ATV

Category: Lajme

  • Britania dërgon sisteme mbrojtëse kundër dronëve në Gjirin Persik

    Britania dërgon sisteme mbrojtëse kundër dronëve në Gjirin Persik

    Britania e Madhe ka dërguar një sistem të avancuar mbrojtës kundër dronëve, të quajtur Rapid Ranger, në rajonin e Gjirit Persik.

    Ky sistem, i dizajnuar për të mbrojtur territorin kundër kërcënimeve nga dronët, ka një rreze veprimi rreth 8 kilometra dhe është i aftë të neutralizojë objektivat, që lëvizin me shpejtësi të madhe. Sistemi është i përshtatshëm për të trajtuar kërcënime të tilla si dronët ushtarakë dhe përdoret për të mbrojtur qendrat dhe bazat ushtarake nga sulmet ajrore me dronë, që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në rajon.

    Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë të rëndësishme me princin e kurorës të Kuvajtit të premten në mëngjes, për të diskutuar dërgimin e këtij sistemi mbrojtës dhe për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Ky hap vjen pas një rritje të tensioneve në rajon, për shkak të aktiviteteve të shumta ushtarake, përfshirë këtu përfshirjen e dronëve iranianë në operacione të ndryshme.

    Dërgimi i sistemeve mbrojtëse britanike ka si qëllim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e interesave të Britanisë dhe aleatëve të saj, si dhe të ruajë stabilitetin në një rajon kaq të ndjeshëm dhe me rrezikshmëri të lartë.

    Një sistem tjetër mbrojtës i ngjashëm është drejtuar për në Arabinë Saudite, ku do të integrohet në sistemet e mbrojtjes të vendit, duke kontribuar në forcimin e mbrojtjes ajrore të Mbretërisë Saudite. Ky transferim i teknologjisë vjen në një kohë kur vendet e Gjirit Persik janë të shqetësuara për kërcënimet e mundshme nga Irani dhe grupet që mbështeten nga Teherani, të cilat kanë përdorur dronët për të realizuar sulme ndaj infrastrukturës të vendeve të tjera të rajonit.

  • Vdes punëtori 44 vjeçar, dyshohet se kishte rënë nga kati i parë i një ndërtese në Ferizaj

    Vdes punëtori 44 vjeçar, dyshohet se kishte rënë nga kati i parë i një ndërtese në Ferizaj

    Sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka ndërruar jetë shtetasi me inicialet R.K. (rreth 44 vjeçar) i cili dyshohet se duke punuar kishte rënë nga një lartësi (kati i parë) i një ndërtese në Ferizaj.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Me datën 03.04.2026, policia ka pranuar informatë shtesë se i lënduari R.K. ka ndërruar jetë në QKUK – Prishtinë si pasojë e lëndimeve të marra. Është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka autorizuar Sektorin e Hetimeve Rajonale në Ferizaj për vazhdimin e hetimeve me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe shkaktarëve të vdekjes”.

    Rasti është cilësuar si:

    “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

  • Përfundon seanca, nuk ka kuorum për rezolutën e LDK-së për çmimin e naftës

    Përfundon seanca, nuk ka kuorum për rezolutën e LDK-së për çmimin e naftës

    Rezoluta e propozuar nga LDK-ja me mbështetjen e partive të tjera opozitare lidhur me uljen e akcizës dhe TVSh-së për naftën, nuk është hedhur në votim.

    Kjo ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit dhe votimi është shtyrë për seancën e radhës.

    Sot në Kuvend u diskutua gjerë e gjatë lidhur me shtrenjtimin e çmimit të naftës dhe gjetjen e një zgjidhjeje, të propozuar nga opozita.

    Nuk munguan as përplasjet midis opozitës dhe Qeverisë, madje në një moment deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ia hoqi mikrofonin kryeministrit Albin Kurti duke kërkuar nga ai që të qëndronte në temë.

    Ky i fundit tha se ndonëse ndër vite opozita ka kërkuar heqje TVSh-je e akcize, ai s’e ka bërë dhe madje është rritur në zgedhje.

  • Sveçla i drejtohet diasporës për punën e shtetësisë: Pasi të miratohet Ligji, e rifitoni falas me vetëm një dokument

    Sveçla i drejtohet diasporës për punën e shtetësisë: Pasi të miratohet Ligji, e rifitoni falas me vetëm një dokument

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar sot në profilin e tij pas kalimit në Qeveri të Projektligjit për Shtetësinë, duke thënë se i njëjti sjell ndryshime dhe lehtësime rreth rifitimit, fitimit, regjistrimit dhe humbjes së shtetësisë.

    Sveçla ka thënë se tashmë kjo mund të bëhet me vetëm një dokument dhe pa pagesë, duke reduktuar ndjeshëm numrin e dokumenteve që kërkoheshin më herët.

    “Me miratimin përfundimtar të këtij Ligji, qytetarët tanë nga mërgata që janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës do të rikthejnë shtetësinë me procedurë të lehtësuar. Nga 9 dokumente sa janë kërkuar deri më tash, aplikimi për rikthim të shtetësisë do të bëhet me 1 kërkesë të thjeshtë dhe 1 dëshmi që personi nuk është i dënuar në shtetin përkatës. Po ashtu, afati për shqyrtim, i cili ishte 6 muaj, e kemi zbritur në 30 ditë”, ka thënë ai.

    “Në kuadër të këtij procesi, qytetarët do të mund të aplikojnë për rifitim të shtetësisë në procedurë të shpejtë dhe pa pagesë.

    Ky projektligj është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, lehtësimit të procedurave për qytetarët tanë dhe forcimit të lidhjes së qëndrueshme ndërmjet shtetit dhe mërgatës, duke dëshmuar përkushtimin tonë që asnjë qytetar i Kosovës të mos ndihet i shkëputur nga atdheu i tij”, ka shkruar Sveçla.

  • MPB: Xhamat e zi në vetura lejohen vetëm me vendim të ministrisë, ose nëse janë të prodhuara si të tilla

    MPB: Xhamat e zi në vetura lejohen vetëm me vendim të ministrisë, ose nëse janë të prodhuara si të tilla

    Ministria e Punëve të Brendshme, ka thënë se errësimi i xhamave të veturave, lejohet vetëm për ato të prodhuara si të tilla nga prodhuesi, dhe se, vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar.

    Tutje, MPB thekson se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.

    ‘’ Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe të gjitha institucioneve që të respektojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë çështje. Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi’’, thuhet në reagim mes tjerash.

    Postimi:

    Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se përdorimi i xhamave të errët në automjete është i rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht me nenin 7 të këtij udhëzimi.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi. Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkeses së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës.

    Për të sqaruar këtë çështje, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, më datë 24.02.2026, ka dërguar edhe opinion ligjor, përmes të cilit është sqaruar se përdorimi i xhamave të errët rregullohet ekskluzivisht nga dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 12/2024, dhe se keto dispozita janë të qarta dhe detyruese për zbatim.

    Ministria e Punëve të Brendshme thekson se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.

    Këto rregulla janë vendosur me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, lehtësimit të kontrollit nga organet e rendit dhe parandalimit të aktiviteteve të paligjshme.

    Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe të gjitha institucioneve që të respektojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë çështje. Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Hamza takon strukturat e PDK në Gjilan e Viti: Qeveria Kurti spektatore, vendi është drejt një krize të re

    Hamza takon strukturat e PDK në Gjilan e Viti: Qeveria Kurti spektatore, vendi është drejt një krize të re

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ditën e sotme ka qëndruar në Gjilan dhe Viti, ku është takuar me kryesitë lokale të kësaj partie dhe me asamblistë e drejtorë, në funksion të rritjes së mobilizimit dhe organizimit të brendshëm.

    Në komunikatën për media, thuhet se, Hamza theksoi se Qeveria Kurti po qëndron si spektatore, duke dështuar të marrë përgjegjësi për menaxhimin e situatës, dhe se, sipas tij, kjo qasje e papërgjegjshme po e shtyn vendin drejt një faze të re krize dhe paqëndrueshmërie.

    “Koha kërkon angazhim maksimal nga secili prej nesh. PDK duhet të jetë në çdo qytet, në çdo lagje dhe pranë çdo qytetari, si zëri dhe shpresa për ndryshim”, ka thënë Hamza.

    Komunikata:

    Nga Gjilani në Viti, Hamza nis mobilizimin e PDK-së përballë krizave

    Prishtinë, 3 prill – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka qëndruar sot në Gjilan dhe në Viti, ku ka zhvilluar takime me kryesitë lokale të PDK-së dhe me asamblistë e drejtorë, në funksion të rritjes së mobilizimit dhe organizimit të brendshëm.

    Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend.

    Kryetari Hamza theksoi se Qeveria Kurti po qëndron si spektatore, duke dështuar të marrë përgjegjësi për menaxhimin e situatës. Sipas tij, kjo qasje e papërgjegjshme po e shtyn vendin drejt një faze të re krize dhe paqëndrueshmërie.

    Hamza bëri thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe anëtarësisë, duke theksuar se vetëm një PDK e fortë, e organizuar dhe e bashkuar mund ta udhëheqë vendin drejt stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.

    “Koha kërkon angazhim maksimal nga secili prej nesh. PDK duhet të jetë në çdo qytet, në çdo lagje dhe pranë çdo qytetari, si zëri dhe shpresa për ndryshim”, u shpreh Hamza.

    Kreu i PDK-së paralajmëroi se në ditët dhe javët në vijim do të vazhdojë vizitat në strukturat e partisë anembanë Kosovës, me qëllim riorganizimin dhe rritjen e mobilizimit në çdo degë.

  • Mustafa reagon për përplasjen me Egzon Azemin: S’e duroj ofendimin nga askush, s’është e lehtë të përballesh me nivel të tillë

    Mustafa reagon për përplasjen me Egzon Azemin: S’e duroj ofendimin nga askush, s’është e lehtë të përballesh me nivel të tillë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar lidhur me përplasjen që ka pasur sot me deputetin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi.

    Mustafa, tha se teksa ai bisedonte me Ardian Golën, Azemi i kishte penguar ata, të cilit, Mustafa i ka kërkuar të mos i ndërhynte, ku më pas Azemi i ishte atij drejtuar me fjalët ‘’mos u bo kastravec’’.

    Postimi:

    Të nderuar qytetarë,

    Sot, isha duke diskutuar me z. Gola që po udhëhiqte seancën.

    Erdhi Egzon Azemi dhe na ndërhyri.

    I kërkova të mos na ndërhyjë deri ta përfundojmë diskutimin z. Gola dhe unë.

    Mu kthye “mos u bo kastravec ktu”.

    Nuk e duroj ofendimin nga askush, më së paku nga dikush si ai.

    Nga natyra jam shumë i qetë, por dinjitetin tim s’ia kam borxh askuj.

    Nuk është e lehtë të përballesh me nivel të tillë që përfaqësojnë njerëz si ai.

    I juaji përherë,

    Besiani

  • Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.

    “Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    “Ngushtica duhet të zhbllokohet”.

    Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.

    Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.

     

  • Durrës: Vdes një 17-vjeçar në palestrën e shkollës, dyshohet për arrest kardiak

    Durrës: Vdes një 17-vjeçar në palestrën e shkollës, dyshohet për arrest kardiak

    Një ngjarje e rëndë dhe e papritur ka tronditur qytetin e Durrësit pasditen e sotme. Një nxënës 17-vjeçar ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike teksa ndodhej në ambientet e shkollës së mesme ku studionte.

    Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Shtetit, ngjarja u regjistrua rreth orës 15:15. Adoleshenti ishte në palestrën e shkollës kur ka shfaqur probleme të papritura shëndetësore. Ai është ndjerë keq dhe, për pasojë, ka humbur ndjenjat në sy të të pranishmëve.

    Reagimi mjekësor dhe shkaqet e dyshuara

    Pas rënies pa ndjenja, është njoftuar menjëherë shërbimi i urgjencës. I riu është transportuar me autoambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Fatkeqësisht, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 17-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë.

    Të dhënat e para nga bluzat e bardha dhe autoritetet sugjerojnë se vdekja e të riut nuk ka lidhje me faktorë të jashtëm ose trauma. Paraprakisht dyshohet se humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale, konkretisht si pasojë e një arresti kardiak të papritur.

    Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje tragjike, një grup i posaçëm hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ekspertët po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, duke mbledhur dëshmitë e stafit pedagogjik dhe të pranishmëve në palestër, për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti të rëndë. Pritej gjithashtu ekspertiza mjeko-ligjore për të konfirmuar shkakun përfundimtar të vdekjes.

  • Supremja ia ndërpret paraburgimin njërit nga të dyshuarit për dallavere në BKS

    Supremja ia ndërpret paraburgimin njërit nga të dyshuarit për dallavere në BKS

    Gjykata Supreme ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Florent Sylejmanit, i dyshuar në skandalin milionësh në Byroën Kosovare të Sigurimeve, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja e tij.

    Ky vendim vjen pas ankimit kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës.

    “Çështja penale ka të bëjë me disa të pandehur, përfshirë S.M., V.B. dhe të tjerë, të akuzuar për vepra penale si: keqpërdorimi i besimit, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, falsifikimi i dokumenteve dhe vepra të tjera penale, të kryera në bashkëkryerje dhe në forma të ndryshme të ndihmës,” thuhet në njoftim.

    Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Sylejmanit dhe ka ndryshuar aktvendimet e gjykatave të instancave të mëparshme. Ndaj të pandehurit F.S. është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila do të zgjasë deri më 8 prill 2026.

    Në njoftim, Supremja ka theksuar se paraburgimi duhet të përdoret vetëm kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.

    “Në këtë rast, Gjykata ka vlerësuar se nuk ekzistojnë rrethana konkrete që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, ndikimi në prova apo përsëritja e veprës penale,” theksohet në aktvendim.