ATV

Category: Lajme

  • Policia jep detaje se çfarë gjeti në shtëpinë e të arrestuarit në Kaçanik për krime lufte

    Policia jep detaje se çfarë gjeti në shtëpinë e të arrestuarit në Kaçanik për krime lufte

    Hetues policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me arrestimin e të dyshuarit mashkull kosovar për krime lufte kundër popullatës civile.

    Sipas policisë, me datë 04.04.2026, pas një hetimi të gjatë dhe grumbullimit të provave, është arrestuar i dyshuari.

    Në operacionin e bastisjes së pronës së tij në Kaçanik janë gjetur dhe konfiskuar armë, fishekë, uniformë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), si dhe pajisje të ndryshme.

    Njoftimi:

    KRIME LUFTE KUNDËR POPULLATËS CIVILE

    Kaçanik / 09.03.1999. Hetues policor të PK-së, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë kompletuar provat kundër të dyshuarit m/k, dhe me datë 04.04.2026 kanë arrestuar të dyshuarin. Është bastisur prona e tij ku janë gjetur dhe konfiskuar: fishekë, armë, uniformë (e MUP-it), pajisje të ndryshme, etj. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Kurti uron Pashkët: Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh

    Kurti uron Pashkët: Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar festën e Pashkëve për të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë në Kosovë dhe në mbarë botën.

    Përmes një postimi në Facebook, i pari i ekzekutivit theksoi rëndësinë e harmonisë mes njerëzve dhe bëri thirrje për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.

    “ Shpresa, sakrifica, dashuria, falja dhe rilindja si nevojë për të ndryshuar për të mirë, janë mesazhet kyçe të kësaj feste. Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh dhe të na frymëzojë për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot dhe gjithmonë, Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta njerëzore dhe i besimit në një jetë më të mirë për të gjithë.Gëzuar!”, shkroi Kurti.

  • Ekspozita me pasaktësi për masakrat, Shkëlzen Gashi: Pjesa dërmuese e qytetarëve e dinë se nuk i kam shërbyer Serbisë

    Ekspozita me pasaktësi për masakrat, Shkëlzen Gashi: Pjesa dërmuese e qytetarëve e dinë se nuk i kam shërbyer Serbisë

    Shkëlzen Gashi, është deklaruar rreth kritikave që i janë bërë atij për ekspozitën në sheshin e kryeqytetit Masakrat në Kosovë, duke thënë se emri i tij është përdorur ‘’për me i mshu’’ kryeministrit Albin Kurtit.

    Këtë gjë, Gashi e ka cilësuar si të ‘’ulët’’ dhe ‘’jo fer, jo korrekte’’.

    ‘’Mendoj që pjesa dërmuese e qytetarëve, edhe vetë ata e dinë që unë nuk i kom shërby agjendës së Serbisë, që vetë e kanë orekstru këtë fushatë e din që nuk është ashtu. Por e kanë përdor keqpërdor për me i mshu kryeministrit Kurti, tu m’bo tabel qitje. Kjo mu ka dok shumë e ulët, jo fer jo korrekte. Jo më përdor një qeso teme të ndishme siç është masakra, vrasja e civilëve’’, ka thënë ai.

  • Iu gjetën gabime për viktimat në ekspozitë, Gashi: Pati sulme të furishme, prisja të thonë “shumë e mirë”, rregulloje këtë pasaktësi

    Iu gjetën gabime për viktimat në ekspozitë, Gashi: Pati sulme të furishme, prisja të thonë “shumë e mirë”, rregulloje këtë pasaktësi

    Shkëlzen Gashi është deklaruar rreth kritikave ndaj ekspozitës për masakrat në Kosovë, ku u gjetën pasaktësi.

    Gashi ka thënë se reagimet ishin ‘’të furishme’’ dhe se, ai kishte pritur që reagime të thonë se ‘’ekspozita shumë e mirë por qetu ka një pasaktësi’’.

    ‘’…situata radikalozohet shumë dhe fillojnë me ardhje sulme të pandërprera, që për bindjen teme, edhe nëse s’kanë qenë të orkestruara paraprakisht, prej atij momenti e tutje, janë bo të orkestruara. Ka qenë një reagim shumë i furishëm i njerëzve, në vend që me pas një reagim kështu me thanë ‘’qy qekjo ekspozitë shumë e mirë por qetu ka një pasaktësi që duheni me evidentu’’. Për mu u kanë krejt e habitshme’’, ka thënë Gashi në Nerv.

  • Haziri: Abdixhiku takohet me Kurtin të hënën në mëngjes

    Haziri: Abdixhiku takohet me Kurtin të hënën në mëngjes

    Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

    Haziri tha se Kosova tash e një kohë është në një krizë të brendshme politike.

    “Jemi në krizë të brendshme, jemi mbyllur në krizën e brendshme politike. E dimë që jemi në orët e fundit të mandatit të presidentes së Republikës së Kosovës dhe fillimit të krizës së re për zgjedhjen e presidentit e cila ka me prekë edhe ekzekutivin edhe jetën e qytetarëve”, tha Haziri në Klan Kosova.

    Tutje, ai tha se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti i kaluar ishte që në vendin e ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit të caktohej një përfaqësues nga kjo parti.

    “Prej 9 shkurtit është synuar ushtrimi i detryës me një përfaqësues të Vetëvendosjes në Presidencë, ky ka qenë synim që tash po del, po faktohet. Kriza e vitit të kaluar me zgjedhjen e kryetares e cila arriti me u zgjedh me një proces të ri zgjedhor përmes 28 dhjetorit dhe synimi ka qenë që në këtë kohë kur të vjen, kur të mungon Vjosa Osmani, Albulena Haxhiu me ushtru detyrën e presidentes dhe me menaxhu një proces të caktuar”.

    Haziri tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ishte shprehur e hapur për bashkëpunim, megjithatë sipas tij Kurti nuk kishte folur asnjëherë për emër të përveçëm për çështjen e presidentit.

    “Tani ne jemi ofru me bashkëpunu si LDK në procese politike, me ne Kurti nuk ka folur asnjëherë për emra të përveçëm për president dhe nuk ka fol asnjëherë për ndarjen e ekzekutivit. Ne kemi ndërtu bashkëpunim për proces politik në rastin e zgjedhjes së presidentit në kalendarin që Kurti e ka imponu.
    Në fund, Haziri konfirmoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të takohet të hënën me kryeministrin e vendit për të diskutuar rreth kësaj çështje.

    “Jemi në një rrethanë kur të hënën e ardhshme Abdixhiku do të takohet paradite me Kurtin për të bisedu për procesin e ri për rifillimin e procesit për zgjedhjen e presidentit të vendit”,tha ai.

  • Dosja Epstein ‘i kushtoi’ Pam Bondit? Brenda vendimit të Trumpit për shkarkimin e saj

    Dosja Epstein ‘i kushtoi’ Pam Bondit? Brenda vendimit të Trumpit për shkarkimin e saj

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme të vendit, Pam Bondi.

    Përmes një njoftimi të shkurtër, Trump njoftoi fundin e mandatit 14-mujor të një prej aleateve të tij më të ngushta, duke cituar nevojën për një “drejtim të ri” në Departamentin e Drejtësisë (DOJ).

    Sipas një analize të detajuar nga The Economist, rënia e Bondit erdhi si pasojë e disa faktorëve kyç që “gërryen” besimin e Shtëpisë së Bardhë:

    Ndonëse Bondi nisi një fushatë agresive për të hetuar rivalët politikë të Trumpit (të ashtuquajturin “Deep State”), ajo dështoi të siguronte dënime në gjykatë.

    Kjo vonesë ‘irritoi’ presidentin, i cili kërkonte “fitore” të shpejta dhe goditëse.

    Menaxhimi i dokumenteve sekrete të Jeffrey Epstein gjithashtu rezultoi fatal.

    Gabimet teknike që nxorën zbuluar emrat e viktimave dhe akuzat për fshehje dokumentesh nxitën një revoltë të papritur edhe brenda bazës mbështetëse të Trumpit.

    Gjatë vitit të kaluar, Bondi udhëhoqi spastrimet më të mëdha në historinë e DOJ, duke larguar qindra prokurorë. Ky destabilizim, në fund, e la atë pa mbrojtje dhe pa një strukturë efikase për të kryer urdhrat e Shtëpisë së Bardhë.

    Analistët e shohin largimin e saj si një mesazh të qartë: në administratën aktuale, besnikëria absolute është vetëm pika e nisjes.

    Pa rezultate politike të prekshme dhe pa aftësinë për të menaxhuar krizat, asnjë bashkëpunëtor nuk konsiderohet i paprekshëm.

  • Schmitti, Malcolmi e të tjerët i kërkojnë Prokurorisë t’i ndalë hetimet ndaj Gashit

    Schmitti, Malcolmi e të tjerët i kërkojnë Prokurorisë t’i ndalë hetimet ndaj Gashit

    Nëpërmjet një letre publike, historianë dhe albanologë ndërkombëtarë i kanë bërë apel Prokurorisë Speciale të Kosovës që të ndalë hetimet për Shkëlzen Gashin, autorin e ekspozitës që shpërfaqi të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë javën e shkuar.

    Florian Bieber, Konrad Clewing, Krisztián Csaplár-Degovics, Sir Noel Malcolm, Robert Pichler, Albert Ramaj e Oliver Jens Schmitt, kanë thënë se nuk është normale që cilësia e një pune shkencore, bashkë me dobësitë e mundshme apo reale, të bëhet shkak për ndjekje penale nga shteti dhe se procese të tilla ndodhin zakonisht në shtete autoritare ose në demokraci të dobëta dhe të rrezikuara.

    Ata i kanë bërë thirrje edhe opinionit publik që debatet historike të zhvillohen me më shumë maturi dhe qetësi.

    Letra e plotë:

    Apel drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe opinionit publik në Kosovë

    Si studiues që veprojmë jashtë vendit, ne, nënshkruesit, qëmoti merremi me tema historike që lidhen me Kosovën. Ndihemi gjithashtu ngushtë të lidhur me vendin e sotëm. Me kënaqësi kemi mundur të vëzhgojmë se si, paralelisht me lirinë e fituar në vitin 1999, edhe demokracia në Kosovë është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Deri më sot, kultura e saj demokratike dallohet në mënyrë pozitive nga situata në shtetet fqinje, ku polarizimi politik përshkon të gjitha temat.

    Megjithatë, zhvillimet aktuale të drejtësisë në lidhje me një debat që në thelb duhet të zhvillohet në mënyrë shkencore, na japin arsye për shqetësim të madh. Siç dihet, më 30 mars 2026, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetime penale kundër përgjegjësit të një ekspozite, në qendër të së cilës qëndrojnë krimet e rënda të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. I dyshuari, pas një kontrolli në shtëpi, është marrë në pyetje për orë të tëra, ndërsa telefoni dhe kompjuteri i tij janë konfiskuar. Dyshimi fillestar i Prokurorisë Speciale lidhet me veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Shqetësimi ynë nuk është i kufizuar vetëm te pasojat për autorin Shkëlzen Gashi. Shqetësimi ynë themelor ka të bëjë me dëmin që mund t’u shkaktohet kushteve strukturore hulumtuese për studiuesit, shtetit ligjor dhe kulturës së debatit demokratik në Kosovë.

    Ky apel nuk synon të bëjë një analizë të detajuar të përparësive apo dobësive shkencore të librit të Shkëlzen Gashit apo me cilësinë e teksteve të ekspozitës (të cilat, siç ndodh me shumicën e lexuesve, i njohim vetëm në fragmente përmes raportimeve mediatike). Megjithatë, në punën shkencore është krejtësisht normale që, së pari, terminologjia edhe e pjesëve të veçanta të një teksti të jenë të kritikueshme dhe, së dyti, që autori – në rastin ideal – të reflektojë mbi semantikën e vet si pasojë e kësaj kritike. Pikërisht siç duket se po ndodh në rastin konkret.

    Në të kundërtën, në demokracitë evropiane nuk është aspak normale që cilësia e një pune shkencore, bashkë me dobësitë e saj të mundshme apo reale, të bëhet shkak për ndjekje penale nga shteti. Duhet të na shqetësojë të gjithëve fakti që procese të tilla ndodhin zakonisht në shtete autoritare ose në demokraci të dobëta dhe të rrezikuara. Edhe një rast i vetëm mund të krijojë një precedent shkatërrues për marrëdhënien ndërmjet shkencës dhe shoqërisë. Dhe më keq akoma: mund të dobësojë në mënyrë thelbësore rendin demokratik të një vendi.

    Prandaj, ne i bëjmë thirrje opinionit publik në Kosovë që debatet historike shkencore, edhe kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme, të zhvillohen sa më me maturi dhe qetësi. Polarizimi partiak, siç ekziston tashmë në vendet fqinje, paraqet rrezik për demokracinë e Kosovës edhe në këtë nivel. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe në veçanti Prokurorisë Speciale që vlerësimin e karakterit shkencor të një vepre t’ia lërë sërish komunitetit shkencor dhe një debati të lirë. Liria e shkencës dhe liria e shprehjes janë parime themelore të domosdoshme të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Në këtë kuptim, i bëjmë thirrje konkrete Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të ndërpresë hetimet në lidhje me ekspozitën e ndërprerë para kohe në Prishtinë dhe autorin e saj.

    3 prill 2026

    Florian Bieber, Graz

    Konrad Clewing, Regensburg

    Krisztián Csaplár-Degovics, Budapest

    Sir Noel Malcolm, Oxford

    Robert Pichler, Vjenë

    Albert Ramaj, St. Gallen

    Oliver Jens Schmitt, Vjenë

  • Pas stërvitjes, ushtarakët e FSK-së nderojnë dëshmorët e Istogut tek memoriali

    Pas stërvitjes, ushtarakët e FSK-së nderojnë dëshmorët e Istogut tek memoriali

    Ushtarakët e FSK-së, gjatë stërvitjeve të rregullta zbritën nga zona malore për nderime tek dëshmorët në Kompleksin Memorial të Vrellës në Istog.

    Të njëjtit, bënë homazhe dhe përkujtuan sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit.

    Ata u pritën nga kryetari i OVL UÇK – Istog, Muhamet Demaj, së bashku me bashkëluftëtarë.

    Po ashtu, ata vizituan edhe nxënësit, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta dhe brohoritën për UÇK-në.

  • “Të gatshëm për mision”, FSK me stërvitje për ngritjen e gatishmërisë operacionale

    “Të gatshëm për mision”, FSK me stërvitje për ngritjen e gatishmërisë operacionale

    Në kuadër të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, kompanitë e Regjimentit të tretë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë kanë realizuar me sukses ushtrimet fushore në nivel skuadre dhe togu.

    FSK njofton se stërvitjet u kryen me qëllim ngritjen e gatishmërisë operacionale dhe përgatitjes profesionale të personelit.

    “Ushtrimet fushore “Kilo Mike”, “Stuhia e Marsit 2026” dhe “Sierra 26” kishin për qëllim ngritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve në Operacione të Mbështetjes Logjistike, zhvillimin e shkathtësive taktike individuale në përmbushjen e misionit, testimi i gatishmërisë fizike të personelit, përmirësimi i koordinimit ndër-njerëzor, operimi në kushte të vështira dhe reagimi ndaj kërcënimeve në terren kodrinoro-malor”.

    “Këto ushtrime dëshmojnë përkushtimin e ushtarakëve në arritjen e standardeve të larta profesionale dhe operacionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të përgjithshme të njësive në përmbushjen e misionit”, thuhet në njoftimin e kësaj force.

  • Ofroi ryshfet në kufi, shtetasi i Serbisë përfundon në polici

    Ofroi ryshfet në kufi, shtetasi i Serbisë përfundon në polici

    Të premten një shtetas i Serbisë është shoqëruar në polici në pikën kufitare në Bërnjak.

    Ai dyshohet t’i kishte ofruar ryshfet një polici në mënyrë që ta linte pasagjerin të futej me dokument me afat të skaduar.

    “Me datën 03.04.2026, rreth orës 11:00, gjatë kontrollit kufitar në hyrje të Pikë Kalimit Kufitar Bërnjak, i dyshuari shtetas i Serbisë i cili po drejtonte automjetin me targa të Serbisë, i ka ofruar zyrtarit policor para, me qëllim që i njëjti të lejonte hyrjen e pasagjerit me dokument identifikues me afat të skaduar në territorin e Republikës së Kosovës, veprim ky në kundërshtim me ligjin”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    “Me veprimet e kryera personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘Dhënie e ryshfetit’, ku lidhur me rastin, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, kartëmonedha është konfiskuar, përderisa personi i dyshuar dërgohet në mbajtje”.