf Ismail Hashem, i cili udhëhiqte njësinë e Frontit Jugor të Hezbollahit, u qëllua në një sulm të saktë nga marina izraelite në kryeqytetin libanez, Beirut, tha IDF.

    Ushtria izraelite pretendon se Hashem ishte një “figurë qendrore” e grupit të mbështetur nga Irani dhe kishte “udhëhequr dhe avancuar mijëra plane sulmesh terroriste” kundër qytetarëve dhe ushtarëve izraelitë, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    “Eleminimi i tij përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e Hezbollahit për të kryer operacione terroriste kundër civilëve izraelitë dhe për të menaxhuar betejat e vazhdueshme kundër ushtarëve të IDF-së në jug të Libanit,” shtoi IDF.

  • Rritja e çmimeve të derivateve: Hoti akuzon Qeverinë për dështim, propozon alternativa

    Rritja e çmimeve të derivateve: Hoti akuzon Qeverinë për dështim, propozon alternativa

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar në Facebook për rritjen e ndjeshme të çmimeve të derivateve dhe ka dhënë një sërë masash që, sipas tij, Qeveria duhet të ndërmarrë për të mbrojtur konsumatorin dhe ekonominë kosovare.

    Ai ka theksuar se çmimet e derivateve janë rritur me rreth 40 për qind që nga 28 shkurt 2026, kur nisën sulmet, dhe kjo ka rritur kostot e prodhimit dhe operimit të bizneseve, duke u reflektuar tek çmimet e produkteve për konsumatorët.

    Hoti paralajmëron se Kosova, si ekonomi e importit të lartë të energjisë dhe me të ardhura të ulëta, është ndër më të prekshmet nga kjo krizë.

    Hoti kritikoi masën e vetme të ndërmarrë nga Qeveria – përcaktimin e marzheve të fitimit për bizneset – duke theksuar se kjo nuk mbron konsumatorin dhe mund të përkeqësojë konkurrencën:

    “Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por u mundëson bizneseve që çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori. Kjo masë nuk e mbron konsumatorin dhe nuk krijon nxitje për uljen e shpenzimeve të bizneseve.”, shkroi ai.

    Deputeti gjithashtu ka shpjeguar rolin ligjor dhe kushtetues të shtetit në situata të tilla, duke theksuar se Qeveria duhet të mbrojë konsumatorin, të parandalojë sjelljet abuzive dhe të ruajë konkurrencën, ndërsa masat duhet të jenë të balancuara dhe të ndërvarura.

    Hoti ka sugjeruar disa masa konkrete që duhet të ndërmarrë Qeveria: monitorim të tregut nga Inspektorati i Tregut, aktivizim të Komisionit të Konkurrencës, ulje të akcizës deri në 36 cent për litër, subvencionim të bujqve për derivatet, dhe investime në depo të derivateve për të përballuar periudhat e luhatjeve të tregut.

    “Kostot e paevitueshme duhet të shpërndahen gjerësisht mes shtetit, bizneseve dhe konsumatorëve. Masat duhet të jenë balancuese dhe të kushtëzuara nga njëra-tjetra,” ka theksuar Hoti në postimin e tij.

    Ai paralajmëron se pa ndërhyrje të mençura dhe të koordinuara, kriza do të rezultojë me çmime më të larta dhe me rritje ekonomike më të ulët në Kosovë.

    Në postimin e tij, Hoti bën thirrje që Qeveria të ndërmarrë veprime të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilizimin e tregut të derivateve.

  • Që nga fillimi i luftës Aeroporti i Kuvajtit goditet për të shtatën herë

    Që nga fillimi i luftës Aeroporti i Kuvajtit goditet për të shtatën herë

    Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit është goditur për herë të shtatë që nga fillimi i kësaj lufte.

    Herën e fundit që u godit, javën e kaluar, një depo karburanti mori flakë dhe iu deshën 58 orë ekipeve të mbrojtjes civile për ta shuar zjarrin.

    Gjatë dy javëve të fundit po vërehet një nivel alarmues i goditjeve ndaj infrastrukturës civile në Kuvajt. Rafineritë, portet, aeroporti, si dhe një objekt shërbimi për desalinizimin e ujit dhe prodhimin e energjisë janë dëmtuar në ditët e fundit.

    Banka Kombëtare e Kuvajtit njoftoi se do të mbyllet për sot dhe nesër, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe si masë sigurie për klientët dhe punonjësit e saj, shkruan A2CNN.

    Këto zhvillime tregojnë qartë shqetësimin e autoriteteve në vend dhe natyrën në përshkallëzim të këtij konflikti.

  • Altin Krasniqi bashkë me dy fëmijët e tij, feston ditëlindjen pranë babait në Hagë

    Altin Krasniqi bashkë me dy fëmijët e tij, feston ditëlindjen pranë babait në Hagë

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka shkruar në Hagë për një arsye të veçantë.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ditëlindjen e 30-të e priti pranë babait të tij, bashkë me Gegën e Toskën, dy fëmijët e tij.

    “Sot, së bashku me Toskën dhe Gegën, e prita ditëlindjen time të 30-të pranë babit. Takimi i parë i Gegës me gjyshin e bëri këtë ditë edhe më të veçantë”, ka shkruar ai.

  • “Taksë prej 10 eurosh për çdo automjet që hyn në Prishtinë”, kryetari i F.Kosovës ironizon: Unë do ta bëj 20 euro për prishtinasit

    “Taksë prej 10 eurosh për çdo automjet që hyn në Prishtinë”, kryetari i F.Kosovës ironizon: Unë do ta bëj 20 euro për prishtinasit

    Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza ka ironizuar me parlajmërimin se Komuna e Prishtinës do të vendosë një taksë prej 10 eurosh për çdo automjet që hyn në zonën e Prishtinës.

    Ai tha se do të vendosë “taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës (vetëm) që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës).

    “Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës (vetëm) që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe taksë për hyrjen në rrugen e aeroportit në vlerë prej 10 euro, etj (çka t’na bjen n’mend ndërkohë😂)”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Besoj që këto masa do të ndikojnë në lehtësimin e komunikacionit të stërngarkuar në Fushë Kosovë.

    Prebreza shtoi se beson se “këto masa do të ndikojnë në lehtësimin e komunikacionit të stërngarkuar në Fushë Kosovë”.