ATV

Category: Lajme

  • Tentoi ta vriste gruan me të cilën bashkëjetoi, dënohet me 11 vjet burgim Idriz Alija

    Tentoi ta vriste gruan me të cilën bashkëjetoi, dënohet me 11 vjet burgim Idriz Alija

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Idriz Alija lidhur me akuzën për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi Sh.T. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me dënim unik prej 11 vjet burgim.

    Në këtë rast, Idriz Alija akuzohej për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar. Po ashtu, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe anëtarët Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli.

    Sipas vendimit, për vrasje të rëndë në tentativë, Alija u dënua me 10 vjet burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim, kurse për “Mosërfillje të gjykatës” u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 11 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë për paushallin gjyqësor 150 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Urdhërohet konfisikimi i përhershëm i pistoletës me një karikator dhe tre fishekë. Po ashtu, u urdhërua Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të bëjë shkatërrimin e sendeve të konfiskuara.

    E dëmtuara u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Të akuzuarit Alija, me aktvendim të veçantë i vazhdohet paraburgimi.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

    Ndryshe, në shpallje nuk ishte i pranishëm i akuzuari Alija, por vetëm avokati i tij, Haxhi Millaku.

    Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.

    Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

    Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, thuhet se të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën.

    Me këtë, i pandehuri Alija ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.

    Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë-Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.

    Për këtë veprim, i pandehuri Alija akuzohej se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal.

  • Kalimi në tunelin e Llogarasë do të bëhet me pagesë brenda muajit, ja sa do të jenë tarifat

    Kalimi në tunelin e Llogarasë do të bëhet me pagesë brenda muajit, ja sa do të jenë tarifat

    Në tunelin e Llogarasë pritet që brenda këtij muaji të nis dhe aplikimi i tarifave, ndërsa deri më tani kalimi është bërë pa pagesë.

    Punimet për vendosjen e sistemit të pagesës tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa këtë të hënë janë zhvilluar dhe testet e fundit për funksionimin e pajisjeve.

    Kudo janë vendosur kamerat e sigurisë dhe sistemet elektronike që do të pasojnë më pas me tarifimin e çdo mjeti që kalon në këtë aks.

    Pagesa pritet të nisë nga 100 lekë për motoçikletat dhe maksimumi do të jetë 5 mijë lekë për mjetet e tonazhit të rëndë.

    Për autoveturat tarifa e kalimit do të jetë 250 lekë, ose 500 lekë vajtje-ardhje, 500 lekë për mjete me karroceri, dhe 1000 lekë për furgonë e autobusë. /tch/

  • Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka nisur sot detyrën e re si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

    Ajo falënderoi stafin e Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën pozitive gjatë mëngjesit të sotëm.

    “Faleminderit stafit të Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën e këndshme në mëngjesin e sotëm,” shkroi Haxhiu në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit.

    Në një ceremoni zyrtare në Presidencë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.

    Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së të parës së vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

  • Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se sot një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 euro, derisa benzina 1.46 euro.

    Derisa sipas MINTI-it çmimi i gazit për litër është 0.74 euro.

    “MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri vendimin e ri të nënshkruar nga ministrja Rozeta Hajdari Kusari-Lila, me synimin për të garantuar një treg funksional dhe të qëndrueshëm, në shërbim të konsumatorëve. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes në Gaza i ka dhënë Hamasit afat deri në fund të javës për të pranuar një propozim për çarmatim, ndërsa organi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të është i vendosur të çojë përpara rindërtimin e enklavës palestineze, thanë tre burime të njohura me çështjen për The Times of Israel.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, u takua të premten në Kajro me një delegacion të po zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe grupi terrorist është informuar se bordi mbikëqyrës i Gazës dëshiron që një marrëveshje për çarmatim të finalizohet deri në fund të javës.

    Burimet sqaruan se ndryshimet e vogla në propozimin për çarmatim do të vazhdonin të shqyrtoheshin, ndërsa kërkesat për ndryshime themelore nga Hamasi nuk do të pranoheshin.

    Mladenov është i bindur se është e mundur të ecet përpara me fazën e dytë të planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, tha një nga diplomatët arabë, ndërsa pranoi se vendet ndërmjetësuese të Lindjes së Mesme, Egjipti, Katari dhe Turqia, nuk janë aq optimiste.

    Ndërmjetësit po e bindin Hamasin që ta pranojë propozimin e çarmatimit të mbështetur nga SHBA-të, por grupi terrorist “nuk ka gjasa të thotë ‘po’ pa ndonjë kusht të rëndësishëm”, tha diplomati arab, i cili është nga një prej vendeve ndërmjetësuese.

  • Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit në Iran që të mos përdorin trenin sot, raporton BBC.

    Në një postim të shpërndarë në llogarinë e ushtrisë në rrjetet sociale u thuhet njerëzve në Iran që për hir të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin “deri në orën 21:00 sipas kohës së Iranit”.

    Në atë postim thuhet se “prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.

    Kjo thirrje vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në të gjithë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit deri në orën 20:00 EDT të së martës (01:00 BST të së mërkurës).

    Në përditësimet e publikuara gjatë natës, ushtria izraelite gjithashtu tha se kishte përfunduar një valë sulmesh ajrore që synonin “infrastrukturën në Teheran” të lidhur me regjimin, dhe kishte vrarë persona që i cilësoi si anëtarë të Hezbollahut

  • LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

    Dorëzimi është bërë nga deputeti Visar Azemi.

    Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

    Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave. Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

    Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

    Pas dyshimeve të ngritura, Ministria ka formuar Komision për verifikim.

    Pas nisjes së verifikimit, disa njëhsorë janë tërhequr nga funksioni për pasaktësi.

  • Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Gjatë një patrullimi rutinë në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi municioni dhe pajisjesh ushtarake.

    Policia ka gjetur: 15 fishekë të mbushur dhe 11 të zbrazur për pushkë gjuetie, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola, dhe një pjesë uniforme ushtarake.

    Në këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia ka njoftuar prokurorin dhe rasti është në procedurë hetimore për armëmbajtje pa leje.

    “ Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar municion të pushkës së gjuetisë: 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake. Nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për të që nga fillimi i mandatit qeverisës.

    Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet zgjedhjen e presidentit.

    “Duke u nis nga ajo çka ka ndodh deri tani, shihet që pra Kurti nuk e ka pasur me rëndësi zgjedhjen e presidentit. Për shkak se këto marrëveshjet politike për president, sikur ta kishte pas me rëndësi, do t’i kishte bërë kur e ka bërë qeverinë. Do t’i ftonte ne koalicion qeverisës, palët e interesuara për bashkëqeverisje, ku do ta përfshinte edhe çështjen e presidentit… mundem me them që nuk e shoh të internuar, nuk e ka pas me interes të madh zgjedhjen e presidentit. Kësisoj përfundojmë në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.

  • Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Një person ka humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në dhjetëra aksidente që kanë ndodhur brenda 24 orëve në Kosovë.

    Sipas raportit policor, poashtu janë shënuar edhe 29 raste të aksidenteve me dëme materiale.

    Derisa, 13 persona janë arrestuar, katër janë dërguar në mbajtje, kurse një në vuajtje të dënimit.

    Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe 2291 gjoba trafiku.