ATV

Category: Lajme

  • Itali: Po ecte në një çati prej xhami, bie në shkallë dhe vdes 12-vjeçari shqiptar

    Itali: Po ecte në një çati prej xhami, bie në shkallë dhe vdes 12-vjeçari shqiptar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Via Piave, Bologna, ku një djalë 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi ra nga dritarja i një çatie ndërtese.

    Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 19:00.

    Sipas raportimeve, xhami ku po ecte djali nuk e mbante dot peshën e tij dhe u thye, me 12-vjeçarin që ra dhe u përplas te shkallët. Përpjekjet e shokëve që e shoqëronin për ta shpëtuar ishin të pasuksesshme, ndërsa djali vdiq menjëherë.

    Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës mjekësore dhe policia, të cilët nisën hetimet për rrethanat e ngjarjes.

    Hetimet mjeko-ligjore po përqendrohen te oborri i ndërtesës, i cili ka disa shkallë, si dhe tek shkallët ku ndodhi rënia tragjike./TCh/

  • Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Është kërkuar paraburgim për Korab Bajgorën, i dyshuar për kërcënim e sharje të kreut të AAK’së, Ramush Haradinajn dhe familjes së tij.

    Lajmin e konfirmoi Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për persona me ç’rregullime mendore”, tha Nikçi.

    Ndryshe, në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri pistoleta, ku njëra ka qenë me 4 copë fishekë.

  • Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ditën e parë të punës do ta nisë me një vizitë në rajonin e Drenicës.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës së Kosovës, homazhet nisin në orën 10:00.

    “Në orën 10:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bën homazhe në Rezallë”, thuhet në njoftim.

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të shtunën ka pranuar detyrën nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila e ka përfunduar mandantin e saj në krye të shtetit.

    Haxhiu do të ushtrojë detyrën e presidentes, derisa të zgjidhjet një president i ri, por që ky process aktualisht po përballet me mungesë kompromisi ndërmjet subjekteve politike.

  • Hamza me rastin e Pashkës, uron bashkëpunim për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë

    Hamza me rastin e Pashkës, uron bashkëpunim për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ua ka uruar Pashkët besimtarëve katolikë.

    Në urimin e tij, Hamza shprehet se së “bashku po i forcojmë vlerat, respektin dhe bashkëpunimin për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë”.

    Postimi i tij:

    Në këtë të diel të Pashkëve katolike, ua uroj festën të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë.

    Së bashku po i forcojmë vlerat, respektin dhe bashkëpunimin për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë.

    Paqe, mirësi, qetësi shpirtërore dhe shumë gëzime në çdo familje!

  • Dyshohet se vodhën veturën e punës, dy të arrestuar në Fushë Kosovë

    Dyshohet se vodhën veturën e punës, dy të arrestuar në Fushë Kosovë

    Dy persona janë arrestuar në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se kanë vjedhur një veturë.

    Ngjarja ka ndodhur më 04.04.2026 rreth orës 01:20, ku të dyshuarit, meshkuj kosovarë, kanë marrë veturën e punës në pronësi të një viktime mashkull kosovar.

    Pas ndërhyrjes së policisë, të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.

  • OVL-UÇK: Urime besimtarëve katolikë për Pashkët, mbizoteroftë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi

    OVL-UÇK: Urime besimtarëve katolikë për Pashkët, mbizoteroftë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët.

    “OVL UÇK, me respekt dhe përzemërsi uron të gjithë besimtarët e besimit katolik për festën e shenjtë të Pashkëve! Në këtë ditë drite e shprese, urojmë që në çdo vatër familjare të mbizotërojë paqja, dashuria dhe mirëkuptimi”, thuhet në urimin e OVL-UÇK-së.

    “Pashkët le të jenë kujtesë e fuqisë së besimit dhe ringjalljes së shpresës për ditë më të mira për të gjithë”.

  • Caktohen çmimet për një litër naftë dhe benzinë për ditën e sotme

    Caktohen çmimet për një litër naftë dhe benzinë për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, për ditën e sotme.

    Për ditën 05.04.2026, çmimet maksimale të lejuara janë si vijon:

    • Nafta (dizel): 1.86 euro/litër;

    • Benzina: 1.49 euro/litër

    Ministria në njoftimin e saj thekson se asnjë operatorë ekonomikë nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar.

    “Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    “MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit. Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës”, vijon njoftimi.

    Sipas MINT, shkeljet e këtij vendimi do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • 27 vjet nga masakra e Rezallës

    27 vjet nga masakra e Rezallës

    Sot bëhen 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

    Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

    Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë. /KosovaPress/

  • Mesha e Pashkëve, Ipeshkvi Dodë Gjergji thirrje liderëve politikë që të tregojnë përgjegjësi

    Mesha e Pashkëve, Ipeshkvi Dodë Gjergji thirrje liderëve politikë që të tregojnë përgjegjësi

    Mesha solemne e Pashkëve në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë përcolli mesazhe të fuqishme për paqe, nën udhëheqjen e Ipeshkvit Dodë Gjergji.

    Kjo festë e rëndësishme për besimtarët katolikë u shoqërua me thirrje për reflektim shpirtëror, dashuri dhe pajtim, si dhe për ripërtëritje të shpresës në mesin e familjeve shqiptare.Në fjalën e tij, Ipeshkvi Gjergji u bëri thirrje liderëve politikë në vend që të tregojnë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, transmeton KosovaPress.

    Po ashtu, ai u lut për ndaljen sa më të shpejtë të luftërave në botë dhe për mbizotërimin e paqes dhe qetësisë.

    “I ftojmë edhe autoritetet politike të vendit tonë që të jenë më të ndërgjegjshëm për kohën të cilën jetojmë, por më të përgjegjshëm për detyrat dhe përgjegjësitë që të ruhet stabiliteti dhe siguria ashtu që të gjithë të kenë aftësinë, guximin dhe zotësinë për dialog me njeri-tjetrin dhe të respektojmë të kaluarën sikur që duhet të ndërtohet e ardhmja…Ta kujtojmë (të lutemi për paqe) paqen në botë. Dashtë Zoti që sa më parë të ndalohet zhurma dhe krisma e armëve që të ngadhënjejë qetësia”, theksoi Dodë Gjergji.

    Pashkët janë festa më e rëndësishme e krishterimit, që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe përçon mesazhe shprese, ripërtëritjeje dhe jete të re. Në Kosovë, kjo festë shënohet çdo vit me meshë solemne dhe pjesëmarrje të madhe të besimtarëve, duke reflektuar rëndësinë e saj shpirtërore dhe shoqërore./KP/

  • Begaj uron besimtarët katolikë për Pashkën: Gëzim, paqe dhe bekime për të gjithë

    Begaj uron besimtarët katolikë për Pashkën: Gëzim, paqe dhe bekime për të gjithë

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë urimin e tij për besimtarët katolikë, duke theksuar simbolikën e kësaj feste që përfaqëson triumfin e së mirës mbi të keqen, të dritës mbi errësirën dhe të shpresës mbi vështirësitë.

    Në një status të publikuar në rrjetin social Facebook, kreu i shtetit ka ndarë një mesazh për besimtarët, duke uruar paqe, gëzim dhe bekime për të gjitha familjet në këtë ditë të shenjtë.

    Statusi në Facebook:

    “ Gëzuar Pashkën!

    Pashka është besimi se e mira fiton mbi të keqen, mundimi mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën.
    Pashka është besimi se jeta është forca e pashtershme që na udhëheq.
    Pashka është shpresë dhe gëzim. Kjo festë na kujton se Zoti nuk na braktis kurrë dhe se dashuria e Tij është më e fortë edhe se vdekja.
    Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë gëzim, paqe dhe bekime në familjet tuaja!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij.